Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Gazetarin Mero Baze e lexoj shpesh herë për kënaqësi estetike, ai është ndër më të mirët , por rallë herë e marr seriozisht. Më shumë se gjithçka tjetër është përceptim karakteri.
Pas shkrimit tim, botuar në DITA, lidhur me një deklaratë të tij rreth vjehrrës së Berishës, dhe atyre , që ai i quan “ aludime” rreth ndërhyrjes së UDB-së në Shqipëri, ai , zoti Baze, megjithëse njihet për shkrimet e tij të shkurtëra, më ka “ kushtuar”, shumë “ përzemërisht”, një autorial të gjatë, shumë të gjatë, përmes së cilës përpiqet të mbushë mendjet se prania e UDB në Shqipëri është një teori konspirative dhe, nëse marrëzitë tona politike janë kokrrat, prania e UDB-së është kashta.
Jam i bindur se Baze e ka kuptuar drejt shkrimin tim dhe, po ashtu, jam i bindur se ai di edhe më shumë nga sa kam shkruar.
Për të ia hequr dyshimin e tij dhe perversitetin politik, se “ky sulm ndoshta vjen dhe nga fakti që Edi Rama do marrë pjesë në një aktivitet të LDK, duke reflektuar për figurën e Ibrahim Rugovës”, gjë që as e kam ditur e nuk kam pse ta di, të dhëna shumë më tepër se në shkrimin tim të cituar nga Baze, por edhe këto, i kam sjellë në librin “ Enigma e një vrasje të trefishtë”, ndoshta 15 vite më parë, pastaj në librin “ Triada e Kosovës”, pa përmenduar intervistat apo shkrimet e botuara në librin “Dhjetori i vrarë”. Nëse Edi Rama shkon në një aktivitet të LDK-së, mirë bën, kjo është punë e tij, do të doja të shkonte aty sinqerisht, nga bindja e tij. Jo për karshilëk ndaj një force tjetër politike. Që edhe ashtu , ajo forcë politike, ka mëkatet e saj të mëdha lidhur me Shqipërinë.
Asnjë inat vetjak nuk kam me shefin e qeverisë Rama, e kam mbështetur e vazhdoj ta bëj sipas bindjeve të mia, aty ku mendoj se ka të drejtë, dhe as nuk mendoj se ata që ka mbledhur rreth vetes janë armiq apo njerëz të UDB-së. Kam qenë kundër idesë së Ramës për “ “Ballkanin e hapur”, çka mbronte me bindje Baze dhe tani është një ide e dështuar; kam qenë kundër PPP dhe konçensioneve të pamata, të cilat tani po gjykohen; kam mbështetur idetë e tij të tolerancës dhe të hapjes së mendimit politik, edhe pse ai duket autoritarist i thekur. Vendosja e dy ministrave nga Kosova në qeverinë e tij nuk është punë e imja. Njëri prej tyre, në të vërtetë i aftë dhe i duhur, u përdhos, pa të drejtë, në figurën e tij si gjetje e Baton Haxhiut; tjetra nuk e përballoi dot Shqipërinë. Vlora Hysenin e kam mbështetur publikisht, në të gjitha format mediale. Sepse ishte gjetje e duhur.
Që të jesh i qetë: asnjë borxh nuk i kam qeverisë së Shqipërisë, as të Kosovës Nga asnjëra prej tyre, edhe kur kam qenë këshilltar politik i zotit Haredinaj, në qeverinë e përbashkët me LDK-në, të cilën e mbështeta, edhe si këshilltar politik i presidentit Thaçi, çdo gjë e kam bërë pa asnjë shpërblim financiar. Jeta që kam ,puna që kam bërë në një nga institutet e njohura të Europës, më ka siguruar normalitetin e domosdoshëm dhe qetësinë e bindjeve të mia.
Më vjen keq që “ mbrojtjen “ e Ramës e marrin përsipër njerëz të cilët në shumë vite, kur qëndronin në paradhomën e Berishës , hodhën mbi të male me akuza, të pa vërteta, shpifje nga më ordinieret. Por kjo nuk është as e re dhe as e papritur. Ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë njerëz që të frymëzuar prej idesë së tregtisë së ndergjegjes, shesin çfarë të munden, nderin, të vërtetën, shpirtin.
Pasi u sqaruam për këtë pjesë, të bëjmë më tej.
Jam i bindur se Mero Bazen nuk e ha meraku për Mehmet Locin, ish shefin e UDB në Pejë: fakti që ai ka qenë edhe shefi i shërbimit të brendshëm në LDK nuk ka të bëjë me mendimin politik dhe synimin real për Kosovën të Ibrahim Rugovës. LDK nuk e mbajti filozofia politike e Rugovës, shumë nga të cilët as nuk e njihnin, por realiteti i autoritetit të tij. Rugova ishte njeri i heshtur, që fliste përmes saj, por që nuk e harronte kurrë pas skenën që e dëmtonte. Dhe kishte një kujtesë të mrekullueshme. Ai nuk e harroi kurrë dredhinë e Berishës ndaj tij dhe nuk e fali. Në të gjallë nuk e qasi kurrë. Ai nuk e harroi kurrë synimin e Bukoshit për ta izoluar dhe nuk e fali. Nuk e qasi kurrë në zyrën e tij, as pas luftës. Nuk ia fali asnjëherë ish të burgosurëve politikë të Kosovës ,që ishin pjesë e udhëheqjes së lartë të LDK-së,të cilët kërkonin radikalizimin e gjendjes në Kosovë dhe i përjashtoi të gjithë për një ditë, në një Kuvend të vetëm. Autoriteti i tij ishte i padiskutueshëm, jo filozofia e tij. Më largimin e tij nga jeta forca politike që drejtoi u shthur, humbi nga vetja dhe tani është në margjinat e skenës politike të Kosovës.
Baze, jam i bindur, di më tepër nga sa është thënë në një shkrim timin për shumë gjëra të nxehta, dhe lehtësisht i ka mënjanuar nga vetja. Mirë ka bërë.
Po ashtu, as nuk e ha meraku për njerëzit e ardhur nga shërbimi sekret serb në Shqipëri për të bërë atë që bënë, që nuk është thjeshtë kashtë, por shumë më tepër se kaq. Ai vetë ka shkruar shumë herë për to.
Përversiteti politik i Bazes, sipas të cilit, “ shkrimi im ka qasje ideologjike ndaj UDB dhe do të na tregojë që kur UDB është në anën e kundërshtarëve të tij politik, është e keqe, dhe kur është në anën e komunistëve shqiptarë, është e mirë”, është qasje e tejshkuar. Është një nga ato përversitetet e natyrshme në mendimin politik të tij. Fakti që në shkrim kam të njëjtin qëndrim ndaj qeverisjes së majtë, aspak komuniste, është dëshmi e bindjes sime, por njeriu nuk del dot nga vetja. Baze është në “ fushën” e tij, për të, ai që nuk është me Rugovën i shërben komunistëve, ai e sheh UDB si gjë të mirë. Kalimi në periudha të ndryshme të ndikimit serb në shtetin shqiptar, të shumë kohrave,nuk ka qenë temë e shkrimit tim. Gjëra që njihen apo për të cilat kam shkruar kaq herë. Financime nga shteti serb nuk kanë marrë vetëm familja Lleshi apo njerëzit e Ahmet Zogut, Dukagjinasit apo mirditorët, jo vetëm veriorë, por edhe shumë nga “ baballarët e kombit” të mërguar nga Shqipëria në dhjetor 1924, të cilët gati 15 vite figuronin në borderotë serbe, që u shfaqën më pas me petkun “ nacionalist”, sipas dëshmisë së Sejfi Vllamasit. Por, ajo që shkoi nuk është edhe aq e rëndësishme sa ajo që erdhi. E që vazhdon të vijë.
Mero Baze, ashtu si edhe Izet Haxhia dinë shumë më tepër. E besoj këtë. Edhe kanë shkruar për këtë. Mirë kanë bërë.
Ai, po ashtu, është i bindur se unë nuk mendoj se Shkelzen Maliqi apo Baton Haxhiu janë vartës apo përçues të linjës serbe në Shqipëri, por, e vërtetë kjo, debati rreth së shkuarës së tyre dhe afrimi në struktura të larta, ngjallin ndjenjën e jo së mirës në Kosovë, çka dhe ka ndodhur. Shkelzen Maliqi është filozof dhe mendimtar i njohur, por babai i tij nuk ka qenë “ thuajse Ministër i Brendshëm i Kosovës gjatë autonomisë”, por, në të vërtetë ministri radikal i brendshëm. Në njerën nga mbledhjet e Komitetit Krahinor të Kosovës, ku dënoheshin demonstratat e pranverës 1981, i deleguari i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë kërkoi arrestime të vazhdueshme. Drejtuesi i Komitetit të Lidhjes Komuniste të Kosovës, Mahmut Bakalli, sipas dokumentave të bëra publike, tha se tani të gjitha burgjet janë plot, nuk ka asnjë vend të lirë, as në këmbë”, dhe dënimet kanë qenë të pazakonta. Ministër ishte Mehmet Maliqi, por kjo nuk e zbeh figurën akademike të të birit, as nuk e lartëson. Për bindjen time, afrimi i tij si këshilltar politik, për vete ngarkesën që ka në Kosovë, sidomos në këto vite, është e rëndë dhe e ndikueshme. Si duket, ai, Shkelzen Maliqi e kuptoi këtë dhe u tërhoq.
Kosova, kam theksuar, ka mjaft personalitete politike, shkencore, filozofike që e duan Shqipërinë dhe janë më të përkushtuar se kozmopolizmi politik i të tjerëve. Do të kishte qenë vështirë e pranueshme, për shembull, që njëri nga djemtë apo nipërit e një ish ministri të brendshëm në Shqipëri të ishte këshilltar politik i Thaçit,apo ministër në kabinetin e tij, e, nëse do të ishte i Isa Mustafës, kjo do të ishte lehtësisht e pranueshme.
Të gjitha këto i di Mero Baze. Më mirë nga unë. Ndoshta një ditë ai do të shkruaj edhe për gjërat që kanë ndodhur në pasvijën e politikës shqiptare.
Atëherë, përse u mërzit Mero Baze? Jo rastësisht kam shkruar se :
“Baze, për shumë vite, si askush tjetër më parë e më pas, ishte njeriu në hije i ish kryeministrit apo ish presidentit Berisha, që kishte autoritet më shumë se secili ministër pranë tij, përvijonte vijën politike që duhej ndjekur dhe, për shumë kënd, ai trajtohej si porta hyrëse në zyrën e ish presidentit. Pra, është njeriu që më shumë se kushdo, edhe se familjarët e tij, di për të fshehtat dhe enigmat që përvëlojnë kreun e Foltores.”
Them “jo rastësisht”, pasi lidhjet e tij të kohës me Berishën, grupimet rreth tij, njohjet dhe përceptimet janë më të sakta se të kujtdo tjetër. Në lloj kuptimi, Baze nuk është thjeshtë, “e di luga se çfarë ka vekshi”, por vetë brendia e “vekshit” dhe e ka përzier shumë herë atë. Ndaj edhe më i besueshëm. Ky është thelbi i reagimit të tij dhe “mësimeve “atdhedashurie që synon të përcjellë. Kurrë nuk kam synuar të jap leksione patriotike dhe, as nuk kam pranuar të marr nga gjithëfarë kozmopolitësh politikë, që në agimin e përceptimit të tyre për luftën në Kosovë ishin mjerisht të ashpër dhe, në shumë raste abuzues me lirinë e fjalës; dhe, më pas, përshfaqen me petkun e njeriut që ka dhëmbshuri për të shkuarën e atyre që ishin pjesë e lirisë së Kosovës dhe padrejtësisht janë në gjyqin e Hagës. Më vjen mirë që ai ka ndërruar boshtin e mendimit të tij dhe e kam ditur se do të ndodhë kështu.
E kuptoj se tani i vjen turp që ka qenë mendja djallëzore e Berishës, synon të minimizojë gjërat që kanë ndodhur, dhe ku ka qenë pjesë e mendimit, me autoritet dhe i shumë kërkuar. Më vjen mirë që ka ndërruar bindje, sepse kurrë nuk është vonë për të ndryshuar. Demaçi thonte dikur se “Vetëm të vdekurit dhe të marrët nuk ndryshojnë” dhe Baze nuk është as i vdekur e as i marrë. Ai është në publicistët më të njohur dhe tejet i mënçur në punën e tij.
Është naive të besohet, ose unë mendoj se është naive, që “Berisha i hapi kufijtë Millosheviiçit për ta furnizuar me naftë makinerinë më vrasëse në Ballkan, që luftonte mes të tjerave kundër Perëndimit…se pa që SHBA po i rrëzonte fronin dhe donte t’i bënte karshillëk”. Në politikë nuk bëhet si ajo nusja që për inat të vjehrrës shkoi të flerë me mullixhinë. Se pastaj duhet pranuar se në shkak të këtij “ inati” u shitën armët, u shkatërrua ushtria, u hartuan listat e zeza të veprimtarëve të lëvizjes çlirimtare, u ndoqën ata, u burgosën, u zhduk Remzi Hoxha , u shndrruan në skrap armët apo ranë në duar të bandave, dhe, ku , një rast i hidhur, besoj se Baze ka qenë në dijeni, i grusht shtetit të shtatorit 1998, që, mbi të gjitha drejtohej kundër luftës çlirimtare në Kosovë.
Por kjo nuk ka lidhje me “bashkëbisedimin tonë”.
Baze dhe unë e kemi njohur UDB jo direkt, por përmes miqve tanë. Ata kanë qenë ura e përcjelljes së mendimit tonë. Miqtë e mi kanë qenë përgjithësisht ish të dënuar politikë të kohës së pushtimit, figura të njohura të Rezistencës në Kosovë, akademikë apo profesorë afër tyre, njerëz , të cilët asnjëherë nuk u dënuan si enveristë apo si marksistë leninistë, por si nacionalistë dhe irredentistë, dhe ata e pranonin se ishin të tillë. Veshja e sipërme, deri në vitin 1990 , mund të ketë qenë e njëjtë me atë që zotëronte në Shqipëri, por asgjë më shumë. Çdo forcë politike që lufton për vendin që i takon, njerëzit e saj, janë nga më të mirët që i përket atij populli, nacionalistë dhe të gatshëm të flijohen. Sot, në Kosovë, më shumë se 90 për qind e përmendoreve të ngritura në Kosovë, u takojnë pikërisht njerëzve të cilët kanë qenë pjesë e kësaj lëvizje çlirimtare. Këto njerëz, e donin apo nuk e donin Enver Hoxhën, ata luftuan për Kosovën, u sakrifikuan për të dhe bënë shumë më tepër se konferencat e shtypit të ditëve të premte, për të cilat askush nuk merakosej! Në këtë organizatë, LPK – Lëvizja Popullore e Kosovës kanë qenë pjesë figura të shquara, që nga themeluesit e saj, Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Fasliu, Adem Jashari, Fehmi Lladrovci, Xheva Krasniqi-Lladrovci, Iliaz Kodra, Luljeta Shala, Luan Haradinaj, Shkelzen Haradinaj, Mujë Krasniqi, Bekim Berisha, Bedri Shala, Shaban Shala, Agim Bajrami, Qerim Kelmendi, Ardian Krasniqi, Ilir Konushevci, Ali Ajeti, e shumë të tjerë, të gjithë heroj të Kosovës, e shumë prej tyre “ Nderi i kombit” në Shqipëri. Jam i lumtur që në kohën e luftës, me vota unanime, jam zgjedhur të drejtoj këtë organizatë dhe jam larguar nga aty vetëm pas përfundimit të luftës, që solli lirinë e Kosovës. Sado modest ishte roli im, është periudhë për të cilën ia ka vlejtur të jetohet.
Më vjen mirë që tani zoti Baze shkruan për historinë e artë të UÇK, ndryshe nga sa ka shkruar e nxitur më parë. Pjekuria është e bekuar! Më vjen mirë që ka hequr dorë nga paranojat e shumta që kishte, e , jo vetëm ai!
Miqtë e Bazes kanë qenë në një kah tjetër, që, edhe pse shumë prej tyre meritonin gjithë respektin e mundshëm, nuk kishin vuajtur, në një shumësi të madhe në burgjet serbe. Ata kishin bërë rezistencën e tyre, ashtu si e kishin menduar se është në dobi të Kosovës, por kurrizin e kishin pa plagë. Mjaft prej tyre, që nga themeluesit e LDK në redaksinë e “Rilindjes” , kishin qenë anëtarë të devotshëm të Lidhjes Komuniste të Kosovës dhe, jo pak prej tyre, sipas Mehmet Krajës, bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb, e përsëri, kjo nuk e përlyen e as nuk e fajëson politikën e ndjekur nga Rugova. Është e vërtetë se disa prej tyre , duke u drejtuar nga Rugova përafruan Kosovën me Perëndimin, por bashkimin me perëndimin e bëri lufta e UÇK. Bashkimi është një hap më cilësor nga afrimi, gjithsesi të dobishëm. Ajo nuk kaloi nga filozofia e Rugovës, që ishte e ndryshme nga filozofia e UÇK, megjithëse të dyja , duke mos qenë të kundërta, i shërbenin Kosovës. UÇK dhe LPK nuk kishin asgjë me Rugovën, as si personalitet politik e as filozofi politike. Përkundrazi, që kur mendonin se duhej filluar lëvizja e armatosur çlirimtare, përfaqësues të saj u takuan dhe morën mendimin e Rugovës. Kundërshtitë e më pasme ishin ndaj qëndrimit të zbehtë e nganjëherë revoltues ndaj luftës, por asnjëherë armiqësore. Edhe po të kishin dashur të pengonin, nuk kishin forcë ta bënin këtë. Njeriu që kishte forcë të asfiksonte politikën e Rugovës dhe që synoi duke e bërë këtë, përmes ndërprerjes së mbështetjes financiare, apo kërkesës për largimin e tij, qoftë edhe përmes dhunës ishte Bukoshi, miku më i afërt i Bazes në Prishtinë, për të cilin kohët e fundit shkroi një libër dithiramb, me plot gjëra të pa sakta. Ndoshta ai nuk e di , por në metingjet e viteve të luftës njerëzit e Bukoshit flakeshin jashtë, nuk i lejonin të hipnin as në foltoret e ndryshme, që nga metingjet e mëdha e deri te çajtoret e zakonshme. Teoria e tij, e Bukoshit , se UÇK është kastriste, enveriste, një grup aventurierësh, që braktisnin luftëtarët e tyre, se mbështetja ndaj saj është krim dhe do të ndëshkohej sapo të vinin në pushtetin real, janë të njëjta me atë që asaj kohe predikonin disa analistë në Tiranë, mbështetës të kësaj vije, që, pastaj, befas, një ditë u gdhinë më luftëtarë se vetë luftëtarët.
Për qeverinë Bukoshi dhe institucionet e krijuara prej tij, njëri nga njerëzit më të afërt, dhe bashkëkrijuesi i strukturës FARK, ministri i Informacionit, Shatri ka shkruar menjëherë pas luftës, se:
“ Fondin e Republikës së Kosovës, ku kanë milituar me mijëra patriotë, e ku, në emër të luftës për liri, ishin grumbulluarqindramilionë marka gjermane, kopukët arritën ta privatizojnë. Ndërkohë që në kufi vriteshin si qëngjat njomakët që kishin ardhur për armë, paratë e këtij fondi ruheshin për “ ditë të zeza”. Ruheshin për Kosovën e pasluftës për të mbijetuar politikisht kryekopukët “ institucionalë” duke blerë me paratë e fondit vota e parti të ndryshme. Duke zhvilluar hapur e me para të popullit veprimtari kundër tij”.
Përmes tyre ka parë zoti Baze “ të kuqtë” e Kosovës, përmes kësaj ideje synon të japë leksione patriotizmi mbushur me të pavërteta, të minimizojë rolin e UDB në jetën politike në Kosovë dhe në Shqipëri, që, edhe pse në shtetin amë nuk ka qenë dominuese, përsëri ka sjellë pasoja të ndjeshme. Por jo vetëm kaq, edhe me insinuata dashakeqëse, ndjellëse të së keqes dhe përgjunjes së asaj që ka ndodhur dhe njerëzve që e kanë bartur këtë pjesë historie.
Në Kosovë ka patur në afër 50 vite më shumë se 385 mijë të burgosur politikë. Të amnistosh atë që ka ndodhur në Kosovë, se po “ rritkemi rolin e UDB”-së, është , pak të thuash, e pa saktë. Të gjithë këto janë gjurmuar, ndjekur, arrestuar, hetuar, torturuar, zhdukur, gjymtuar, hedhur nga dritaret pikërisht nga ajo pjesë e shqiptarëve pjesë e UDB-së. Të gjithë të burgosurit politikë që janë torturuar dëshmojnë se më të egrit ndaj tyre ishin rajatë shqiptarë, që dëshmonin besnikërinë duke sakatosur bashkëatdhetarët e tyre. E, megjithatë, këto ish të burgosur politikë, kur erdhi ajo që mund të quhet “ dita e tyre”, u dëshmuan tejet fisnikë, nuk ndëshkuan asnjë prej gjymtuesve të dikurshëm, nuk keqtrajtuan asnjë, nuk u hakmorën, sepse ishin shumë më të dinjitetshëm se sa nëpërkëmbja që synon, edhe një herë, si dikur, t’u bëjë analisti Baze, kur shkruan se “ Mendësia e mbivlerësimit të rolit të UDB dhe të tjerëve në historinë e Kosovës është një mendësi tërësisht komunistre, që fatkeqsisht ka qenë në zemrën dhe mendjen e shumë veprimtarëve ideologjikë të LPK, që përbënin bazën e UÇK dhe që më vonë me çlirimin e Kosovës, por edhe gjatë saj, u kthye dhe në ushtrim dhune ndaj kundërshtarëve që ata i quanin armiq”. Është një ndër akuzat e hershme të Bazes ndaj UÇK-së, që e ul apo e rrit tonin sipas shijeve të ditës.Është e njëjta akuzë që po lakohet kaq shpesh në gjykimin e disa nga drejtuesive të UÇK, dhe që, në fakt, nuk ka të bëjë me të vërtetën. Pas luftës në Kosovë ishin të njëjtët gjykatës, të njëjtët prokurorë që kishin qenë edhe më parë; mjaft nga ish bashkëpunëtorët e hapur të shërbimit serb u inkuadruan në strukturat e UNMIk apo në Policinë e Kosovës, pinjollë të tyre janë sot në media, polici, në institucionet e shtetit, askush nuk i ndëshkon, askush nuk tërheq të kaluarën e tyre, askujt nuk i është dhënë një pëllëmbë. Thuajse të gjithë dëshmitarët e deritanishëm në Gjykimin e Hagës pohojnë se nuk kanë pasur keqtrajtime, nëse kjo ka ndodhur, se ishin kundërshtarë politikë, por se ishin akuzuar si bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb, ata, ose njerëzit e familjes së tyre. Nëse do të shkohej me këtë mendësi, atëherë kush do të akuzohej që, pas luftës, më shumë të vrarë befasisht, në prita, enigma të pazgjidhura janë nga radhët e UÇK?
Jo mbivlerësimi, por nënvlerësimi i rolit të UDB ka qenë fatkobe për Kosovën e pasluftës.
Leksionet e patriotizmit të tashëm të Bazes janë shumë të vonuara dhe jo në adresën e duhur.
Dikur ai vinte kokën ku shkelnin këmbët e Berishës dhe anasjelltas, ku vinte ai këmbët , vinte mendjen Berisha.
Pikërisht në atë kohë kur Berisha bënte mëkatet e tij të mëdha, që shkatërruan shtetin.
Faji nuk është kurdoherë jetim, e as vetëm i një njeriu!
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016