Edhe për muajin shkurt, janë me qindra vendet vakante, të raportuara për punësimin e profesionistëve të shkencave mjekësore teknike në strukturat shëndetësore publike të të gjitha niveleve në vend. Drejtoria e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, bën me dije se strukturat mjekësore të Rajonit të Tiranës, vijojnë të raportojnë numrin më të madh të vendeve vakante për punësimin e infermierëve dhe profesionistëve në profilet e tjera të shkencave mjekësore teknike. Ndërkohë që me qindra janë vendet e lira edhe për strukturat e tre rajoneve të tjera, si: Shkodrës, Vlorës, dhe Elbasanit. Pas vlerësimeve të bëra për specialistë të këtyre profileve, raportohet se pjesa dërrmuese e vendeve të lira të punës rezultojnë të jenë në strukturat e nivelit të parë, siç janë qendrat shëndetësore dhe poliklinikat, ndërkohë që ka edhe hapësira të shumta për punësimin kryesisht të infermierëve në spitale, qofshin këto rajonale, apo të nivelit terciar.
Pas vlerësimit të bërë për çdo njësi, Drejtoria Rajonale e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor ka shpallur tashmë të gjitha vendet e lira të punës për infermierët, mamitë, teknikët e imazherisë dhe laboratorit, në të gjitha qendrat shëndetësore, poliklinikat dhe strukturat spitalore që mbulon Rajoni i Tiranës, i Elbasanit, Shkodrës dhe i Vlorës, të cilat i gjeni të detajuara në tabelat në vijim të shkrimit.
Autoritetet e shëndetit vijojnë të sqarojnë se këto vende vakante do të vijojnë të plotësohen nëpërmjet aplikimeve të bëra në portalin online “Infermierë për Shqipërinë”. Në këto kushte, të gjithë kandidatët që kanë konkurruar në këtë portal për vendet e lira të punës dhe që janë pjesë e listave të pritjes të shallura nga kjo drejtori, do të vazhdojnë të punësohen sipas radhës. Autoritetet e dikasterit të Shëndetësisë, dy ditë më parë kanë konfirmuar edhe renditjen e re të listës së pritjes, ku janë përfshirë edhe kandidatët të cilët morën pjesë në konkurrimin e fundit të zhvilluar nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë”. Për vendet e lira të punës në çdo njësi vendore të kujdesit shëndetësor, kandidati njoftohet nga Komisioni i Vlerësimit të drejtorisë rajonale në varësi të cilës është vendi vakant. Ky njoftim mund të bëhet nëpërmjet postës elektronike, mesazhit në celular dhe telefonatave në adresat që kandidati i ka deklaruar gjatë aplikimit të bërë online dhe me dosje në portalin “Infermier për Shqipërinë”.
Sipas të dhënave të bëra publike në të gjitha strukturat mjekësore të rajonit të Tiranës janë 180 vende të lira, pjesa dërrmuese e të cilave në infermieri pranë qendrave shëndetësore dhe më pak pranë spitaleve. Në rajonin e Elbasanit raportohen 141 vende të lira, në Rajonin e Shkodrës janë 124 vende të shpallura për punësimet e reja që do të realziohen përgjatë këtij muaji. Ndërsa në strukturat mjekësore që përfshin Rajoni i Vlorës janë 127 vende të lira për punësimet e reja në këto profile shëndetësore.
Edhe në këtë raund të ri punësimesh, pjesa dërrmuese e të punësuarve që do të përzgjidhen në plotësimin e vendeve vakante do të mund të sigurojnë kontratën definitive të punës, teksa për kandidatët që do të pranohen provizorisht (për shkak të largimeve për leje lindjeje, apo arsye tëtjera), bëhet e ditur se pas përfundimit të periudhës së punësimit si zëvendësues teknik i shkencave mjekësore në profilet përkatëse, ata do të kalojnë në listën e pritjes, duke u renditur në përputhje me pikët totale që ka siguruar nga fazat e konkurrimit nëpërmjet portalit.
Tabelat
