Nga Migena Aleksi
Ka gati pesë muaj, që protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, duke ngritur akuza për korrupsion, vendimmarrje që prekin interesa kombëtare pa konsultim publik e transparencë, si dhe për një qeverisje që u ka mbyllur qytetarëve dyert e llogaridhënies.
Tani, kur protesta është përshkallëzuar, kryeministri shfaqet në bulevard me ca karrige (sot dukeshin si stola betoni) dhe shpall “gatishmërinë për dialog, në çdo orë e në çdo kohë”.
Pamja është menduar sërish për kamerat: Edi (këtë herë) me kollare serioze i gatshëm të dëgjojë, karrigia si simbol i hapjes apo i ofertës korruptive për poste, bulevardi (ky medemek si i qetë dhe normal)… Edhe sikur të duash t’ia lesh mënjanë këtë dëshirën e panginjur për skena, mbetet një pyetje për atë që po tentohet të komunikohet: Dialog real apo imazh dialogu?
Sepse kontradikta është shumë e dukshme. Në të njëjtën kohë, me këto pamje, përfaqësues të mazhorancës, si Blendi Klosi apo Arbjan Mazniku, deklarojnë në studio televizive se dorëheqja e Ramës nuk është në diskutim. Pra, kryeministri ofron dialog, ndërsa njerëzit e tij përjashtojnë paraprakisht nga diskutimi kërkesën kryesore të protestuesve.
Atëherë, për çfarë do “dialogojnë”? Për orarin e protestave? Për mënyrën si duhet të zhvillohen? Për ndonjë premtim të ri, ndonjë reformë të reformës së reformuar? Apo ndonjë komision që do ta shtyjë për më vonë përgjigjen ndaj akuzave?
Të gjitha këto mund të jenë tema diskutimi, por asnjëra nuk e zëvendëson çështjen politike që i ka nxjerrë njerëzit në rrugë. Nëse kërkesa për dorëheqje është e panegociueshme për protestuesit dhe dorëheqja është e panegociueshme për Ramën, atëherë nuk ka mundësi reale për dialog. Kemi dy qëndrime të kundërta dhe ca karrige mes tyre.
Rama mund të mos pranojë të japë dorëheqjen. Ky është qëndrimi i tij. Por nuk mund ta paraqesë si ftesë për dialog një skenë karagjozësh ku rezultati më i rëndësishëm është përjashtuar që në fillim. Ca karrige në bulevard dhe idiotësi që përsëriten nga inati, nuk janë dialog. Ky “dialog” pa mundësi për të diskutuar arsyen kryesore të protestës është si marifetet e tjera të Edi kryeministrit vetëm një shfaqje për kamerat.
Edhe këto, të porositura ta mbajnë tytën drejt që mos kapin lukuninë e rojeve civkle dhe policisë rrotull kryeshoumenit.
DITA
