Revolta e studentëve ka vazhduar edhe ditën e sotme në gjimnaze dhe universitete. Ata kanë lënë klasat dhe auditoret dhe kanë dalë në protestë.
Studentët kanë paralajmëruar protestë, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, por mesa duket tubimi ka nisur para këtij orari.
Me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, studentët janë grumbulluar grupe-grupe dhe më pas kanë nisur marshimet nëpër rrugët e Tiranës drejt Ministrisë së Arsimit.
Të parët që nisën bojkotin ditën e sotme ishin gjimnazistë të “Partizanit”, të cilët lanë mësimin dhe më pas bllokuan rrugën që të çon nga gjimnazi në drejtim të Selvisë, ndërsa iu kanë vënë zjarrin koshave të mbeturinave. Ndërkohë, pas tyre u ngritën dhe studentët e Mjekësisë, të cilët u nisën drejt Rrugës së Dibrës për t’u stacionuar para Ministrisë së Arsimit.
Po ashtu, kësaj lëvizjeje i janë bashkuar dhe Fakulteti i Ekonomisë, ndërsa përflitet se bojkoti është bërë dhe nga Fakulteti i Filologji-Historisë, dhe ai Bujqësor.
Geni Zi po thyen mitin e protestave në Shqipëri, ndërsa të gjithë të rinjtë janë në një linjë teksa kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe largimin e kësaj qeverie.
Kujtojmë se dje pati incidente të rënda në protestën e të rinjve, ku shumë prej tyre u dhunuan, si një 19-vjeçar që iu thye këmba.
16 protestues u arrestuan dhe 29 të tjerë u proceduan nga policia.
j.l./ dita
