Në Samitin e Liderëve të Këshillit të Europës që po mbahet në Rekjavik të Islandës, kryeministri Edi Rama ngriti zërin për liderët e Kosovës, të cilët janë në burg në Gjykatën e Hagës, ndërkohë që e krahasoi Hashim Thaçin me presidentin Zelenski.
“Asambleja e Këshillit të Europës ka detyrimin moral të korrigjojë çdo gabim dhe në këtë rast duhet t’i hapë rrugën tërheqjes mbrapsht të raportit, që në mënyrë të rreme etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e dyshuar të organeve.
“Të refuzosh të përballesh me të vërtetën sot do të ishte më keq sesa gabimi i rëndë që u bë 12 vite më parë, kur u votua me sy mbyllur raporti i turpshëm”, tha në fjalën e tij kryeministri Rama.
Ai bëri një paralelizëm me Ukrainën dhe Kosovën, ku tha se presidenti Volodomir Zelenky sot është Hashim Thaçi dje.
“Kërkoj ndjesë sepse më duhet të bëj një rrëfim jo të këndshëm, është e pamundur të mos heq paralele mes presidentit të Ukrainës Zelensky dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Padrejtësia kundrejt UCK nisi në Këshillin e Evropës nën ndikimin dashakeqës të Rusisë. Presidenti i Kosovës gjykohet nga një gjykatë e veçantë e ngritur nga bota demokratike, por mbështetur në një raport si ai i Dick Marty, që u sponsorizua nga Putin. Akuza të pabazuara u ngritën si një lloj njollosjeje të Shqipërisë dhe Kosovës. Kur dëgjova Putin të fliste për krime kundër njerëzimit, m’u duk sikur pashë Zelenskyn në Gjykatë të ngritur pas 10 vjetësh”, tha Rama.
p.k\dita
