Islandezët kanë votuar për të qëndruar jashtë Bashkimit Evropian, treguan rezultatet e referendumit të dielën, duke e kundërshtuar nismën e Qeverisë për të rihapur bisedimet për anëtarësim 13 vjet pasi ishin ndërprerë.
Ishulli arktik me 400.000 banorë ka debatuar nëse duhet t’i bashkohet BE-së për më shumë se një dekadë dhe fillimisht pritej që, me një diferencë të ngushtë, të mbështeste rinisjen e bisedimeve për anëtarësim.
Megjithatë, sondazhet e opinionit këtë muaj treguan se qëndrimet kishin ndryshuar.
“Kjo është një pengesë e qartë për Brukselin”, tha për Reuters një diplomat i BE-së, duke shtuar se çështjet e peshkimit dhe të pavarësisë kishin qenë vendimtare.
Në referendumin e së shtunës, 52,8% e pjesëmarrësve votuan kundër propozimit të Qeverisë për zhvillimin e negociatave me Brukselin, ndërsa 47,2% votuan për.
Në votim morën pjesë 82,5% e votuesve me të drejtë vote, raportuan transmetuesi publik RÚV dhe media të tjera islandeze.
Nga gjashtë njësitë zgjedhore, vetëm dy në qendër të Reikjavikut patën shumicë votash në favor të hapjes së negociatave, ndërsa zonat rurale dhe periferitë e Reikjavikut votuan kundër.
Qeveria e paraqiti anëtarësimin si një mburojë kundër luftërave tregtare dhe rivalitetit në Arktik, ndërsa referendumin e cilësoi si një moment “tani ose kurrë”.
Kryeministrja Kristrun Frostadottir tha se një votë “jo” do t’i jepte fund debatit për aq kohë sa koalicioni i saj i qendrës së majtë do të ishte në pushtet.
Në Bruksel, disa zyrtarë kishin shprehur shpresën se një votë në favor të anëtarësimit të Islandës mund të zbusë skepticizmin ndaj zgjerimit të BE-së dhe ta forcojë strategjikisht bllokun në një kohë kur siguria në Arktik është në fokus.
Islanda, një shtet anëtar i NATO-s, por që nuk ka ushtri të përhershme, diskutoi gjithashtu nëse anëtarësimi në BE mund ta forconte sigurinë e vendit.
Por, për disa islandezë, peshkimi ishte një çështje më e rëndësishme sesa siguria.
Industria e peshkimit është një nga sektorët më të mëdhenj të Islandës, duke kontribuar drejtpërdrejt dhe tërthorazi me 15% në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe duke përbërë rreth 40% të të ardhurave nga eksportet, tregojnë të dhënat.
Shteti ishullor aplikoi për herë të parë për anëtarësim në BE në vitin 2009, kur një krizë financiare goditi ekonominë e vogël dhe të ekspozuar të vendit. Një qeveri euroskeptike i dha fund negociatave në vitin 2013.
REL
