Në komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”, është duke u zhvilluar një seancë dëgjimore me ekspertin e projektit “Bashki të Forta”, Fatlum Nurja.
“Decentralizimi nuk nis në zyrën e kryeministrisë dhe mbaron te zyra e kryetarit të bashkisë, jo! Duhet të shkojë përtej këtyre dy hallkave. Faji është i juaji, ju se keni monitoruar qeverisjen lokale. Parlamenti nuk heq dorë kurrë nga kontrolli. Nuk mund të flasim për numër pa patur një analizë të plotë financiare. S’mund ta bëjmë ndarjen territoriale për të dielën e votave apo të hënën e numërimit. Këtu e di që jam i keqkuptuar nga ju, pasi ju vlerësoni dhe votën”, tha Nurja.
Në fjalën e saj, deputetja e Partisë Socialiste, Anila Denaj ka deklaruar se referuar raportit, rezulton se 22 bashki në vend nuk janë sot në shërbim të qytetarëve.
“22 bashki që nuk janë në shërbim të qytetarëve. Ky komision ka detyrë reformën territoriale të shkëputur nga lidershipi. Kur të shkojmë në propozime të mos e shohim sikur reforma territoriale mban të gjithë përgjegjësinë edhe të lidershipit, por ajo reformë të mos ketë kthim prapa dhe të mos jemi viktimë e një mungese efektiviteti. Duhet t’i lëmë ekspertët të diskutojnë më gjatë nëse pjesa financiare e atyre bashkive është ose jo derivat i reformës territoriale. Nuk është numri ai që determinon shërbimet për qytetarët”, tha Denaj.
Ndërkohë, bashkëkryetarja e Komisionit, Dhurata Çupi u ndal te propozimi për t’i ndarë bashkitë në vend në urbane dhe rurale, sipas një modeli që ndiqet nga vendet e rajonit dhe ndan prioritetet për zona të ndryshme.
“Në duhet t’i japim tipologji të ndryshme bashkive. Në rurale dhe urbane siç i ka rajoni. Apo do vazhdojmë me këtë qasje që kemi sot, që kemi vetëm bashki urbane, ku i bashkëngjitim disa zona rurale, dhe kujtohet kryetari të shkojë njëherë në 5 vjet t’i shohë këto zona. Nuk është çështje harte dhe s’duhet të kompleksohemi që njëra palë të shohë paketën ligjore dhe tjetra palë të kërkojë t’ua sjellë bashkitë sa më pranë qytetarëve”, tha Çupi.
j.l./ dita

Thënja e Çupit është fare pa kuptim! Flitet për Bashkitë, që domosdo duhet të jenë urbane dhe zonat rurale t’ja bashkëngjitësh. Pse mund të bësh Bashki në fshat?! Kur thua rurale, ke parasysh fshatrat që rrethojnë një qytet, i cili quhet “urbane”. Më tej thotë që Kryetari i Bashkisë shkon në zonën rurale një herë në 5vjet!!! Po përse shkon një herë në pesë vjet?! Arsyeja është banale. Vendosni Kryetarë Bashkije që bën punën dhe jo dembela që përtojnë të shkojnë të kontrollojnë të gjithë zonën. Kjo deputete e PD-së, është pjellë e shkollës berishiste, që tregon nivelin e ulët intelektual dhe si shumë të tjerë nuk e meritojnë të jenë aty si ligjbërës. Kjo është arsyeja kryesore se përse punët nuk shkojnë mbarë.