Temperaturat e ulëta në vend kanë rikthyer reshjet e dëborës në pjesët malore të Shqipërisë.
Veçanërisht në zonat malore të qarkut Elbasan, Shkodër, Kukës dhe Llogara.
Zonat malore të qarkut të Elbasanit janë përfshirë nga reshjet e dëborës, të cilat paraqiten me intensitet mesatar në fshatrat Gjinar dhe Zavalinë.
Trashësia e borës në këto lartësi po rritet me shpejtësi, duke kërkuar kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këto akse.
Ndërkohë, reshjet e dëborës kanë përfshirë lartësitë mbi 900 metra në qarqet Kukës dhe Tropojë, duke zbardhur fshatrat e njësive administrative si Shishtaveci dhe Lugina e Valbonës me një trashësi deri në 5 cm.
Reshjet intensive të dëborës gjatë natës kanë mbuluar edhe zonat malore të Shkodrës, duke vështirësuar qarkullimin në akset kryesore si Dedaj-Bogë dhe Bogë-Theth.
Mësohet se, trashësia e dëborës në Qafë Thore ka kaluar 40 centimetra, duke krijuar një situatë sfiduese për mjetet e transportit.
Pavarësisht kësaj situate, ekipet e mirëmbajtjes po punojnë pa ndërprerje për pastrimin e rrugëve.
Reshjet e dëborës janë rikthyer sërish edhe në qarkun juglindor, kryesisht në lartësitë mbi 1100–1200 metra, në zonat përreth Pogradec. Gjatë orëve të para të mëngjesit, reshjet kanë qenë me intensitet të ulët deri në mesatar.
Kjo situatë ka bërë që autoritetet të ndërhyjnë për pastrimin e akseve kryesore, sidomos në zonat ku reshjet kanë qenë më të dendura.
Në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe në majën e Qafë Thanës, dëbora ka qenë më intensive gjatë natës, duke arritur trashësi të konsiderueshme. Megjithatë, për shkak të kushteve atmosferike pranverore, ajo ka nisur të shkrijë, duke mbetur ende prezente kryesisht në zonat malore.
Reshje dëbore janë regjistruar edhe në zonat turistike si Dardhë, Voskopojë, Boboshticë, si dhe në Leskovik dhe Ersekë.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit në këto zona. Aktualisht, të gjitha akset rrugore janë të kalueshme pa problematika.
j.l./ dita
