Dr Dorian Koçi
(Shënime për librin “Arbëreshët-Shqiptarët e Italisë” të studiuesit Fatmir Toçi).
Rindërtimi i mozaikut shpirtëror të bashkësisë arbëreshe, origjina dhe lidhjet e saj me Shqipërinë është një nga sfidat që ka ndeshur në vazhdimësi historiografia dhe kultorologjia shqiptare. Kjo përpekje dhe sfidë është iterenari kulturor dhe historik i librit “Arbëreshët-Shqiptarët e Italisë” i autorit dhe studiuesit të botës arbëreshe, Fatmir Toçi, iterenar që sjell në vëmendje të lexuesve shtigjet dhe monopatet e farkëtimit të identitetit etnik të arbëreshëve në Italinë e Jugut. Ky studim vjen si një vazhdimësi i studimit tjetër “Arbereshët midis mit dhe realitetit”, botuar në 2022 , studim që tërhoqi vëmendjen dhe vlerësimet e botës akademike mbarëshqiptare.
Në faqet e këtij studimi të ri zbulohen hap pas hapi rrugëtimet e identitetit arbëresh nga fillimet e tij, sesi emërtimi etnik arbëresh mbahej gjallë në diasporën shqiptare në Itali dhe si, emërtimin etnik mesjetar për shqiptarët – arbër – kujtesa kolektive në Shqipëri e ruante si një kujtim të largët. Autori risjell në vëmendje përfundimet më të hershme të Prof. Çabejt se më së shumti, ky emërtim përdorej dhe lëvrohej në qarqet e elitës së shkolluar shqiptare, kryesisht në ato që përdornin latinishten dhe kishin njohuri për epopenë arbre të Skënderbeut në shekullin XV, falë leximit të veprave të Barletit apo dhe disa emërtimeve dhe toponimeve që kishin mbetur. Kështu, një trevë fushore e pjesës perëndimore të Shqipërisë së Mesme – që nga Kurbini e gjer poshtë në pllajat e Durrësit e të Tiranës – pra fusha midis lumenjve Mat dhe Erzen, quhet edhe sot Arbën. Ndërkaq, “mal e arbën” përdoret atje për “male e fusha”. Një katund në perëndim të Liqenit të Shkodrës mban emrin Arbnesh. Ndërkaq, Arbënesh quhet edhe ishulli gjuhësor shqiptar që gjendet afër qytetit të Zarës në Dalmaci, themeluar në gjysmën e parë të shekullit XVIII prej të shpërngulurve nga anët e katundit në fjalë. Arbanë është dhe emri i një katundi afër Tiranës. Më anë tjetër, në pjesën jugore të vendit, Arbër e Arbërí quhen krahina të ndryshme të trevës malore të Labërisë – midis qyteteve të Vlorës, Gjirokastrës e Delvinës – dhe po ashtu, “arbëreshë” e “arbërorë” quhen banorët e tyre. Në vise të tjera të Shqipërisë, po ky emër, por me trajta të ndryshme (arbën, arbër, arbëresh, arbëresh, arbnuer, arbëror), përdoret në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin, në dallim nga arumuni ose nga ndonjë anëtar i ndonjë popullsie tjetër ballkanike. Sikundër shihet, emri i lashtë, në rrjedhë të kohës, erdhi dhe u mbulua nga emri i ri “shqiptar”, “Shqipëri” dhe ka mbijetuar gjer sot nëpër krahina të ndryshme të vendit.[1] Studiuesi Fatmir Toçi përforcon nëpërmjet fakteve, dëshmive, dokumentave , përshkrimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore të arbëreshëve sesi kjo memorie historike e kulturore kapërceu shekujt dhe vazhdon dhe plazmon edhe sot në Italinë e Jugut. Në të njëjtën kohë ai nuk ngurron të përshkruajë përmes dokumentave vështirësitë e integrimit të kasj popullsie në Itali, valët e emigracionit shpesh herë jo vetëm nga pushtimi otoman por edhe si rezultat i varfërisë dhe piraterisë duke braktisur në këtë mënyrë një shkrimi të historisë me stil romantik dhe duke dekonstruktuar disa nga mitet rreth arbëreshëve në historigafinë shqiptare. Studiuesi Toçi përshkruan me detaje valët e emigracionit të arbëreshëve që nisin që nga koha menjëherë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, deri nga fundi i shek. XVIII (1780-1790). Ngulimet e fundit të arbëreshëve janë në Italinë qendrore-veriore, si në Provincën e Pavias dhe të Piaçencës, po ashtu një grup i madh i’u drejtua rajonit qendror të Abrucos. Autori rrëfen se gjatë shekujve arbëreshët arritën të ruajnë dhe zhvillojnë identitetin e tyre, në sajë të këmbënguljes së tyre dhe vlerave kulturore të ushtruara kryesisht nga dy komunitete fetare të Kishës Arbëreshe Bizantine-Ortodokse: bazuar në Kalabri “Kolegjin Korsini” (1732) në Shën Benedhit, pastaj “Kolegji Shën Adriani” trasferuar në 1794 në Shën Mitri, dhe në Siçili “Seminarin Italo-Shqiptar” të Palermos (1735), që u transferua në Horën e Arbëreshëvet në vitin 1945. Shumica e pesëdhjetë komuniteteve arbëreshë ruajtën ritin e krishterë ortodoks, duke forcuar në këtë mënyrë indentitetin e tyre kulturor.
Shekulli XVIII dhe fillimi i shekullit XIX ishin shekujt ku Europa, nën ndikimin e iluminizmit dhe romantizmit, filloi procesin e rivlerësimit të së kaluarës antike dhe mesjetare të kontinentit, si dhe epoka kur do filloi të ngjizej ideja për të krijuar shtetet kombëtare. Italia dhe shtetet italiane me kryeqendra të ndryshme, por të ndikuara pothuajse njëlloj nga iluminizmi dhe romantizmi, nuk do të mbeteshin jashtë këtyre proceseve kulturore dhe politike. Meritë e autorit është se ai ndërton pikërisht një skemë të tillë studimi në të cilin përshkruhen hap pas hapi zhvillimet kulturore e politike pan evropiane dhe sesi ato reflektuan në bashkësinë arbëreshe në Itali. Kësisoj, arbëreshët sipas autorit rivlerësuan trashëgiminë e tyre të pasur historike dhe kulturore nën ndikimin e këtyre lëvizjeve intelektuale dhe politike europiane ku u përfshi jo vetëm Italia, por edhe pjesa tjetër e Europës dhe Ballkani. Këto lëvizje ushtruan një ndikim të rëndësishëm mbi veprimtaritë revolucionare: së pari, formulimi dhe pranimi në shkallë të gjerë i ideologjive liberale dhe kombëtare; së dyti, kushtet ekonomike në ndryshim dhe; së treti, shkallëzimi i ndërhyrjes së fuqive europiane dhe zanafilla e çështjes lindore.[2]
Studiuesi Fatmir Toçi përmes një analize të thukët historike e kulturologjike shpjegon me detaje sesi intelektualët dhe udhëheqësit kombëtarë ballkanikë dhe të Europës Lindore të shekullit XIX do të ndikoheshin nga dy doktrina politike me prejardhje europianoperëndimore: liberalizmi, që buronte nga idetë e iluminizmit në shekullin XVIII, si dhe nacionalizmi. Këtë kontribut kulturor dhe intelektual për formimin e idesë së shtetit italian dhe vetëdijes kombëtare mes popullsive e përforcuan disa përvoja historike, ku mes tyre shquante përpjekja për të ndalur procesin e asimilimit të popullsisë arbre në Itali, bashkë me pasojat që mund të sillte. Siç është interpretuar nga breza të mëvonshëm udhëheqësish kombëtarë intelektualë, këto përpjekje zgjuan tek arbëreshët vetë imazhin e një kombi të vogël, por kokëfortë, për të mos u asimiluar dhe për të sendërtuar një integritet moral dhe predikues të lirisë individuale dhe politike, i cili dikur, në Motin e Madh, kishte arritur të shkruante një histori të madhe, siç ishte ajo e ndalimit të pushtimit osman në Europë. Por, në të njëjtën kohë, së bashku me këtë imazh për vetveten kishte marrë udhë edhe farkëtimi i imazhit mesianik për t’u përfshirë në krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, sigurisht nën ndikimin kulturor të teorisë së nacionalizmit.
Në vazhdimësi, studiuesi Fatmir Toçi zbulon narrativën historike- letrare, në fillesat e letërsisë shqipe te krijimtaria e Jeronim De Radës me “Këngët e Milosaos” më 1836, që shënon dhe fillimet e romantizmit shqiptar dhe tek krijimtaria Gavril Dara i Riu me poemën “Kënga e Sprapme e Balës”. Autori risjell në mëmendje përfundimet e autorëve arbereshë, të Prof.Francisco Altimari se përqasja e letërsisë së kultivuar me poezinë popullore në veprën e De Radës nuk është një trill.., por një nga elementët themelorë të botkuptimit romantik që De Rada ndoqi e bëri të vetin. Për të krijimtaria e mirfilltë poetike, por edhe puna e mbledhësit të folklorit ishin pjesë e të njëjtit angazhim letrar. Të dyja këto përmasa, poezia e kultivuar që i atribuhohej në mënyrë makfersoniane folklorit dhe poezia popullore që kalonte në filtrat e ndjeshmërisë së tij poetike, duhej të shërbenin për të shprehur më së miri shpirtin e popullit të tij, atë shpirt që romantikët gjermanë e quanin “Volksgeist”, ndërsa letërsia globale, që do dilte nga kjo shkrirje, duhej të vihej në shërbim të emancipimit të kombit dhe rilindjes kulturore e politike të tij.
Për më tepër në faqet e këtij studimi studiuesi Fatmir Toçi rajëvizon hartën dhe toposin e ngulimeve arbëreshe në Itali, ndoshta të dhënë me kaq shumë detaje për herë të parë në letrat shqipe, çka përbën një rast krejt të veçantë dhe moment të rëndësishëm për të ringjallur hartën shpirtërore të arbëreshëve në Itali dhe të kontakteve të tyre kulturore me Shqipërinë. Në studim gjenden harta, monumente të rëndësishme historike të trashëgimisë kulturore të arbëreshëve, dokumenta arkivash etj, çka i japin librit karekter enciklopedik të pashmangshëm nga brezat që vijnë por edhe të domosdoshëm për hartimin e politikave dhe strategjive për të ruajtur dhe vlerësuar botën shpirtërore të këtij komuniteti të rëndësishëm të memorjes sonë kombëtare. Autori në të njëjtën kohë i bie një kambane alarmi për rreziqet në të cilat ndodhet gjuha dhe identiteti kulturor i arbëreshëve në epokën e Globalizmit , ndaj bën thirrje për bashkimin e më shumë aktorëve qeveritarë dhe institucioneve kultutore për të shpëtuar këtë pasuri të patjetrsueshme shpirtërore të kombit shqiptar.
Sinergjia kulturore që krijon libri “Arbëreshët-Shqiptarët e Italisë” rrëfen mjeshtërisht humusin kulturor që ndikoi në periudhat e mëvonshme të konsolidimit të identitetit kulturor të bashkësisë arbëreshe në Itali dhe në projektimin e idesë së themelimit të shtetit kombëtar shqiptar. Bota kulturore arbëreshe, nën rrjedhat e iluminizmit dhe romantizmit evropian, rindërtoi identitetin e hershëm kulturor të sjellë nga atdheu i mëparshëm për të bërë kapërcimin e madh drejt ideve të nacionalizmit dhe formimit të kombeve, çka përfshiu gjithë kombet dhe bashkësitë e tyre në diasporë të Europës Juglindore. Folklori,publicistika,historia dhe identiteti kombëtar mjetet më efikase të nacionalizmit në mesin e shekullit XIX, mbartën idetë kombëtare duke krijuar shtratin e duhur për triumfin e ideve liberale dhe krijimin e shteteve kombëtare, ku pa dyshim instrumentat kulturorë të përshkruar në këtë libër janë themelet kryesore të këtij rizgjimi kombëtar dhe kulturor.
[1]. Eqerem Çabej. Origjina e fjalës “Shqipëri” dhe pse bota na quan “Albania”, Revista “Shqipëria e re”, 1972.
[2]. Barbara Jelavich, Historia e Ballkanit, Përpjekja, Tiranë, 1999, fq.167.