Fatmir Basholli*
Edhe pse vitet ecin dhe u largohen datave të fillesave të ngjarjeve, aq më të vlefshme dhe të rëndësishme bëhen vetë ngjarjet! E pohoj këtë të vërtetë duke e pare në tërësinë e saj, si në kohën e zhvillimit dhe të rëndësisë, ashtu dhe në pikëpamjen e vlerave që përçon në vazhdimësi historike. Më 29 qershor 2023 mbushen 79 vjet nga formimi i Brigadës XV Sulmuese Partizane, në Protopapë të Korçës. Ajo u krijua me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, në kulmin e Operacionit armik të Qershorit, por, njëherazi edhe në situatën e Mësymjes së Përgjithshme, ku, sipas dokumenteve arkivore theksohet: “Në zjarrin e operacioneve, me gjakftohtësi metodike, u mbarua organizimi i një brigade të re, Brigadës XV, që po hyn në radhën e brigadave tona heroike”. Në përbërje të Brigadës morën pjesë partizanë të çetave e batalioneve të Qarkut të Korçës si: Batalioni “Hakmarrja”, “Fuat Babani”, “Skënder Çaçi”, “Tomori”, “Reshit Çollaku”, “Rinia”, gjithsej 750 partizanë ku midis tyre 53 ishin vajza partizane. Shumica ishin luftëtarë të vjetër, me përvojë luftarake, që ishin sprovuar në sa e sa luftime të zhvilluara kundër pushtuesve fashistë italianë, nazistëve gjermanë e bashkëpunëtorëve të tyre. Në drejtimin e saj u caktuan kuadro të aftë e të sprovuar në luftë, siç ishin: Komandant Teki Kolaneci, komisar Shahin Ruka, zv/komisar Vaskë Koleci, përgjegjës i Sektorit Politik Myftar Tare, përgjegjës i agjitacionit Misto Treska, përgjegjës i rinisë Minella Trebicka, intendent Gaqo Kollumbi si edhe komandantë e komisarë batalionesh si: Hamdi Babani, Petraq Titani, Meço Starja, Kico Kasapi, Nexhip Hyseni, Vangjel Vithkuqi, Kristo Mushi, Sabri Ruçi, Maqo Çomo, Arzen Leskoviku, Llazi Stratobërdha, Endri Keko e të tjerë kuadro partizanë të nënreparteve Janaq Konini, Murat Abazi, Selim Shuli etj. Brigada XV Sulmuese ishte gati për të bërë organizimin dhe përurimin, por nuk mundi të përfundonte plotësisht, sepse u dha urdhri që të niseshim urgjentisht në luftë kundër forcave gjermano-balliste, të cilët në Operacionin të Dytë të Qershorit 1944, po bënin reprezalje kundër popullatës në disa krahina të Korçës, Pogradecit e në Mokër. Riorganizimi i plotë i saj, në katër Batalione u bë në Qafën e Panjës afër Gurit të Kamjes, në rrethin e Pogradecit më 25 Korrik, pas 26 ditë luftimesh.
Veprimtaria luftarake e Br. XV S kaloi në disa etapa. Në etapën e pare, nga 29 qershori deri në 30 Gusht 1944, zona e veprimeve luftarake ishte fusha e Korçës, rruga automobilistike Voskop – Plloçë, Cangonj – Pogradec – Qafa e Thanës, qyteti i Pogradecit dhe krahinat Gorë – Opar. Luftimi i parë i ashpër që kreu e gjithë brigada në këtë etapë ishte goditja e forcave naziste në rrethinat e Pogradecit, të përqendruara kryesisht në grykën e Pogradecit, në minierën e Çervenakës, në Qafë Thanë dhe në fshatin Çërravë.
Në etapën e dytë, nga 1 shtatori deri më 30 shtator 1944, brigada marrshoi duke kryer veprime luftarake në rrugën automobilistike nga Qafa e Thanës deri në Xibrakë. Objekti ishin kolonat gjermane që tërhiqeshin nga Struga në drejtim të Elbasanit. Më 9 shtator u zhvilluan luftime të sukseseshme në Urën e Qukësit dhe Pishkashit të cilat rritën besimin në radhët e popullit që ishte i lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Gjermanët pësuan humbje të rënda, patën të vrarë dhe të plagosur. Madje aty u zunë edhe shumë robër e material luftarak, armë e municione të ndryshme. Nga 14 shtatori 1944, veprimtaria luftarake e brigadës ishte rajoni Librazhd – Elbasan. Detyra kryesore ishte të mbante të bllokuara kollonat armike dhe t’i nxirrte jashtë luftimit. Një nga aksionet më të rëndësishme që duhet përmendur ishte ai i Xhyrës. Atje batalioni i tretë, me komandant Nexhat Hysi, në bashkëpunim me batalionin e dytë, asgjësuan dhe dogjën plotësisht 75 makina armike brenda një nate dhe kapën shumë municion. Në këtë aksion u kapën edhe mjaft dokumentetë rëndësishme gjermane. Më 24 shtator 1944 Batalioni i katërt i brigadës sulmoi një autokolonë gjermane, që vinte nga Struga për në Elbasan. Prita në fshatin Xhyrë ishte organizuar mjaft mirë. Forcat tona kishin zënë pozicione kyçe të terrenit. Kjo pritë vazhdoi deri në luftim trup me trup dhe armiku pësoi dëme serioze në njerëz dhe në materiale. Përpjekja ishte tepër e ashpër: edhe pse një autokolonë nga Elbasani u erdhi në ndihmë forcave që vinin nga Struga, ato u goditën njëherësh.
Në etapën e tretë e cila nisi nga 1 tetori dhe vazhdoi deri më 17 nëntor 1944 – zona e veprimeve luftarake u bë rruga automobilistike Librazhd – Elbasan – Qafa e Kërrabës – Mushqeta duke përfshirë çlirimin e qytetit të Elbasanit. Br. XV S kaloi lumin Shkumbin dhe u vendos në rajonin e Elbasanit, ku kreu disa goditje kundër forcave naziste. Shtabi i brigadës bëri përgatitjet e duhura, siguroi krahët dhe bëri planin luftarak për të sulmuar dhe çliruar qytetin e Elbasanit, duke u kujdesur njëhershë që asnjë këmbë gjermani të mos shkelte në Tiranë (Urdhëri i Komandës së Brigadës, në AQSH). Në Elbasan, në kazermat e Krastës të urës së Shkumbinit dhe në godinat e shkollës Normale ishte strehuar një formacion me rreth 1500-2000 trupa gjermane, të përbëra nga forcat e Divizionit 297 dhe pjesërisht nga Grupi Luftarak Steyrer. Këtyre trupave pushtuse do t’ju shtohej një forcë prej 5000 ushtarësh, nën drejtimin e Komandantit të Grupit të Artilerisë, Kolonelit Steyrer (Shtajrer), që kishin marrë detyrë të marrshonin në drejtimin Ohër – Elbasan – Tiranë. Për çlirimin e qytetit sulmi filloi mbi objektivin kryesor që ishte Ura e Zaranikës, lagjja e Kishës dhe kazermat e Krastës. Që më 03 tetor komanda gjermane kish dhënë urdhër për tërheqjen e Wehrmacht-it nga Shqipëria. Ky urdhër po ekzekutohej në të njejtën kohë me tërheqjen e trupave gjermane nga Greqia dhe nga Maqedonia. Plani eci fillimisht mirë. Por në luginën e Shkumbinit tërheqja gjermane ra nën një presion të madh të forcave partizane. Meqenëse Grupi Luftarak Steyrer, i cili vinte nga Struga, u vonua, duhej që të mbaheshin këto pozicione disa ditë më shumë sesa ishte menduar. Grupi hyri në Elbasan më datën 9 dhe 10 nëntor. Koloneli Steyrer, u urdhërua nëpërmjet radios nga Komandanti i Divizionit 297, i cili ndodhej në Tiranë, të drejtonte personalisht nga pararoja lëvizjen e trupave të tij nga Elbasani në drejtim të Tiranës. Luftimet e kryera nga partizanët kundër ushtrisë gjermane në Kërabë janë tregues i një arti të sofistikuar luftarak të ushtrisë partizane. Këtë fakt detyrohet ta pranojë edhe komandanti gjerman në raportin e datës 28 Nëntor (Marenglen Kasmi, Gazeta Dita 22 Nëntor 2022) për eprorët e tij. Këto luftime, së bashku me operacionin për çlirimin e Tiranës janë shembulli më i mirë i luftës pa kompromis të ushtrisë partizane shqiptare përkrah aleatëve të mëdhenj kundër pushtuesve gjermanë. Ardhja e trupave pushtuese në Tiranë rezultoi shumë e vështirë mbasi Kolonës gjermane iu deshën pesë ditë luftime me batalionin e dytë të Brigadës së 15 S në Qafën e Krrabës. Si pasojë e sulmeve të ashpra të forcave partizane gjatë gjithë rrugës, pati luftime të ashpra sidomos në pjesën e fundit të rrugës, në Mushqeta. Batalioni i katërt i përqendroi veprimet luftarake në demtimin dhe asgjësimin e forcave gjermane që vinin në drejtimin Strugë – Elbasan dhe njëkohësisht të mbulonte krahët në drejtimin lindor të qytetit. Sulmi filloi më 5 nëntor dhe pas dy ditë luftimesh, batalioni i katërt paralizoi forcat e armikut në fortifikatat e vendosura në Xibrakë dhe në Labinot. Në të njëjtën kohë, forcat e batalionit të parë dhe të tretë, përparuan me luftime në drejtimet e parashikuara, duke bërë që qyteti i Elbasanit të rrethohej plotësisht prej tyre. Forcat armike u përqendruan në rrethinat e Shkollës Normale. Ndërsa forcat e brigadës paertizane organizuan një sulm të shpejtë dhe, duke njohur vendin, rrugët dhe shtëpitë, e detyruan armikun të linte edhe qëndresën e fundit dhe të largohej në mënyrë të çrregullt në drejtim të Tiranës. Më më 11 nëntor 1944 Elbasani e çlirua! Partizanët e brigadës kryen dhe detyra të tjera në interes të luftimeve të përgjithshme, duke mbajtur nën goditje të vazhdueshme trupat naziste në rrugën Elbasan – Qafa e Kërrabës dhe i kontribuuan kështu edhe çlirimit të Tiranës.
Gjatë luftimeve që zhvilloi Brigada XV-Sulmuese në qarkun e Elbasanit dhe në ditët e luftimeve për çlirimin e qytetit, ranë në fushat e betejave të nderit, duke luftuar heroikisht kundër armikut, 24 partizanë, ndër të cilët dy shoqe, një zv/komandant batalioni dhe dy komandantë kompanie, të cilët janë: Ahmet Shabani, Estref Meka, Xhuzepe Kapuano (italian), Gavril Pavllo, Hamit Harshimi, Kiço Sandri, Kiço Boboshtica, Koli Rapi, Myredin Bashalli, Niazi Gribeci, Nevruz Shabani, Pandi Kreshova, Pali Ligori, Rahman Beragozhdi, Rexhep Shahini, Ramadan Aliu, Ramadan Seiti, Fejzulla Hamdiu, Shaniko Starja, Thomaidha Laçka, Vasil Pando, Vangjel Llazi, Xhaferr Ibrahimi, dhe Kosta Tusha. Kjo listë pasqyrohet në lapidarin që i përkushtohet kësaj brigade tek ura e Zaranikes, në hyrje të qytetit dhe populli dhe autoritetet e Elbasanit i përkujtojnë ata në çdo 11 Nëntor. Me aksionet e saj të njëpasnjëshme në Vidhas e Petresh, në Krrabë e Kaçulitë, ditën dhe natën, batalionet e kësaj brigade luftuan me forcat naziste në marrshimin e tyre për në Tiranë, duke kryer luftime të ashpra në pritat në Bradashesh, Fikas, Vidhas, ura 13 në Petresh, Gracen dhe në lartësitë e Qafës së Kërrabës. Sipas kujtimeve ne ditarin e luftës së kësaj brigade, theksohet: “Një natë në Vidhas, në errësirë krisi pushka e mitralozi. Në atë luftim të asaj nate të mallkuar u vranë 7 partizanë, midis të cilëve edhe partizania trime kolonjare Shaniko Starja, komandanti i kompanisë Estref Meka, zv/komandanti Rrahman Beragozhdi, mitralieri Vasil Borova dhe 3 të tjerë”. Trupat gjermane u detyruan të tërhiqen (marshojne) me luftime në dy drejtime: Elbasan – Kërrabë – Mushqeta – Tiranë me rreth 3000 forca dhe drejtimi i dytë Elbasan – Paper – Peqin – Vorë me rreth 2000 forca. Batalioni i dytë i dislokuar në Petreshë, Fikas, Balëz dhe Shtereaj, kishte për detyrë të asgjësonte dhe pengonte lëvizjen e armikut në rrugën Elbasan – Qafë Kërabë – Tiranë. Kishte ditë që zhvillonte luftime të ashpra me trupat gjermane, që tentonin të tërhiqeshin në drejtim të Tiranës. Një pjesë e kollonës së fundit që tërhiqej për në Veri, do të kalonte nga Elbasani, në Petresh, Kuçulitë, Tiranë. Në mbasditen e 11 nëntorit armiku rrahu me artileri rajonin e Petreshit e të Kërrabës, që mbuloheshin nga batalioni i dytë dhe mbas luftimesh të ashpra armiku mundi të çante rrugën. Nga goditjet me artileri në fshatin Shtërmej u vranë edhe shtatë banorë civilë, mes tyre edhe fëmijë. Ne fshatin Shemhill pushkatoi 11 fshatarë në cepin e urës 13, që forcat partizane e kishin dëmtuar rëndë duke e bërë të pakalushme për kolonën armike. Dogji shumë shtëpi në Petresh dhe Shemhill të fshatarëve që bashkepunonin me forcat partizane. Informatat dhe koordinatat për këto dëme i jepnin ballistët që bashkëpunonin me nazistët. Më 12 nëntor, batalioni i dytë vazhdoi të ndiqte kollonën nga pas dhe më 14 nëntor hyri në luftë së bashku me batalionin e dytë të Brigadës IV Sulmuese Partizane, me brigadën V dhe me XVII Sulmuese të planizuara në pritën e Mushqetasë. Gjatë datave 14-16 luftimet u zhvilluan të ashpra. Gjermanët ishin të rrethuar plotësisht. Kompania e tretë e batalionit të dytë, që vepronte në anën e majtë të derdhjes së lumit Erzen edhe në mëngjesin e datës 16 së bashku me brigadat e tjera sulmuan fortesën e Mushqetasë, e cila u mor nga partizanët dhe kollona naziste u asgjësua plotësisht. Në Mushqeta u bë lufta më e ashpër. Betejë e vërtetë. Kudo zjarr e gjak. Partizanët triumfuan. Në duart e partizaneve mbeti gjithë kollona e shkatërruar, si makina, karro, kuaj, kuzhina të ndezura dhe gjithë materiali luftarak. Në ato ditë luftimi mbetën të vrarë nga batalioni i dyte i Br 15 partizanët Kiço Strato nga Kreshova, Vahit Hykollari nga Çereshniku dhe Jovan Shegani (Naumi) nga fshati Lin i Pogradecit.
Gjatë luftimeve Br. XV S çliroi një sipërfaqe prej afro 4000 km katrore dhe iu dha lirinë qyteteve të Pogradecit dhe Elbasanit duke kontribuuar edhe në luftiimet për çlirimin e Tiranës. Ka goditur vazhdimisht kolonat armike kryesisht në rrugët Korçë – Strugë dhe Elbasan – Tiranë. Ka mbylluar në fortifikata forcat gjermane në Korçë, Pogradec, Librazhd, Elbasa, Çervenakë, Qafë Thanë, Përrenja, Qukës, Xibrakë, Kaçolitë (Kërrabë) me mbi 3000 ushtarë e oficerë dhe me armët më modern të kohës. Shpartalloi dhe çarmatosi mbi 2000 forca xhandaro balliste në fushën e Korçës, në Pogradec, në Zonën e Qukësit e Librazhd etj. Kreu 37 aksione kryesore. Shkatërroi 200 makina dhe 4 tanke e autoblinda. Zuri 36 topa, mortaja, mitroloza si edhe sasi të mëdha municioni. Gjatë luftimeve të ashpra partizanët e kesaj brigade vranë 533 gjermanë dhe kapën rob 72 pushtues.
Br. XV S përshkroi një faqe të lavdishme dhe si gjithë brigadat e tjera të UNÇSH, u bë tmerr për armikun dhe shpresë për popullin. Armiqtë dhe tradhtarët nuk e ndjenë asnjëherë veten të qetë, si në fortifikata apo në fushat e betejave si në Pogradec, Qafë Thanë, Librazhd, Mirakë, Xibrakë, Labinot, Elbasan, Petresh, në Qafë Kërrabë, Mushqeta në afërsi të Tiranës. Më 18 nëntor 1944 brigada mori urdher për t’u rreshtuar në Divizionin I Sulmues dhe më pas, u përqendrua në grykën e Delvinës me detyrë për mbrojtjen e kufirit shtetëror. Në këtë kohë brigada kishte rreth 1.200 luftëtarë.
Populli i krahinave të Korçës, Pogradecit, Librazhdit dhe Elbasanit i kujtojnë me admirim dhe respekt heroizmin dhe trimëritë e partizanëve të kësaj brigade në këtë 79 vjetor të krijimit të saj. Përmendoret, lapidarët dhe pllakat përkujtimore të ngritura në vendet ku u kryen luftime dhe aksione, flasin për guximin, për trimërinë e luftëtarëve, komandantëve dhe komisarëve të kësaj njësie lavdimadhe. Kujtimi, respekti dhe mirenjohja për dëshmorët e kësaj brigade kanë mbetur si pishtar në rrugën e demokracisë të Shqipërisë dhe të popullit. Nga Br 15 ranë deshmorë në fushën e luftes 54 partizanë e partizane, komandantë e komisarë dhe 150 të tjerë u plagosën.
Dëshmorët e Brigadës XV S
Ahmet Shaban Zizolli;
Ahmet Hysen Begolli;
Dajlan Adem Topçiu;
Dhori Apostol Madhi;
Estref Qazim Meka;
Fejzulla Arshi Dinga;
Fejzulla Hamdiu
Gaqo Spiro Tereziu;
Giuzeppe Capuani – italian;
Gravil Spiro Popllo;
Haxhi Shefki Myrtezai;
Hamit Arshi Dangaj;
Hodo Nexhmi Skënderi;
Hiqmet Rexhep Tahirka;
Hilmi Demir Zaçe;
Hysni Nevruz Spaho;
Hydri Daut Mahmutllari;
Ibrahim Selim Sharka;
Ilia Merko Havaleja;
Jovan Naun Shegani;
Koço Strati Mele
Koli Rapi Kolemerko;
Kosta Tushi Niço (Koço Niço);
Kiço Ilia Papa;
Kristo Kosta Gugushi;
Kristaq Sandri Kaçka;
Manol Stathi Nako;
Minash Gjok Vako;
Nevruz Shaban Fejzullai (Rehova)
Myredin Kajo Bashalli;
Njiazi Hasim Cenkollari;
Pandi Vangjel Qirjazi;
Pali Ligor Vaska;
Petro Vasi Greço;
Piro Tushi Grozhdanit;
Qemal Jonuz Liço;
Qemal Adem Duka;
Ramadan Seit Gollobërda;
Ramadan Ali Metolli;
Rahman Ismail Hamolli;
Rexhep Ahmet Xhemollari;
Sabri Ali Pepoci;
Selfo Kasëm Zhuti;
Sulejman Osmën Rançi;
Shaniko Ilias Jupasi (Starja)
Sherif Sinan Gjata;
Tosun Rexhep Bregu;
Thomaidha Kristo Laçka;
Vasil Pandi Çobani;
Vangjel Koli Qafzezi;
Veli Jaçe Kreka;
Veledin Nuredin Bregu;
Xhafer Halim Amaliu;
Xhafer Selim Kodra.
Vangjel Llazi
Zylfo Podgoria
Vait Hykollari
Mbas vdekjes ka marrë statusin e deshmorit të LANÇ Murat Baki Abazi si edhe kanë fituar titullin e lartë “Hero i Popullit” Teki Kolaneci e Llazi Pulluqi.
*Nip i dëshmorit Myredin Kajo Bashalli