Nga Orgen Peci
Shqipëria duhet të përfundojë 33 kapitujt e negociatave të anëtarësimit, të organizuar në 6 grupkapituj (clusters), sipas metodologjisë së re të zgjerimit të Bashkimit Europian.
Por mbyllja e kapitujve nuk do të thotë se vendi bëhet automatikisht anëtar. Duhet të plotësohen kushtet, të arrihet marrëveshja përfundimtare dhe traktati i anëtarësimit të ratifikohet nga të gjitha palët përkatëse.
Një dallim i rëndësishëm është që hapja e një kapitulli është fillimi i negociatave për atë fushë. Mbyllja e përkohshme do të thotë se BE-ja e konsideron përmbushjen e kritereve të mjaftueshme në atë moment. Deri në përfundim të procesit, kapitujt mund të rihapen nëse nuk përmbushen më kushtet.
Ku ndodhet Shqipëria sot?
Sipas të dhënave zyrtare të BE-së, deri më 13 tetor 2026 janë hapur 33 nga 33 kapitujt. Tre kapituj janë mbyllur përkohësisht: Shkenca dhe Kërkimi (25), Arsimi dhe Kultura (26), si dhe Marrëdhëniet me Jashtë (30).
30 kapituj mbeten ende për t’u mbyllur.


Po sa kohë kërkon mbyllja e kapitujve?
Nuk ekziston një afat i përcaktuar për secilin kapitull. Disa fusha mund të përparojnë më shpejt, ndërsa të tjerat kërkojnë vite reformash, zbatim të ligjeve dhe rezultate të verifikueshme. Këto fusha negociohen paralelisht, por përparimi në Drejtësi dhe në grupkapitullin Themelor ka rëndësi vendimtare për ritmin e përgjithshëm të procesit.
Pra, sa vite i duhen Shqipërisë?
Nuk mund të jepet një numër i besueshëm vitesh vetëm duke numëruar kapitujt e mbetur. Shqipëria i nisi negociatat në korrik 2022 dhe mbylli përkohësisht tre kapitujt e parë në korrik 2026, pas rreth katër vitesh. Kjo nuk do të thotë se 30 kapitujt e mbetur do të kërkojnë domosdoshmërisht edhe 40 vjet. Ato mund të ecin paralelisht dhe ritmi varet nga reformat dhe vendimet e vendeve anëtare.
Edhe pasi të mbyllen të gjithë kapitujt, duhet të miratohet e ratifikohet traktati i anëtarësimit nga Shqipëria dhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
Pra Shqipëria e ka përfunduar fazën e hapjes së negociatave për të gjithë kapitujt. Sfida e vërtetë tani nuk është sa kapituj hapen, por sa shpejt i përmbush vendi kushtet për t’i mbyllur ata, veçanërisht në drejtësi, sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve.
DITA
