Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vlerësuar publikisht marrëdhëniet e tij personale me presidentin rus Vladimir Putin dhe homologun kinez Xi Jinping gjatë takimit në Shenzhen të Kinës, në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Sipas raportimeve të BBC-së dhe CNN-it nga vendngjarja, përpara se t’i bashkoheshin liderit kinez, Trump dhe Putin zhvilluan një takim të tyre dypalësh. Gjatë shtrëngimit të duarve, presidenti amerikan u shpreh para gazetarëve me tone të ngrohta: “Kush është ai? Është miku im!”.
Nga ana tjetër, Kremlini bëri të ditur se presidenti Putin doli nga takimi me Trumpin në “humor të shkëlqyer”.
Atmosfera miqësore e bisedimeve u shoqërua edhe me pamje simbolike të sigurisë së lartë. CNN publikoi një raportim të mediave zyrtare ruse që fiksuan një oficer ushtarak duke mbajtur valixhen bërthamore të Putinit gjatë lëvizjeve të delegacionit në Shenzhen.

Mesazhi i Trumpit për ndërprerjet teknologjike dhe skepticizmi i analistëve
Përpara nisjes së bisedimeve me peshë të lartë në Kinë, Trump iu drejtua gjithashtu qytetarëve amerikanë të shqetësuar për ndërprerjet e fundit teknologjike, duke u bërë thirrje që të “qetësohen” (“relax”).
Ndërkohë, mediat dhe analistët amerikanë shfaqen skeptikë ndaj qasjes personale të presidentit amerikan. Në një analizë të publikuar paralelisht me samitin, CNN ngre pikëpyetjen se pse Trump i konsideron Putinin dhe Xi Jinping si “miq”, duke theksuar se Rusia dhe Kina nuk janë miq të Amerikës dhe se interesat e tyre strategjike mbeten në përplasje të drejtpërdrejtë me Uashingtonin.
Takimi trepalësh mes Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin shënon një moment të paprecedentë diplomatik, ku tre liderët e fuqive më të mëdha botërore ulen në të njëjtën tryezë për të diskutuar krizat globale, tregtinë dhe ekuilibrat e sigurisë.
Sipas BBC dhe CNN
m.a. / dita
