Prof. HAJRI SHEHU
Gjirokastra është vendi i shkollave dhe i dijes. Dhe simbolikën e shkollave dhe të dijes e kemi tek Obelisku i arsimit në Qendrën Kulturore-Muzeore të Gjirokastrës. Fare pranë gjimnazit “Asim Zeneli”. Mu tek ish-shkolla “Liria”. Dhe shkolla, me emrin e zgjedhur “Liria”, e hapur më 1908, është e para shkollë në gjuhën shqipe në Gjirokastër.
- Publicitet -
Obelisku rrezaton shumë përtej Gjirokastrës. Obelisku përshenjon arsimin tonë kombëtar: Nga Gjirokastra na vjen edhe Shkolla e Parë Shqipe. Hierarkia është kjo: Koto Hoxhi (1824-1895) dhe Shkolla Normale e Qestoratit në Lunxhëri, Gjirokastër. Pandeli Sotiri (1843-1891) dhe Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë (7.3.1887). Koto Hoxhi – mësuesi i Pandeli Sotirit. Pandeli Sotiri – mësuesi i parë i gjuhës shqipe dhe drejtori i parë i Mësonjëtores.
Vendit ia japin fytyrën njerëzit, personalitetet, atdhedashësit. Gjirokastrës nuk i kanë munguar kurrë njerëzit, personalitetet, atdhedashësit. Ja dy shembuj të mëhershëm: Vangjel Meksi ( ?-1823) e Grigor Gjirokastriti (?-1828). Të dy – përkthyes dhe lëvrues të gjuhës shqipe. Grigor Gjirokastriti njihet edhe si redaktori dhe korrektori i parë letrar shqiptar. (Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985, f. 347). Ja edhe një shembull i tretë: Veli Hashorva. Veli Hashorva botoi gazetën “Drita” (1920-1924). Është e para gazetë në gjuhën shqipe në Gjirokastër.
Njerëzit e bëjnë vendin; por edhe vendi i bën njerëzit. Duke i mëkuar e brumosur me dije, me kulturë e me punë. Gjirokastra i rrit njerëzit. I ngre. I lartëson. Dhe kjo është e bukura në Gjirokastër. Dhe vijmë te Gjimnazi. Ky Gjimnazi i madh i Gjirokastrës nuk do të ishte hapur, po të mos kishte qenë dëshira e flaktë për shkollë e qytetarëve të saj. Jo se ishin të pasur, por se si prindër të mirë, gjirokastritët kishin bërë të veten dëshirën për t’i ngritur lart e më lart bijtë e bijat e tyre. Dhe prindër të mirë janë ata që rrisin fëmijë të mirë për t’u bërë prindër të mirë. Ja edhe një shembull tjetër (njëherësh, një fakt): Te Shqipëria më 1927 (Tiranë, 1928) e Teki Selenicës jepet një e dhënë shumë domethënëse. Prefektura e Gjirokastrës ka 246 veta me universitet dhe 236 me studime universitare jashtë shtetit. Dhe zinte vendin e parë në shkallë vendi. Krahaso: Korça 82/163; Shkodra 18/88; Vlora 51/91; Tirana 3/16; Durrësi 16/59; Berati 13/45; Elbasani 6/34; Dibra 2/30; Kukësi -/25.
Edhe dy muaj dhe na vjen dita e shënuar – përvjetori i njëqindtë i gjimnazit të Gjirokastrës: 5 nëntor 2023. Ai është hapur më 5 nëntor 1923. Ditë themelimi është. Është zgjedhur nëntori për hapjen e tij. Me siguri, si muaj i bëmave për shqiptarët: Nëntori i Skënderbeut. Nëntori i Ismail Qemalit. Dhe, nëntori i Gjimnazit. Gjirokastritët e dinë bukur mirë rendin e punëve dhe të veprave. Në Luftën çlirimtare luftohej për Atdhe. Dhe kësisoj, në klasat dhe korridoret e Gjimnazit nuk mund të kishte nxënës e mësues. Ata ndërruan bankën e shkollës me malin e pushkës. Dhe Gjimnazi u rihap më 9 prill 1945. Populli e pagëzoi me emrin e Heroit të Mezhgoranit – Asim Zeneli. Nuk u kthyen më në klasa 48 nxënës dhe mësues. Midis tyre – 4 Heronj të Popullit: Ali Demi, Muzafer Asqeriu, Nuri Luçi, Themo Vasi. Ata dhanë jetën për Atdheun. Në korridorin e katit të tretë të shkollës shkëlqejnë emrat e tyre në pllakën përkujtimore. Ishin djem Gjirokastre. I kishte rritur Gjirokastra. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
Gjimnazi i Gjirokastrës është e para shkollë e mesme në Shqipëri ku kanë mësuar djem e vajza bashkë. Ka qenë qytetaria gjirokastrite që ka prirë. Rol të spikatur për këtë bashkatarí ka pasur Urani Rumbo (1884-1936) – Mësuese e Popullit.
Gjimnazi është në zemrën e qytetit. Në Qendrën Kulturore Muzeore të Gjirokastrës. Pranë atij Obeliskut të madh. Në lagjen “Palortó”. Ndërtesa është e madhe e madhështore. Duket sikur përballet me të gjitha ndërtesat e bukura të qytetit muze. Dhe mu për këto ndërtesat e bukura, qyteti është në hartat e botës. Në shkallët e mermerta të Gjimnazit janë ngjitur personalitete të shtetit shqiptar e të kulturës shqiptare. Në klasat e saj kanë ligjëruar profesorë me emër: Eqrem Çabej, Eqrem Kallfa, Thoma Papapano, Aqif Selfo, Kadri Baboçi, Zihni Sako, Shaban Demiraj, Vehbi Bala, Vangjel Kostaqi, Vasil Bilushi, Dragush Çabej, Agim Shehu, Petro Isufi, Adem Mezini, Rahmi Harxhi dhe shumë e shumë të tjerë. Në këtë shkollë mësoi Enver Hoxha – Komandanti i Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe Udhëheqësi i vendit për mbi 40 vjet. Në këtë shkollë mësuan korifenjtë e letërsisë kombëtare – Ismail Kadare e Dritëro Agolli, akademiku Jorgo Bulo, profesorët Fiqiri Islami, Kristian Bukuroshi, Muzafer Xhaxhiu, Nexhip Gami, Agron Fico, Temo Mandili, Ymer Çiraku, Valer Peshkëpia, Ksenofon Krisafi, Mimoza Kore e shumë të tjerë, ambasadori e sociologu prof. dr. Fatos Tarifa, poetët Agim Shehu, Stefan Bulo, Bekim Harxhi, Katjusha Latifi, Vllasova Musta, shkrimtarët Telemak Koça e Odhise Çerkezi, këngëtarja e Operas – Tatjana Elmazi, drejtuesit politikë e pushtetarë – Bedri Spahiu, Peço Fidhi, Agim Mero, Fatos Beja e shumë të tjerë, arkeologu Melsi Labi, mjekët Panajot Boga, Adem Harxhi, Arben Fino e shumë e shumë të tjerë. Në këtë shkollë qe sekretar Lefter Dilo, ai që ngriti më pas 22 muzetë e Gjirokastrës. Aradha e të shquarve është shumë e madhe. Besojmë që një enciklopedi e Gjirokastrës dhe e Shkollës do të na i thotë emër për emër e vit për vit.
Unë kam pasur fatin e madh të jem mësues në këtë Shkollë të madhe (1967-1968). Ashtu si edhe tani, shkollën e bënin mësuesit bashkë me nxënësit. Ishin dy palë besatarësh – gjithnjë bashkatarë në punë të shkollës e të mësimit. E, thënia ime e parë është kjo: Gjimnazi “Asim Zeneli” ishte modeli i shkollës së mesme të përgjithshme. Në gjithçka e me gjithçka: Me klasat. Me korridoret. Me palestrën. Dhe, domosdo, me nxënësit e me mësimin. Ishte shkollë me kërkesa të larta mësimore. Mësuesit ishin të afirmuar profesionalisht. Njëri më i mirë se tjetri. Ata kishin pushtetin shkencor. Nxënësit kishin punën për të nxënë. Para ujëvarës nuk mund të rrihet me një shimatës. Mësuesit dhe nxënësit e gjimnazit “Asim Zeneli” nuk rrinin me shimatës para ujëvarave të dijeve dhe të shkencave. Dhe, sa më shumë përparonte dija e nxënësve, aq më shumë përdallohej vlera e punës – e mësuesve dhe e nxënësve. Ndoshta, këto thënie tingëllojnë si të përgjithshme. Po i them atëherë më konkretisht disa nga ato që kam parë me sytë e mi (disa nga ato që kam parë se të gjitha nuk i numëroj dot): Referimet, referatet e analizat letrare bëheshin si në fakultet. Ishin mësuesit e talentuar, Agim Shehu e Dragush Çabej ata që udhëhiqnin e drejtonin. Agimi – edhe poet i madh. Edhe biologjia – si në fakultet. E ruaj në kujtesë si sot leksionin e një pasditeje për tërë shkollën për gjenetikën. E mbajti mësuesi i shkollës, biologu e gjenetisti i formuar në Moskë (me studime universitare e pasuniversitare), Vasil Bilushi. Një leksion tjetër ka qenë për rrezet lazer. Nga mësuesi i fizikës, Luan Hoxha. Matematika – lëndë themelore në gjimnaz jepej nga mësues, që mund të ishin fare natyrshëm pedagogë në katedrën e matematikës në Universitetin e Tiranës. Ata ishin Tomor Tushe e Kosta Makariadhi. Mësues Tomori i kishte mbaruar studimet e larta jashtë shtetit. Shkolla kishte pamjen e një liceu francez, sepse frëngjishten e jepte mbreti i frëngjishtes, mësues Petro Isufi. Petroja kishte mbaruar universitet francez në Turqi. Si shqiptar i mirë, kishte kërkuar të vinte në vendin e vet. Nxënësit nuk vinin në klasë, thjesht për të dëgjuar, por për t’i analizuar fjalët e thëniet e mësuesit. Kjo bëhej edhe në lëndën e historisë. Historinë e jepte mësues Adem Mezini, ish-pedagog në katedrën e historisë të Universitetit të Tiranës. Me gjeografinë e mësues Bajram Mezinit nxënësit mund të të flisnin për shtetet dhe ekonomitë e botës. E lashë për në fund rusishten, me mësues Rahmi Harxhin. Do të përmend vetëm një fakt – mbrëmjet tematiko-dëfryese krejt në gjuhën ruse. Drejtonin nxënësit. Flisnin nxënësit. Këndonin nxënësit. Në gjuhën ruse. Dhe të dukej vetja sikur ishe në një shkollë ruse. Pse, a ka nxënie e praktikë më të mirë se kjo në një gjuhë të huaj?
Shkolla ishte dinjitare. Dhe dinjitetin ia jepnin shkollës të dyja palët – edhe mësuesit, edhe nxënësit. Jo vetëm me klasën e me mësimin. Edhe me paraqitjen e tyre. Edhe me sjelljen e tyre. Edhe me personalitetin e tyre. Do të shtoj diçka për sjelljen e nxënësve. Siç dihet, për sjellje të padenjë të nxënësit në shkollë e jashtë shkolle, me rregullore, këshilli pedagogjik kishte të drejtë të vendoste për thyerjen e notës (në sjellje). Këshilli pedagogjik i gjimnazit “Asim Zeneli” asnjëherë nuk ka thyer notë në sjellje. Sepse nuk ka pasur sjellje të padenja nga nxënësit. Për Gjimnazin e Gjirokastrës shkon një me një thënia e mençur popullore: Në korijen e selvive nuk ka dru të shtrembër.
Nuk ishte e lehtë të dilje para nxënësve të Gjirokastrës. Duhej të dije shumë dhe të përgatiteshe shumë. Ata vinin në klasë për t’i shtuar dijet. Ata kishin aftësi për të nxënë. Kam dëshirë të përmend disa nga emrat e atyre nxënësve të Gjirokastrës të maturës 1968 dhe 1969 (mospërmendja e të gjithëve është, thjesht punë kujtese), duke shtuar thënien: që i tejkaluan ish-mësuesit e tyre: Antoneta Minella, Arqile Llambro, Dashmir Mezini (pushtetar), Dhimitër Doko, Dhimitër Panajoti, Dhori Kalluci, Eleni Loli (mjeke), Eleni Xhai (mjeke), Engjëllushe Zere, Evgjeni Bukuvalla, Fatmir Beja, Filloreta Doko, Fotaq Qirko, Foto Papa, Frederik Fico, Frederik Mëhilli, Froso Bita, Froso Konomi, Gjenovefa Meçaj, Hajdho Kapedani, Harallamb Qirko (pushtetar), Haxhiart Asllani (ushtarak i lartë), Ilir Lulo, Jani Karathano (sot, biznesmen i madh), Jani Vasi, Jorgo Mandili (pedagog), Katjusha Latifi (poete), Kristaq Bërxholi (pedagog), Kristo Zoi, Ksenofon Çoni (ushtarak i lartë), Lavdërime Bala (pedagoge), Liliana Elmazi, Luan Bufi, Merita Hashorva, Mihal Guxo (inxhinier), Mufit Baxhá, Niko Rogo (pedagog), Odhise Çerkezi (shkrimtar), Pali Kosta, Pandeli Bediava (pushtetar), Petraq Qurku, Petrit Aliko, Petrit Beqiri, Petrit Çato, Rajmond Taho, Republika Zekaj (pedagoge), Roland Karalliu (mjek), Roza Rakipi, Sofika Stavro, Sotir Dukoli, Sotir Kapsalidhi, Shaqir Bozgo (inxhinier), Shpëtim Baxhá (pilot), Tatjana Elmazi (këngëtare opere), Tatjana Karagjozi, Telemak Konini, Thanas Basho, Thanas Kostaqi, Thoma Goga, Valentina Mosko, Vangjel Kllapi, Vasil Bici, Vasil Karanxha, Vasil Millo, Vilermina Çuçi, Violeta Sulioti, Vjollca Arapi, Ylli Xhakollari (biznesmen i madh).
Rezultatet mësimore-edukative të gjimnazit “Asim Zeneli” janë afishuar në të gjitha vitet: në klasa, në dëftesa, në auditorë fakultetesh. Dhe Gjirokastra, Obelisku dhe Gjimnazi formojnë trinomin: qendër e madhe kulturore / qendër e madhe arsimore / qendër e madhe studentore. Edhe qendër e madhe studentore sepse e ka mbushur Universitetin e Tiranës me studentë. Në vitet ‘70 e ‘80 të shekullit të mëparshëm, 90% e maturantëve të Gjirokastrës shkonin në shkollë të lartë. Tani, besojmë se shkojnë të gjithë. Prandaj themi se Gjimnazi i Gjirokastrës i ka bërë një shërbim të madh arsimit kombëtar. Kësisoj, Gjimnazi i Gjirokastrës i ka kaluar kufijtë e përmasat e Gjirokastrës: Është qendër e madhe e arsimit kombëtar. Dhe, prandaj kemi të drejtën që ta quajmë shkolla jonë. Ai është si një mal. Si Mali i Gjerë. Nga afër, Malin e Gjerë nuk e përdallon dot. Duhet ta kundrosh nga larg, që ta shohësh sa i madh e sa i lartë është. Kështu është edhe gjimnazi “Asim Zeneli”. E, që ta shohim nga larg, duhet të shkojmë tek amza e tij 100-vjeçare. Për ndonjë lexues, që mund të mos e dijë, amza është regjistri themeltar i shkollës. I të gjitha viteve shkollore. Aty shënohen emrat e të gjithë nxënësve, që e kanë ndjekur (me të gjitha të dhënat e tjera). Dhe amza e gjimnazit “Asim Zeneli” është kaq e madhe. Rreshtat e nxënësve janë aq shumë. Në 100 vjet, nga porta e saj kanë dalë mijëra maturantë.