Nga Edona Llukaçaj
Botuar në DITA
Sa herë fillojmë të besojmë se vendi jonë po ndryshon për mirë, se e keqja nuk e dominon çdo fushë e çdo skaj, ndodhin ngjarje të tilla që na bëjnë të dyshojmë e të shohim të ardhmen me pesimizëm dhe pa besim.
Nuk i referohem ndjenjës së pasigurisë që secili prej nesh përjeton sa herë një tjetër kontroll rutinë i policisë rezulton në ndalimin e dikujt që shëtit me armë apo i bie rruga përballë shkollave me disa duzina dozash gati për përdorim. Këto problematika hasen kudo, ndonëse tek ne pak si më shpesh.
Ajo që zhgënjen më thellë e tremb më fort është shënjestrimi i pamëshirshëm, pre e të cilit po bien ata që thjesht guxuan të bëjnë punën e vet. Sidomos ata që deshën ta bëjnë mirë.
Një i penduar i drejtësisë, krahas krimeve monstruoze që kishte kryer si pjesëtar i një bande famëkeqe, zbuloi edhe ndjekjen që ishte bërë dy prokuroreve dhe familjeve të tyre. Sipas dëshmive të të penduarit, kapobanda, dukshëm, i shqetësuar se dosjet për gjykimin e vrasjeve të kryera nuk ishin bosh, kishte urdhëruar që prokurorja e çështjeve në Lushnje, Selimi, dhe ajo e SPAK, Musabelli, të ndiqeshin dhe ato ose një nga familjarët e tyre të eleminohej.
Me fjalë të tjera, vetë prokuroret ose ndonjë i dashur i tyre do ishte viktimë e një hakmarrje mafioze, por edhe do të “bindeshin” me pahir të mos luanin me zjarrin bandesk.
Fatmirësisht, planet vrastare nuk janë realizuar, por si zonjat në fjalë ashtu edhe çdo punonjës i drejtësisë do të ketë menduar se edhe sa kohë do të munden të rezistojnë.
E njëjtë është edhe arsyeja e dhunimit të gazetarit Gjergj Zefi. Administrator i një portali mjaft dinjitoz dhe një prej të paktëve që guxojnë të flasë e të shfaqë, Zefi qe viktimë e një sulmi të shëmtuar tinëzar. Nuk ka dyshim që sulmi ka qënë një formë paralajmërimi e ndëshkimi për gazetarin që nuk ka pranuar të heshtë a të dizinformojë.
Por ndonëse gazetari është mirë dhe betohet se do ta vijojë luftën e vet në shërbim të së vërtetës e këtij vendi, padyshim që “pësimi tij do i bëhet mësim” shumë kolegëvë. Do frenohen e do shtojnë autocensurën se fjala e lirë e ka çmimin të lartë.
Po në të njëjtën linjë është edhe dhunimi i një kameraman në Kuvend. Në momentin që u pikas të kishte fokusuar objektivin mbi ekranin e celularit të ish-kryeministrit Berisha, kemaramani u godit.
Ndryshe nga kërcënuesit e prokuroreve, ku bëhej fjalë për kriminelë e trafikantë të regjur, apo dhunuesit e gazetarit Zefi, dy-tre dorasë të paudhë, personi që goditi kameramanin ishte deputet.
Paçka se deputeti në fjalë, më pas, ka kërkuar ndjesë duke u shprehur se bëhej fjalë për një keqkuptim, veprimi mbetet shqetësues. Jo vetëm se përfaqësuesit tanë e kanë kthyer në zakon ta përdorin Kuvendin e Shqipërisë si arenë gladiatorësh. Të rrihen e shamatohen mes grupesh e nëngrupesh si rrugeçër. As se një përfaqësues i joni sillet si ithtar fanatik e është i gatshëm të grushtojë për të mbrojtur me të njëjtin zell që mbron shefin edhe qytetarin e tij dixhital.
Shqetësuese është se kushdo, që përpiqet të bëjë punën e vet me seriozitet e cilësi, është viktimë potenciale. Goditet ose listohet për t’u goditur kushdo që mundohet të kontribuojë për drejtësi, informim e fjalë të lirë, apo në çdo sferë tjetër.
Është shqetësuese se agresorët e punës së ndershme nuk janë vetëm disa elementë kriminalë apo të paburra që fshihen në errësirë. I gjen edhe në seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Mbi të gjitha, është shqetësuese se kushdo që bën gjënë e duhur dhe beson në një Shqipëri më të mirë duhet të jetojë me frymën e frikës dhe në pasiguri. Ku i dihet, shpejt mund t’i vijë radha.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.