Krahas shkollave në qytete, shërbimi dentar për fëmijët nuk do të mungojë as në zonat rurale. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën me dije se për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të shkollave në fshatra dhe zona të largëta të vendit, do të vihen në dispozicion dy kabinete të lëvizshme të shërbimit dentar. Këto njësi të lëvizshme do të paraqiten në çdo zonë për të bërë të mundur kontrollin e shëndetit oral tek të gjithë fëmijët e moshave shkollore nga 6 deri në 14 vjeç.
Ka qenë vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli që ka konfirmuar ditën e djeshme vënien në punë të këtyre dy njësive të lëvizshme të dentistrisë, ku e pranishme ishte edhe ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber. Kështu, pas investimit në 19 njësi dentare të dentistrisë në shkolla, dy njësi të lëvizshme të shërbimit dentar do të jenë tashmë në dispozicion të zonave rurale, për të rritur aksesin në shërbimin dentar për fëmijët e shkollave. Vënia në punë e këtyre njësive, do të ofrojë depistimin periodik, edukimi shëndetësor për ruajtjen dhe kujdesin e dhëmbëve si dhe shërbime konkrete, si fluorizimi, pastrami i gurëzave si dhe trajtimet urgjente apo mjekimet e patologjive të indeve të buta, edhe për nxënësit e arsimit parauniversitar në zonat rurale të vendit.
“Tashmë ne vijmë me një stad të ri të investimeve përsa i përket programit të dentistrisë për fëmijët në shkolla dhe janë pikërisht këto dy njësi të lëvishme të kujdesit dentar që do të mundësojnë që jo vetëm të kemi një kujdes dentar për fëmijët në zonat urbane, por edhe në zonat e thella, nëpërmjet njësive të lëvizshme, të cilët do të kenë edhe stomatologët, infermierët, teknikët të cilët do të kujdesen për shendetin oral të fëmijëve në zonat e thella” ka deklaruar ministrja Ogerta Manastirliu.
Autoritetet e dikasterit të shëndetësisë sqarojnë se dy njësitë e lëvizshme dentare do të jenë në të gjithë vendin sipas një kalendari të caktuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët që kanë nevojë për kontrollet dentare të mund të marrin këtë shërbim të domosdoshëm mjekësor.
Plani i shpërndarjes së këtyre njësive për të ofruar shërbimin në rrethet e largëta do të hartohet nga Klinika Stomtaologjike Universitare dhe Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor.
“Në bashkëpunim me Klinikën Stomatologjike Universitare, që do të menaxhojë njësitë e lëvizshme, së bashku me njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, Operatorin e Kujdesit Shëndeëtsor, do kemi një plan të detajuar për të mundësuar që fëmijët e zonave rurale në shkolla të mundet të edukohen në radhë të parë për kujdesin oral dhe depistohen për problematika të ndryshme të shëndetit oral, gjithashtu të munden edhe të trajtohen në këto njësi të lëvizshme”, deklaroi më tej ministrja Manastirliu.
Ndërsa ambasadorja Ruth Huber, e ka konsideruar një investim të rëndësishme për kujdesin dentar të fëmijëve në zonat rurale. “Jam shumë e lumtur të jem me ju në inaugurimin e dy njësive të lëvizshme të kujdesit dentar për fëmijët e moshave shkollore të financuara nga Ambasada e Zvicrës. Dy njësitë e lëvizshme plotësojnë investimin e qeverisë shqiptare në ofrimin e këtij shërbimi për fëmijët të cilët jetojnë në zonat rurale”, tha Huber.
Njësitë e lëvizshme të dentistrisë janë të pajisura me pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë dhe do të shërbejnë si kabinete dentare të lëvizshme për nxënësit e shkollave, kryesisht në zonat rurale. Përgjatë viti 2021-2022 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka investuar në strukturat e kujdesit të arsimit parauniversitar me 19 njësi të reja dentare, ku 10 prej tyre u instaluan në Tiranë dhe të tjerat në tre qarqe, Elbasan, Durrës dhe Shkodër.
Për Tiranën shërbimi dentar ofrohet në 10 shkolla, më konkretisht, në shkollën “Jeronim de Rada”, “Shkolla e Kuqe”, “Vasil Shanto”, “Mihal Grameno, “Kushtrimi i Lirisë”, “Bajram Curri”, “Lasgush Poradeci”, “28 Nëntori”, “Halit Caka” dhe “Qazim Turdiu”, ku janë ndërtuar unite dentare të reja, duke krijuar kabinetet model të ofrimit të shërbimit dentar për fëmijët në shkolla. Në Durrës programi i dentistrisë po zbatohet në shkolla 9 vjeçare “Naim Babameto”, “Abedin Dino”, “Njazi Mastori”, ndërsa në Elbasan shërbimi dentar po ofrohet në shkollat “Luigj Gurakuqi”, “Jorgji Dilo”, “Bardhyl Popa” dhe në Shkodër në shkollat “Ismail Qemali”, “Ndre Mjeda”. Edhe këtë vit, dikasteri i shëndetësisë bën me dije se do të vijojë investimet në shkolla për të zgjeruar bazën e njësive dentare me unite të reja në të gjithë Shqipërinë.
Autoritetet e shëndetit publik sqarojnë se prishja e dhëmbëve mund të shfaqet sapo ato fillojnë të dalin, ndërkohë që ndikon në shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien e fëmijës. Kjo pasi dhëmbët e shëndetshëm janë të rëndësishëm për zhvillimin gjuhësor, të shmangur kariesin në dhëmbët e përhershëm, të ruajtur vendin e dhëmbëve të dytë, si dhe për t’u dukur bukur. Ndaj dhe kujdesi për to duhet të nisë sa më herët që të jetë e mundur.
DISA KËSHILLA PËR TË MBAJTUR DHËMBË TË SHËNDETSHËM E TË BUKUR FËMIJËS SUAJ.
Kontrolloni dhëmbët e fëmijës suaj
- Pastroni dhëmbët e sapodalë me një garzë të butë e të pastër të paktën një herë në ditë, sidomos përpara gjumit.
- Në rastet kur i pastroni me furçë, sasia e pastës duhet të jetë sa një kokërr bizeleje.
- Fëmijët e vegjël nuk mund t’i pastrojnë vetë dhëmbët deri në moshën 7 ose 8 vjeç, prandaj ju duhet t’i ndihmoni ata.
- Vizita e parë te dentisti duhet të jetë brenda 6 muajve pas daljes së dhëmbit të parë, ose në ditëlindjen e parë të fëmijës suaj, për të marrë këshillat e nevojshme për kujdesin dhe nevojën e flourizimit të dhëmbëve.
- Dhëmbët e shëndetshëm duhet të jenë të gjithë në një ngjyrë. Nëse shihni njolla në sipërfaqen e dhëmbëve, konsultohuni me dentistin.
Mbroni dhëmbët e fëmijës tuaj me fluor
- Fluori mbron dhëmbët nga kariesi, madje mund të parandalojë kariesin fillestar. Rreth moshës 2-vjeçare (ose më shpejt, nëse jua sugjeron dentisti) duhet të filloni të përdorni pastë dhëmbësh të fluorizuar për fëmijën tuaj.
- Në vendin tonë, fluori në ujin e pijshëm gjendet në sasi minimale.
- Pyesni dentistin për lloje të tjera fluorizimi që të ruani dhëmbët sa më të shëndetshëm.
Mos e vendosni fëmijën në krevat me shishe që përmbajnë lëngje
- Vendosja e foshnjës për të fjetur me një shishe që përmban lëng, qumësht ose të tjera të këtij lloji mund ta dëmtojë atë, si pasojë e sheqerit që mbetet në kontakt me dhëmbët për një periudhë të gjatë. (Pijet freskuese përmbajnë shumë sheqer).
- Uji natyral është pija e duhur për të shuar etjen.
- Holloni lëngun e frutave (lëngun e mollës, lëngun e portokallit etj.) me ujë.
- Jepini fëmijës suaj shumë rrallë pije me sheqer.
- Nëse i keni dhënë pije të ëmbla, jepini ujë për të pirë dhe shpëlajini gojën. Më pak sheqer do të thotë më pak karies dhëmbi.
Zgjidhni ushqime të shëndetshme
- Shmangni dhënien e ushqimeve të tharta (me aciditet të lartë që shkatërron smaltin e dhëmbëve) dhe të ngjitshme, të cilat e lënë sheqerin të qëndrojë në dhëmbë për një kohë të gjatë.
- Zgjidhni ushqime me pak sheqer dhe përdorni biskotat dhe ëmbëlsirat me raste.
- Shmangni bonbonet, lëpirëset, çokollatat etj., që ngjiten në dhëmbë dhe janë të dëmshme. Ushqeni fëmijën tuaj me fruta dhe zarzavate ndërmjet vakteve.
- Pas konsumit të ushqimeve të ëmbla jepini fëmijës ujë.
Sigurohuni që fëmija të luaj i sigurt
- Nëse fëmija juaj merret me ndonjë sport, sigurohuni që ai të përdorë mbrojtëse të gojës.
- Mbrojtëset e gojës mund të ndihmojnë në parandalimin e lëndimeve në nofulla, gojë dhe dhëmbë.
