Një grup nxënësish në shkollat 9-vjeçare të qytetit të Shijakut po hedhin hapat e parë për realizimin e një filmi vizatimor. Mësuesi i tyre i lëndës, ka punuar për 15 vite në Kinostudio, pikërisht në sektorin e filmit të animuar.
Mbi të gjitha, mësues Ergysi mban mbiemrin e një prej figurave më të shquara të artit dhe kulturës në qytetin e vogël.
Gusti, siç e thërrasin të gjithë, bashkë me Arditin janë djemtë piktorë të artistit të ndjerë Agim Faja.
I njohur në shkallë vendi si piktor e ilustrues, por edhe si studiues i historisë së qytetit, nga ku nuk u largua asnjëherë, Agim Faja kishte fituar nga bashkëqytetarët e tij statusin e profetit të artit.
Jeta artistike dhe kulturore e Shijakut mbante vulën e tij, ndërsa të rinjtë gjithnjë e më tepër e lidhën të ardhmen e tyre, veçanërisht me pikturën.
Ekspozitat e artistëve të penelit, që i bashkon mbiemrin Faja arrijnë shifrën 13 paraqitje personale dhe kolektive.
Rrënjët antike të qytetit

Superstrada Durrës-Tiranë e largoi më tej Shijakun nga kryeqyteti dhe nga qyteti bregdetar, me të cilin ka qenë i lidhur administrativisht.
Megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar arkeologët t’i kërkojnë lidhjet e tij me antikitetin.
“Qytetin kohët e fundit kanë nisur ta thërrasin me emrin e hershëm “Shën Jak”, që nga kërkimet e arkeologëve Halil Myrto dhe Fatos Tartari,” tha për BIRN prof. as. dr. Brikena Shkodra.
“Më vonë ato u përmblodhën në antologjinë historike “Shijaku përgjatë viteve” nga Agim Faja,” shtoi ajo.
I kujtoj takimet me prof Agimin, si dhe merakun që ai kishte për historinë e qytetit shprehet ajo.
Vitin e kaluar arkeologia Shkodra ka zbuluar elementët e një vilë romake të shek 2 të erës sonë, në kodrën e çallikëve të fshatit Likesh, shumë pranë Shijakut.
Po ashtu, kanë dalë në dritë edhe vaskat për prodhimin e vajit të ullirit, si një veprimtari e rëndësishme ekonomike në antikitet.
“Ujrat e lumit Erzen shfrytëzoheshin për ujësjellësin mesjetar, i cili furnizonte qytetin e Durrësit,” shpjegoi Shkodra.
Periudha e artë e artit të pikturës
Bashkia e Shijakut numëron mbi 27 mijë banorë, por vetë qyteti ka ma pak se gjysmën e këtij numri.
Ergys Faja tha për BIRN, se nga ky qytet i vogël deri në vitin ’90 janë diplomuar në shkollën e mesme artistike të Durrësit mbi 50 nxënës, ndërsa 20 të tjerë kryen studimet e larta në Universitetin e Arteve.
Shijaku filloi të njihej për vlerat e piktorëve, por edhe për kulturën qytetare.
Piktori i njohur shijakas Dashamir Gurabardhi jeton në New York (SHBA). Ai vjen çdo vit për të marrë pjesë në kolonitë e piktorëve, që organizohen në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Sipas piktorit, që vazhdon ta ndjekë jetën kulturore të Shijakut, në vitet ’70-’80 Universitetin e Arteve e kanë përfunduar mjaft piktorë të njohur në shkallë vendi, si Luan Berhami, Abaz Hado, Aqif Keço, Albert Dedja, Albert Malltezi, Kujtim Milaqi, Valbona Seferi, Ermir Llaftiu e shumë e shumë të tjerë.
“Kam ndjekur analizën e veprës “Shqipëria vallzon”, tablo e mjeshtrit Abdurrahim Buza; më ka bërë përshtypje për nivelin mjaft të mirë të diskutimit të nxënësve të shkollës së mesme,” tha për BIRN Gurabardhi, duke kujtuar mbrëmjen e përgatitur në Shijak nga Gent Faja, një tjetër përfaqësues piktor i dinastisë Faja.
Të rinjtë shijakas janë vlerësuar edhe për thellimin e analizës në sistemin heraldik të qyteteve shqiptare, sektor në të cilin edhe artisti Dashamir Gurabardhi në vitin 1997 ka punuar emblemën dhe stemën e Shijakut, që ka zënë vend në hyrje të bashkisë .
Mungesa e galerisë

Artistët që kanë preferuar të jetojnë në qytetin buzë lumit Erzen kanë filluar ta ndjejnë mungesën e interesit të shijakasve për artin e pikturës.
Qytetit i mungon një galeri e arteve pamore.
“Ka qenë pallati i kulturës, por atë e morri xhamia,” thotë Gusti. Ndërkohë, po presim të ndërtohet pallati i ri i kulturës.
“Deri tani punimet i kemi ekspozuar në shkolla, por edhe aty ndjehet lagështira,” shton ai.
Familja Faja nuk ka mundur të ruajë as studion, ku punoi për disa dhjetëvjeçarë, prof Agimi.
“Studion e vjetër e shitëm se i doli pronari, kurse të dytën e shitëm se do të mbijetonim,” thotë me dhimbje Ergysi.
Që pas ndryshimeve shoqërore të viteve ’90, interesi për të ndjekur shkollat artistike ka rënë.
“Vetëm nëntë nxënës kanë vazhduar shkollën e mesme artistike në këtë tre dekada, e shumë pak prej tyre ndoqën degën e pikturës në Universitet,” tha Gusti, sipas të cilit mungon një perspektivë kur i përfundojnë studimet.
Ndërkohë, në mungesë të një galerie artesh, piktorët e Shijakut kanë ekspozuar disa herë në galerinë “Nikolet Vasia” në qytetin bregdetar.
Ergysi, Arditi, Gentiani, Rudi dhe Juliani, që të gjithë me mbiemrin Faja kanë fituar simpatinë e publikut të Durrësit për tablotë me natyrat e qeta, portretet dhe kompozimet me tema nga rrethinat e vendlindjes së tyre.
“Në krye të ekspozitave në qytetet ku janë mysafirë, dinastia e të rinjve piktorë Faja instalon gjithmonë disa nga veprat e prof. Agimit, mësuesit që i mësoi të hedhin penelatat e para mbi telajo dhe ta duan qytetin e tyre,” përfundoi Gent Faja.
BIRN

Di te them qe ilustrimet e Eposit Kenge te Mocme Shqiptare te Mitrush Kutelit,te Agim Fajes jane shume me cilesore se zhgarravinat me silueta me trupa dinosauresh me koka te vogla dipllodokesh me tipare njerezore,qe ka vizatuar Gazmend Leka.
Kemi nevoje edhe per lajme te tilla, …. cfare beri vaki????? Si u kujtuat qe ka edhe jete normale ne ate vend, dhe jo sic duan ta paraqesin, vetem zi dhe depresion.