Një ndër fenomenet shqetësuese me të cilat po përballen shkollat në ditët e sotme, është ajo që njihet si “braktisja e fshehtë e shkollës”, proces në të cilin nxënësit shkojnë fizikisht në shkollë, por nuk kanë interes dhe nuk janë aktiv në zhvillimin e procesit mësimor.
Punonjësja sociale, Matilda Loniku tregon se prania e fenomenit “braktisje e fshehtë e shkollës” vazhdon të jetë e dukshme dhe shqetësuese për formimin socio-akademik të fëmijëve. Sipas saj, për
të parandaluar këtë fenomen, mësuesit, por edhe aktorët e tjerë të shkollës, duhet të ndjekin me korrektësi disa udhëzime, të cilat i gjeni të detajuara në vijim.
Siç e dimë ekzistojnë dy lloje braktisjesh, ajo fizike e cila konsiston në braktisjen ose shkëputjen fizikisht nga shkolla të nxënësit, si dhe braktisja e fshehtë, ku nxënësit frekuenton shkollën fizikisht, por mendërisht ai është i shkëputur nga shkolla.
Duke qenë se braktisja e fshehtë, nuk është e dukshme si fenomenet e tjera, ajo duhet zbuluar me qëllim trajtimin dhe eliminimin e saj.
Por si mund të zbulohet braktisja e fshehtë tek nxënësit e shkollës, dhe cilat janë shenjat që ju të nderuar mësues duhet të dini për të identifikuar lehtësisht profilin e një nxënësi që është në rrezik braktisjeje?
Kjo kategori nxënësish edhe pse mund të frekuentojë rregullisht shkollën, nuk janë aktivë, duke mos patur interes për zhvillimin e mësimit, vijnë në shkollë pa mjete dhe pajisjet e duhura dhe nuk janë të interesuar për njohuritë e reja akademike. Shfaqen të lodhur, të përgjumur, si dhe mezi presin të bjerë zilja për të përfunduar orën e mësimit. Bëjnë mungesa të shumta, ose dhe kur vijnë nxjerrin justifikime të shumta për t’u larguar.
Braktisja e fshehtë e shkollës nuk është dukuri objektive, por ajo është fituar gjatë rrugës dhe si e tillë duhet eliminuar.
E për të siguruar sukses në parandalimin e këtij fenomeni, ju mësues dhe të gjithë aktorët e tjerë brenda shkollës, që të kemi një rezultat të dukshëm në eliminimin e këtij fenomeni duhet të ndiqni me korrektësi dhe përpikëri këto hapa në vijim.
Evidentimin e profilit të nxënësit që paraqet rrezik të braktisjes së fshehtë të shkollës, duke ja referuar rastet punonjësve të shërbimit psiko-social dhe aktorëve të tjerë të shkollës për të hartuar më pas një plan ndërhyrje që do të minimizonte e sjelljeve rrezikuese për të, dhe gjithashtu edhe në reduktimin e mungesave.
Hapi tjetër dhe shumë i rëndësishëm është ai i identifikimit të nevojave të nxënësit në mënyre që më pas të trajtohen.
Vijojmë me zbatimin e ndërhyrjeve për të rritur frekuentimin e nxënësve në rrezik braktisjeje, për të rritur orarin e qëndrimit gjatë procesit mësimor dhe aktivizimit, si dhe nuk duhet të harrojmë frytin e bashkëpunimit të ngushtë me aktorët e tjerë, siç janë prindërit, specialistët e njësisë së mbrojtjes së fëmijës, si dhe strukturave të tjera që garantojnë mbrojtjen e fëmijëve.
Shkolla ka treguar dhe vazhdon të tregojë, se ajo luan një rol aktiv në parandalimin e dukurisë së braktisjes së fshehtë, duke krijuar programe të ndryshme bazuar në nevojat e fëmijëve. Një mjedis shkollor miqësor i sigurt dhe ngrohtë ndaj nxënësve, i ndihmon ata që të jenë të mbrojtur dhe të motivuar për të ndjekur rregullisht procesin mësimor dhe për të mos e lënë shkollën.
Për të patur rezultat të mirë në punën parandaluese një qasje e mirë efektive e mësuesit do të ishte: Biseda të shpeshta me këta fëmijë për të kuptuar më shumë nevojat e tyre dhe shqetësimet që mund të kenë, fuqizimi i bashkëpunimit me prindër me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të tyre për rëndësinë që ka frekuentimi i rregullt i shkollës.
Të tregojmë tek këta nxënës që ata janë të rëndësishëm për shkollën, duke u bërë vazhdimisht pyetje gjatë orës së mësimit do të mund t’i aktivizoni dhe t’i aftësoni në përqendrim. Lavdërojini edhe për përgjigjet më të vogla, për punët individuale dhe në grup. Herë pas here shpërblejini duke i cilësuar si lider të grupit për një punë të caktuar. Tregojuni se ai është unik, dhe ka talent dhe aftësi mbi të tjerë, tek një fushë e caktuar.
Duhet të mos harrojmë që arti i orientimit të duhur të nxënësit drejt të nxënit përmes rrugëve të lehta dhe të kuptueshme nga nxënësit e të gjitha kategorive, është çelësi i suksesit në luftën kundër braktisjes së shkollës.
Sigurisht që një rol kyç në menaxhimin e këtij fenomeni luan edhe shërbimi psikosocial që operon në çdo institucion arsimor, dhe si i tillë i del për detyrë jo vetëm të vlerësojë çdo situatë të ndodhur, por edhe të përmbushë me sukses çdo mision të tij në shërbim të fëmijës.
p.k\dita
