Nga Petraq Risto
-Dialog me shkrimtarin Namik Dokle-
Gabriel Garcia Markez një nga reportazhet e tij për Europën Lindore, e fillon kështu: “Perdja e hekurt nuk është as perde dhe as e hekurt. Është një pengesë prej druri të lyer me të kuqe e të bardhë, ashtu si reklamat e floktoreve”. Pra, realiteti, nën këndvështrimin e këtij shkrimtari-gazetar, përthyhet në një mënyrë tjetër. Faktet e detajet nga Berlini Lindor në vitet pesëdhjetë, një dekadë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai i zhbiron sëbrendshmi. Te të gjitha reportazhet e librit “Udhëtim më Europën Lindore” (Botime “Onufri”, 2016) rrëfimi, faktet japin një pasqyrë të botës lindore, pa censurë apo autocensurë. Imagjinoni një gazetar-shkrimtar shqiptar i para viteve nëntëdhjetë, të shprehej për “Perden e hekurt” si për “një tra të lyer me të kuqe e të bardhë, ashtu si reklamat e floktoreve”.
Te parathënia e librit “Letërsia në rrezik” (Botimet “Buzuku”, Prishtinë) studiuesi dhe teoricieni i njohur bullgar Tzvetan Todorov thekson se vetëm pasi jetoi dhe studioi në Francë, ku pak më vonë ndoqi edhe leksionet e kritikut të madh Roland Barthes, vetëm pas integrimit të plotë dhe një pune të gjatë “dashuria ime për letërsinë nuk ishte më e kufizuar nga edukimi që kisha marrë në vendin tim totalitar”.
Kufizimet e edukimit nga Koha, sistemi shoqëror, shkollimi, janë të natyrshme dhe ndryshojnë nga një vend në tjetrin, nga një brez në tjetrin, nga një individ te tjetri. Por edhe “çedukimi” nga kufizimet, zhveshja nga “këmisha e forcës”, thyerja e enës deformuese të tipit “kompraçikos”, janë procese tepër të vështira, sepse dhe këto varen nga shkallët e emancipimit të shoqërisë, nga niveli i lirisë dhe demokracisë së vendit të caktuar. Kjo vlen edhe për shkrimtarët si qytetarë të botës së lirë, dritësimi i të cilëve përcillet te lexuesit nëpërmjet veprave.
Milan Kundera në intervistën dhënë shkrimtarit amerikan Filip Roth shprehet se: “Botën mund ta kuptosh nëse e sheh nga kënde të ndryshme. Libri i fundit që shkrova në Francë, shpalos një hapësirë të veçantë gjeografike: ajo që ndodh në Pragë shihen me sytë e europianëve perëndimorë, ndërkohë që çka ndodh në Francë shihet përmes syve të Pragës.” Këtë e thotë Kundera, i cili romanin e famshëm “Shakaja” me temë kundër totalitarizmit, e shkruajti më 1967!
Në citimet e mësipërme, kupton përpjekjet dhe vështirësitë për ta njohur dhe kuptuar thellë jetën dhe të vërtetën në vendet e Europës Lindore dhe për ta përcjellë atë nëpërmjet veprave te lexuesit perëndimorë, ishlindorë, apo edhe thjesht totalitarolindorë. Po shkrimtari që i ka përjetuar vetë faktet dhe realitetet e vendit të tij në dy sisteme, sa i sinqertë dhe transparent duhet të jetë duke u ballafaquar me të vërtetën? Si mund ta kapërcej ai pengesën e trarit të lyer kuq e bardhë, apo bardhë e zi?
Duke lexuar trilogjinë e Namik Dokles me tre romanet “Vajzat e mjegullës”, “Lulet e skajbotës” dhe “Ditët e lakuriqëve të natës”, por edhe tre romanet e rinj që pasuan trilogjinë, i ndjen përpjekjet e autorit që me narrativën e tij të zhdërvjellët ta pasqyrojë me vërtetësi realitetin apo realitetet në dy sistemet shoqërore. Këtu nuk flasim për përpjekjet e gjetjes së “mesit të artë”, sepse Dokle është i qartë në formimin dhe reagimin e vet krijues; në romanet e tij ai tregohet i hapur, i guximshëm, akuzues, por edhe i sinqertë për moskundërshtimin e totalitarizmit e diktaturës në kohën e duhur. Fatet e personazheve që shpesh janë realë e thuajse gjysmë të gatshëm nga JETA, e bëjnë autorin tepër transparent në bindjet dhe formimin e tij politik, kulturor dhe estetikë.
Trilogjia mbështetet në një krahinë konkrete, Gorë, në Verilindje në Shqipërisë, dhe jo në një zonë me emër të shpikur siç bëri Folkneri me Joknapatofën dhe Markezi me Makondon. Natyrisht dhe Folkneri dhe Markezi, të dy nobelistë, në këto vende të shpikura kishin parasysh vendbanimet e tyre në ShBA dhe Kolumbi, por “për të luajtur” më shumë me realitetin, me përthyerjen e magjishme të jetës ‘shpikën’ këndvështrimin e rrezes që bie mbi lupë.
Dokle ka një prozë të veçantë, përgjithësisht me gjeografi dhe personazhe konkretë; në narrativën e tij të shkathët gëshetohen realiteti me magjinë, imagjinata dhe fantazia i ka themelet te e vërteta dhe jeta. Rrëfimet mbështeten në fate tronditëse, dramatike e shpesh tragjike, duke krijuar vepra të një niveli të lartë cilësor. Mjafton të shkëpusim vetëm pak rreshta nga hyrjet e romaneve për të kuptuar jo vetëm stilin, por edhe synimet estetike të autorit.
Fillimi i romanit “Vajzat e mjegullës”:
“Edhe sot, kur kanë kaluar pesëdhjetë e shtatë vjet, në gjithë qenien time përsillet ajo piskamë e egër, e trishtë dhe hakmarrëse, që e preu natën mespërmes dhe i bëri një, qiell e tokë. Yjet u fikën në çast dhe unë mbeta i vetmuar në errësirë, duke u dridhur nga diçka që shkonte përtej tmerrit. Po shihja një ëndërr atë mëngjes të ftohtë dimri, kur dita ende kishte frikë të hapte sytë; një ëndërr të çuditshme që më kishte futur mornica në trup, megjithëse isha pranë një zjarri të madh. I prekja flakët me duar, afrohesha, por sa më shumë u avitesha, aq më tepër mërdhija. Hyra i tëri mes flakëve dhe përsëri asgjë, ftohtë… ftohtë. Në çastin kur u rrasa mes zjarrit të ftohtë, dëgjova piskamën që s’kuptohej nga vinte, nga toka apo nga qielli. Dola në kjostër (hajat) bash kur u fikën të gjithë yjet nga frika e asaj ulërime therëse dhe dridhesha i tëri, pa kuptuar se ku kishte shkuar dera e dhomës. “Futu brenda shpejt!”, më thirri babai dhe më tërhoqi si një trastë me bar të njomë. Nëna më mbuloi në shtrat me përkujdesje, por unë nuk u ikja dot të dridhurave që më ndiqnin nëpër trup, deri në brendësi të kraharorit. “Çfarë ishte?”, pyeti nëna. “Arushat”, tha babai. “Po vajtojnë nënën e vrarë… do ta gjejë ndonjë bela këtë fshat që vrau arushën.”
e-mail i Namikut:
“I dashur Petraq, ky është romani i parë i triptikut tim për Gorën, krahina e origjinës sime. Ngjarjet zhvillohen në vitet pesëdhjetë. Pastaj vjen tjetri në vitet shtatëdhjetë dhe i treti në fund të nëntëdhjetës. Ndërkohë kam në përfundim një roman kushtuar shkrimtarëve të persekutuar në diktaturë, ndërkohë po filloj një tjetër” …
Përgjigja ime:
“Namik, jam i bindur që dhe dy romanet e tjerë janë interesantë. Fillova ta lexoj romanin që më solle para disa orësh. (“Vajzat e mjegullës”) E njoh pendën tënde, ndjeshmërinë, mbresat jetësore dhe ato të gazetarit, mençurinë genetike, gjithçka që i duhet një shkrimtari të mirë.
Namik, përshëndetje!
Sapo e mbylla leximin e romanit “Vajzat e mjegullës”. Urime! Më fal se e lexova pak me ndërprerje ngaqë paralelisht jam duke punuar me librin poetik që do ta çoj për botim këtë javë. Romani më pëlqen. Është shkruar me frymëzim, me dashuri, me shpirt. Nisja është e mrekullueshme. Vrasja e arushës, skelat që mbetën gjithnjë të ngritura si një podium ku nesër do të pushkatohet mësuesi, është një simbol i gjetur, prolog-epilog domethënës. Ky roman i jep lexuesit shumë informacion për Gorën, për vuajtjet në ato vitet e para të pasçlirimit. Tani që po të shkruaj, kur sapo e kam mbyllur leximin, vetvetiu më lindi një pyetje (mendim) që, me thënë të drejtën, më mundonte gjatë gjithë kohës, veçanërisht duke ardhur drejt fundit: nëse këtë vepër (pjesa e parë e një trilogjie), autori do ta çonte për botim para viteve nëntëdhjetë, patjetër do ta pësonte rëndë. Një pyetje tjetër që pason të parën: po tani e shkruar pas gati tridhjetë vjetësh, (për pjesën e parë të triologjisë) çfarë mendojnë goranët e tjerë? Është realist? Është e vërtetë? A i ka ndodhur kjo vetë autorit?… Mbase janë pyetje naïve, ngaqë nuk e njoh historinë e asaj krahine, por s’di pse më krijohet një shije e hidhur, sikur në atë periudhë (në vitet pesëdhjetë) ka pasur vetëm fatzinj, vetëm denigrim, vetëm një shtet policor që shihte te goranët armiq potencialë. Qofsha i gabuar, por te një lexues si unë, s’di pse kishte një ngërç. Natyrisht ti mund të më thuash se në pjesën e dytë dhe te tretë, disa gjëra dhe ndryshojnë, por mendoj se dhe në një periudhë të caktuar këndvështrimi s’duhet të jetë bardhë e zi.
Sidoqoftë të flasim për vlerat artistike. Personazhet kryesorë që të nguliten në mendje marrin vlerë, sepse rrëfyesi është vëzhgues i hollë, i mënçur. Një fëmijë dhe adoleshent që i përjeton tepër emocionalisht situatat dhe bëhet promotor i zhdërvjellët i subjektit, që, edhe pse linear, ka një shkallëzim të vazhdueshëm, një konflikt-atmosferë që përfshinë të gjithë popullatën e Gorës. Veçanërisht në 100 faqet e para leximi të përpin; s’di pse mu kujtua “Njëqind vjet vetmi” e Markezit me atë Makondon e famshme të harruar në një cep të Botës. Figura e Majkës (treqind vjeçare), e xhaxhait, e mësuesit, e rrëfyesit, e mullixhiut, e nuses “macja-miu”, e Hate-hetuesit e të tjera, të mbeten në mendje. Shumë histori, rrëfenja, anekdota të atij lokaliteti apo zone, ti i ke shkrirë me finesë. Gjuha është e pasur, rrjedhë e gurgullon. Një tjetër pyetje: Po mirë ato vajzat që nuk u kthyen nga aksioni, a kthehen në romanin e dytë, mos vallë tani fillon dhe ndriçimi i zonës. Po me rrëfyesin adoleshent çfarë ndodh më vonë, ai bëhet disident apo zëvendëson mësuesin e vrarë?! Do kisha dëshirë, shkurtimisht, të më kthjelloje pak se mbase dhe unë kam hyrë në një hipnozë të gabuar. Mendoj se mund të shkëmbejmë mendime (tepër private) dhe pas kësaj letre të shkurtër, shkruar vetëm pak minuta pas përfundimit të romanit “Vajzat e mjegullës”.
Dhe njëherë të uroj suksese, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera ku romani është përkthyer.
Miqësisht, Petraq Risto
Nju Xhersi, 29 prill, 2020
Pyetjet që i bëj shkrimtarit Namik Dokle menjëherë pas leximit të librit të parë të trilogjisë, lindën mbase ngaqë ai nuk shpiku një emër imagjinar për krahinën e vet, pra, më shumë u vu në pozicionin e gazetarit – shkrimtar. Përgjigja e tij e menjëhershme më sqaroi dhe për këtë pozicion por, njëkohësisht, më hapi disa shtigje leximi për të ecur jo vetëm në realitetin konkret, por edhe në atë të trilluar prej tij
29 prill 2020
I dashur Petraq,
Të falenderoj shumë për fjalët e mira për romanin. Sidomos për analizën e vlerave artistike, personazheve, gjuhës etj. Dhe më vjen mirë që mendimet e tua përputhen plotësisht me ato të autorëve të tjerë qe kane analizuar romanin, si në Shqipëri dhe jashtë… Për të mos e zgjatur, po të them që njeri nga artikujt e botuar për romanin, në Sarajevë, është titulluar: “Makondo e Dokles”.
Por më të rëndësishme për mua janë pyetjet që ty të kanë lindur gjatë leximit. Natyrisht nuk mund t’i ezauroj ndoshta menjëherë, por gjithsesi po të them ca gjëra. Së pari, shumica e ngjarjeve janë thuajse reale, të ndodhura në kohën e fëmijërisë sime, një pjesë të të cilave i kujtoja vetë, ndërsa pjesa tjetër janë shkruar nga xhaxhai im, i cili ka mbajtur një ditar sekret për 20 vjet (1949 deri 1969), të cilin vetëm mua ma kishte dhënë ta lexoj… Pjesa e përfshirë në roman është vetëm një copëz e ditarit prej 500-600 faqesh. Dhe unë nuk kam shtuar shumë dhe nuk kam ndryshuar asgjë. Dhe tash natyrisht vijmë te pyetja jote mbi raportin e percepitimit para dhe pas viteve nëntëdhjetë… E di si ndodhte, i dashur Petraq? Ato që kam shkruar unë i ndjeja edhe më parë, por nuk i shkruaja dot, ashtu ishte koha dhe ne nuk kishim lindur disidentë (megjithëse në ato vite mua më ndaluan tre drama të bëra gati për në skenë). Dhe ndodhte me ne, si me xhaxhain tim: ai ishte një kooperativist i mirë, por mbante ditarin sekret, dhe, si murator që ishte, në shumë nga muret që ndërtonte, shkruante diçka, e fuste në një shishe dhe e muroste. Pas vdekjes së tij, në fshat u ndërtua xhamia e re dhe kur u prishën muret e saj u gjet një nga shishet e tij, me letrën e shkruar më 23 gusht 1967, të cilën e përfundon kështu: “Ky shtet na ka marrë gjithë tokën, na ka lënë vetëm nga një dynym, na ka marrë bagëtitë, na ka marrë gjithë pasurinë dhe na ka lënë vetëm me duart bosh.” Brenda trupit tonë jetonin dy njerëz. Goranët që e kanë lexuar romanin e kanë vlerësuar si shumë realist. Natyrisht bëjnë dhe ndonjë vërejtje… Ajo që më kënaq është se shumë nga kritikët kanë thënë që “në këtë roman, nëpërmjet një kronike familjare, autori end sagën jo vetëm të një fshati, por të një populli të tërë”. (Adijata Ibrishimoviç, profesore e letërsisë së krahasuar në universitetin e Sarajevës)
Përgjigja e pyetjes ç’ndodh me personazhet në dy romanet e tjerë, nuk do të të kënaq. Pse? Unë i kam konceptuar tre romanet si nje triptik, të cilët i bashkon krahina ku ndodhin ngjarjet, por jo edhe vazhdimi i jetës së personazheve, ata nuk përsëriten, përmenden aty – këtu dhe kaq; në dy romanet e tjerë veprojnë personazhe të tjerë. Unë vazhdoj ta konsideroj si triptik, por disa nga kritikët, këtu dhe në Sarajeve, e kanë konsideruar si trilogji, sepse është vazhdim i të njëjtit areal dhe fatesh njerëzore, por nën “lëkuren” e personazheve të tjerë.
“Namik, gëzohem që dhe unë rastësisht e kam quajtur një “Makondo”. Fakti që xhaxhai murator i fuste shishet me mesazhe në mure, qenka fantastik! Roman më vete!… Janë gjetje që unë i parapëlqej. Pres të ma dërgosh dhe romanin tjetër…Dhe njëherë të uroj punë të mbarë në veprat në vijim!”
Dhe pak më vonë do të na shfaqet xhaxhai i mesazheve të futura në shishe e të fshehura në “dallgët e mureve”
Fillimi i romanit “Lulet e skajbotës”:
Katër burra e ngritën arkëmortin mbi supe. Ende nuk i kishin bërë dy hapa drejt derës, kur dhoma e të vdekurit u thye në mijëra copëra të qelqta nga vajulurima e një vajze.
“Jo, joooo! Dua ta shoh edhe një herë! Mos ma merrni… mooos!” Ishte motra binjake e të vdekurit. Katër burrat nuk lëvizën nga vendi, kishin ngrirë me vdekjen ndër duar. Ndërsa gratë dukeshin si të marmarosura prej zanave të malit. Kufomën e kishin sjellë nga një shtet i huaj, një ditë më parë, në të errur.
“Mirë është ta varrosim sa më shpejt, ka ndërruar dy avionë deri në Shqipëri”, thanë ata që e sollën.
Vazhdimi është një grotesk tragjik: me ngulmimin e motrës, Jetmirës, e hapin arkmortin dhe shohin se kufoma ishte e një emigranti tjetër që rastësisht kishte të njëtin emër e mbiemër… Dhe Jetmira vihet në kërkim të vëllait (agjallëavdekur)… Po vëllai, Petrit Kallabaku, në të njëjtën kohë kthehet në fshat i gjallë, i gatshëm të përballojë ritmin e romanit që, brenda gjashtë ditëve, përmbledhë jetë dhe histori sa për gjashtëqind ditë. Si te “Vajzat e mjegullës”, edhe te “Lulet e skajbotës” rrëfimi ka ritëm, kohezion, vërtetësi, magji, gjuhë të pasur. “Njeriu pa fëmijët jeton midis thumbit dhe patkoit, buza i qesh, por syri i qan, vetëm zemra bën durim dhe mban”, thotë xhaxhai i Petritit, duke vënë gishtin te plaga e emigracionit.
“Kur e mori vesh Çopuri që ajo i kishte dërguar një tufë me karafila Mirjetit, shenjë që ajo e pranonte dashurinë e shfaqur prej tij, filloi të thoshte për të, kalldrëmeve të fshatit, të lara e të palara. Një ditë, madje, i tha Mirjetit që t’i mbante karafilat, por trëndafilin e Jetmirës do ta këpuste ai i pari…”
Personazhi i Çopurit, “çmontuesit të varrezës” për të fituar zha-vorr, ‘pasanikut të ri’ që bën ligjin poshtëelart, është vizatuar me mjeshtëri, duke na dhënë në njëfarë mënyre dhe një prototip të të fortëve ‘me rrënjët lart’. Subjekte të shumta, limfë jete, histori të vjetra e të reja, lulëzojnë në Skajbotë, “në fshatin ku dielli lind dy herë në ditë e hana perëndon dy herë në natë…” Dashuria e Mirjetit për Jetmirën, në fillim i jep romanit freski dhe aromë karafilash e pak më vonë fati i Jetmirës rrokulliset tragjikisht, si të shumë vajzave shqiptare në emigracionin e viteve nëntëdhjetë. Fati i Andrinit me Lulen dhe historia e lidhjes së tyre, i japin një gurgullimë tjetër romanit. Dhe te “Lulet e skajbotës” autori na e hap mjegullën si perden e një drame. Ka ritëm, zhgënjim, protestë, lotë. Herë me ngjyra të errëta, herë me një dritë të brendshme shprese, jepen situatat nga fshati thuajse i braktisur, me djemtë e ikur në emigracion, me fatet e vajzave që tashmë detyrohen t’u ikin rregullave e kanuneve e të rrokullisen maleve si gurë, apo të zënë vend edhe jashtë sinoreve të fshatit. Natyrisht, edhe te ky roman, nuk mungon atmofera e gëzimeve, dashurive të reja, dasmave, që dora mjeshtërore e shkrimtarit i jep me freski, gjallëri e ngjyrime festive.
“Gjëja e parë që bëhej në çdo dasmë ishte mbledhja e druve, që do të përdoreshin për të gatuar për krushq dhe dasmorë. Dhe drutë i bënin djemtë e fshatit, të cilët shkonin në pyll të pathirrur nga i zoti i dasmës; gjithnjë gjendej një shok i dhëndrit, që do të mblidhte dhjetë a pesëmbëdhjetë të tjerë dhe do të shkonin bashkë në Drobak, ku një zabel i tërë mbahej vetëm për dasmat e fshatit. Sofra e parë që shtronte i zoti i dasmës quhej, qysh se nuk mbahet mend, sofra e druvarëve.”
“Namik, sot e mbylla leximin e romanit “Lulet e skajbotës”. Urime! Një vepër e shkruar me profesionalizëm, me kulturë, me gjuhë të pasur, me subjekt tërheqës dhe figura të skalitura. Triptiku për Gorën është vërtetë një vlerë në letërsinë e sotme shqipe…”
New Jersey, 8 korrik, 2020
“Makina e internimit qëndroi poshtë dritares. Për një imtëkohë ai e mbërtheu vështrimin në anzat e shtrembëruara të saj, pastaj ngriti sytë drejt qiellit dhe pa një kuqëlimë verdhane, që i ngjau si gjak i përzier me qelb. Një qetësi e rrejshme po e vriste brenda vetes dhe ai nuk arriti të lëvrinte asnjë qelizë të trurit, të paktën sa për të menduar diçka për atë mëngjes të qelbëzuar. Asgjë.”
(Fillimi i romanit “Ditët e lakuriqëve të natës”)
I dashur Namik, uroj të jeni të gjithë mirë! E lexova romanin e shkurtër “Ditët e lakuriqëve të natës”. Urime! Është një vepër e shkruar thjeshtë, me emocion, mbështetur besoj në një ngjarje të vërtetë, që ka ndodhur në krahinën e Gorës”. Kuptohet që ka gjurmë të lehta dhe nga hapat e personazheve të romanit “Vajzat e mjegullës”. Kur e lexon në këtë kohë pandemie me burim virusin me prejardhje nga lakuriqi i natës, gjatë leximit të rritet interesi dhe natyrisht shtohet edhe ritmi i leximit, duke menduar se kemi të bëjmë vërtet me një virus “made in Lakuriq”, por që nuk ka të bëjë fare me një epidemi të tillë!… (Por të një tjetër lloji) E lexon, vë buzën në gaz dhe kupton jo absurditetin e asaj kohe, por edhe qerthullin absurd që shpesh e ka përfshirë njerëzimin… Edhe njëherë urime për romanin dhe suksese në veprat e reja!
Nju Xhersi, 1 maj, 2020
“Nuk e di sesi e kishin fshatrat e tjera, por ne në Gorë i njohim Perritë tona edhe me emër. Ishin tri: Ilina e Shishtavecit, Jelica e Brodit dhe Borjana e fshatit tonë. Kanë qenë vajzat më të bukura të të gjithë Gorës e u kishte shkuar zëri edhe tejembanë nëntë bjeshkëve. Kur kërcenin ato, thoshin, dheu nën këmbët e tyre ngazëllente, lulet e livadhit, ku shkelnin ato, gjallëroheshin e shumoheshin, krojet e bjeshkëve, thoshin, e shtonin gurgullimën dhe i pëshpëritnin fjalë të ëmbla barit. Por edhe yjet, thoshin, ndaleshin për t’i parë, ndërsa gjarpri dilte nga guri për të dëgjuar këngën e tyre. Dhe thonë pastaj që një natë, kur po kërcenin te lëmi i Vejselit, u foli Hëna, dhe ato e ftuan në valle, por ajo u vuri kusht që t’i bënin një palë rroba Gore, që edhe ajo të zbukurohej me to. Dhe e lanë të kërcenin natën, kur hëna të ishte e plotë.”
(Ditët e lakuriqëve të natës”, fq.53)
Pas leximit të trilogjisë së Dokles, publikim i shtëpisë së njohur botuese “Toena”, e ndjen “përthyerjen” e gazetarit-shkrimtar, e ngjashme kjo me përthyerjen e dritës në vartësi të ndryshimit të shpejtësisë së saj, si dhe të dendësisë së mjedisit (në këtë rast të Mjegullës) në hapësirat që përshkon. Te trilogjia dhe veçanërisht te romanet pasues, përthyerja është më e fortë ngaqë dendësia e ngjarjeve është më e madhe se Mjegulla. Kur them “përthyerja” dua të theksoj detyrën e vështirësitë e shkrimtarit për të përshkruar realitetin dhe të vërtetën me shpejtësi më të madhe iluminimi, me guxim qytetar, ndërgjegje të pastër dhe ndershmëri perceptimi. Duke i përshkuar dhe përshkruar realitetet Dje dhe Sot (pra, para dhe pas viteve nëntëdhjetë) kupton reagimin e fuqishëm ndaj realiteteve konkretë (si gazetar) dhe imagjinarë (si shkrimtar) në të dyja sistemet. Drita vrapon drejt densiteteve të ndryshëm historikë. duke u përthyer sëbrendshmi në ndërgjegjet e qytetarëve, pra edhe të lexuesit e, natyrisht, të vet autorit që bëhet pjesë e Dritës në shpejtësi.
Te trilogjia përgjithësisht ngjarjet përfshijnë histori, legjenda dhe jetë (shumë jetë!) nga krahina e Gorës, por personazhet lëvizin edhe jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme: në Sarajevë, Kosovë, Athinë, Paris, Spanjë, etj. Kjo shtrirje gjeografike i jep veprës në tërësi më shumë gjallëri, intensitet qoftë në temat që trajtohen, qoftë në gdhendjen e personazheve në situata të ndryshme dhe në hapërsira më të gjera se fshatrat e një krahine.
“Javën e tretë, pas vrasjes së Poetit, erdhi motra e tij. Për ta thënë më saktë erdhi ditën e gjashtëmbëdhjetë. Do të mblidhte ato pak gjëra që kishin mbetur në dhomën e vogël, ku patëm ndenjur bashkë në gjashtë muajt e fundit të jetës së tij. Unë shkoja çdo mëngjes ose mbrëmje tek udhëkryqi ku qe varrosur për here të parë dhe ku murana me gurët e hedhur nga njerëzit rritej çdo mëngjes e mbrëmje. Por atë ditë e gjeta të rrafshuar. Dikush para meje kishte shkuar atje dhe i kishte shpërndarë gurët në të katërta anët e udhëkryqit.
“Varrin ia zhdukën, tani as muranën nuk duan t’ia lënë!”, mendova dhe nuk e di pse m’u përfytyrua një njeri i mbuluar me zhgun të zi, supekërrusur si ariu kur ngrihet mbi këmbët e para, që vinte çdo natë aty për të zhdukur muranën e Poetit. Kur përpiqesha të sillja në sytë e mi fytyrën e atij njeriu me zhgun, gjithnjë më fanitej balli i brazduar i atij që urdhëroi skuadrën e pushkatimit… Zjarr! Dhe trupi i Poetit që po binte, duke mbështetur paksa kokën në murin e rrënuar dhe pastaj mbi një baltë të përzier me borë.”
(Fillimi i romanit “Kolerë në kohën e dashurisë”)
Te “Kolerë në kohën e dashurisë”, autori ‘përthyen’ titullin e romanit të famshëm të Markezit, për ti dhënë veprës, që në titull, një forcë më të madhe goditëse. Pavarësisht se në këtë roman dalin në skenë personazhe të rinj, të panjohur më parë në trilogji, vazhdojnë të veprojnë edhe personazhet e mëparshëm (mësuesi – poet i pushkatuar, etj.) kështu që trilogjia ‘kërkon’ të kthehet në tetralogji, pra në katër vëllime, në katër drama apo katër tragjedi.
Te veprat “Kolerë në kohë të dashurisë”, “Covid 1984” dhe “Dhjetë gramë nder” gjejmë personazhe, fate, legjenda, proverba, gjurmë dhe jehonë nga Trilogjia e Gorës. Bashkimi me to i librit të shtatë “Vallëzimi i Hënës” që pritet të publikohet së shpejti po nga shtëpia e njohur botuese “Toena”, i jep kësaj sage një pamje të plotë.
“Në ditën e shtatë të shfaqjes së sëmundjes, një burrë u hodh nga ballkoni i katit të tretë të spitalit. Të gjithë ata që e panë të shtrirë mbi pllakat e anërrugës së ndërtesës, i ngulën sytë jo mbi pllangën e stërmadhe të gjakut, por te masa e shkapërderdhur e trurit, që dukej si akullore e hedhur në tokë nga një fëmijë idhnak. U mblodhën shumë të sëmurë të tjerë për të parë, por një mjeke që erdhi aty nxitimthi, hoqi bluzën e saj të bardhë dhe e mbuloi. Pastaj u largua pa thënë asnjë fjalë. U dëgjua urdhri i dikujt që ta çonin kufomën në morg, por më të shpejtë nga sanitaret që u sorollatën për të gjetur një bartëse, u treguan gazetarët, të cilët arritën të gjenin kufomën aty ku kishte rënë, ta filmonin me kamerat e tyre të zeza, që dukeshin si korba të zbritur nga një botë jashtëtokësore, madje edhe të fillonin pyetjet për ata që silleshin rreth të vdekurit.
(Fillimi i romanit “Covid 1984”)
“U habit, madje ndjeu dhimbje, kur mendoi se mos profesorit i kishte filluar skleroza. Ai nuk i foli aspak për të rejat shkencore të virologjisë, por për disa lule dhe barishte që kishin lidhje me psikozat njerëzore. Nuk i kishte mësuar nga mjekërbardhët e Parisit, por nga një plakë e rrudhur e një fshati në fund të skajbotës, ku e patën dërguar të zbulonte një sëmundje, për të cilën, edhe atëherë thuhej se mund të kishte ardhur nga lakuriqët e natës, apo nga dhelprat e kuqe. Por profesori zbuloi se sëmundja shkaktohej nga ndalimi i dashurisë së të rinjve të fshatit, prej ushtarëve që ruanin kufirin e shtetit, dhe, po për këtë arsye, ndalonin edhe daljen e djemve në dritaret e vajzave, për të folur e për t’u përkëdhelur me to.”
(Covid1984 fq 77)
“I dashur Namik, uroj të jeni mirë! Tani sapo e mbylla romanin tënd të ri “Covid 1984” Urime!… Më pëlqen stili, narrativa e zhdërvjellët, gjuha e pasur, galeria e personazheve. Fitimi, Petro, Azizja, Borjana etj. janë vizatuar qartë. Ka dhembje dhe grotesk në fatet e tyre. Do doja që të mos vetvriteshin vetëm mëkatarët apo gjysmë mëkatarët e sistemit të shkuar, por edhe të tjerë të kohës kur u shfaq pandemia. Kjo ishte një “mangësi” që më ra në sy, por edhe mund ta kem gabim, sepse mundet që mëkatarët e sotëm nuk janë prekur nga virusi me pasojë “Pendesën”…
Jam i bindur që po shkruan një roman tjetër. Vazhdo me këtë vrull. Uroj që viti i ri 2023 të sjellë vepra të reja, suksese të reja! Shëndet dhe mbarësi!
Miqësisht, Petraq Risto
New Jersey, 28 dhjetor, 2022
“Çdo qytet ka duhmën e vet të vuajtjes. Por pak nga banorët e Meslumasit e njohën kutërbimin e asaj pasditeje të vakët shtatori. Disave iu duk si aromë vjeshte që vinte nga kazanët e pijeve alkoolike. Të tjerë menduan se është duhma e djegies së ndonjë prej magazinave të periferisë, apo të plehrave të qytetit, hedhur stomeve afër varrezave. Të tjerëve u kujtoi thartimën e pleqve të braktisur. Por çuditërisht, askujt nuk i shkoi ndër mend dhe hunda e askujt nuk e dalloi dot erën e kalbëzimit që shpërtheu pas një plasjeje të shurdhër dhe cingërimës së xhamave të thyer. Nga dritaret e shkatërruara, kutërbimi i kalbëzimit u përhap në rrugë dhe nëpër rrugica, nëpër shkallët e pallateve, në shitore dhe pijetore, në hapësirat e administratorëve dhe në librari, në bordellon ilegale dhe galerinë e vetme të arteve figurative. Të gjithë nxituan të mbyllnin dritaret…
Krejt papritur, si rënia e një ylli nga qielli, më shkreptiu nëpër tru ai mendim që më shtiu frikën e çmendjes sime. Edhe ditë e muaj më përpara, kushedi sa herë, kisha folur me vete duke thënë Zot, më ruaj mendtë e kokës, por atë ditë ishte diçka krejt tjetër, e pandier në qenien time dhe, besoj, as të ndonjë njeriu tjetër të kësaj bote: të hapja një shitore, qoftëedhe një qoshkë të vogël, ku të shkruhej: Këtu shitet nder!”
(Fillimi i romanit “10 gramë nder”)
“Namik, përshëndetje! Dje në darkë e përfundova romanin tënd “Dhjetë gramë nder”. Urime për veprën e re cilësore! Narracioni yt është i veçantë, ka rrjedhshmëri, mençuri, ngarkesë emocionale, grotesk, humor therës. Tek lexoja romanin, siç të shkruajta dhe para disa ditësh, s’di pse mu kujtua rrjedha rrëfimtare e “Alkimistit” të Cohelhos, por besoj se këtë ma imponoi kēndvështrimi, gjetja dhe mbi të gjitha zbulimet e njëpasnjëshme të fateve njerëzore, veshur me një tis të lehtë shprehjesh popullore, shpesh me tension proverbial. Shumë personazhe janë kalimtarë, por lēnë gjurmë në kujtesën e lexuesit. Personazhi i Bajro Jellës, i cili shumë mendime dhe protesta i shkruan dhe i fsheh në shishe e pastaj i murosë atje ku punon si ndërtues apo riparues muresh, është mjaft interesant. Kemi folur edhe më parë posaçërisht për këtë ngjarje të vërtetë. Mendoj se në këtë roman me gjetje të veçantë ky subjekt përshtatet shumë mirë. Mbase në këtë rast, sipas meje, do ishte më tërheqës po të kishte më tepër magji, përshembull ngaqë shishet e mesazheve janë prej qelqi, në mure sythojnë dritare të vogla dhe disa nga banorët, (vetëm ata që janë në një gjatësi vale me Bajro Jellën), arrijnë ti lexojnë mesazhet dhe kodet, madje natën shumë mure ndriçojnë, bëhen të tejdukshëm. Bajro nuk duhet të marrë vetëm rolin e një denoncuesi të fshehtë, por edhe rolin e profetit. Kështu autori mundet që ti shprehë më drejtpërdrejt dhe hapur idetë dhe synimet e veta. Vepra të tilla si “Metamorfoza” e Kafkës, “Vjeshta e Patriarkut” e Markezit, “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë, “Manteli” apo “Hunda” të Gogolit e shumë të tjera, e shkrijnë magjinë te realiteti. Nuk dua të citoj kapituj apo fragmente nga romani yt i ri që më kanë lënë mbresa të veçanta, ngaqë edhe nuk dua të zgjatem, po mbase jo shumë larg do ulem të shkruaj një ese të gjerë për romanet e tu që, për mendimin tim, po zënë një vend të dukshëm në prurjen elitare të shkrimtarëve të sotëm…
Nju Xhersi, 6 dhjetor, 2023
Natyrshëm këtij shkrimi mund ti vendosja edhe emrin e Namikut si bashkautor, ngaqë edhe disa e-maile apo fragmente të cituara më sipër, janë të tij. Në tërësi mendoj se te saga e Dokles duhen veçuar gjetjet origjinale, gërshetimi me finesë i realitetit me fantastiken, narrativa e shkathët dhe gjuha e pasur. N.Dokle ka shkruar dhe i janë vënë në skena rreth njëzet drama e radiodramatizime, përvojë që natyrisht i ka shërbyer edhe në ngrehinën e kësaj sage, për ti dhënë më shumë ritëm, tension të brendshëm, dialog të shkathët, shpesh me densitetin dhe urtësinë e proverbave. Te disa romane i kupton edhe kapitujt ku “kanë bujtur” dramat e tij.
Përzierja e kufijve të jetës dhe vdekjes, dashurisë dhe urrejtjes, të shkuarës dhe të sotmes, realitetit dhe magjisë, gjithçka vihet natyrshëm në shërbim të romaneve të trilogjisë, por edhe të tre romaneve pasues. Duket se bashkëpunimi i autorit me shtëpinë e njohur botuese “Toena” ka qenë tepër i frytshëm dhe e ka ndihmuar shkrimtarin të rrisë ritmin e krijimtarisë.
Përkthimi dhe botimi i disa romaneve në Spanjë, Angli, Bosnje, Turqi etj. dhe suksesi i tyre, flet dhe njëherë për vlerat e prozës së Namik Dokles. Shkrimtari është në kulmin e krijimtarisë së tij dhe lexuesit presin që ‘rrezja e dritës dokleane’ të përshkojë me shpejtësi dhe “Mjegulla” të tjera.
New Jersey, 23.2.2024