Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: “Shteti i Rrumit”: SPAK mbyll hetimin për tjetërsimin e tokave në bregdetin e Durrësit, 687 mijë m2 me vlerë 16 milionë euro
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kronike > “Shteti i Rrumit”: SPAK mbyll hetimin për tjetërsimin e tokave në bregdetin e Durrësit, 687 mijë m2 me vlerë 16 milionë euro
KronikeLajmi i fundit

“Shteti i Rrumit”: SPAK mbyll hetimin për tjetërsimin e tokave në bregdetin e Durrësit, 687 mijë m2 me vlerë 16 milionë euro

Published: June 30, 2026
Shpërndaje

Prokuroria e Posaçme akuzon Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si Rrumi, vëllanë e tij, Vullnet Muça dhe gjashtë të pandehur të tjerë për një skemë masive falsifikimi të shtrirë ndër vite me tokat nga Shijaku deri te Kepi i Rodonit të llogaritura në vlerën e 16 milionë eurove.

Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të martën përfundimin e hetimeve për skemën e dyshuar kriminale të falsifikimit dhe tjetërsimit qindra mijërave metra katrorë tokë në bregdetin e Durrësit, të organizuar dhe drejtuar nga Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi”. Laho dhe vëllai i tij, Vullnet Muça, akuzohen se kanë ideuar dhe materializuar skemën kriminale të tjetërsimit të pronave shtetërore ose të papretenduara nga ish pronarët, të cilat ndodheshin në zonën bregdetare të rrethit Durrës. Sipas SPAK, dy vëllezërit dhe bashkëpunëtorët e tyre e kanë zhvilluar aktivitetin kriminal në zonën Shijak-Kepi i Rodonit. Çështja është përcjellë në gjykatë, për t’u kaluar në gjykim në themel.

Sipas SPAK, dy vëllezërit kanë shfrytëzuar njohjet dhe influencën e tyre në zonë për të tjetërsuar tokat përmes falsifikimit të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi, AMTP, duke përfshirë në këtë skemë familjet bujqësore, kryefamiljarët e të cilave ishin në moshë të madhe, me nivel arsimor të ulët dhe në gjendje të vështirë ekonomike. AMTP-të e këtyre personave i kanë shfrytëzuar për të tjetërsuar pronat shtetërore.

- Publicitet -

Laho dhe Muça akuzohen gjithashtu se kanë bashkëpunuar në vijim me punonjës të Agjencisë së Shtetërore të Kadastrës Durrës, në sektorët e regjistrimit dhe të arkivës. Këta të fundit kanë siguruar informacionin mbi pasuritë që ishin në pronësi të shtetit dhe të pandara nga komisioni i ndarjes së tokës në fshat.

“Pasi i kanë falsifikuar AMTP-të, kanë prodhuar dokumente të tjera tërësisht të falsifikuara, si të prodhuara nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, të cilat kanë arritur t’i integrojnë në arkivën e regjistrimit të pasurive, nëpërmjet punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Durrës”, konstaton prokuroria dhe shton se është bashkëpunuar edhe me persona të tjerë me precedentë penalë në fushën e falsifikimit, që e kanë ushtruar aktivitetin e paligjshëm në qytetin e Tiranës.

Sipas SPAK, roli i Aleksandër Lahos dhe Vullnet Muçës si ideatorë dhe financues të aktivitetit kriminal del qartë në të gjitha bisedat që këta shtetas kanë zhvilluar midis tyre në platformën Sky ECC.

Për gjykim janë dërguar edhe shtetasit Agron Bejdolli, Vlash Brahja, Mikel Zaho, Artur Isaku. “Falë këtij bashkëpunimi të posaçëm, të pandehurit kanë bërë të mundur që të falsifikojnë masivisht dokumente të pronësisë së paluajtshme, t’i regjistrojnë ato në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Durrës duke përvetësuar qindra mijëra metra tokë në zonat e bregdetit”, citohet në njoftim.

Skema kriminale e tjetërsimit dhe përvetësimit të tokave në bregdetin e Durrësit rezulton të jetë shtrirë në vite dhe është mbështetur nga zyrtarë të ndryshëm, të cilët kanë patur si detyrë hartimin e dokumenteve të pronësisë dhe me tej regjistrimin në ASHK.

Rolet e bashkëpunëtorëve

Sipas hetimit, i pandehuri Agron Bejdolli siguronte prokurat e posaçme, mbante kontakt me noterët, kryente aplikimet në sportelet e ish-Z.V.Rr.P.P Durrës dhe në disa raste bënte edhe tërheqjen e parave nga llogaritë bankare të shitësve. Për veprimet që do të kryente për çdo pasuri të falsifikuar, ai i merrte urdhërat nga vëllezërit Laho e Muça.

I pandehuri Vlash Brahja akuzohet si i përfshirë në katër episode, përfshirë shitjen e një pasurie dhe veprime në zyrën e regjistrimit të pasurive. Ndërkohë, babai i tij rezulton të ketë angazhuar një avokat për të kërkuar përmes procesit gjyqësor pronësinë e një pasurie rreth 110 hektarë, transkriptimi i të cilës ishte falsifikuar me urdhër të Lahos.

Të pandehurit Mikel Zaho dhe Artur Isaku, akuzohen se në cilësinë e juristëve kanë prodhuar kartela të falsifikuara për gjithë pronat dhe i kanë regjistruar në sistemin elektronik të ASHK-së Durrës. Sipas SPAK, ata kanë manipuluar veprimet në sistemin elektronik duke integruar në aplikimet për pasuri të ligjshme të gjitha pronat me dokumente tërësisht false. Me veprimet e tyre, ata kanë mundësuar legalizimin e regjistrimit të pronave me dokumente false, si dhe t’i tjetërsonin përmes shitjes.

Të dy specialistët e ASHK-së, rezulton se kanë pasur kontakt të drejtëpërdrejtë me anëtarët e grupit të stukturuar, përmes SKY ECC.

“Hetimi ka vërtetuar përtej çdo dyshimi se kanë qenë juristët Mikel Zaho dhe Artur Isaku, punonjësit që kane lënë gjurmë digjitale të kryerjes së veprimeve të paligjshme me pasuritë objekt të hetimit. Këta persona përmes veprimeve të tyre të kundërligjshme kanë ndihmuar të pandehurit Aleksander Laho, Vullnet Muça dhe Agron Bejdolli të legalizonin regjistrimin e pronave dokumentet e të cilave ishin të falsifikuara dhe që ligjërisht kishin pronë shtetërore”, argumenton SPAK.

E pandehura Ermira Avdyli, ish specialiste e arkivës në ish- Z.V.Rr.P.P Durrës akuzohet se ka bashkëpunuar me të pandehurin Agron Bejdolli për të verifikuar dokumente të ndryshme të arkivës dhe për të nxjerrë referencat prej arshivës dhe për t’i futur përsëri aty. Ndërsa i pandehuri Urim Agasi akuzohet se ka paraqitur fakte të rreme.

Skema e tjetërsimit të tokave

Sipas SPAK, të pandehurit kanë kryer falisifikime pjesore të AMTP-ve, duke shtuar në dokumente një ose më shumë parcela bujqësore. Këto veprime ndiqeshin me futjen dorazi në ish-Z.V.Rr.P.P të dokumenteve tërësisht të falsifikuar, si shkresa përcjellëse të falsifikuara, sikur ishin lëshuar nga Komisioni i Tokës në Këshillin e Qarkut Durrës, kur kryetar ka qenë Genci Alizoti.

Gjatë hetimit janë siguruar certifikata për vërtetim pronësie, disa prej të cilave të vulosura dhe të nënshkruara me vulë origjinale, disa vetëm me vulë origjinale dhe disa të tjera me vulë dhe nënshkrim të falsifikuar.

Në funksion të kësaj skeme janë prodhuar harta treguese të regjistrimit tërësisht të falsifikuara, të përdorura si pjesë integrale e certifikatave për vërtetim pronësie. Në vijim është prodhuar një referencë tërësisht e falsifikuar, të cilave u kanë vendosur numra fiktivë. Shpeshherë referencat false janë dubluar me numra të referencave të rregullta.

Sipas SPAK, në këto referenca pasqyrohen në dokumente për urdhërimin e rivlerësimit të pasurive. Këto dokumente, në të gjitha rastet kanë rezultuar të falsifikuar, si në vulën e njomë ashtu edhe në nënshkrim të regjistruesit. Po ashtu, u janë bashkëngjitur kopje të çertifikatave të pasurisë dhe kopje e hartave treguese të regjistrimit.

“Kjo gjë është bërë për të justifikuar veprimet që pasojnë dhe që finalizohet me shitjen e pasurisë duke regjistruar një referencë të re, brenda të cilës janë dokumentet e falsifikuar të përmendur më sipër dhe i vetmi dokument origjinal është kontrata e shitjes se pasurisë”, vlerëson SPAK.

Prej hetimit ka rezultuar se kanë kryer ndërhyrje në fletët e volumit të zonave kadastrale duke zhdukur fletët origjinale ku kanë qenë të regjistruara pasuri të llojit “Rruge”, “Pyll” dhe “Pa frut”, dhe zëvendësuar ato me fletë të reja në të cilat janë pasqyruar pasuri të llojit “Arë”. Këto prona që ndodhen në zonën bregdetare të fshatit Lalëz, Bizë dhe Shetaj të Durrësit, variojnë me sipërfaqe nga 10 mijë m2 deri në 34 mijë m2.

Një mënyrë tjetër e përdorur nga ky grup për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, ka qenë nëpërmjet falsifikimit të regjistrave të viteve 1929-1951, që administroheshin në arkivën e ish- Z.V.Rr.P.P-ve, si dhe dokumenteve mbështetës që administrohen në arkivën e zyrës së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut Durrës.

Fillimisht janë siguruar regjistrat e titulluar, “Radhorë për Transkriptimet” të viteve 1929-1957 nga një person me akses në arkivat e ASHK-së, Durrës, i cili është identifikuar vetëm me emrin Mozi, duke e korruptuar atë dhe punonjës të arkivave së ish-Z.V.Rr.P.P-ve. Të pandehurit kanë realizuar fshirjen pjesërisht ose tërësisht të shkrimeve që ndodheshin në fletët e fundit të regjistrit ose në fletë brenda, që i kanë vlerësuar të përshtatshme për t’i falsifikuar. Në vazhdim, kanë kryer rishkrimin e një transkriptimi të ri, duke i kaluar pronat në emrin e personave të besuar të tyre, të cilët do të ishin edhe trashëgimtarët e pasurive të falsifikuara.

Këto dokumente të falisifkuara janë përdorur në vijim për të aplikuar pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave për njohje, kompensim, kthim fizik ose kanë ngritur padi civile në gjykatë për njohje të tyre dhe detyrimin i ish- Z.V.Rr.P.P.-ve ose ASHK-së për ti regjistruar.

Në përfundim të këtij procesi antiligjor, skema finalizohej me tjetërsimin e pronës duke e shitur te investitorë të interesuar për investim në zonat bregdetare të Durrësit.

Grabitja e tokave shtet

SPAK pretendon se ka provuar se të pandehurit, përmes kësaj skeme kanë bërë të mundur që të përfitojnë drejtpërdrejt sipërfaqe të mëdha toke shtetërore, me sipërfaqe të paktën 687 mijë metra katrorë, prona që gjenden në zonë begdetare të preferuar. Një pjesë e këtyre pronave është shitur tek persona të tretë. SPAK I konsideron shumë të rënda pasojat e ardhura nga veprimtaria e paligjshme e të pandehurve dhe për këtë arsye ka përfshirë mes akuzave dhe veprën penale të parashikuar nga nenit 143/3 i Kodit Penal, që përcakton dënimin me burgim nga 5 deri në 10 vjet burg.

Shitja e pasurive të cilat janë regjistruar me dokumentet të falsifikuara, në disa raste është bërë në shpërdorim të besimit të personave që në mënyrë fiktive janë bërë titullarë të tokave dhe në disa raste është bërë në bashkëpunim me të afërm të pronarëve të tokave.

SPAK vlerëson se vëllezërit Laho dhe Muça janë përfituesit kryesorë të kësaj skeme kriminale dhe zotëruesit faktikë të pasurive të regjistruara me dokumente të falsifikuara.

I pandehuri Urim Agasi, rezulton të ketë përfituar vlerat monetare të shitjes së pesë ngastrave tokë, me sipërfaqe totale 72 mijë m2, prona shtetërore, që janë regjistruar me dokumente të falsikuara. Me kërkesë të SPAK, gjykata vendosi sekuestro preventive për disa ngastra toke me sipërfaqe totale prej 687 mijë m2 me një vlerë të përllogaritur mbi 16 milionë euro.

Edmond Hoxhaj – Reporter

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • Nis protesta e 31-të në Tiranë pas incidenteve përpara Kuvendit: “Nëse do ketë dhunë, do përgjigjemi me dhunë”
  • Goxhaj pas lirimit: Na dhanë ujë dhe telefon për të njoftuar familjet, s’na dhunoi njeri, dëbuam nga qelia Avokatin e Popullit
  • Nga nëntoka e kokainës tek betoni i luksit
  • “Shteti i Rrumit”: SPAK mbyll hetimin për tjetërsimin e tokave në bregdetin e Durrësit, 687 mijë m2 me vlerë 16 milionë euro
  • Bonus 50 mijë lekë të vjetra për verën pensionistëve, nesër nis shpërndarja

Komentet e Fundit

  1. V L on Zbardhen 13 emrat e “Grupit Koordinues” të protestës që firmosën letrën drejtuar qeverisë dhe ambasadave
  2. Anonymus on VIDEO / Tensione jashtë Kuvendit: Opozitë e shitur! Incident me Tërmet Peçin, e ndjekin nga pas: Hajdut! Protestuesit godasin me vezë makinat e deputetëve
  3. Shqiptar on Çfarë mund të ndodhë me ekonominë e vendit në rast se lumi i parave të drogës ndërpritet
  4. Illi on INVESTIGIM | “Harta e Kuqe” që fshin një fshat: Si po mbytet turizmi familjar i Manastirit nën vilat e “Investitorëve Strategjikë”
  5. Toni on INVESTIGIM | “Harta e Kuqe” që fshin një fshat: Si po mbytet turizmi familjar i Manastirit nën vilat e “Investitorëve Strategjikë”

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?