Duke nisur nga ky vit, të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të duan të ndjekin studimet e larta në degën e “Mjekësisë së përgjithshme”, përveç formulës tradicionale, do t’i nënshtrohen edhe një testi të informatizuar pranimi që do të zhvillohet gjatë muajit gusht në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit. Testimi do të përfshijë vlerësimin e njohurive që nxënësit kanë fituar gjatë studimeve të shkollës së mesme në tre lëndët kryesore të këtij profili, që janë: Biologji, Fizikë dhe Kimi. Ekspertët e këtyre lëndëve kanë konfirmuar tashmë edhe fondin zyrtar të tre mijë pyetjeve, të cilat do të jenë pjesë e provimit që maturantët do të zhvillojnë në garën e pranimeve për kuotat e reja të pranimeve në degën e “Mjekësisë së përgjithshme.
Për pranimet e vitit të ri akademik, në programin e integruar të studimeve të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” do të pranohen 464 studentë të rinj fitues, 400 prej të cilëve do të përzgjidhen në radhët e maturantëve, ndërsa pjesa tjetër janë kuota të miratuara për studentët nga radhët e kategorive të tjera sociale.
Kush duhet të konkurrojë për “Mjekësinë”
Ndryshe nga sa ndodh me strukturat e tjera të arsimit të lartë në vend, garën për pranimet e reja të 2023 në degën e “Mjekësisë së përgjithshme”, do të mund ta vijojnë vetëm maturantët, dhe kandidatët e tjerë që kanë mesataren minimale të studimeve të shkollës së mesme që nis nga nota 8.5 dhe më lart. Kush ka mesatare të shkollës së mesme më të ulët se sa kjo notë, nuk do të mund të bëhet pjesë e garës për kuotat e reja të pranimeve për vitin akademik 2023-2024.Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si më poshtë vijon: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.
Formula e re për fituesit e degës së “Mjekësisë”
Pas vlerësimit të bërë, autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë kanë përcaktuar ndikimin që do të ketë secili kriter në rezultatin final që maturantët do të grumbullojnë në procesin e konkurrimit për pranimet e reja në këtë degë. Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës në vendimin e miratuar përcakton se kriteret e pranimit të studentëve në programin e integruar të studimeve të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” për vitin akademik 2023-2024 do të përbëhen nga: pikët që çdo kandidat do të fitojë nga vlerësimi i arsimit të mesëm të lartë, kriter i cili do të ketë 70 për qind të ndikimit në rezultatin final, si dhe pikët e testimit të informatizuar që do të zhvillohet në QSHA për pranimet në PICD ”Mjekësi e përgjithshme”, nga i cili do të sigurohen 30 për qind e pikëve. Në vijim të shkrimit do të gjeni formulën zyrtare se si do të llogariten pikët finale për çdo kandidat që është në garë për të vijuar studimet e larta në degën e mjekësisë.
Pikët e arsimit të mesëm
Sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara për këtë tregues do të merren në konsideratë tre kritere që janë, nota mesatare aritmetike e provimeve të Maturës Shtetërore që vlerësohet me 40 për qind. Kur një kandidat jep provim me zgjedhje lëndët kimi, fizikë, biologji nota e provimit do të shumëzohet me koeficienti 1.4, ndërsa në rastet kur jep lëndë të tjera nota e provimit do të shumëzohet me koeficientin 1. Treguesi i dytë është mesatarja e aritmetike e shkollës së mesme që vlerësohet me 30 për qind të ndikimit, si dhe kriteri i tretë që ka të bëjë me notën mesatare aritmetike të lëndëve formuese (fizikë, kimi, biologji) të zhvilluara gjatë tre viteve të shkollës së mesme, të cilat vlerësohen po ashtu me 30 për qind të ndikimit) Për lëndët fizikë, kimi, biologji që janë të vitit të tretë bëhet e ditur se ato do të shumëzohen me koeficientin 1.25.
Koeficientet e llojit të shkollës së mesme
Universiteti i Mjekësisë ka përcaktuar gjithashtu edhe koeficientin me të cilin vlerësohet çdo profil i shkollës së mesme në vend. Koeficientet sipas llojit të shkollës së mesme që kanë përfunduar kandidatët, janë për profilin gjimnaz i përgjithshëm 1.4, gjimnazet seksion dygjuhësh shqip-frëngjisht, shqip-italisht, si dhe shqip-gjermanisht po ashtu vlerësohen me koeficientin 1.4. Ndërsa të gjitha llojet e tjera të shkollave të mesme vlerësohen me koeficientin 1.
FORMULA SI DO PËRZGJIDHEN FITUESIT NË DEGËN “MJEKËSI E PËRGJITHSHME” PËR 2023

p.k\dita
