Pedagogët e fakulteteve të Universitetit të Tiranës do të mund t’i nisin pushimet e verës vetëm pasi të kenë shlyer të gjitha detyrimet sa i takon procedurave të mbylljes së vitit akademik 2022-2023.
Nëpërmjet një shkrese, Rektori i Universitetit të Tiranës ka përcaktuar kushtet se si do të jepet leja e pushimeve për stafet akademike që janë të punësuara me kohë të plotë dhe të pjesshme në fakultetet që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë publik.
Për personelin akademik me kohë të plotë, bëhet e ditur se leja vjetore e paguar e 2023, do të mund të nisë vetëm pas plotësimit të detyrimeve të tilla, si: zhvillimit të provimeve me studentët, plotësimit të procesverbaleve përkatëse, evidencave të ngarkesave mësimore, si dhe çdo dokumentacioni tjetër të detyrueshëm për t’u plotësuar dhe për t’u dorëzuar në strukturat përkatëse, apo të çdo detyrimi tjetër që pedagogët mund të kenë në njësinë përkatëse, apo në institucion.
Sipas afatit të përcaktuar, punonjësit e stafeve akademike që janë të punësuar me kohë të plotë do të duhet të kthehen në punë në datën 28 gusht.
Në shkresë është detajuar edhe skema se si do të veprohet në rastet e ditëve të mbetura të pashlyera nga leja vjetore. Në këto kushte, “ditët e mbetura nga leja vjetore e papaguar e vitit 2023 do të jepen sipas rastit në ditët e pushimeve të fundvitit, por jo më vonë se përfundimi i semestrit të parë të vitit akademik 2023-2024”.
Ndërsa për personelin ndihmësakademik bëhet e ditur se do të hartohet kalendari i lejeve vjetore, duke pasur parasysh që çdo strukturë do të vazhdojë punën rregullisht edhe në këtë periudhë verore. Një kopje e këtij kalendari do të dërgohet edhe Universitetit të Tiranës.
Personeli i institucioneve të arsimit të lartë
Personeli i institucioneve të arsimit të lartë përbëhet nga personeli akademik, personeli ndihmësakademik dhe personeli administrativ. Këta punonjës mund të jetë i punësuar me kontratë, me kohëzgjatje të pacaktuar ose të caktuar, si edhe me angazhim me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme. Të drejtat dhe detyrimet e personelit të institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen në statutet dhe aktet e brendshme të tyre, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Personeli akademik gëzon status dhe trajtim të veçantë. Statusi dhe trajtimi i veçantë propozohen nga ministri përgjegjës për arsimin dhe miratohen nga Këshilli i Ministrave. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për arsimin e lartë, institucionet publike të arsimit të lartë mund të kontribuojnë në trajtimin e veçantë financiar të personelit akademik, krahas përfitimeve nga Buxheti i Shtetit.
Kategoritë e personelit akademik
Personeli akademik në institucionet e arsimit të lartë kryen veprimtari të mësimdhënies, të kërkimit shkencor, shërbime për mbështetje dhe zhvillim të institucionit të arsimit të lartë, këshillim për studentët si dhe veprimtari të tjera. Ata mund të jenë me orientim mësimor dhe/ose kërkimor-shkencor. Referuar rolit dhe veprimtarisë që kryen, personeli akademik në institucionet e arsimit të lartë kategorizohet në: Profesorë, lektorë, dhe asistent-lektorë.
Në kategorinë “Profesorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik, titullarë të lëndëve ose moduleve dhe udhëheqës të veprimtarisë kërkimore-shkencore. Anëtarët e personelit akademik të kësaj kategorie mbajnë titujt akademikë “Profesor” ose “Profesor i asociuar”. Kjo kategori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar.
Në kategorinë “Lektorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik, që zhvillojnë veprimtari mësimore dhe kërkimore-shkencore. Në këtë kategori përfshihen anëtarët e personelit akademik që mbajnë gradën shkencore “Doktor”, kanë së paku tre vite eksperiencë në mësimdhënie para ose pas fitimit të kësaj grade dhe përmbushin kriteret e përcaktuara në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Kjo kategori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar.
Ndërsa në kategorinë “Asistent-lektorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-kërkimore. Asistent-lektorët duhet të kenë së paku diplomën “Master i shkencave” dhe të përmbushin kriteret e përcaktuara në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Asistent-lektori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të caktuar.
Personeli akademik, që angazhohet në mësimdhënie, duhet të ketë së paku kualifikim të ciklit pasardhës. Në kolegjet profesionale të larta, personeli akademik duhet të ketë fituar së paku diplomën “Master profesional”. Ngarkesa e plotë mësimore për personelin akademik në institucionet publike të arsimit të lartë përcaktohet nga institucioni, në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin. Në institucionet jopublike ngarkesa minimale përcaktohet nga vetë institucioni.
Kohëzgjatja e punësimit të personelit akademik
- Personeli akademik, që mban titullin “Profesor”, shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç, me përjashtim të rastit kur, me kërkesën e tij, largohet nga detyra. Mbështetur mbi nevojat e institucionit të arsimit të lartë dhe me pëlqimin e tij, ai mund të shërbejë në detyrë edhe pas moshës së lartpërmendur, përmes kontratave me kohëzgjatje deri në një vit, të përsëritshme, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.
- Personeli akademik, që mban titullin “Profesor i asociuar”, shërben në detyrë deri në moshën 65 vjeç. Mbështetur mbi nevojat e institucionit të arsimit të lartë dhe me pëlqimin e tij, ai mund të shërbejë në detyrë edhe pas moshës së lartpërmendur, përmes kontratave me kohëzgjatje deri në një vit, të përsëritshme, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.
- Personeli akademik i kategorisë “Profesor” mund të shkëputet përkohësisht nga institucioni i arsimit të lartë, për një periudhë maksimale prej pesë vjetësh, për t’u angazhuar në detyra të rëndësishme shtetërore dhe politike. Për periudhën e shkëputjes mund të zëvendësohet nga personel akademik i punësuar me kontratë me afat të caktuar. Pas përfundimit të detyrës, me kërkesë të tij, anëtari i personelit akademik rikthehet në vendin e mëparshëm të punës ose në një vend të barasvlershëm.
p.k\dita
