Shkon në 7,344 lekë kuota mujore që do të duhet të paguajnë të gjithë qytetarët që nëpërmjet skemës së sigurimeve vullnetare, duan të blejnë periudhat e munguara të punës, që duhen për efekt të daljes në pension. Si shkak i kalimit të pagës minimale në shkallë vendi në vlerën e 34 mijë lekëve, edhe pagesa që duhet të shlyhet për të blerë një muaj sigurim nëpërmjet skemës vullnetare shkon në 7344 lekë, ndërkohë që para muajit shtator kjo pagesë ishte në vlerën e 6,912 lekëve. Autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën që do të lidhë me organet përgjegjëse të sigurimeve shoqërore.
Janë të shumtë qytetarët që kanë ndërprerje të viteve të punës, për shkak se mund të kenë emigruar, kanë punuar si të pasiguruar, apo edhe për arsye të tjera. Si shkak i mungesës së këtyre periudhave kontributive, këta qytetarë nuk plotësojnë kushtet e daljes në pension me arritjen e moshës së përcaktuar. Ndaj përfshirja në skemën vullnetare, (duke blerë periudhat e munguara, vite apo muaj), është një mundësi më shumë për të përfituar pension, nga të gjithë shtetasit shqiptarë kudo që ndodhen, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Në këto kushte, çdo person që paguan kontribute për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore në fuqi, mund të bëhet përfitues i një prej llojeve të pensioneve që përfshin skema: pensionit të pleqërisë të plotë apo të reduktuar, pensionit familjar, si dhe përfitimeve të plota dhe të pjesshme të invaliditetit. Skema e sigurimeve vullnetare vjen në ndihmë edhe për të siguruar të ardhura më të larta të masës mujore të pensionit.
Ekspertët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se sigurimi vullnetar mund të bëhet për tre fusha, që janë: për vitin korent, për periudha të kaluara, si dhe sigurim vullnetar për më shumë të ardhura.“Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar nga qeveria në periudhën kur bëhet pagesa. Kuota mujore e sigurimit vullnetar për vitin 2022 është 7,344 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 34,000 lekë x 21.6%. Personat që sigurohen për vitin korent kanë të drejtë të të sigurohen deri në kufirin e pagës maksimale”, bëjnë me dije autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Rastet kur aplikohet zbritje në pagesat që duhet të bëni!
Autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se për rastet kur sigurimi vullnetar bëhet për vitin korent, do të mund të aplikohen edhe zbritje, e cila nis nga 6 për qind, e deri në 1.5 për qind, sipas periudhave mujore që do të blihen. Kështu, zbritja maksimale në masën 6 për qind të kuotës mujore të përcaktuar mund të përfitohet nëse do të paguani paradhënie për gjithë vitin. Zbritja 6 për qind mbi shumën për një pagesë vjetore bëhet me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar. Zbritja mund të jetë edhe në masën 3% mbi shumën për një pagesë gjashtë mujore, me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar. Ndërsa zbritja në masën 1,5 për qind bëhet mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).
Për blerjen e periudhave të kaluara nuk aplikohen zbritjet e përmendura më lart. Masa e kontributit për sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, për degën e pensioneve dhe që për llogaritjen e përfitimeve do t’i korrespondojë pagës minimale të vitit që po mbulohet me sigurim vullnetar). Pagesa për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale, e cila për vitin 2022 është 7,344 lekë në muaj. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje. “Një person që është në prag të mbushjes së moshës për pension pleqërie, ose e ka mbushur moshën për t’u futur në kushte përfitimi, minimalisht duhet të ketë 15 vite periudhë kontributive të siguruar. Në rast se personi ka 12 vite periudhë kontributive, ka të drejtë të plotësojë 15 vitet e nevojshme duke blerë 3 vjet sigurim nëpërmjet skemës vullnetare”, është një shembull që japin autoritetet e sigurimeve shoqërore në rastet kur mund të aplikohet sigurimi vulnetar për blerjen e periudhave të kaluara.
Po ashtu, përfshirja në skemën e sigurimit vullnetar mund të bëhet për të arritur edhe për të siguruar pensione më të larta pleqërie, invaliditeti dhe familjar, sipas kontributit të paguar. Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent, në kufijtë e pagave minimale 34,000 lekë deri në 4-fishin e saj (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri).
Për të qenë pjesë e skemës së sigurimeve vullnetare , çdo personi i interesuar duhet që të paraqitet në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore për të marrë kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Në ditën që do të bëjë aplikimin për të qenë pjesë e kësaj skeme, ai duhet që të ketë vete këto tre dokumente të rëndësishme që janë:Fotokopje e librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje e librezës së kontributeve, në rast se e disponon, si dhe fotokopje të kartës së identitetit ose pasaportës biometrike. Periudhat e siguruara pasqyrohen në regjistrin elektronik të kontribuuesve të sigurimit vullnetar, dhe qytetari ka mundësi t’i shohë dhe të pajiset me vërtetim për periudhat e siguruara nëpërmjet portalit zyrtar “e-albania”.
Në skemën e sigurimeve vullnetare mund të përfshihen qytetarët që:
- Kanë mbushur moshën 18 vjeç, mund të jenë studentë me kohë të plotë, dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar.
- Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre.
- Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.
- Kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 01.19.1993 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.
Sigurimi vullnetar për vitin korent:
- Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje si në vijim.
- Zbritje në masën 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar).
- Zbritje në masën 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).
- Zbritje në masën 1,5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).
Sigurim vullnetar për periudha të kaluara mund të paguajnë:
- Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar.
- Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, me kusht që personi i siguruar të paguajë kontribut për këtë periudhë, përpara datës së fillimit të së drejtës për të ardhura.
- Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm brenda dhe jashtë vendit, të cilët dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar;
- Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare, për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994, deri në datën që kanë lënë shtetësinë.
Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura mund të paguajnë:
- Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
- Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent, në kufijtë e pagave minimale 34,000 lekë deri në 4-fishin e saj (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri).
- Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 34,000 lekë. Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në 4-fishin e saj.
- Punëmarrësit që sigurohen në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin, kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin, deri në 4-fishin e saj.

Tani me moshen e re te daljes ne pension nuk arrin dot ta gezosh ate pension qesharak.
Si mundem te paguaj sygurimet vullnetare per viting 2022.flm