Presidenti Donald Trump dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, po shqyrtojnë mundësinë e shkarkimit të ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, pas një serie raportimesh se ajo është përfshirë në “sjellje të papërshtatshme” dhe me gjasa të paligjshme, përpara dhe gjatë mandatit të saj në Athinë.
Një zyrtar i lartë amerikan deklaroi të dielën se Trump dhe Rubio janë “jashtëzakonisht të zemëruar” për sjelljen e raportuar të Guilfoyle dhe se ka të ngjarë të vendosin këtë javë se çfarë masash do të ndërmarrin, pas festës së Ditës së Kristofor Kolombit të hënën.
Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për median tha se Rubio ishte veçanërisht i zemëruar. Ai ka vizituar Athinën javën e kaluar dhe Guilfoyle kishte marrë pjesë në shumicën, nëse jo në të gjitha, aktivitetet e tij. Ajo e kishte përshëndetur atë me një përqafim të fortë sapo kishte mbërritur, ndërsa historitë e saj vulgare po bënin xhiron e mediave.
Në një seri artikujsh, The Wall Street Journal ka raportuar për sjellje jo të denja të Guilfoyle, përfshirë pranimin e dhuratave dhe “shërbimeve të papërshtatshme”, si dhe ofrimin për të përdorur ndikimin e saj brenda administratës në këmbim të pagesave të majme në kartën e saj personale të kreditit.
Guilfoyle nuk i ka komentuar drejtpërdrejt raportimet, megjithëse avokati i saj ka deklaruar se “ajo nuk ka bërë asgjë të gabuar”.
Rubio e mbrojti Guilfoyle pas raportimit të parë, por ai ka refuzuar të komentojë më pas publikisht pasi akuzat u shtuan.
Një tjetër raportim u publikua të mërkurën. Përpara se të largohej nga Athina, Rubio u tha gazetarëve se nuk e dinte nëse raportimet ishin të vërteta, ndërsa Guilfoyle, e cila kishte dalë për ta përcjellë, e ndiqte nga afër.
Një zyrtar i dytë amerikan, tha se inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Shtetit po shqyrton raportimet në The Wall Street Journal, të cilat nisën në fund të muajit të kaluar dhe që atëherë janë shtuar.
Dy demokratët më të lartë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, përfaqësuesi Gregory Meeks nga Nju Jorku dhe senatorja Jeanne Shaheen nga Nju Hampshiri, si dhe anëtari kryesor i pakicës demokrate në Komisionin e Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeveritare të Dhomës së Përfaqësuesve, Robert Garcia nga Kalifornia, kanë kërkuar tashmë nisjen e një hetimi ndaj Guilfoyle.


Në një rast Guilfoyle u kishte thënë të ftuarve në një pritje se SHBA-ja mund të minonte qeverinë greke siç ka bërë gjetiu. Gjithashtu, ajo akuzohet se ka përdorur postin për të promovuar interesat e biznesit të një kompanie greke të ndërtimit dhe energjisë, madje ka lejuar lobistin e kësaj kompanie të merrte pjesë në takime diplomatike. Këtë e ka bërë edhe në Tiranë ku u paraqit me minifund dhe u prit me përqafime të zjarrta.
Një raportim tjetër thotë se Guilfoyle i ka kërkuar një donatori dhe mbështetësi të Trump të paguante një faturë të kartës së saj të kreditit prej 100 mijë dollarësh, pak përpara se të zhvillohej seanca dëgjimore për konfirmimin e emërimit të saj. Në këmbim, ajo i kishte premtuar mundësi kontakti me zyrtarë të administratës.
Më pas, gazeta raportoi se Guilfoyle ishte zemëruar pasi nuk ishte ftuar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, në fillim të këtij viti. Ajo kishte kërkuar të merrte pjesë, ndërsa ishte mburrur për udhëtimet luksoze në Francë me drejtues të kompanive private greke.
Një tjetër raportim, i publikuar nga tabloidi britanik The Daily Mail, thotë se Guilfoyle ka krijuar marrëdhënie të këqija me stafin e ambasadës amerikane në Athinë dhe ka tejkaluar “kufijtë e sjelljes së përshtatshme”.
Guilfoyle është një ish-prezantuese e Fox News Channel, e cila dikur ishte e fejuar me Donald Trump Jr., djalin e presidentit amerikan.
