PS vazhdon të qeverisë në emër të një tradite që e ka braktisur, ndërsa debati politik mbetet i bllokuar dhe krejt banal mes një qeverie të mbytur në skandale dhe gogolit të përhershëm Sali, pa asnjë alternativë të qartë si do të krijohen mundësi afatgjata dhe të qëndrueshme që PUNA dhe normaliteti të garantojnë një jetë dinjitoze
Partia Socialiste ka ruajtur emrin dhe simbolet, por e ka humbur tashmë lidhjen me idetë që e krijuan. Arsyeja për të cilën ajo ekziston bëhet gjithnjë e më e paqartë. Por pyetja që shtrohet sot nuk është thjesht se çfarë ka mbetur nga PS apo nga e majta shqiptare.
Është më e rëndësishme të kuptojmë nëse politika në tërësi ka ende vullnetin dhe aftësinë për të përfaqësuar interesat e atyre që jetojnë nga puna, të familjeve që mbështeten te paga, të të rinjve që kërkojnë një të ardhme dhe të shtresave që nuk kanë kapital për të përballuar pasigurinë ekonomike.
Në vende të tjera, dobësimi i së majtës lidhet me rënien e sindikatave, ndryshimet në tregun e punës, globalizimin dhe humbjen e bazës tradicionale elektorale. Në Shqipëri, kriza ka një përmasë tjetër. Ajo lidhet me mënyrën se si pushteti politik është afruar me interesat e mëdha e të errëta ekonomike, duke e larguar vëmendjen nga plotësimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm i nevojave të përditshme të shumicës.
Partia Socialiste, përpara se të shndërrohej në një forcë në shërbim të parasë së errët, kishte ndërtuar një profil si parti e modernizimit, e integrimit europian dhe e reformimit të shtetit. Sot modernizimi ashtu si edhe integrimi europian janë reduktuar në imazhin e një vendi që ndërton kulla, dhe vila luksoze. Shteti është kthyer një agjenci që “lehtëson investimet” kur duhet të ishte mekanizmi përmes të cilit shoqëria kufizon pabarazitë, mbron interesin publik, garanton që zhvillimi ekonomik të mos kthehet në privilegj për një pakicë.
Karakteri i një partie të majtë shihet në marrëdhënien që ajo vendos mes punës dhe kapitalit, mes interesit privat dhe nevojës publike, mes fitimit ekonomik dhe drejtësisë sociale. Matet me politikat e strehimit, me cilësinë e shërbimeve publike, me mbrojtjen e punëmarrësve, me sistemin e pensioneve, me mundësitë që u krijohen të rinjve, me aftësinë e shtetit për të mos i braktisur ata që nuk mund të mbrojnë vetë interesat e tyre përballë fuqive ekonomike.
Retorika e “rritjes ekonomike” është bërë një nga argumentet e zakonshme të qeverisë. Turizmi, ndërtimi, kapitali i huaj paraqiten si tregues të suksesit. Por rritja e aktivitetit ekonomik nuk i jep vetvetiu përgjigje pyetjes se si shpërndahen përfitimet e tij.
Një kryeqytet mund të mbushet me kulla. Por çfarë kuptimi ka ky transformim për një familje që nuk arrin të blejë një apartament dhe e ka gjithnjë e më të vështirë të përballojë qiranë? Çfarë vlere ka rritja e çmimeve të pronave për një të ri që punon, por nuk arrin të krijojë pavarësi ekonomike? Sa bindës është modeli i zhvillimit kur një pjesë e konsiderueshme e të rinjve vazhdon ta shohë emigracionin si rrugën më të sigurt drejt një jete me më shumë mundësi dhe dinjitet?
Këto janë shqetësime të përditshme sociale. Por janë edhe çështje që përcaktojnë vetë karakterin e qeverisjes. Ky është në fund të fundit dallimi thelbësor midis një qeverisjeje që e quan veten të majtë dhe një tjetre.
Përgjigjja ndaj tyre duhet të jetë pjesë e programit të çdo partie që pretendon të përfaqësojë shtresat e mesme dhe të ulëta, punëmarrësit, pensionistët dhe ata që nuk kanë mundësi ta kthejnë pasurinë në pushtet.
Por kush po e zhvillon këtë debat në Shqipëri? Më konkretisht, sa vend zënë këto çështje brenda Partisë Socialiste? A ekziston ende aty një diskutim serioz për pabarazinë, shtetin social, të drejtat e punëmarrësve, kufijtë që duhen vendosur përpara interesave ekonomike? Është e qartë që jo. Fjala «socialiste» është shndërruar në një trashëgimi simbolike, të dobishme për identitetin elektoral, por pa pasoja konkrete në mënyrën se si qeveriset vendi.
Politikat e zbatuara, përfituesit e tyre dhe mënyra se si shpërndahen kostot e zhvillimit e tregojnë qartë që vetëm socializëm nuk kemi këtu.
Mbi të gjitha është krijuar një terren ku interesi privat mbizotëron mbi atë të përgjithshëm. Për më tepër mungojnë transparenca dhe llogaridhënia edhe për vendime me pasoja afatgjata për qytetarët. Një qeveri që pretendon të jetë e majtë ka standarde të larta transparence dhe të provojë se vendimet e saj nuk udhëhiqen nga lidhjet me përfituesit, por nga interesat e shoqërisë. Sa më të mëdha të jenë përfitimet private dhe sa më të rëndësishme pasuritë publike që përfshihen, aq më e domosdoshme bëhet llogaridhënia.
PS nuk mund ta kompensojë largimin nga parimet e saj me rezultatin elektoral. Fitorja në zgjedhje i jep të drejtën për të qeverisur, por nuk është provë e mjaftueshme se politikat e saj janë në shërbim të shumicës. Mandati demokratik është autorizim për të ushtruar pushtetin, jo një çek i bardhë për të përcaktuar se kujt duhet t’i shërbejë shteti.
Politika shqiptare vazhdon të sillet rreth një përplasjeje banale të njohur. Qeveria kundër PD-së, vazhdimësia kundër rotacionit, akuzat e ndërsjella për korrupsion dhe premtimet për ndryshim nga ata që janë provuar e stërprovuar çfarë malli janë.
Prej dekadash, të njëjtët aktorë politikë kanë mësuar të ushqejnë frikën, jo alternativën për më mirë. Qytetari ftohet të zgjedhë se kujt duhet t’i besojë, pa marrë përgjigjen se çfarë do të ndryshojë realisht në jetën e tij.
Ndaj, kriza nuk përfundon te PS-ja. Ajo prek edhe vetë aftësinë e sistemit politik shqiptar për të prodhuar alternativa reale. Opozita e re, ende e vogël në shifra, por në rritje në opinionin publik, mund të denoncojë gabimet, dështimet dhe abuzimet e qeverisë, por kjo nuk mjafton për të ndërtuar një projekt të besueshëm qeverisjeje.
Një alternativë politike nuk mund të jetë vetëm premtimi se gjërat do të bëhen ndryshe. Ajo duhet të shpjegojë se çfarë do të ndryshojë, për kë do të ndryshojë dhe me çfarë mjetesh.
Shqipëria ka nevojë për një debat që shkon përtej ndarjes mes PS-së që nuk është më PS dhe banalitetit të gogolit Sali me të cilin vashdojmë të trembim ata që kanë moshën e Saliut.
Kemi nevojë të diskutojmë se çfarë shteti kërkohet, çfarë detyrimesh duhet të ketë ndaj qytetarëve, çfarë kufijsh duhen vendosur për kapitalin dhe çfarë do të thotë në praktikë që ekonomia të punojë për shoqërinë, jo vetëm shoqëria për ekonominë.
Kritika është e domosdoshme, por qytetarët kanë nevojë të dinë se çfarë modeli ekonomik do të ofrohet në vend të atij që kundërshtohet, si do të mbrohen shërbimet publike, si do të kufizohen pabarazitë. Mbi të gjitha si do të krijohen mundësi që PUNA të garantojë një jetë dinjitoze.
DITA

kjo ‘opozita e re’ a ka mend e burrëri të ngrihet mbi këtë teatër politik dhe të na japë një program për dinjitetin e punës, apo do vazhdojmë të zgjedhim mes dy të këqijave?
kemi punuar një jetë me ndershmëri sot marrim pensione qesharake që nuk mbulojnë as ilaçet, ndërsa në Tiranë ngrihen kulla.
I bukur zhvillim
Nena e problemit esht strehimi dhe rinia. Blerja e një apartamenti në Tiranë sot është bërë e pamundur për çdo të ri që jeton vetëm me pagë rroglimtari. Qiraja merr mbi 60% të të ardhurave. alternativa e vetme që na mbetet është aeroporti i Rinasit. Nuk ikim nga qejfi, ikim se nuk ka perspektivë
Jemi katandisur në nivel kopshti: ‘shiko çfarë bëri Rama’ dhe ‘shiko çfarë bëri Berisha’.
E majta në Shqipëri ka vdekur me kohë. Sot kemi një grupim pragmatistësh që pushtetin e përdorin vetëm për imazh, PR dhe përqendrim kapitali te 5 apo 6 vetë.
Kritika është plotësisht me vend, por pyetja më e madhe është: Pse shoqëria hesht? Qeveria fiton zgjedhjet jo sepse bind me politika sociale, por sepse ka ndërtuar një makinerii patronsazhi dhe sepse opozita zyrtare përdoret si ‘gogol’ për të mbajtur njerëzit të trembur. Nëse opozita e re apo shoqëria civile nuk artikulon dot një model ekonomik të qartë — se si do të tatimojë kapitalin, si do të fuqizojë shërbimet publike dhe si do të ndalë hemorragjinë e emigrimit — debati do të mbetet gjithmonë steril.