Bujar Sh. Hoxha
Botuar në DITA
Në Kërrnajë, në mëngjesin e dymbëdhjetë shtatorit 1998, Fatmir Haklaj u zgjua si zakonisht dhe doli në oborrin e kullës. U afrua tek makina dhe fshiu xhamin përballë shoferit që ishte lagur nga vesa e mëngjesit. Bagazhi ishte mbushur me automatikë, maska dhe municione. Këqyri gomat e makinës, benzinën, vajin dhe frenat. Gjithçka ishte në rregull. Hyri sërish në shtëpi për të ngrënë mëngjesin. Familjarët e dinin se do nisej për Tiranë dhe e vështronin të merakosur.
Në orën nëntë erdhi Feriz Kërnaja.
– Makina është gati ? pyeti ai.
– Gjithçka në rregull, gjegji tjetri.
Hipën në makinë dhe u nisën, Fatmiri do të ishte shoferi. Ferizi në anë të tij. Lypsej dhe një orë për të sosur në qytet ku do takoheshin me shefin e policisë së rendit Jaho Mulosmani dhe shefin e komisariatit që kishte rënë dakord t’u vinte në dispozicion një fugon policie. Njëherësh, me makinën e tij private do i ngjitej vargut të makinave drejt kryeqytetit.
Nga dreka morën rrugën për Tiranë. Fatmiri ishte shofer i zoti, i kujdesshëm, ecte me shpejtësi të pandryshuar, duke mbajtur përherë hapësirën e sigurisë me fordin e policisë. Ishin pak të shqetësuar, por jo nervozë. E dinin që duhet të bënin një punë të saktë. S’mund t’i lejonin vetes të gabonin.
Përshkruan rrugët duke ndjekur zig-zaket e kthesave të shumta. Pas katër orë udhëtimi kaluan Fushë-Krujën dhe qëndruan në Nikël. Në makinën e drejtuar nga Fatmiri hypi një person. Ai quhej Naim Cangu.
Deri në orën 20.00, qëndruan në një lokal afër Liqenit Artificial. Lëvizën dhe makina ndaloi tek Ushtari i Panjohur. Fatmiri doli me shpejtësi dhe u bashkua më grupin që e shoqëronte, Jaho Mulosmani, Naim Cangu dhe Feriz Kërnaja. Ndiheshin të emocionuar. Por, ndjenjat e Fatmirit ishte një llojë tjetër. Me një vështrim të veçantë, Fatmiri mbante automatikun në trup. Pasandaj mbushi pistoletën dhe e futi në brez. Pjestarët e tjerë bënë të njëjtën gjë duke vështruar me vëmendje se mos dallonin ndonjë gjurmë frike, por jo nuk fiksuan gjë.
Ama, për Fatmir Haklajn, nxjerrja e armës nga brezi do të ishte një çast i magjishëm. Ishte çasti kur ai ndjeu kalimin mbi vete të pushtetit të vjetër, hakmarrje mes tij dhe fatit. Plumbi ishte simbol i pushtetit që do ia shkulte politikanëve të pabesë. Në këtë plumb vrasës, që ishte i mbuluar me një veshje celiku, dhe që kundërmonte erën e gjakut, ai kish kapur një pjesë të krenarisë, e cila nuk do t’i lëkundej kurrë. Ai e njihte mirë Azem Hajdarin, një reaksionar i përsosur në politikë, dhe e urrente shumë pabesinë dhe lidhjen me armiqtë e tij.
Miku i tij Izet Haxhia e informoi se Azemi po bëhej gati për të dalë në takim. Ishte i kënaqur me marrëdhëniet që kish krijuar me këtë djalosh të fuqishëm. Edhe vëllai i tij, Isemedini ishte pjesë e eskortës së Fatmirit. Kujtonte nisjen e bashkëpunimit me të, kur të afërmit e këshillonin të ishte i kujdesshëm, dyshonin se mos i tradhëtonte si njeriu më i besuar i Sali Berishës. Fatmiri u mendua shumë. Ishte i sigurtë, se me kalimin e kohës, do të dinte t’ia fitonte zemrën Izetit dhe përkushtimi i tij për të, do të ishte jashtë çdo dyshimi. Gjasat për tradhëti ishin të pakta. Nga ana tjetër, Izet Haxhia mund t’i bëhej i dobishëm ne veprimet e tij dhe burim i cmuar që do të kishte në selinë e presidencës. – Nëse ky më tradhëton, lutjet e tij do të jenë aq të shpejta, sa të dëgjohen para se të shkojë në ferr, u tha me zë të lartë njerëzve të tij.
Pra, që nga ky moment, ai u bë pjesë e grupit të Fatmir Haklajt. Luante me kujdes dhe me frikë si me Azem Hajdarin ashtu dhe me Doktorin. Afërmendsh, informonte vetëm ato që i interesonin Fatmirit.
***
Azem Hajdari ndodhej në zyrë kur u njoftua për t’u takuar me Fatmir Haklajn. Mbrëmja, kish kaluar orën njëzet e dyzetepesë minuta. Ndihej pak i lodhur, kishte udhëtuar në Fier në një takim partie. Ndërsa doli jashtë, ai eci në drejtim të Ushtarit të Panjohur, duke vështruar dy shoqëruesit e tij në kafenenë përballë selisë së partisë demokratike.
Papritur, u gjend i rrethuar nga katër burra. Njohu tre prej tyre. Ishte Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani, Feriz Kërnaja dhe një tjetër që e shihte për herë të parë. Mori frymë lirisht dhe çoi dorën në anën e djathtë të mesit për t’u siguruar për armën, duhej vepruar me shumë kujdes. Nevojitej që ai të përdorte prezencën e tij, pa u dukur dhe shumë lëshues.
– Erdhëm për të biseduar, duhet t’i qartësojmë cështjet që kemi lënë pezull: atë të Sali Berishës dhe armët që dërgohen në Kosovë, foli i pari Fatmiri. – Rri i qetë, dhe nuk do të ndodhë asgjë. Dëshirojmë të flasim pak me ty. Nuk kishte pamjen e fitimtarit që kishte zënë një rob. Megjithatë, fytyra i rrezatonte një buzëqeshje krenarie. Eh, po, deri tani i kish vajtur mbarë! Disa vite më parë kish qenë një fshatar i varfër, ndërsa tani, kishte përballë tij, njeriun me gjakun më blu dhe me imunitetin më të lartë në gjithë Shqipërinë.
Fatmiri ia nguli sytë. Azemi e kish përndjekur, madje kish dashur edhe ta vrasë. Sidoqoftë, tani gjendja kish ndryshuar. Në këto vite surrati nuk i kish ndryshuar. Gjithmonë, ai vështrim prej cakalli, edhe pse tash, mbrapa maskës arrogante të politikanit, sytë dukeshin bosh dhe gati si të humbur.
– Le të bisedojmë këtu atëhere, tha Azemi duke ndjerë dridhjen e parë të frikës. Atë frikë, që kish provuar kur ishte sulmuar në Tropojë. Edhe atëhere ishte ndodhur para breshërive të armëve. Errësira e shpëtoi nga ndëshkimi i qindra predhave të lëshuar ndaj tij. – Rëndësi ka të mos bëjmë marrëzira, shtoi Azemi. Nga grupi u shkëput Feriz Kërnaja dhe Naim Cangu, të cilët dolën anash dhe tentuan ta kapin nga krahu. Dy truprojet e Azemit shtuan hapin. Për një moment Azemi mendoi se do ta rrëmbenin dhe instinktivisht vuri dorën tek pistoleta.
– Mos e bëj, ia ktheu Fatmiri duke u afruar përpara. – Dëshirojmë vetëm të flasim. Eja me ne pa bërë llafe dhe mos i fut rojet e tua në rrezik.
Situata po bëhej alarmante. Azemi vështroi automatikun në dorën e Fatmirit dhe ndjeu frikë. Vendosi t’i bindej Fatmirit. Nëse do të orvatej të ikte, do të krijohej panik dhe mund të qëllohej. Më mirë të vazhdonte bisedën.
– Di gjithçka për ty, i tha. – Ke luajtur me dy porta, edhe me ne, edhe me armiqtë tanë. Mbi të gjitha je bërë spiuni i Sali Berishës për ne. Ne tropojanët jemi të aftë në zgjidhjen e të fshehtave të tradhtisë! Unë që rri gjithë kohën fshehur duke u menduar thellë, kujtoj se ti asnjëherë nuk i more seriozisht mesazhet e mia. Ti dhe unë, e dimë, se Sali Berisha është i aftë t’i bëjë të gjitha. Zgjidhja e enigmës: zhdukja nga faqja e dheut e familjes Haklaj për llogari të Sali Berishës. Dhe t’i u bëre vegël e tyre. Jam i lumtur që po të takoj, por për të vrarë nëse nuk më ndihmon të vras Doktorin. Ju më keni vrarë vëllain, Shkëlqimin dhe unë jam betuar se do të zbraz tridhjetetetë plumba, ke bashkëpunuar me armiqtë tanë për kontrabandën e armëve me Kosovën, ke vrarë Ilir Konushevcin dhe Hazir Malën. Të duket e drejtë të veprosh kështu?
Azemi s’e kishte parashikuar që ky takim të shkonte keq. Fatmiri s’kishte ndërmend të tërhiqej. Edhe ai s’kishte për qëllim të dorëzohej, të paktën deri tani sa kishte në brez një pistoletë. Mbi të gjitha, Azemi, kushedi sa herë e kishte përdorur armën. Për një çast, sikur e hoqi me dorë frikën. Për të parën herë, sytë prej hardhuce të Azem Hajdarit, shkrepëtinë zjarr – Ti do t’më vrasësh? bërtiti me të madhe. – E quan veten bir Tropoje? Me që të erdhi rasti, vritmë dhe në ferr shkofsh! -përfundoi duke përshtyrë përtokë. Njëherësh çoi dorën në anën e djathtë të belit për të nxjerrë pistoletën.
Në këtë çast, Fatmiri u bind se sa e pamundur ishte ta bëje këtë njeri të luftonte poshtërsinë e punës së vet. Sidoqoftë, pse duhej të ndjehej kaq i prekur? Ndofta, gjatë këtyre viteve, a nuk kish bashkëpunuar me Sali Berishën dhe armiqtë e tij që të kryenin krime? Ai e quante Azemin mëkatar për vuajtjet që pësoi familja e tij dhe mëkatarët nuk duhen lejuar t’ia hedhin pa lagur. Vrasja e njerëzve të afërm, kontrabanda e armëve në Kosovë, ekzekutimet sa e sa njerëzve. Në qoftë se Azemi ishte i keq, i bërë kësisoj, po ai vetë, cili ishte. Mbrojtësi i Tropojës? Po mendonte sa ishte këmbëngulës në ndëshkim.
Të pranishmit, pak nga pak, ishin tërhequr duke e lënë Azemin në rrethin e tij të vdekjes. Azemi bëri të nxjerrë armën, dhe mandej, po në atë çast, bëri sikur të hidhej mbi Fatmirin.
Fatmiri e kuptoi reagimin dhe drejtoi automatikun drejt Azemit dhe qëlloi me breshëri. Dy plumba iu futën në stomak. Njëherësh, drejtoi grykën e armës dhe plumbat goditën dy shoqëruesit e Azemit, Zenel Nezën dhe Besim Cerën. Neza do të plagosej rëndë, Besimi mbeti i vdekur. Plumbi rikoshet goditi dhe Naim Cangun duke i shkaktuar vdekjen. Me këtë akt, Fatmir Haklaj kishte vrarë mitin e të paprekshmit. Arti i tij është vrasja. Fatmir Haklaj do e pikturojë kryeveprën e tij me eliminimin e Azem Hajdarit. Fatmiri, nuk ishte nga ai brumë që nuk priste marëdhënie, dhe e dinte se grushti i tij i hekurt do vepronte kur nuk bënte punë dorashka franceze. Me ktë akt, Tropoja do të vlonte nga legjenda e djaloshit kryenec.
Azemi e kuptoi se, nëse s’do ndihmohej, s’do ta kishte shumë të gjatë. Pamja kishte filluar t’i venitej. Ishte i shtrirë për tokë, duke dihatur, në një pellg gjaku. Me gojën e mbushur me gjak desh të thoshte dicka por s’arriti të nxjerrë zë. Gjithmonë kishte dëgjuar se kur qëllohesh me plumba në stomak, vdisje me dhimbje të forta. Tani e provoi arsyen. Sa herë që merrte frymë, i bëhej sikur merrte goditje në zemër, humbi kontrollin e fshikzës dhe urina i lagu pantallonat. Ia nguli sytë vrasësit. Mendimi i fundit ishte për vëllain e Fatmirit të futur në dhe’. I kishte besuar masave mbrojtëse, por këtë radhë kishte humbur. Një gabim trashanik. Tropoja është një vend i çuditshëm mendoi. S’i dihet kurrë, se nga mund të vijë e keqja. Po t’i jepej mundësia të ngrihej, do të hidhte në erë Tropojën, kryeqytetin verior të mbushur me fodullë e banditë, dhe më pas Kërrnajën, ku lindnin të cmendur si ky bandit sycakërr.
Historia për Azem Hajdarin mbaron këtu. Mbiemri Haklaj e dënoi me ekzekutim.
***
Sali Berisha po dëgjonte pa e hapur gojën. Bodigardët e tij kishin trokitur duke i folur për ngjarjen. A ishte e mundur një gjë e tillë? A mund të ndodhte një krim i tillë në qendër të Tiranës? Ku shkuan premtimet e qeverisë se do e mbronin Azemin? Në qeverisjen e tij, askush nuk guxonte. Dhe ky, Fatos Nano, si do justifikohej? Ndërkaq, për vrasjen, tashmë kishin kallëzuar në polici, formalitet i nevojshëm, por nga ana tjetër e dinte se kjo nuk e zgjidhte cështjen.
Sali Berisha vizitoi në spital të plagosurin Zenel Neza dhe i kërkoi informacionin e nevojshëm. – Mirë. S’dua që të dalë emri im. Situata ishte e befasishme…është mpleksur figura kryesore… Fatmir Haklaj. Ishte dhe një polic i lartë, të gjithë të armatosur.
Sali Berisha ishte i dyzuar për ngjarjen, të përfitonte politikisht kundër socialistëve që e kishin rrëzuar nga kali i pushtetit me pushkë, dhe së dyti të ruante qetësinë për largimin njëherë e përgjithmonë të Azemit që vazhdimisht e acaronte. Ai e kish kuptuar se Azem Hajdari ishte një ekzemplar cilësor i species së politikanit agresiv, i formuar me mentalitetin tradicional fisnor. Por në brendësi, Doktori si psikolog i thekur e shihte se në brendësi, ai ishte i frikësuar, i lebetitur dhe mbase i hallakatur nga fajësia. Në momente traumatizuese bëhej dhe i manupulueshëm. Me arsyeshmërinë e rrënjosur të një fshatari, Azemi e kuptonte se sa kapricioz dhe hakmarrës ishte terrori politik i Doktorit, ndaj dhe kur e shikonte rrezikun e mbyllte gojën. Ai rrezatonte një rezistencë të heshtur, të cilën e shfaqte si shkarazi me ndonjë gjysëm psherëtime idhnake para të besuarve të tij, pa besuar se ato shkonin në paradhomën e Doktorit.
Sali Berisha mendoi se ishte tamam koha për t’u marrë seriozisht me këtë bandit që të kallte datën. Vrasja e Azem Hajdarit ishte goditje që kërkon kurbanë.
Për Sali Berishën, kjo vrasje ishte vetëm një shkak, që nuk ndryshonte asgjë nga ato që ai kishte vendosur. Ajo që kishte vendosur, ishte të asgjësonte banditin Fatmir Haklaj, i cili me vrasjen e Azem Hajdarit nuk i kishte lënë shtegdalje tjetër vetes. – E kemi lënë shumë kohë jashtë vëmendjes, mendoi në çast. Pavarësisht nga emocionet e ngjarjes, ai nuk ishte nga ata që mund të dorëzohej emocionalisht. Ama në intriga, ishte mjeshtër. – Nëse djalli do të krijonte ferrin në tokë, çelësat do t’ia dorëzonte Sali Berishës, do të shprehej në një bisedë euforike i ndjeri Azem Hajdari.
– Duhet akuzuar qeveria, arsyetoi vetëtimthi, doli para mediave dhe lëshoi zemërimin e tij duke bërë fajtor Kryeministrin Fatos Nano dhe Kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi. Ekzistenca e makinës së policisë në vendngjarje dhe prania e dy shefave kryesore të policisë, Fatmir Meta dhe Jaho Mulosmani e bënin të besuar akuzën e lëshuar nga Berisha. Kur dëgjoi emrin e Isemedin Haxhisë u trondit, vetëm atë çast gjykoi se kishte futur gjarpërin në gji.
Pasi mësuan për deklaratën e Sali Berishës, Jaho Mulosmani që kishte mbërritur në Tropojë, futet në hotelin e turizmit të qytetit dhe në mënyrë të dhunshme detyron Prefektin Taulant Dedja të bënte deklaratën publike se Jaho Mulosmani kishte qenë në shoqërinë e tij. Prefekti iu përgjigj menjëherë kërkesës, duke lënë të cmeritur ministrin Perikli Teta. Si kish mundësi që një Prefekt i qeverisë së Tiranës, të bënte një gomarllëk të tillë?
Gazetat e Tiranës dhe media i bënë jehonë ngjarjes. Vrasja e tij do të vlerësohej një bullongë e rrezikshme eksplozicioni politik. Të gjithë faqet e para, flisnin për vrasjen e shekullit. Fatmir Haklaj ishte i vetmi bandit në Shqipëri që kishte ekzekutuar një politikan të lartë, dhe pikërisht atë që e djathta shqiptare e cilësonte si heroi i demokracisë. Gazetarë të ndryshëm, vërshuan në Tropojë, për të intervistuar familjen dhe të afërm të Fatmir Haklajt. I ati, Muharrem Haklaj me trupin e tij si lis, deklaronte se djali i tij është i pafajshëm. – Kjo është dorë e Sali Berishës do këmbëngulte ai. Miqtë dhe të afërmit vërtetonin se Fatmiri ishte shpirtë njeriu dhe i lidhur me forcën e zakonit. Gazetat i përshkruanin mirë këto lajme. Një bandit tropojan me pamje babaxhani! Dhe më pas shkruanin për kushurinjtë e tij të shumtë, vecanërisht Jaho Mulosmanin dhe Feriz Kërnajën që e kishin ndjekur Fatmirin nga pas, vetëm për hatër të miqësisë! Çfarë njeriu ishte ky Fatmiri që dinte të frymëzonte kaq besnikëri?
Në një fotografi të hershme, ku Fatmiri ishte tetëmbëdhjetë vjeç, dhe ku dukej që ishte shumë i bukur, ekselent sipas karakteristikave të pamjes burrërore tropojane, dallohej njëherazi karakteri i fortë që e bëri të gjithë veprimtarinë e tij të pabesueshme. Moshatarët e shkollës vërtetonin se Fatmiri ishte lexues i pasionuar librash, kishte studiuar për degën e farmacisë. Një bandit tropojan që kish studiuar në shkollat e Tiranës dhe që lëçiste libra!