Tensionet në konfliktin ruso-ukrainas janë rritur ndjeshëm pas një serie sulmesh të ndërsjella që kanë vënë në shënjestër infrastrukturën kritike të transportit dhe energjisë.
Gjatë datave 15–17 nëntor 2026, forcat ukrainase ndërmorën sulme të njëpasnjëshme me dronë dhe raketa mbi Urën e Krimesë, e cila lidh gadishullin e pushtuar të Krimesë me territorin rus.
Sipas raportimeve, goditjet dëmtuan rëndë strukturën e harkut të urës rrugore, duke detyruar autoritetet ruse të pezullojnë qarkullimin rrugor dhe hekurudhor dhe duke krijuar radhë të gjata me mijëra automjete.
Në kundërpërgjigje, Rusia nisi valë të gjera sulmesh ajrore ndaj Ukrainës. Sipas kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, dhe raportimeve nga terreni, forcat ruse goditën urat kryesore mbi lumin Dniepër në kryeqytet (Urat Veriore dhe Jugore), duke shkaktuar shpërthime të forta dhe duke angazhuar njësitë e mbrojtjes ajrore.


Krahas Urës së Krimesë, Ukraina ka intensifikuar sulmet me rreze të gjatë veprimi ndaj rafinerive ruse të naftës, impianteve petrokimike dhe objekteve të prodhimit ushtarak, duke kryer një nga sulmet më të mëdha me dronë brenda territorit rus që nga fillimi i pushtimit në vitin 2022.
Nga ana tjetër, Rusia vijon sulmet masive ndaj rrjetit energjetik ukrainas, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe ngrohjes për miliona qytetarë në prag të dimrit.
Zelenskyy ka shprehur shqetësim për kufizimet teknike në sistemin satelitor Starshield/Starlink, të cilat po ndikojnë në operimin e dronëve ukrainas dhe po lehtësojnë sulmet ruse.

Në planin diplomatik, bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja kanë sjellë përparim vetëm për shkëmbimin e të burgosurve, por mbeten në ngërç sa i përket një marrëveshjeje paqeje. Moska vijon të paraqesë kërkesa maksimaliste territoriale, ndërsa Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se Rusia po zvarrit negociatat dhe po përpiqet të përçajë aleatët perëndimorë.
Paralelisht, po përgatitet një samit trepalësh mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, zhvillim që ka ngjallur shqetësime në Kiev se fuqitë e mëdha mund të negociojnë pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Ukrainës.
d.xhima / dita
