Shënim i Redaksisë
Në morinë e pafund të librave të mirë dhe jo të mirë që janë botuar e botohen në vendin tonë gjatë këtyre njëzet e ca viteve të fundit, shumëkujt mund të mos i ketë rënë në sy një libër shumë i mirë, shumë i vërtetë dhe krejt i veçantë i sociologut dhe diplomatit të njohur Fatos Tarifa. Ai titullohet: James, studenti im amerikan ushtar në Irak.
Ky libër përmban letërkëmbimin e autorit, gjatë kohës që ishte Profesor i Sociologjisë dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Miçiganit Lindor, me njërin prej studentëve të tij amerikanë, James Perkins. Pas përfundimit të studimeve në atë universitet, ky student shkoi vullnetarisht për të dytën herë ushtar në Irak, me besim të plotë, si miliona amerikanë të tjerë, se kështu u shërbente interesave të vendit të vet.
Për afro dy vite me radhë, duke nisur nga 25 prilli i vitit 2006 deri më 3 janar 2008, Prof. Tarifa dhe studenti i tij amerikan James Perkins, tashmë ushtar në Irak, mbajtën një letërkëmbim shumë të gjallë dhe interesant mes tyre, deri sa, siç lihet të kuptohet nga fjalët përmbyllëse të Prof. Tarifës në këtë libër, vetëm 4 muaj para se James të kthehej nga ajo luftë në shtetin e tij, në Miçigan, ku do të takohej përsëri me profesorin e vet, prej tij nuk erdhi më asnje lajm. Dhe Tarifa e mbyll librin e tij me këto fjalë:
“Pesë muaj pas letrës së tij të fundit, pas një qëndrimi shumëvjeçar në Shtetet e Bashkuara, më 6 qershor 2008 u ktheva përfundimisht në Shqipëri. Kujtimi i James-it më ka ndjekur kudo. Nuk e di nëse ai është mes të gjallëve të kësaj bote, apo u është bashkuar më të shumtëve, atyre që janë ndarë prej saj, por për mua ai do të mbetet përherë studenti im i mençur dhe ushtari trim i Shteteve të Bashkuara, Liutenant James Perniks”.
Në parathënien e këtij libri Prof. Tarifa shpjegon arësyet që e kanë motivuar ta publikojë letërkëmbimin me ish-studentin e tij, në kohën kur ai shërbente në Irak. Ai shkruan:
“Në imagjinatën time sociologjike—dhe unë shpresoj në imagjinatën sociologjike të secilit prej jush, lexues të nderuar—të cilën C. Wright Mills e kuptonte si atë aftësi të mendjes që na mundëson të kuptojmë mënyrat se si biografia e një individi ndërthuret me rrjedhën e zhvillimeve historike dhe se si ne mund t’i shohim shqetësimet tona personale si pjesë e problemeve më të gjëra të shoqërisë në të cilën jetojmë, letrat e studentit-ushtar James Perkins përbëjnë një dokumentacion sociologjik shumë interesant për këdo që mund të jetë i interesuar të kuptojë se cilat janë janë the nuts and bolts në jetën e një ushtari që i shërben fuqisë më të madhe të globit”.
Nga ky këndvështrim sociologjik, Prof. Tarifa i inkurajon lexuesit që “të reflektojnë mbi përmbajtjen e këtij dokumentaconi, duke e parë atë si një produkt të lidhjeve dhe të ndërveprimit mes biografisë së ushtarit James Perkins dhe zhvillimeve e tendencave historike kryesore të kohës sonë, mes preokupimeve të tij personale dhe zhvillimeve bashkëkohore globale”.
James është botuar nga shtëpia botuese “Minerva” 10 vite më parë, në tetor të vitit 2013. Libri mbyllet me një Pasthënie të shkruar nga gazetari i mirënjohur shqiptaro-amerikan Peter Lucas si sot dhjetë vite më parë, më 5 tetor 2013. Sidoqoftë, nuk është kjo koinçidencë e rastit që e shtyn Redaksinë e Ditës ta ribotojë më poshtë të plotë Pasthënien e z. Lucas, por mesazhet që ajo, ashtu si edhe vetë ky libër i Prof. Tarifës, përmban për lexuesin e sotëm dhe për lexuesit e çdo kohe.
“Pasthënie” nga Peter Lucas
Ajo çka, me mjaft keqardhje, më vjen në mendje duke lexuar këto faqe është se sa të mirë dhe idealistë ishin ushtarët amerikanë që luftuan në Irak dhe sa të pandershëm ishin politikanët që i dërguan ata në atë vend.
Çfarë u arrit nga ndërhyrja ushtarake amerikane në Irak? Çfarë u fitua nga ajo luftë, në të cilën, nga viti 2003 deri më 2012, u vranë rreth 4,500 amerikanë dhe mijëra të tjerë u kthyen në shtëpitë e tyre të plagosur, të gjymtuar dhe të shfytyruar për jetë?
Unë do të thoja: jo shumë. Tirani Saddam Hussein nuk është më; ai u var për krimet e tij. Por ai mund të ishte vrarë edhe me një sulm të vetëm prej një avioni të drejtuar pa njeri ose, ndoshta, me anë të një ndërhyrjeje të shpejtë të forcave speciale amerikane, njëlloj siç u vra kreu i Al-Qaedës Osama bin Laden në Pakistan. Madje, ndoshta, amerikanët mund ta kishin hequr qafe Sadamin duke hedhur mbi kokën e tij një prej atyre bombave 2,000-paundshe, për të cilat shkruan Liutenant James Perkins.
* * *
Pikëpamjet dhe qëndrimet e ushtarit Perkins mbi luftën në Irak bëhen të njohura përmes një shkëmbimi krejt të veçantë, madje unik, mesazhesh mes tij dhe Fatos Tarifës, ish-ambasadorit shqiptar në Uashington në gjysmën e parë të viteve 2000, i cili më pas u bë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare i Perkins-it në Universitetin e Miçiganit Lindor. Në atë kohë, James Perkins ishte njëherësh student dhe ushtar. Në një farë kuptimi, ai ishte jo vetëm një student i Tarifës, por edhe ushtari “i tij”. Marrëdhënia mes tyre ishte shumë e ngrohtë dhe e veçantë, një marrëdhënie mes një diplomati dhe shkencëtari të shquar shqiptar, i cili ka fituar miqësinë dhe ka merituar vlerësimet e disa prej intelektualëve më të njohur të kohës sonë dhe një studenti/ushtar amerikan nga radhët e klasës punëtore të Miçiganit.
Edhe vetëm ky fakt do të mjaftonte për të justifikuar dhe vlerësuar botimin e “letërkëmbimit” të tyre mbi Luftën në Irak çka, në vetvete, përbën një lloj zhanri të ri letrar, ngaqë në kohën tonë email-et janë bërë “letrat” që njerëzit shkruanin dikur, në epokën paradixhitale. Kjo është mënyra se si komunikojnë sot shumica prej nesh. Dhe Fatos Tarifa, një studiues dhe diplomat i klasit të parë, i shtyrë nga imagjinata e tij sociologjike e diplomatike, të cilën më mirë se kushdo e ka vlerësuar sociologu i njohur dhe miku i tij i vjetër Profesor Jay Weinstein në Pasthënien që ai ka shkruar për librin e Tarifës To Albania, with Love, ka mundur ta ruajë këtë “letërkëmbim” me studentin e tij ushtar James Perkins dhe, fatmirësisht, e boton sot në formë libri për studentët dhe lexuesit shqiptarë.
* * *
Sot amerikanët nuk janë më në Irak dhe duket sikur ata s’kanë qenë kurrë atje. Ajo që ka mbetur prej amerikanëve në atë vend është një ambasadë shumëmilionëshe në Bagdat, pa njerëz dhe pa kuptim.
Dhe, sigurisht, me largimin e amerikanëve, pasi ata dështuan të arrinin një marrëveshje me qeverinë irakiane për të lënë një numër forcash ushtarake në atë vend, vrasjet barbare dhe bombat janë kthyer. Situata e krijuar në Irak të lë përshtypjen sikur amerikanët nuk kanë qenë kurrë atje.
Në gusht të vitit 2007, James Perkins, një oficer i ri, i cili veproi ashtu siç i kishin thënë, kuptoi se shumë irakianë do të kishin dashur që Sadami të ishte sërish në pushtet. Në atë kohë, shkruan Perkins, “mjaftonte të thoje se e doje Sadamin dhe askush nuk të trazonte. Ata kishin ujë të pijshëm, elektricitet dhe jeta e tyre ishte OK. Për arsye të ndryshme, ne nuk arrijmë dot t’ua plotësojmë atyre këto nevoja bazë—ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike”.
“Ne mund të shpenzojmë miliona dollarë për të ngritur këtu ndërtesa qeveritare dhe biblioteka, por ne s’mund t’u japim njerëzve të thjeshtë të këtij vendi energji elektrike dhe ujë të pijshëm, dhe unë s’gjej dot asnjë arsye të mjaftueshme që t’ua shpjegoj atyre përse, pasi edhe vetë nuk i kuptoj ato”.
Në një rast tjetër, kur nuk ishte në ndjekje të terroristëve (the bad guys), Perkins përshkruan se si njësia e tij i ndihmonte njerëzit e thjeshtë irakianë të përgatiteshin për të marrë mbi vete përgjegjësitë e drejtimit të vendit të tyre. Në mënyrë instinktive, Perkins e ndjente se amerikanët do ta linin Irakun pa e përmbushur këtë detyrë, pra para se vetë irakianët të ishin në gjendje të merrnin në dorë fatet e tyre.
Në prill të vitit 2007 ai shkruante: “Ndryshe nga çfarë mund të shihni ose dëgjoni në lajme…[këtu] është arritur mjaft sukses dhe, me kalimin e kohës, forcat vendase do të jenë të afta ta kontrollojnë vetë këtë territor, pa ndihmën tonë. Unë shpresoj që të na jepet mundësia dhe koha e nevojshme për të bërë detyrën tonë dhe jo të largohemi prej këtej para kohe”.
* * *
Amerikanët e lanë Irakun. Ushtria amerikane donte të qëndronte dhe ta përmbushte deri në fund misionin e saj në atë vend, por politikanët e Uashingtonit kërkuan largimin e trupave ushtarake amerikane nga ai vend, duke lënë pas një mision të vështirë të papërfunduar. Dhe sot, Iraku është përsëri një vend i pasigurt dhe në kaos.
George Clemenceau ka thënë në një rast se lufta është shumë e rëndësishme për t’ua besuar atë ushtarëve. Megjithatë, ndonjëherë, lufta, si ajo që amerikanët bënë në Irak, është shumë e rëndësishme për t’ua besuar atë politikanëve.
Në të dyja rastet, çmimin e saj e paguajnë ushtarët. Ndaj edhe Tarifa, në fjalët e tij përmbyllëse për këtë libër, shkruan se ai vetë nuk e di nëse studenti i tij ushtar që luftoi në Irak, është sot “mes të gjallëve të kësaj bote, apo u është bashkuar më të shumtëve, atyre që janë ndarë prej saj”. Sidoqoftë, përfundon Tarifa, “për mua, ai do të mbetet gjithmonë studenti im i mençur dhe ushtari trim i Shteteve të Bashkuara, Lieutenant James Perkins”.
Boston, Massachusetts
5 tetor 2013