Për të mos rrezikuar hyrjen në sezonin e provimeve të dimrit, studentët duhet të shlyejnë në kohë edhe tarifën vjetore të shkollimit për programin që janë duke ndjekur. Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, bën me dije se kanë nisur procedurat për shlyerjen e tarifave vjetore të shkollimit sipas afateve të përcaktuara për secilin program të ciklit të parë (Bachelor), si dhe ciklit të dytë “Master profesional” dhe “Master Shkencor”.
Sipas afateve të përcaktuara, studentët që ndjekin programet e studimit për Mjekësi të përgjithshme, Farmaci, apo edhe Shëndet Publik, kanë afat deri në datën 28 shkurt për të shlyer këtë pagesë. Për studentët që ndjekin programet e ciklit të dytë, pagesat do të bëhen të ndara në dy këste, ku kësti i parë duhet të bëhet brenda datës 28 shkurt, ndërsa tjetri do të jetë në fillim të muajit qershor. Ndërsa për kandidatët që kanë transferuar studimet nga universitetet e mbyllura në Fakultetin e Mjekësisë, tarifa e shkollimit do të bëhet e ndarë në tre këste, sipas shumave të përcaktuara.
Autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë sqarojnë se në varësi të mesatares së ponderuar, studentët do të paguajnë tarifën e plotë të përcaktuar për programin e studimit që janë duke ndjekur, ose të reduktuar në masën 50 për qind. Kështu, studentët që kanë mesatare të ponderuar nën notën 6 do të duhet të përballojnë vetë koston e plotë të studimeve për secilin program, ndërsa studentët që kanë mesatare nga nota 6 dhe më lart, do të përfitojnë reduktimin e tarifës në masën 50 për qind të tarifës së plotë të përcaktuar për programin që janë duke ndjekur.
Sa i takon tarifave të shkollimit, më herët Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë ka vendosur për studentët e degëve Mjekësi e përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji, tarifa e vjetore e shkollimit është 45,000 lekë, e cila duhet të paguhet e plotë apo e reduktuar në masën 50 për qind sipas kushtit të përcaktuar për mesataren e ponderuar. Për studentët që do të ndjekin studimet në degën Shëndet publik, tarifa për ciklin e parë është 40,000 lekë. Tarifat e studimit për kandidatët që do të ndjekin ciklin e parë të studimit, por si program i dytë, do të jenë më të larta. Kështu, për të gjithë kandidatët që do të pranohen në një program të dytë studimi tek Fakulteti i Mjekësisë, tarifa vjetore e shkollimit do të jetë përkatësisht 233,916 lekë, në të gjitha programet e ciklit të integruar si degë e dytë, që ofrohen në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës. Për këtë kategori nuk do të ketë lehtësira, çka do të thotë se studentët do të duhet të mbulojnë vetë të plotë koston vjetore të shkollimit kur pranohen për të vijuar studimet në një program të dytë.
Sa i takon studimeve në ciklin e dytë, në vendim saktësohet se për studentët që ndjekin programet “Master profesional” viti studimor do të kushtojë 72,000 lekë. Ndërsa për studentët që regjistrohen për herë të parë në programet “Master i Shkencave” 105,000 lekë. Në secilin rast është përcaktuar edhe tarifa që duhet të shlyhet për çdo kredit të lëndës për programet e ciklit të dytë.
Studentët e ciklit të parë dhe të integruar të ciklit të dytë, të cilësuar në bazë të rregullores së Universitetit të Mjekësisë si: “përsëritës” do i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin po vazhdojnë studimet. Përsëritës do të konsiderohet çdo student që nuk ka plotësuar numrin e nevojshëm të krediteve për të kaluar në vitin pasardhës.
Për studentët e ciklit të dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor”, të cilët nuk e kanë përfunduar programin përkatës të studimit, apo nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në atë program brenda kohëzgjatjes normale të tij dhe konsiderohen studentë mbetës, bëhet e ditur se për lëndët përsëritëse do të paguajnë çdo vit akademik tarifën për kredit të lëndës përkatëse. Gjithashtu në vendim përcaktohet se studentët që kanë transferuar studimet në këtë institucion të arsimit të lartë do t’i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit në programin përkatës ku dhe janë transferuar. Shtetasit e huaj që vazhdojnë studimet tek Mjekësia në një program të parë, apo të dytë studimi do i nënshtrohen të njëjtës tarifë studimi si dhe shtetasit shqiptarë, kjo me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje zyrtare janë vendosur mënyra të tjera të përcaktimit të tarifave të shkollimit.
Në ligjin për arsimin e lartë përcaktohet se programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë ofrohen normalisht në gjuhën shqipe. Këto programe mund të ofrohen dhe në një nga gjuhët zyrtare të Bashkimit Europian, të miratuar në aktin përkatës të hapjes së programit të studimit. Përjashtohen nga ky rregull programet e përbashkëta të studimit të ofruara me institucione të huaja të arsimit të lartë dhe programet e studimit që kanë për objekt mësimin e gjuhëve të huaja. Në rastin e programeve të studimit që ofrohen në gjuhë të huaj, studentët duhet të dëshmojnë njohjen e gjuhës së huaj përkatëse në nivelin e nevojshëm për të kryer studime të larta, të përcaktuar nga institucioni i arsimit të lartë, ofrues i programit të studimit.
Kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program studimi nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi, pa marrë në konsideratë periudhën e kohës kur studenti i ka pezulluar studimet. Studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër. Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës. Kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj.
Afatet për shlyerjen e detyrimit sipas programeve të studimit:
- Për programin e studimit “Master i shkencave në Farmaci” shlyerja e pagesave duhet të bëhet ndërmjet datave 24 janar – 28 shkurt 2023.
- Për programi i studimit “Master i shkencave në Mjekësi të Përgjithshme” shlyerja e pagesave duhet të bëhet ndërmjet datave 24 janar – 28 shkurt 2023.
- Programi i studimit “Bachelor” në “Shëndet Publik” shlyerja e pagesave duhet të bëhet ndërmjet datave 24 janar – 28 shkurt 2023.
Programi i studimit “Master i shkencave në Shëndet Publik” ;
- Kësti i parë duhet të shlyhet ndërmjet datave 24 janar – 28 shkurt 2023.
- Kësti i dytë duhet të shlyhet ndërmjet datave 1 qershor – 15 qershor 2023.
Programi i studimit “Master profesional në Shëndet Publik”
- Këstin i parë duhet të shlyhet ndërmjet datave 24 janar – 28 shkurt 2023.
- Këstin i dytë duhet të shlyhet ndërmjet datave 1 qershor – 15 qershor 2023.
Studentët e transferuar nga universitetet e mbyllura:
- Kësti i parë duhet të shlyhet ndërmjet datave 24 janar – 28 shkurt 2023. 70500 lekë
- Kësti i dytë duhet të shlyhet ndërmjet datave 16 prill – 30 prill 2023.70,500
- Këstin e tretë 01 duhet ta shlyeni ndërmjet datave 1 qershor – 15 qershor 2023 94,000
Tarifa e shkollimit për ciklin “Bachelor” në “Shëndet publik”
- Tarifa e shkollimit të ciklit të parë për studentët nga viti i parë në të tretë është në vlerën e 40,000 lekëve kur mesatarja e ponderuar është më e ulët se sa nota 6.
- Ndërsa për studentët me mesatare nga nota 6 dhe më lart, tarifa vjetore do të jetë e reduktuar me 50 për qind, çka do të thotë se këta studentë do të shlyejnë tarifën vjetore prej 20,000 lekësh.
Tarifa e shkollimit për degët “Mjekësi e përgjithshme” dhe “Farmaci”
- Tarifa e shkollimit për studentët nga viti i I-VI tarifa e shkollimit është 45,000 lekë kur keni mesatare të ponderuar nën notën 6.
- Për studentët me mesatare nga nota 6 dhe më lart, tarifa vjetore do të jetë e reduktuar me 50 për qind, çka do të thotë se këta studentë do të shlyejnë tarifën vjetore prej 22,500 lekësh.
Tarifa e shkollimit “Master i shkencave në Shëndet publik” (studentët e vitit të parë dhe të dytë)
- Tarifa për këstin e parë që duhet të shlyejnë studentët është 52,500 lekë.
- Tarifa për këstin e dytë që duhet të shlyejnë studentët është 52,000 lekë.
Tarifa “Master profesional në Shëndet publik” (studentët e vitit të parë dhe të dytë)
- Tarifa për këstin e parë që duhet të shlyejnë studentët është 36,000 lekë.
- Tarifa për këstin e dytë që duhet të shlyejnë studentët është 36,000 lekë
