Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Të pambrojtura, gratë në Shqipëri e Kosovë përballen me një “bashkëjetesë toksike” me abuzimin digjital
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Aktualitet > Të pambrojtura, gratë në Shqipëri e Kosovë përballen me një “bashkëjetesë toksike” me abuzimin digjital
Aktualitetopinion

Të pambrojtura, gratë në Shqipëri e Kosovë përballen me një “bashkëjetesë toksike” me abuzimin digjital

Published: July 30, 2025
Shpërndaje

Ligjet e dobëta dhe indiferenca institucionale bëjnë që gratë në Shqipëri dhe Kosovë të jenë kryesisht të pambrojtura ndaj niveleve shpesh shkatërruese të dhunës digjitale me bazë gjinore.

Ajmane Bajrami ishte vetëm 15 vjeçe kur filloi sulmi digjital, kur ajo klikoi mbi një mesazh në Facebook nga një i panjohur dhe një foto e një penisi u hap në ekranin e kompjuterit përpara saj dhe vëllait të saj atëherë 21-vjeçar.

Bajrami, nga qyteti i Ferizajt, kujton se si u ndje shumë e turpëruar. “M’u duk sikur toka po më përpinte, edhe pse nuk kisha bërë asgjë”, tha ajo për BIRN.

- Publicitet -

Trembëdhjetë vite më vonë, Bajrami vazhdon të marrë përmbajtje eksplicite të padëshiruara përmes Facebook-ut dhe ende nuk e di pse.

“Ka raste kur më shkruajnë: ‘Do që ta bëj edhe ty këtë?’ dhe më dërgojnë ndonjë video për të rritur.”

Abuzimi ka ndikuar gradualisht në vetëbesimin dhe imazhin që ajo ka për veten. Duke iu referuar mënyrës se si vishet, Bajrami tha: “Nisa të mbrohesha. Zhvillon një lloj ndrojtjeje dhe, thellë-thellë, fillon të dyshosh: ‘Ndoshta unë jam problemi.’”

Në Kosovë, gazetarja televizive Ardiana Thaçi-Mehmeti ka investiguar llojin e dhunës digjitale që ka përjetuar Bajrami, vetëm për t’u përballur edhe vetë me të.

Pasi ndihmoi në ekspozimin e një grupi në Telegram të quajtur AlbKings, ku mbi 100,000 anëtarë shpërndanin video fyese, imazhe ‘deep fake’ dhe informacione personale për gra, ajo mori një numër të madh telefonatash dhe mesazhesh abuzive nga burra që kishin gjetur numrin e saj në atë grup.

“Sa e ke atën?” e pyeti njëri prej tyre. Në një ditë veçanërisht të keqe, Thaçi-Mehmeti mori rreth 300 telefonata.

Bajrami nuk shkoi kurrë në polici, duke thënë se nuk “besonte se ata mund të më mbronin”. Thaçi-Mehmeti shkoi në polici, por mbeti e zhgënjyer nga reagimi i një shteti që, ashtu si Shqipëria fqinje, ende nuk ka legjislacion të përshtatshëm për të trajtuar siç duhet këtë formë dhune gjinore në internet.

“Termi ‘dhunë digjitale’ as që ekziston në sistemin tonë juridik”, tha Edona Sina, avokate në Kosovë. “Kjo mungesë njohjeje ligjore e bën të vështirë pranimin apo ndëshkimin e plotë të këtyre veprimeve.”

Kërcënime me vdekje

Ilustrimi: Igor Vujcic/BIRN.

Zhaklin Lekatari përshkruan një “bashkëjetesë toksike” me abuzimin online që merr për shkak të mbrojtjes së të drejtave të grave, edukimit seksual dhe të drejtave LGBTQ+ në Shqipëri.

Gazetare dhe themeluese e platformës Tabu.al, Lekatari nuk është e panjohur me kërcënimet për vdekje. Një abuzues i shkroi: “Dita që vdes ti duhet të shpallet festë kombëtare.” Një tjetër: “Do të të kapim në rrugë.”

Lekatari ka raportuar shumë raste në polici, por me rezultate të përziera.

“Disa kallëzime nuk u pranuan fare sepse nuk plotësonin kriteret e një vepre penale”, tha ajo për BIRN. Të tjera përfunduan në “pajtim në vend që të vazhdonin ndjekjen penale”.

Problemi, tha ajo, qëndron në faktin se dhuna digjitale “madje nuk e ka një emër në ligjin shqiptar”.

Kjo do të thotë se ngacmimi online, përndjekja, “deepfake”-et dhe shpifjet seksiste shpesh mbeten jashtë vëmendjes, të panjohura dhe të pandëshkuara.

Llogaritë e saj në rrjetet sociale janë hakeruar në mënyrë të përsëritur, dhe edhe kur ka paraqitur ankesa për abuzimin në platforma si TikTok dhe Instagram, shpesh është shpërfillur me përgjigje standarde si: “Kjo nuk shkel standardet tona të komunitetit.”

Abuzimi online është përshkallëzuar në kërcënime reale, që nga kapja fizike në një supermarket deri te raste përndjekjeje dhe ngacmimi në rrugë.

Të jesh një figurë publike femërore “ka një kosto të lartë personale”, tha Lekatari. “Shoqëria duhet të përballet me realitetin se unë nuk jam një objekt. Asnjë grua nuk e meriton atë që unë e quaj ‘përdhunim verbal’.”

“Sigurisht që kanë frikë”

Thaçi-Mehmeti ka dorëzuar dhjetëra kallëzime penale në polici, por thotë se autoritetet kanë vepruar vetëm në raste “ngacmimesh të qarta”, si kur dikush i dërgonte vazhdimisht mesazhin: “Dua të të q***”.

Ashpërsia e kërcënimeve bëri që policia më në fund ta vendoste atë dhe familjen e saj nën mbrojtje, por kritikët thonë se autoritetet vepruan vetëm pas presionit të vazhdueshëm publik.

Rastet shpesh trajtohen gabim që në fillim, thotë Sina, avokatja. “Nga përvoja ime, shumë raste paragjykohen që në nivelin e policisë.”

“Oficerët nuk janë të trajnuar ta shohin abuzimin online si dhunë me bazë gjinore”, tha ajo për BIRN. “Normat shoqërore ndikojnë në interpretimet e tyre ligjore dhe ky paragjykim shtrihet edhe në prokurori dhe gjykata”, shtoi ajo, duke përmendur një rast dhune digjitale me imazhe që u zvarrit për më shumë se gjashtë vite pa një vendim, duke detyruar viktimën të përjetonte traumën herë pas here.

Në rastin e AlbKings, edhe pas ngritjes së aktakuzës, Thaçi-Mehmeti thotë se vazhdoi të merrte imazhe seksuale eksplicite në telefon në mes të natës.

“Bëra një screenshot dhe ia dërgova prokurorisë, por prokurori më tha: ‘Na duhet e gjithë biseda që ke pasur me të’. Dhe unë thjesht hoqa dorë, sepse nuk kisha më fuqi të merresha me këtë.”

Mund të jetë edhe më e vështirë për gratë që nuk kanë mbështetjen e familjes.

“Në ditën kur u mbajt seanca e parë, pesë gra nuk u paraqitën”, tha Thaçi-Mehmeti, duke iu referuar fillimit të gjyqit AlbKings më 5 janar të këtij viti. “Dhe të gjitha thanë të njëjtën gjë: ‘Nuk dua që familja ime ta mësojë. Nuk dua që burri im ta dijë. Kam dhënë gjithçka që kisha dhe nuk do të kthehem më në gjykatë.’ Sigurisht që kanë frikë.”

Gratë duhet të “mësojnë si të mbrohen”

Ekspertët thonë se përvoja të tilla janë simptoma të një dështimi sistemik.

“Ka kërcënime specifike që prekin në mënyrë disproporcionale gratë, si shantazhi seksual, imitimi, ngacmimi online dhe ato burojnë nga një përzierje toksike e stereotipeve gjinore dhe indiferencës institucionale”, tha ekspertja e sigurisë kibernetike, Leonora Mehmetaj-Hajdini.

Për shkak të mungesës së ekspertizës teknike apo vullnetit për të hetuar siç duhet, gratë mbeten të vetme për t’u mbrojtur.

“Siguria digjitale nuk lidhet vetëm me teknologjinë, por edhe me sjelljen”, tha Mehmetaj-Hajdini. “Gratë duhet të mësojnë si të mbrohen online, ashtu siç mësojmë vetëmbrojtje në jetën reale.”

Në Kosovë, organizatat e shoqërisë civile po kërkojnë reforma urgjente ligjore, të bazuara në direktivën e re të Bashkimit Evropian për luftimin e dhunës ndaj grave, përfshirë abuzimin online, e cila u miratua në maj të vitit të kaluar.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka propozuar përfshirjen e një neni të ri në Kodin Penal të vendit – Neni 249 për Dhunën Kibernetike me Bazë Gjinore – i cili do të përkufizonte dhe kriminalizonte një gamë të gjerë abuzimesh online, përfshirë përndjekjen kibernetike, kërcënimet digjitale, shpërndarjen pa pëlqim të imazheve intime, “deepfake”-et dhe shpifjet seksiste.

Avokatët thonë se pa një ligj të tillë, viktimat e abuzimit online shpesh mbeten pa ndihmë, dhe rastet e tyre shpesh refuzohen nga autoritetet për mungesë të bazës penale.

Thaçi-Mehmeti tha se ngacmimi që ka përjetuar ka qenë shkatërrues për familjen e saj.

“Djali im i madh nuk deshi të shkonte në shkollë për një javë të tërë sepse fëmijët e tjerë e ngacmonin, duke i thënë: ‘E pamë mamin tënd te AlbKings’.”

Sipas saj, nuk ka dyshim se sulmet ishin me bazë gjinore. “Fotot e organeve gjenitale u dërguan sepse unë jam grua.”

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Botërori 2026, kur kampionët ‘marrin përdore’ kombëtaret e tyre
  • Mbappe shkruan emrin në librat e rekordeve, francezi barazon Klose dhe gjuetia për Messin vazhdon
  • E konfirmon ADN, trupi i pajetë i gjetur i përket Eglant Koçit
  • SPAK: Dy të besuarat e Ballukut ndryshuan kontratën e energjisë dhe paguan faturat e vilës F6 në Dhërmi
  • SHBA heq sanksionet ndaj Iranit, Trump kërcënon nëse Teherani nuk i përmbahet marrëveshjes

Komentet e Fundit

  1. Joni on “Çfarë komandant i leshit more”, Rama e sulmoi, del dokumenti: Dritan Goxhaj ishte pjesë e UÇK gjatë kësaj periudhe
  2. Joni on “Çfarë komandant i leshit more”, Rama e sulmoi, del dokumenti: Dritan Goxhaj ishte pjesë e UÇK gjatë kësaj periudhe
  3. Anonymous on “Çfarë komandant i leshit more”, Rama e sulmoi, del dokumenti: Dritan Goxhaj ishte pjesë e UÇK gjatë kësaj periudhe
  4. Anonymous on “Çfarë komandant i leshit more”, Rama e sulmoi, del dokumenti: Dritan Goxhaj ishte pjesë e UÇK gjatë kësaj periudhe
  5. Vilajet Qyrku on Ruajeni protestën nga Berishët. Pasuria e tyre buron nga pena e Edi Ramës

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?