Nga Migena Aleksi
Skena e radhës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” i ngjante një melodrame të inskenuar me kujdes. Kryeministri Edi Rama, i pozicionuar pranë njërës prej kioskave të djegura, vendosi t’i dhurojë publikut një nga ato fjalimet e tij moralizuese me mllef e lot në sy.
Foli për “jetën, punën, mundin, djersën, ëndrrat dhe shpresat e një familjeje të zakonshme”, duke u premtuar se “nuk janë vetëm”.
Por pas kësaj fasade patetike fshihet një hipokrizi e skajshme dhe një pafytyrësi politike që nuk mund të kalojë më pa u denoncuar.
Lotët e rremë për “familjet e zakonshme”. Të kujt janë realisht kioskat sot në Tiranë?
Rama flet për “prindër të zakonshëm që hapin derën çdo mëngjes”, por harron ose shtiret se harron realitetin që vetë ka krijuar. Prej viteve të tëra, kioskat e fukarenjve dhe të njerëzve të thjeshtë janë fshirë nga sipërfaqja e Tiranës me fadroma e polici me arsyetimin se “ishin të shëmtuara” apo “zinin hapësirën publike”.
Kush i mori ato “hapësira publike” më pas? Kioskat janë monopolet e reja në rrugët kryesore të kryeqytetit. Ato nuk u përkasin fukarenjve, por oligarkëve dhe klientëve të pushtetit, që nga Vasil Naçi e Vilma Nushi, e deri te pronarët e televizioneve kombëtare. Dikur në to shiteshin dhe gazeta. Tani jo më. Edhe kioskat i donin të pangopurit.
Prej kësaj sjellje janë sot njerëzit në rrugë me një urrejtje të tillë shkatërruese. Ndaj të përdorësh dëmtimin e pronave të monopolizuara nga oligarkët për të bërë viktimën e për të qarë hallin e “familjes së thjeshtë” është një mashtrim publik i nivelit më të ulët.
”Jemi bashkë”?! Braktisja e qëllimshme e bizneseve të vogla
Deklarata e dytë se “ne do të jemi aty bashkë” merr një nuancë edhe më djallëzore kur sheh se çfarë ndodh në terren. Ndërsa Rama reciton fjalime prekëse, urdhri i padukshëm, por verbalisht i qartë, për Policinë e Shtetit ka qenë të qëndrojë pasive dhe të mos ndërhyjë për të mbrojtur bizneset apo pronat.
Pse? Skenari është i qartë. Pushtetit i nevojiten pamje zjarri e shkatërrimi, në mënyrë që populli dhe opinioni publik të kthehen kundër protestuesve. Të lesh bizneset pa mbrojtje në mënyrë që t’i përdorësh më pas si tabelë qitjeje politike është një kalkulim i ftohtë, i djallëzuar dhe i pafalshëm.
Koha për të vepruar si qytetar, jo si Saliu dikur
Rama sot ankohet për pasojat e një krize që e ka mbjellë vetë me arrogancë, kapje shteti dhe shkatërrim të çdo mekanizmi demokratik. Në vend që të luajë rolin e viktimës apo të ndjekë hapat e historisë së zezë të vitit ’97, ku paraardhësi i tij i barrikaduar preferoi zjarrin përpara përgjegjësisë, sot kërkohet pjekuri shtetërore.
Nëse Rama do me të vërtetë të ndalë dhunën, të parandalojë zjarrvënien e mëtejshme dhe të shmangë përshkallëzimin e situatës, ai nuk ka nevojë për poezi mbi gërmadha. Ai duhet të sillet si një qytetar me përgjegjësi publike. Të japë dorëheqjen dhe ta shkojmë sërish në zgjedhje.
Çdo ditë që ai qëndron i kapur pas karriges duke përdorur policinë si spektatore dhe oligarkët si “viktima”, provon vetëm një gjë. Se lotët e tij mbi ato gërmadha nuk janë për qytetarët, por për pushtetin e tij që po shembet në hipokrizi.
DITA
