Provimi i vlerësimit të arritjeve për arsimin fillor do të zhvillohet në maj. Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka miratuar udhëzimin në të cilin përcakton datën 22 maj, si afatin kur të gjithë nxënësit e klasave të pesta, do t’i nënshtrohen provimit kombëtar për vlerësimin e njohurive të fituara në arsimin fillor. Edhe për këtë vit, testi do të ketë në përmbajtje pyetjet rreth njohurive të fituara në tre lëndët kryesore, siç: janë Matematika, Gjuha shqipe dhe Dituria e natyrës. Për nxënësit grekë dhe maqedonas, bëhet e ditur se pjesa e testit që përfshin lëndët e matematikës dhe diturisë së natyrës do të jetë në gjuhën e tyre amtare.
“Vlerësimi i arritjeve të nxënësve të arsimit fillor nis në orën 10:00, dhe do të zgjasë 1 orë e 30 minuta deri në përfundimin e tij. Nxënësit duhet që të paraqiten një orë përpara në ambientet ku do të zhvillohet provimi. Për nxënësit që janë me aftësi të kufizuara, provimi do të zhvillohet në përshtatje me programin e tyre mësimor me të cilin punojnë, veçoritë dhe nevojat e tyre. Ndërsa Instituti i nxënësve që nuk shikojnë e tërheq testin në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit një ditë përpara zhvillimit të vlerësimit të arritjeve të arsimit fillor, dhe duhet ta kthejë atë në sistemin e shkrimit Brail. I gjithë procesi i provimit do të monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar”, saktësohet në udhëzimin e shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Në ndihmë të nxënësve dhe mësuesve, tashmë është shpallur edhe programi orientues se si do të jetë ky provim, kompetencat dhe tematikat që do të jenë pjesë e testit për secilën nga lëndët. Vlerësimi i njohurive dhe i shkathtësive të kompetencave gjuhësore do të bazohet në parimin se të zotërosh njohuri dhe shkathtësi në lëndën e gjuhës shqipe do të thotë të jesh në gjendje t’i demonstrosh ato në tekste të ndryshme letrare dhe jo letrare, si dhe në situata të jetës së përditshme. Ndërsa për vlerësimin e shkathtësive dhe të njohurive të kompetencave matematikore duhet të mbahet parasysh zbatimi i tyre nëpërmjet modelimeve, arsyetimeve dhe zgjidhjes problemore në situata të thjeshta për nivelin bazë, si dhe modelimeve, arsyetimeve, zgjidhjes problemore dhe interpretimeve në situata më komplekse për nivelet më të larta. Vlerësimi i shkathtësive dhe i njohurive të kompetencave shkencore duhet të marrë në konsideratë aftësinë e nxënësve për të zbatuar njohuritë shkencore në jetën e përditshme dhe për t’i reflektuar në mënyrë kritike këto përvoja.
Struktura se si do të jetë testi
Testi është i përbërë nga tri pjesë, të cilat përfshijnë lëndët: Gjuhë shqipe, Matematikë dhe Dituri natyre. Është përcaktuar edhe pesha që do të ketë secila lëndë në numrin e pyetjeve të testit. Kështu, pyetjet rreth njohurive të gjuhës shqipe do të kenë rreth 45 për qind të përmbajtjes së testit, ato të matematikës 35 për qind, si dhe të diturisë së natyrës 20 për qind. Në tabelat në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar edhe tematikat së bashku me peshën që do të kenë në përmbajtje finale të testit.
“Përmbushja e kompetencave lëndore nga ana e nxënësve arrihet nëpërmjet tematikave për secilën nga lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe dituri natyre. Këto tematika janë bazë për të ndërtuar njohuri, shkathtësi dhe qëndrime e vlera. Për secilën tematikë apo kompetencë është paraqitur pesha që zë secila prej tyre kundrejt orëve totale në zhvillimin e njohurive dhe rezultateve të të nxënit që duhet të demonstrojë nxënësi në përmbushjen e kompetencave gjuhësore, matematikore dhe shkencore”, bëjnë me dije autoritetet e arsimit.
Llojet e pyetjeve që do të jenë në test do të jenë të tilla, si: pyetje me alternativa (përzgjedhje e alternativës së saktë nga 4 alternativat), me kombinime (me çiftim, pyetje me përzgjedhje konceptesh apo simbolesh, pyetje me plotësimin e vendeve bosh me informacionin e duhur nga një përkufizim apo proces, pyetje me zëvendësim, zëvendësimi i një zgjidhje me të ngjashmen e saj, pyetje për modelimin e situatave nga jeta reale në një situatë matematikore ose nga shkenca. Pyetje me përgjigje të shkurtër ose me plotësim. Gjithashtu do të ketë edhe pyetje subjektive me përgjigje të kufizuar, pyetje subjektive me përgjigje të zgjeruar, si dhe pyetje që vlerësojnë vlefshmërinë e zgjidhjes së një situate problemore.
Arsimi bazë
Arsimi bazë i detyruar synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t’i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare. Nxënësi mund të ndjekë arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç. Arsimi bazë është i njësuar. Institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Shtetasit që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të shkurtuar. Arsimi bazë përbëhet nga dy cikle: Cikli fillor, (klasa I-V) dhe Cikli i mesëm i ulët, (klasa VI-IX). Arsimimi i nxënësve me aftësi të kufizuar bëhet në shkolla speciale, në klasa speciale brenda shkollave normale ose të integruar në klasa normale.
