Pas dy humbjeve radhazi në derbin kundër Tiranës me rezultatin 3-0, Partizani është ‘hakmarrë’ duke fituar 0-2 në derbin numër 210-të mes tyre në histori.
Sfida e raundit të 15-të për Superligën, e cila u zhvillua në stadiumin ‘Air Albania’ këtë të dielë, foli për “Demat e Kuq” të trajnerit Oltjon Kërnaja, ndërsa bardheblutë nuk bënë asnjë goditje në portë duke treguar se kriza është ulur këmbëkryq në klubin më të titulluar në vend.
Nuk mund të kishte “dhuratë” më të keqe për trajnerin Ardian Nuhiu të Tiranës se kjo humbje në ditëlindjen e 46-të, me ekipin që mbetet në kuotën e 7 pikëve në vendin e fundit të renditjes. Fitorja e vetme e Tiranës këtë sezon është ajo kundër Partizanit (0-3) në derbin e fazës së parë.
NDESHJA – Me afro 7 mijë tifozë në stadium, sfida u zhbllokua shpejt. Pas vetëm 7 minutave lojë ishte Human që kaloi Partizanin në epërsi, ndërsa Tirana nuk kishte forcën për të reaguar.
Në pjesën e dytë, tre minuta pasi u fut në lojë, Xhuliano Skuka (66 minutë) shënoi golin e qetësisë për “Demat” me prekjen e parë të topit. Tirana nuk gjeti forcën e reagimit dhe ndeshja u mbyll 0-2 për të kuqtë.
Në 210-të ndeshje në historinë mes tyre, Partizani gjen fitoren e 83-të, 65 sfida mes tyre janë mbyllur në barazim, ndërsa 62 fitore janë për Tiranën.
Renditja – Pas javës së 15-të, Partizani me 20 pikë mbetet në vendin e gjashtë, ndërsa Tirana me vetëm shtatë pikë mban vendin e fundit duke konfirmuar sezonin më të dobët në historinë 105-vjeçare të klubit.
Komentet e ndeshjes:
90+4′ Mbyllet 0-2 ndeshja në ‘Air Albania’.
90′ Katër minuta shtesë.
69′ Tension në fushë mes dy kapitenëve Atanaskoski dhe Haxhiut. Qetësohen gjakrat pasi kryesori Juxhin Xhaja i ndëshkon të dy me karton të verdhë.
66′ GOOL! Xhuliano Skuka shënon golin e dytë për Partizanin. Sulmuesi gjen golin e parë këtë sezon, në prekjen e parë pas futjes në këtë ndeshje.
63′ Isgandarli shënon për Partizanin, por goli anulohet për pozicion jashtë loje.
62′ Rrok Toma del nga fusha, Partizani aktivizon Skukën në sulm.
46′ Pjesa e dytë nis me ndërrime te dy skuadrat. Fernandez futet në fushë te Tirana, Tare mbetet në dhomat e zhveshjes. Kote del nga Partizani, Gudjufi në fushë.
45+2′ Mbyllet pjesa e parë, Tirana 0-1 Partizani në stadiumin ‘Air Albania’.
45′ Dy minuta shtesë.
42′ Janjeva i ‘Demave’ merr karton të verdhë.
41′ Toma i Partizanit ndëshkohet me karton të verdhë.
31′ Mbajtja e topi 50 përqind me 50 përqind deri në këto momente.
30′ Janjeva përplaset kokë më kokë me Taren, merr ndihmën mjekësore dhe vijon lojën.
7′ GOOL! Pas vetëm shtatë minutash, Rowan Human ka shënuar golin e parë të derbit. Partizani merr epërsinë 0-1 në derbi.
1′ Nis ndeshja me topin e parë të shkelmuar nga bardheblutë.
Pas 14 ndeshjeve të luajtura, Tirana me vetëm 7 pikë mban vendin e fundit në renditje dhe fitoren e vetme të sezonit e ka pikërisht kundër Partizanit në derbin e fazës së parë. Partizani nga ana tjetër me 17 pikë mban pozitën e gjashtë, me nëntë pikë më pak se kryesuesit e AF Elbasanit.
Formacionet zyrtare:
Tirana: Tafas, Vera, Basilio Ndong, Dembele, Rafa Silva, Haxhiu, Valerianos, Tare, Vogli, Tabekou, Meta
Partizani: Qirko, Atanaskoski, Janjeva, Bytyçi, Ismaili, Isgandarli, Human, Kote, Toma, Marku

Para Partizan!
Tiranes i ka mbetur vetem baletaxhia i ansamblit Mugjeni!?
Keta trapat e “Tironës” jane tifoza të Doktor Rrumpallës, si Skarypioni, prandaj nuk u ecën. Duan të hiqen si gangstera e huliganë.