Një ngjarje e rëndë që ka tronditur SHBA-në u zbulua në Grand Haven Township, Miçigan. Një familje e tërë prej tetë anëtarësh është gjetur e pa jetë brenda shtëpisë së tyre të përfshirë nga flakët.
Zyra e Sherifit të Qarkut Ottawa dhe hetuesit e policisë shtetërore konfirmuan se bëhet fjalë për një vrasje të shumëfishtë të ndjekur nga vetëvrasja (murder-suicide).
Sipas autopsisë zyrtare, 47-vjeçari Kristopher Karolkiewicz qëlloi për morte me armë zjarri bashkëshorten e tij, Amanda “Mandy” Karolkiewicz, 39 vjeç, si dhe gjashtë fëmijët e tyre të moshave nga 5 deri në 15 vjeç, përpara se të kryente vetëvrasje.
Pasi ka vrarë familjen, ai i ka vënë zjarrin shtëpisë në disa pika të ndryshme për të mbuluar ngjarjen. Nga tymi dhe flakët humbën jetën edhe kafshët shtëpiake të familjes.
Viktimat dhe dinamika e ngjarjes
Flaka dhe tymi në banesë u spikatën nga fqinjët, të cilët njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës. Me të hyrë në shtëpi, zjarrfikësit zbuluan trupat e pajetë të të gjithë anëtarëve të familjes, disa prej të cilëve u gjetën në dhomat e tyre të gjumit.
Fëmijët e mbetur të vrarë janë katër djem (të moshave 15, 12, 11 dhe 5 vjeç) dhe dy vajza binjake 11-vjeçare. Katër prej fëmijëve ishin biologjikë dhe dy prej tyre ishin të adoptuar.
Amanda Karolkiewicz punonte si mësuese zëvendësuese në shkollat publike të zonës dhe njihej nga komuniteti si një grua me empati dhe e përkushtuar ndaj nxënësve. Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Kristopher, kishte punuar si zëvendëspresident i shitjeve në një organizatë kombëtare shëndetësore, por marrëdhënia e tij e punës kishte përfunduar vetëm pak javë përpara ngjarjes.
Detajet e zbuluara nga hetimet
Ndërsa policia vazhdon hetimet për të përcaktuar me detaje të gjithë kronologjinë e ngjarjes, në media kanë dalë në dritë edhe dëshmi mbi tensionet e brendshme familjare. Postime të kaluara të viktimës në rrjete sociale dhe platforma online tregonin se marrëdhënia bashkëshortore kishte kaluar përmes krizave të thella dhe problemeve të besimit.
Zyrtarët lokalë dhe komuniteti i Grand Haven e kanë përshkruar ngjarjen si një “humbje shkatërruese”, ndërsa shkollat e zonës kanë vënë në dispozicion shërbime të këshillimit psikologjik për nxënësit dhe stafin e tronditur nga tragjedia.
m.a. / dita
