Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së mërkurës qytetin e Nju Jorkut, ku një ndërtesë tregtare-banimi trekatësh u shemb në zonën e Flatbush në Brooklyn. Si pasojë e katastrofës, autoritetet lokale kanë konfirmuar deri më tani humbjen e jetës së dy personave, ndërsa të paktën 17 të tjerë kanë pësuar lëndime, katër prej tyre në gjendje kritike.
Ndërtesa u shemb papritur rreth orës 16:00, duke u shembur brenda një kantieri ndërtimi ngjitur. Ekipet e emergjencës dhe qindra zjarrfikës të Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut (FDNY) janë angazhuar në një operacion gjigant dhe tejet të rrezikshëm kërkim-shpëtimi mes gërmadhave.
Komisionerja e FDNY, Lillian Bonsignore, e ka cilësuar operacionin si jashtëzakonisht të rrezikshëm për shkak të rrezikut të shembjeve sekondare nga ndërtesat fqinje të dëmtuara. Për kërkimin e personave që mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja, autoritetet po përdorin dronë, qen nuhatës, kova dhe kamionë me vakum.
Dyshimet dhe hetimet

I gjithë incidenti ka ngritur alarmin mbi sigurinë e punimeve që kryheshin në kantierin ngjitur. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, e ka quajtur ngjarjen një shembje shkatërruese, ndërkohë që Departamenti i Ndërtimeve dhe organet ligjzbatuese kanë nisur një hetim të detajuar për të zbardhur shkaqet e sakta të ngjarjes dhe për të përgjegjësuar autorët e mundshëm të neglizhencës.
Kërkimet për personat e tjerë të mbetur nën gërmadha vazhdojnë me intensitet të lartë, ndërsa komuniteti lokal mbetet i tronditur nga kjo tragjedi e papritur.
o.p. / dita
