Nga Pano Hallko
Botuar në DITA
Për afër katër vjet luftëra në dy pikat më të nxehta Ukrainë dhe Palestinë, kanë rënë gjithë përkufizimet mbi luftën, që kemi mësuar dhe njohur.
Më së pari ra përkufizimi që e përcaktonte luftën, si… “vazhdim i politikës, me mjete të tjera”. Vërtet, cila është “politika”, e cilat janë “mjetet”?
Ka pasë ekzistuar shprehja: -“Kur vritet një njeri, është vrarë gjithë njerëzimi”. DËNGLA! Po që nga fillimvitet `90-të e deri sot, që po arrijnë miliona të vrarë, çfarë po bën “njerëzimi”? A është ende gjallë?
Gjasme analistët dhe gjasme intelektualët e Tiranës, vazhdojnë e lëpijnë si karamele këto shprehje koti, saqë të vjen ndot t`i dëgjosh…
Ndër pak gjërat që nuk kanë ndryshuar, është fakti se thellë në rrënjën e luftërave, qëndrojnë fetë. Madje edhe brenda të njëjtit “besim”, si në rastin e Ukrainës…
Njerëzimi (nëse ende mund të quhet kështu), ndjek nëpër kanale televizive në kohë reale, bombardime të lagjeve të varfëra, të spitaleve publike dhe të shkollave publike. Njerëzit, shikojnë skelete njerëzorë në kuptimin e plotë të fjalës, që mbajnë në duar tenxhere të vogla me bisht të gjatë, për ndonjë lugë supë, ose në rastin më të mirë mos gjejnë ndonjë copë bukë.
Shikojnë nëna që nuk kanë ujë për të hedhur në biberonët e foshnjave, e çfarë nuk shikojnë. Fëmijë, brinjët dhe vertebrat e të cilëve numërohen “live”, nën lëkurën e holluar si letër cigareje. Edhe në ndonjë rast fatlum, kur makinave të Kryqit të Kuq botëror iu lejohet të futen në Rripin e Gazës, sapo fillon ndarja e ndihmave, “krejt rastësisht” mbi kokat e tyre lëshojnë predha helikopterët që fluturojnë në 10 metra lartësi, për t`i goditur në kokë.
Për furnizim me energji dhe me ujë, nuk bëhet fjalë, sepse flitet për një racë njerëzore të dorës së katërt, e cila nuk duhet t`i ketë këto.
Propaganda e ndyrë në kohë paqeje (kudo në botë), bëhet edhe më e ndyrë në kohë lufte. Aq më tepër në një luftë, kur njëra palë, ka vendosur të zhdukë me gjithësej palën tjetër. Megjithatë, edhe informatat “më entuziaste”, raportojnë se në Gaza futen nën dhé për çdo ditë “që ka falur zoti”, plot njëzetë e tetë fëmijë. Domethënë, zhduket një klasë e shkollës fillore. Sepse mësuesit, ka kohë që janë vrarë.
Shihen çdo ditë njerëz që përkulen duke ulëritur mbi thasë plasmasi të bardhë, brenda të cilëve duket qartë kufoma njerëzore.
Më datën 2 gusht, Hamas-i tregoi para kamerave izraelitin 24 vjeçar Evgjiatar Davidi të zënë rob, teksa po hapte një gropë të cekët. Edhe ai, skelet i gjallë. -“Edhe robërit, vuajnë nga uria, se nuk kemi ushqime”-nënvizonte Hamas-i!
OKB (kush e pyet këtë?!?) dhe Programi botëror i furnizimit me ushqime në raste fatkeqësish, deklaruan para pak ditësh:-“Paralajmërojmë një shfarosje tërësore të popullatës, nga uria dhe sëmundjet, për të cilat deri tani nuk është folur”.
Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”, publikoi një pamje nga fotografi palestinez Anas Zajed Ftejha, e cila tregon një fëmijë me dëmtime nervore, çka tregon për gjendjen e tij trupore.
Kur po shkruheshin këto radhë, Ministria e Shëndetësisë së Gazës, raportonte se në harkun e 18 orëve, ishin vrarë “vetëm” 138 njerëz. E nga këta, “vetëm” 67 njerëz u vranë duke qëndruar në radhë për marrë ndihma…
Qeveria e Izraelit ka ndaluar rreptësisht hyrjen e gazetarëve të huaj. Përfaqësuesi i Organizatës së Gazetarëve pa kufij, zoti Kristofer Res, paralajmëron: “Kur gazetarët stigmatizohen si propagandistë, janë në rrezik. Madje shumë prej tyre, kërcënohen hapur për jetët e tyre”.
Lidhja e Gazetarëve gjermanë (DVJ) deklaroi më 5 gusht: “Gjithë palët ndërluftuese-doemos Izraeli, i përdorin figurat për të sensibilizuar opinionin publik. Pyetja nuk shtrohet nëse fotografitë tregojnë të vërtetën, por cilën të vërtetë tregojnë”?…

DY DËSHMORËT E PARË…
Sado e pamundur të duket kjo, dy dëshmorët e parë ndër dhjetëra mijë fëmijë, ishin Omeri dhe Omari. Ata ishin bashkëmoshatarë, katër vjeçarë.
Omer Siman Tov u lind në pjesën që Izraeli ka pushtuar me kohë, e Omari në atdheun e të parëve të tij ndër shekuj, në Rripin e Gazës. Të dy, njësoj të pafajshëm dhe të çiltër si mosha që kishin. I vetmi “ndryshim”, ishte se u vranë katër ditë njëri pas tjetrit. Omeri u vra më datën 7 tetor në kibucin “Nir Oz” kur terroristët sulmuan, e Omari më datën 11 tetor, kur nisën bombardimet izraelite.
Omari u vra nga bomba në oborrin e shtëpisë së tij, duke luajtur me një kukull, e cila ishte një “djalë i gjatë e i bëshëm”…
Kishin të njëjtat ëndrra, edhe pse me cinizmin “perëndimor”, Omar Bilal al Bana palestinez, nuk do duhej të kishte ëndrra. Fotografitë flasin vetë, edhe pse propaganda izraelite shkruante ato ditë, se në çarçafin me të cilin transportohej Omari i vrarë, “nuk ishte fëmijë, por ishte kukull”…
Megjithatë, askush nuk e mendonte ato ditë, as mendjet më të errëta të botës, se në atdheun e Omarit, do varroseshin për çdo ditë “që ka falur zoti” e kaq kohë, 25-28 fëmijë.
Pra, do ketë bota një listë me qindra mijë fëmijë dëshmorë, me këtë “ritëm” që po ecet…
Presidenti amerikan sa i takon luftës në Ukrainë, edhe pse përpiqet ta pushojë, është “i qetë”. Sepse ajo luftë, është tekefundit “lufta e Bajdenit”… Kurse për këtë luftën në Gaza, ai pati një ide origjinale që e gjithë popullata të largohej, deri sa aty të përfundonte ndërtimi i grataçelave.
Mesa duket, largimin tërësor të popullatës nga faqja e atij dheu, do ta realizojë Izraeli. Por në një mënyrë tjetër, duke i varrosur të gjithë, pa asnjë përjashtim.
VETË HEBRENJTË, KUNDËR!
Gjashtëqind intelektualë hebrenj, shumë gjeneralë dhe ushtarakë të niveleve të ndryshme, por edhe ish shefa të shërbimit sekret izraelit, më saktë një pjesë e tyre që kanë vrarë njerëz pa fund në Palestinë, dhanë e japin dorëheqjet edhe këto ditë, për të ndaluar lumenjtë e gjakut, “për të ndaluar vuajtjet e njerëzve”-i drejtohen presidentit të Amerikës.
Në pamundësi që të bindin Netanjahun, i drejtohen atij. Letra mban datën 1 Gusht, por shqiptarët e kastruar e publikuan pjesërisht, vetëm një javë më pas. Në media, asnjë fjalë!
“I dashur Z. President, Ndaloni luftën në GAZA! Në emër të CIS (komandantët për sigurinë e Izraelit), grupit më të madh të ish gjeneralëve të IDF (forcat e mbrojtjes së Izraelit) dhe Mossad, Shin Bet, Policisë dhe trupit diplomatik, ju inkurajojmë t`i jepni fund luftës në Gaza. Ju e bëtë këtë në Liban. Është koha për ta bërë, edhe në Gaza.
IDF ka përmbushur dy objektiva afatgjatë që mund të arriheshin me anë të forcës: shpërbërjen e formacioneve ushtarake dhe qeverisjes të Hamasit. E treta dhe më e rëndësishmja, mund të arrihet vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje: Kthimi i pengjeve në shtëpi.
Në gjykimin tonë profesional, Hamasi nuk përbën më një kërcënim strategjik për Izraelin. Përvoja jonë na tregon se Izraeli ka gjithçka që duhet, për t’u përballur me çfarë terroriste ka mbetur prej tij. Në distancë, ose ndryshe.
Ndjekja e drejtuesve të mbetur të Hamasit mund të bëhet më pas. Pengjet nuk mund të presin më.
Besimi i shumicës dërrmuese të izraelitëve tek personi juaj, jua mundëson ndikimin tuaj te Kryeministri Netanyahu dhe te qeveria e tij, për ta orientuar në drejtimin e duhur: T’i jepni fund luftës, të ktheni pengjet, të ndaloni vuajtjet e njerëzve dhe të krijohet një koalicion rajonal-ndërkombëtar që ndihmon Autoritetin Palestinez (pasi të reformohet), t`i ofrojë Gazës dhe gjithë palestinezëve, një alternativë ndaj Hamasit dhe ideologjisë së tij të egër.
…Letra u nënshkrua nga 600 personalitete, përfshirë anëtarë të lartë të Komandantëve për Sigurinë e Izraelit (CIS), përfshirë ish-drejtorin e Mossadit Tamir Pardo, ish-kreun e Shin Bet Ami Ayalon, ish-komisionerin e Policisë Izraelite Assaf Hefetz dhe ish-zëvendësshefin e Shtabit të IDF-së Matan Vilnai”…
Shumë prej këtyre, kanë vrarë palestinezë sa u ka ngrënë krahu, por ardhëka një ditë, që edhe kriminelët, i zë gjaku…
ZGJIDHJA QË MBETI NË MES…
Kur po mbyllej shekulli i 19-të, Rabini më i respektuar në Europë Zhadok Kan, trokiti në derën e bankierit më të fuqishëm të kohës, të baronit gjermano-hebre Moris de Hirs. Kryerabini, duke parë përndjekjet ndaj komunitetit hebraik jo vetëm në Francë, por edhe por edhe në gjithw Europën, i paraqiti një plan bankierit për të sistemuar hebrenjtë në Argjentinë.
Kundërshtari më i egër i rabinit, ishte “babai i sionizmit” Teodor Hercl, njëri nga personalitetet më të dyshimtë të historisë së hebraizmit. Dhe ky e konsideronte planin e Kan-it, si “shumë të shtrenjtë” që të realizohej.
Gazetari sionist Hercl, gjithnjë e vlerësonte si variant të përkryer drejtimin e hebrenjve në Palestinë, qoftë edhe me koston e përzënies së vendasve arabë.
Megjithatë Hirs-i i fuqishëm në vitin 1891 e krijoi Bashkimin e Kolonive Hebraike, nga ndërmarrjet më njerëzore në gjithë botën, sa i takon motivit të ndërtimit të tij.
Realisht ajo qendër lehtësonte emigrimin e përbashkët të hebrenjve të Rusisë dhe të Europës lindore, duke i sistemuar në vendbanime të gatshme, me toka të begata, të cilat i bleu hebreu i shquar, Moris de Hirs.
Kryerabini Zandok Kan, frymëzuesi i transferimit të hebrenjve planifikonte toka të begata në Amerikën veriore (Kanada dhe ShBA), e në Amerikën jugore (Argjentinë dhe Brazil).
Kur vdiq hebreu i shquar Hirs në vitin 1896, bashkimi i komunitetit izraelit, kishte blerë një sipërfaqe toke sa trefishi i Rripit të Gazës, pra 1000 kilometra katrore tokë, ku jetonin mijëra familje hebreje, të njohur si “Hebrenjtë ngauço”.
Në vitin 1920 në Argjentinë banonin 150.000 hebrenj, kurse mbas luftës së dytë botërore, aty numëroheshin plot 400.000. Mbas themelimit të shtetit izraelit në vitin 1948, shumë prej tyre u detyruan të shkojnë atje.
Në fakt, ata zgjodhën mes paqes në të cilën jetonin dhe pasurisë, këtë të dytën.
NJË HERË E MIRË!
Në një mbledhje të këshillit të sigurisë që zgjati 10 orë, Netanjahu paraqiti planin e tij për pushtimin tërësor të Rripit të Gazës, duke përzënë një milionë banorë vendas prej andej, me qëllim që të “zhdukë” Hamas-in.
Plani parashikon rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, zhvendosjen e një milionë njerëzve popullsi civile, drejt jugut të Palestinës. Pastaj, siç deklaroi një funksionar i lartë izraelit në gazetë, ushtria “do shkatërrojë bunkerët terroristë brenda qytetit, e do vazhdojë operacione që do shtrihen në qendrat ushtarake të të ikurve që gjenden në qendër”.
Shefi i shtabit të Përgjithshëm Ejal Zamir shprehu kundërshtinë e tij sa i takon pushtimit tërësor të Gazës, duke paralajmëruar se “një lëvizje e tillë do rrezikonte jetët e robërve, por edhe do kishte efekt mbi popullsinë e pa armatosur”.
-“Do vazhdojmë të shprehim pikëpamjet tona pa frikë, me objektivitet, pavarësi dhe profesionalizëm. Këtë kërkojmë edhe nga eprorët tanë. Përgjegjësia është këtu, mbi këtë tavolinë. Në fund do zbatojmë vendimet që do marrë Këshilli i Sigurisë-përfundoi shefi i shtabit, sipas “Jerusalem Post”…
Kurse një funksionar i lartë amerikan, i cili nuk preferoi identifikimin, i pyetur nga e njëjta gazetë, nëse qeveria e Trampit e mbështet këtë lëvizje, si “i pa anshëm që është”, u përgjigj: -“Është Izraeli ai, që do vendosë se çfarë i duhet të bëjë, për sigurinë e tij” …
Mesa duket, ekzistenca e Hamas-it është e domosdoshme për Netanjahun. Sepse zhdukja e Hamas-it sjell zhdukjen politike të tij. Besoj tani e tutje, dikush tjetër do jetë “e dashura” e Izraelit. Një tjetër “organizatë terroriste” e cila do ketë cilësi shtesë. Që do jetë islamike dhe terroriste, e cila do zëvendësojë Hamas-in. Hamas-in, të cilën Izraeli e mbështeti që nga vitet `80-të të shekullit të kaluar, e deri më 6 Shtator të vitit 2023…
Që nga viti 1967, sa herë ka ndërmarrë masakra, pogrome dhe gjakderdhje të pafajshme, politika izraelite ka pasë deklaruar në mbledhjet e mbyllura: -Të futemi, njëherë e mirë”!
Por mesa duket, pas 23 muajsh masakrash në Gaza, tani vendosi ta realizojë praktikisht. Dhe do të vriten e do zhduken nga faqja e dheut vetëm ata, të cilët NUK e vranë Krishtin…
Po bota, pa lere ajo “perëndimore, çfarë po bën? Bota vazhdon të fërkojë barkun, me gjithë ato “organizma sigurie” e me gjithë ato “institucione” që ka. Sepse janë hedhur në koshin e plehrave shumë Rezoluta të OKB-për njohjen e dy shteteve, por ajo është katandisur si “avokati i popullit” në Shqipëri. Madje më keq, sepse kryetarin e saj zotin Guterre, zoti Netanjah, e ka shpallur “non grata”.
Gjykata ndërkombëtare e ka akuzuar kryeministrin izraelit për krime kundër njerëzimit, por “nuk e kap dot”. Ashtu siç “nuk po kap dot”, edhe Vladimir Putinin…
—-
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Luftra bazen e kane te ekonomija.Mbreti i fuqishem sulmon vendet me eknomi te forte,per ta vjedhur komshine.Luftrat jen bere edhe kur ishin te gjithe pagane.Mos i ngaterro fete nder shkaqet e luftrave.Paraja eshte nena e konflikte,edhe brenda familjes.
Nje analize e shkelqyer nga nje profesionist politolog mjaft i njohur me botimet e tij mjaft interesante, sidomos per njerezit e medias, politikes dhe misionaret e fese! Faleminderit profesor pano per analizen tuaj kaq koncize plot shpirt human. Per fat te keq mediat dhe politikanet ne Shqiperi heshtin ose u servilosen agresorve te zhytur ne gjak-
Imperialisteve dhe sionisteve !
Nje analize me komente dhimbserore.Nje drame njerzore qe Netanjahu i akuzuar per krime kunder njerzimit nga gjykata nderkombetare dhe nga ajo e Izraelit per korrupsion dhe krim ekonomik duhej te ishte arrestur,por e shpetoi Trampi.
Eshte nje genocid njerzor qe nuk mund ta shprehesh,nje terror i gjithanshem .OKB dhe OSB dhe te tjera me te vogla se ato ekzistojne formalisht.
Shkrime me kaq vlera njerzore dhe shpirterore bejne thirrje ,alarme se duhet te ndalet cdo lufte qe vret njerzit e pa fajshem, te denohen dhe ekzekutohen hitlerianet qe pa na shfaqen kaq ashpersisht.
Hajro Limaj
Pano, miku im, me këtë shkrimin tënd, më sjell ndërmend fabulën e thjesht të “Mbretit Lakuraç”, edhe pse ti je “fëmij” i rritur tashmë!!!!
Të gjithë e shohin, ju përplaset e keqja në fytyrë çdo ditë, dhe heshtin. Heshtin se janë interesa financiare në mes. Heshtin se ndryshe, ju vendosen tarifa 25%, 35% e si ti teket.
Të jesh mirë, Pano, se ty nuk ka kush të vendos Tarifa!!
Nuk ke çfarë të shtosh. ka thënë të vërtetën. Tani e di që do dalë dikush këtu të na kujtojë Kosovën. Por për njerëzit e ndershëm e vërteta dhe e drejta janë më të rëndësishme se interesi. Palestina është vënë nën një pushtim mizor nga shteti terroristo/sionist izraelit. Amerika e Trumpit veç i bindet Izraelit, ndërsa Europa e kthen vështrimin nga ana tjetër.
Nuk vihet në diskutim e vërteta e atyre që shkruan Pano Hallko , me ndonjë ekzagjerim , po të marrim parasysh që të dhënat e vrasjeve , shkatërrimeve dhe pasojave të tjera , jepen si informacion nga Hamasi , ai qeveris në Gazë . Para gati 15 vjetësh , çfarë ndodhi ? Ndryshe nga pjesa tjetër e Palestinës , Rripi i Gazës u shkëput nga trungu , nga pjesa tjetër e territoreve palestineze dhe votoi Hamasin , organizatë terroriste e cilësuar kështu nga SHBA-të, BE-ja dhe disa shtete të rëndësishme islamike , e ushqyer dhe e mbështetur nga Irani , por me qëndime të lëkundura edhe nga Turqia . Hamasi nuk pushoi kurrë së bombarduari Izraelin me drone dhe predha Khazim( qazim) të cilat Izraeli I neutralizonte lehtësisht dhe kundërpërgjigjej me ndonjë bombardim sporadik . Ndërkohë Hamasi nuk pushoi kurrë së hapuri tunele me qëllime e një largpamësi proverbiale . Mos harrojmë që programi numur një i Hamasit , ishte dhe është , zhdukja e Izraelit nga Lindja e Mesme , pra, nuk njihte fare një shtet Izraelit . Ai popull i gazës që votoi Hamasin , nga rradhët e atij populli që sot po masakrohet , kanë dalë terroristët e qeveritarët e Hamasit , nuk ranë nga qielli . Populli i gazës ishte ai që ndërtonte tunelet e nëndheshme , nuk punonin me lopata terroristët e Hamasit . Dhe e keqia më e madhe është , për ironi të fatit , që Evropa e Amerika , ndihmonin me fonde të posaçme popullin e gazës nëpërmjet disa organizatave jo fitimprurëse , që vareshin nga OKB-ja , por që kishin përfunduar me kohe bashkëpuntorë të Hamasit dhe dollarët e eurot e ndihmave , përfundonin në dorë të Hamasit , që i përdorte për të hapur tunele . Sipas një llogarie të specialistëve amerikanë , tunelet e Hamasit kanë kushtuar 11 miliard dollarë . Pavarësisht të gjithave sa më sipër , populli i gazës nuk është kaq i pa fajshëm sa ç’duket , por jo se e meriton këtë kalvar masakrash . Në Shqipëri , nuk i jepet ndonjë prioritet i madh problemit të Gazës dhe Israelit , sepse neve , duke qënë një vënd i vogël pa ndonjë peshë specifike të rëndësishme në skakierën internacionale , miq të Izraelit e të SHBA-ve , nuk e shikojmë me përparësi një problem kaq të madh të nivelit internacional , që duhet t’a zgjidhin fuqi të rëndësishme e shtete të mëdha , ku neve nuk na vjen rradha të përzihemi . Kjo është arsyeja pse Shqipëria nuk prononcohet hapur e me këmbëngulje për luftën e Gazës . Bën mirë , apo keq , kjo varet nga këndvështrimi i sejcilit . Megjithatë çdo gjë ka një fund . Edhe kjo luftë do të marë fund një ditë dhe të shpresojmë , që të sjellë marrveshje sa më të mira për të ardhmen .
Për Iriqin . Shtetet dhe organizatat terroriste nuk i përcakton Iriqi .
Ketu ne Britanine e Madhe ky quhet civilizimi judeo-kristian kurse Evropa dhe Amerika krenohen me kete civilizim.
E vertete por e dhimbshme, çfare po perjetojme, pavaresishte vendit, distances dhe kohes ku ngjarjet dhe situatat ne lidhje me konfliktet dhe luftrat zhvillohen, perjetimi emocional se bashku me dhimbjen jane prezent. Analiza, qe zoti Pano Hallkaj me fakte e pershkrime politiko-historike bene, fale dijeve e kurajos mendoj se jane dhe duhen marre ne konsiderate si nga klasa politike, ashtu dhe gjithe organizmat nderkombetare, per te bere te mundur paqen dhe bashkejetesen ne harmoni, pavaresishte besimit, ngjyres dhe vendndodhjes.
Interesant Dashi. Ti je një antikosovar i tërbuar, por e paske xhan Izraelin! Iriqi jep vetëm mendimin e tij dhe nuk pretendon të përcaktojë asgjë. Ndryshe ka 75 vjet që Izraeli shtyp dhe masakron popullin palestinez. Historia nuk ka filluar me sulmet e Hamasit, por që në vitin 1948, kur Izraeli dëboi 700 000 palestinezë nga trojet e tyre. 2.2 milionë palestinezët e Gazës janë pasardhës të shpërnguljes ato kohë e quajtur NAKBA! Ata 2.2 milionë banorë Izraeli i grumbulloi në 300 kilometra katrorë, duke krijuar kështu geton më të madhe dhe të pështirë në histori. 1 000 herë më keq se geto e Varshavês në kohën e Hitlerit. Dhe në fakt Izraeli po sillet me palestinezët ashtu siç u soll Hitleri me çifutët. Prandaj shumica e popujve të botës e urren sot shtetin sionist. Izraeli u ka grabitur deri më tani palestinezëve gjysmën e sipërfaqes ku ata kanë jetuar prej shekujsh. Nga ana tjetër dihet se pushtuesi dhe mbështetësit e tij quajnë terrorist gjithkënd që ngre kokë kundër okupatorit!
O iriq , mos ha fiq . Po ç’lidhje ka Kosova me Izraelin ? Kush të paska thënë ty , që qënkam një “antikosovar i tërbuar” ? Po si të mos jesh me Izraelin ? Pa kombin ebre , bota dotë ishte shekuj mbrapa . Nga gjithë nobelistit e deritanishëm , gati gjysma janë ebrej , nga një komb 7 milion banorë . Filozofe , mjekë , shkencëtarë të pa numurt kanë dalë nga ky popull dhe shpikjet , studimet e zbulimet më të mëdha të njerëzimit , janë pronë e ebrejve .
Sa për atë “antikosovar i tërbuar” , unë jam vetëm një anti Albin Kurti , por jo i tërbuar . Besoj se është e drejta ime si e kujtdo tjetër , t’a dojë , apo të jetë kundra Kurtit .
Është e vërtetë që çifutët i kanë dhënë shumë botës. Duke pasur parasysh edhe numrin e tyre relativisht të vogël. Por të gjithë i kanë dhënë diçka botës. Duke filluar nga Greqia e lashtë, Egjipti i faraonëve, Kina e dinastisë Ming, myslimanizmi, krishtërimi etj etj. Po për frymë njeriu krahasuar me popullsinë, çifutët janë të parët. megjithatë nuk duhet harruar se ata i kanë dhënë botës duke qënë si “shtegtarë” në tokë të huaj. Pra kanë gjetur një terren pjellor për të shprehur gjeninë e tyre. njëlloj si Nënë Tereza, Mira Murati, Dua Lipa etj. Në rast se këto do kishin ndenjur në vendin e tyre të origjinës, më e shumta do ishin bërë mësuese. Se ka të bëjë edhe niveli i vendit ku jeton. Unë nuk jam kundër popullit çifut. Por jam kundër politikës aneksioniste dhe sioniste të Izraelit. Me një fjalë jam për ekzistencën e dy shteteve në atë rajon: atij palestinez dhe atij izraelit. Qënia popull i zgjuar nuk justifikon krimet e shtetit izraelit. Njëlloj si qënia e racës ariane të zgjedhur nuk justifikonte politikën naziste të Hitlerit. Kaq.
I kanë dhënë botës , shkruan iriqi , Greqia e lashtë , Egjipti i faraonëve , Kina , myslymanizmi , kristianizmi etj . Që të jemi të sinqertë o iriq , të gjithë këta që përmënd ti , i kanë dhënë njerëzimit , me përjashtim të myslimanizmit, që e shpuri rrotën e historisë në ato vënde ku u përhap vetëm mbrapa . Vëndet myslymane , prej 1400 vjetësh , i kanë dhënë dhe i japin njerëzimit vetëm xhami e minare . Ekspansioni islamik në Persi (Irani I sotshëm) dhe në vendet arabe , solli errësirën islamike dhe kthimin e historisë mbrapsht, në një periudhe kur ato vënde ishin të lulëzua e të zhvilluara më lart se vëndet evropiane . Qysh atëhere , pra me konsolidimin e islamit , çdo gjë kaloi tek vëndet kristiane , çdo zbulim , çdo shpikje , çdo zhvillim I njerëzimit , është pronë e vëndeve kristiane . Prej 14 shekujsh , vëndet islame vazhdojnë të vegjetojnë nën komandën e një libri famëkeq , që të ndërhyn në jetën private , si të vishesh , çfarë të hash e çfarë jo , si të falesh në mënyrën më të shëmtuar të mundëshme , si të lesh mjekrën si Pejgamberi , si të marrësh nga 4-5 gra , qoftë edhe ndonjëra vajza e xhaxhait , si të martohesh me fëmijë 9-10 vjeçare , si të torturohen gratë duke i mbuluar me thes kokë e këmbë , si t’a përdorësh gruan si pronë vetjake, t’a rrahësh e torturosh , si t’a mbash mbyllur që të mos shofi dritën e diellit , si lopë vetëm për sex e për të pjellë , as punë e as zanat dhe kur del jashtë rigorozisht e shoqëruar me një mashkull , ngjan si fuçi nafte 200 litërshe. Ky është kontributi i myslymanëve për njerëzimin . Për të tjerat që ke shkruar pak a shumë qëndrojnë .
Irani,Hamasi,Hezbollahu dhe disa te tjere nuk njohin te drejten e Izraelit si shtet.Nga 1948 sa u themelua si shtet i hebrenjve u sulmua nga gjithe vendet fqinje arabe por u rezistoi,mbasi u sulmua edhe disa here te tjera,Egjipti,Siria,Libani,etj vendosen maredhenit me Izraelin.Irani i Ajatollaheve krijoi organizatat terroriste qe luftojne edhe sot.Gaza ka dhjetra vjet qe mbahet vetem me ndihma dhe Hamasi ne vend te zhvilloje ekonomine ndertoi rrjet tunelesh.Ne tetor 2023 me sulmin terrorist ku vrau pa dallim 1300 qytetare izraelite dhe mori qindra si pengje ai i shpalli nje lufte te rre Izraelit.Per ekzistencen e tij , ky u detyrua te hyje ne lufte.Palestinezet duhet te distancohen nga Hamasi,kete duhet te bejne.
Sul Pisqolla, mos u shtrengo shume o burre per kete mesele, sepse ata qe krijuan Izraelin, kane blere dhe Iranin, Hamasin e te gjithe Arabet ne nivele te larta qe qeverisin vendet e tyre. Bile Hamasin e krijoji Shin Bet dhe Mossad sa per sqarim. Po nuk e di kete, je thjesht i painformuar dhe i manipuluar nga propaganda. Te tjerat thjesht nuk ja vlejne qe te sqarohen e diskutohen, sepse eshte thjesht tallje dhe ofendim inteligjence.
OK , Sul Koburja !
Përgëzime autorit dhe kryeredaktorit!
Do duhej të them se është ndër analizat e pakta që kam lexuar.
Por për të qenë i saktë, është e Vetmja analizë për këto “Turpe të njerëzimit”, siç me të drejtë i quan autori luftërat në shekullin 21-të.
Ky nuk është thjesht një shkrim, apo përshkrim. Është një Akuzë Publike kundër luftënxitësve dhe kriminelëve që me gjakftohtësi, po shfarosin një popull të tërë.
E veçanta e këtij autori, është se përveç interpretimit me nervin e një gazetari të rrallë, e pasuron shkrimin edhe me historinë, shumë më përpara sesa sot, madje para shekullit të 20-të.
Fatkeqësia jonë qëndron në faktin se të tillë gazetarë i kemi tmerrësisht të rrallë. Ashtu siç është fatkeqësi e jona, që mendojmë se…”Është larg nesh, Lufta”.
Përgëzime Gazetës, që me shkrime të tilla e ve gishtin mbi plagë!
nuk ka me bot te lire ,per sa shba ndihmon izraelin