Pas paqartësive që shoqëruan përfundimin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste lidhur me “fatin” politik të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, numri dy i PS, Blendi Klosi ka dalë me një sqarim të ri, duke konfirmuar se Spiropali dhe Plarent nuk janë më pjesë e forumeve të Partisë Socialiste.
Fillimisht, Klosi deklaroi për mediat se Spiropali vijonte të ishte anëtare e Partisë Socialiste, çka krijoi përshtypjen se kërkesa e Edi Ramës për përjashtim ishte shtyrë.
Por me një deklaratë të re, Klosi ka sqaruar se qëndrimi i partisë është për largimin e Spiropalit dhe Ndrecës nga forumet, ndërsa anëtarësia e tyre në PS nuk vihet në diskutim.
“Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit për median ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia.
Fakti që nuk u votua në Asamble është shume i thjeshte. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë. Ky është fakti ndërsa të tjerat janë konsum mediash që mund ta mbulojnë diellin me shoshe vetëm që u bë natë”, deklaron Klosi.
Sipas informacioneve nga mbledhja, Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko kanë kundërshtuar përjashtimin e Spiropalit, duke argumentuar se Partia Socialiste duhet t’i zgjidhë mosmarrëveshjet brenda saj dhe jo përmes masave përjashtuese.
n.s. / dita
