Në çdo moment, në çdo orë, në çdo minutë, në çdo sekondë me qindra e mijëra persona rrezikojnë jetën si pasojë e aksidenteve, sëmundjeve, rrëzimeve, etj.
Të gjitha sistemet e Urgjencës Mjekësore në të gjithë botën kërkojnë të shpëtojnë jetën e qytetarëve dhe të parandalojnë invaliditetin. Por megjithatë, shumë raste janë të varura nga koha e mbërritjes së ekipit mjekësor në vendngjarje dhe ndaj është e rëndësishme të ndërhyhet menjëherë me dhënien e ndihmës së shpejtë.
Dhënia e kujdesshme e ndihmës së parë ka një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të personit që është lënduar.
Në vijim të shkrimit do të gjeni udhëzimet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, në lidhje me rregullat se si duhet të jepet ndihma e parë në rastet e frakturave (thyerjeve) deri në mbërritjen e ekipeve mjekësore.
- Shqyrtoni gjendjen e të lënduarit dhe telefononi 127. Duke pritur ekipin mjekësor, mos bëni asnjë lëvizje nëse dyshoni se ka thyerje të kockave të qafës, kokës dhe shtyllës kurrizore.
- Nëse thyerja është e hapur, pastrojeni lehtësisht plagën dhe mbulojeni me një garzë të pastër. Kur thyerja është bërë në kockën e parakrahut lidheni atë me një shall në qafë.
- Imobilizimi, bëjeni të palëvizshme pjesën e thyer me ndihmën e objekteve, psh, një copë dërrase, gazetë etj. Këto mjete vendosini sipër dhe poshtë pjesës së thyer. Lidhja e tyre bëhet me rrip dhe shall, por asnjëherë mbi vendin e thyer.
- Nëse personi ka thyer këmbën nuk duhet që ta lëvizni, por ta mbani në pozicionin që e gjetët. Mbështetni gjymtyrën e dëmtuar mbi gjithçka që ju gjendet, veshje të ndryshme, jastëkë, etj.
- Nëse personi ka thyer dorën, nxiteni atë që pjesën e dëmtuar ta mbështesë me dorën tjetër të tij, ose të përdorë mjete rrethanore që të ndalojë lëvizjet e panevojshme.
- Kontrolloni nëse i lënduari është ne gjendje shoku, uleni dhe lirojini rrobat. Mos ja ngrini lart këmbën nëse është e dëmtuar.
- Nëse dëmtimi ua lejon, ngrini pak këmbën mbi nivelin e zemrës, duke vendosur diçka të butë poshtë saj.
- Mos i jepni të lënduarit asgjë që të pijë apo të hajë, pasi kur të mbërrijë në spital mund të ketë nevojë për anestezi të përgjithshme. Qëndroni me të derisa të vijë ekipi mjekësor.
p.k\dita
