E ndërsa maturantët kanë nisur tashmë me përgatitjet për provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2023, autoritetet e arsimit kanë shpallur edhe udhëzimin final me rregullat e organizimit të tyre. Në udhëzimin e miratuar së fundmi nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, si dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, janë përcaktuar të gjitha rregullat se si do të organizohen dhe zhvillohen provimet e maturës së këtij viti, nga maturantët që përfundojnë shkollën e mesme të përgjithshme, ato të drejtimit artistik, shkollat e mesme profesionale, si dhe kandidatët që kanë mbaruar gjimnazin në vitet e shkuara, por që do të rikthehen në garë për të ndjekur studimet e larta.
Katër janë provimet që do të zhvillojnë maturantët edhe përgjatë Maturës Shtetërore 2023, ku bëhet fjalë për 3 provime të detyruara që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila është përzgjedhur sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MAS për çdo profil shkollor. Listën e detajuar të lëndëve që do jepen si provim me zgjedhje për maturën e këtij viti për secilin profil shkollor, e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.
Provimi i gjuhës së huaj për seksionet dygjuhëshe
Testi i provimit “Gjuhë dhe letërsi italiane” (Lingua e literatura italiana) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane do të përgatitet nga Ministria e Arsimit e Republikës së Italisë dhe dorëzohet në QSHA në afatin kohor të përcaktuar për këtë provim. Ky provim do të zhvillohet në datën 1 qershor 2023 dhe zëvendëson provimin e gjuhës së huaj (D3) për seksionet dygjuhëshe. Në notën e provimit do të përfshihet siç është parashikuar në Memorandum, edhe vlerësimi i zhvilluar në shkollë ne datën 1 qershor 2023 para një komisioni të ngritur nga palët. Ndërsa testi i provimit “Gjuhë frënge” (DELF 82 scolaire) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze do të përgatitet nga Ambasada Franceze dhe provimi zhvillohet në datën 26 maj 2023, në shkollat përkatëse.
Kohëzgjatja e provimeve dhe skema e vlerësimit
Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzim: “Provimet e Maturës Shtetërore do të fillojnë në orën 10:00. Çdo maturant do të ketë në dispozicion 2 orë e 30 minuta për të plotësuar testet e secilës lëndë që është pjesë e provimeve të maturës. Testet do të hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e shërbimeve Arsimore. Ndërkohë që testi i secilit provim do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë. Për të qenë kalues, maturanti duhet që të marrë detyrimisht 25 për qind të këtyre pikëve maksimale me të cilat vlerësohet testi. Kandidatët që do të rezultojnë mbetës në provimet e sezonit të muajit qershor, provimet do të mund t’i japin gjatë sezonit të vjeshtës.
Në ndihmë të maturantëve, të gjitha shkollat e mesme do të duhet të organizojnë konsultimet sipas një kalendari të përcaktuar, i cili do të miratohet edhe nga Zyrat Vendore të arsimit Parauniversitar. Tërheqja e testeve të provimeve të Maturës Shtetërore 2023 bëhet sipas grafikut të hartuar nga QSHA-ja dhe të miratuar nga Komiteti i Maturës Shtetërore 2023. Provimet kombëtare të Maturës do të zhvillohen në qendrat e provimeve të përcaktuara nga Komisioni i Maturës Shtetërore në zyrat vendore të Arsimit parauniversitar, mbështetur në rregulloren e Maturës Shtetërore.
Matura për shkollat profesionale
Po në të njëjtën formë do të veprohet edhe për zhvillimin e provimeve të shkollave të mesme profesionale. Për shkollat e mesme profesionale, provimet e detyruara do të zhvillohen në lëndët: “Gjuhë shqipe dhe letërsi”, “Matematikë”, “Gjuhë e huaj”, ndërsa lënda me zgjedhje do të jetë “Teori profesionale e integruar” sipas kualifikimit profesional që maturanti/kandidati ka ndjekur në shkollë.
Kandidatët që kanë marrë dëftesë pjekurie para vitit 2011 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë, t’u njihen provimet e detyruara ose provimet e njëvleftshme me to, të njësuara nga njësitë arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar. Këta kandidatë, në rastet kur nuk kanë dhënë provimin e Teorisë profesionale të integruar, ose e kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë të japin këtë provim, kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.
Masat ndëshkimore
Lidhur me masat ndëshkimore në rregullore përcaktohet se maturanti do të përjashtohet nga provimi kur konstatohet se: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”.
Po sipas rregullores, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisioni përkatës, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.
SI DO TË ORGANIZOHEN PROVIMET E DETYRUARA
- Provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të provimeve të detyruara (Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj) për të gjithë maturantët dhe kandidatët janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë.
- Testi i gjuhës së huaj (D3) hartohet në përputhje me gjuhen, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Testi i provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm të lartë.
- Lista e gjuhëve të huaja, që do të jepen si provim i detyruar janë anglisht, frëngjisht, italisht gjermanisht, spanjisht dhe turqisht. Gjuha e huaj si provim i detyruar përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1 Dhe A1Z.
SI DO TË ORGANIZOHET PROVIMI ME ZGJEDHJE
- Lista e lëndëve me zgjedhje për shkollat e mesme të përgjithshme, dhe ato me drejtim artistik janë: Kimi, Fizike, Biologji, Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji, Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.
- Programet orientuese të lëndëve me zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët dhe kandidatët që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë dhe asaj me zgjedhje.
- Maturanti/kandidati zgjedh një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje, pavarësisht nëse i ka zhvilluar ose jo, apo i janë ofruar ose jo ato nga shkolla në programin mësimor.
- Kandidatit, që ka dhënë dy ose më shumë provime me zgjedhje dhe është vlerësuar me notë të përshkallëzuar jo më të vogël se 4.50 (nota 5), i njihen ato provime dhe nuk mund t’i japë më.
- Ndërsa kandidatët që rezultojnë mbetës në të paktën njërin prej provimeve të maturës Shtetërore, duhet ta rijapin atë që të mund të pajisen me diplomë, dhe të vijojnë më pas procedurat e konkurrimit për studimet e shkollës së lartë.
- Kandidatët, që në Maturat Shtetërore 2012-2022 nuk kanë rezultuar kalues në asnjë prej provimeve që kanë zgjedhur për të dhënë, japin vetëm një lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje të këtij viti shkollor.
- Gjuha e huaj, si provim i detyruar, përzgjidhet gjate plotësimit të formularit A1 dhe A1Z. Kandidatët e viteve të kaluara (të maturave shtetërore 2014, 2015, 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 202I, 2022) që kanë rezultuar jokalues në provimin D3, duhet ta rijapin këtë provim. Kandidatët e tjerë, (të maturave shtetërore para vitit 2014) që aplikojnë me Formularin A1Z, nuk do ta rijapin provimin e detyruar D3.
DATAT E PROVIMEVE PËR SHKOLLAT E MESME TË PËRGJITHËSHME DHE ARTISTIKE
- Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet në datën 1 qershor.
- Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë do të zhvillohet në datën 7 qershor.
- Provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 13 qershor.
- Provimi i lëndës me zgjedhje do të zhvillohet në datën 19 qershor.
DATAT E PROVIMEVE PËR SHKOLLAT E MESME PROFESIONALE
- Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet në datën 1 qershor.
- Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë do të zhvillohet në datën 7 qershor.
- Provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 13 qershor.
- Provimi i lëndës Teori e Integruar profesionale zhvillohet në datën 19 qershor
LISTA E LËNDËVE PËR PROVIMIN ME ZGJEDHJE (SHKOLLAT E MESME TË PËRGJITHËSHME DHE ATO ARTISTIKE) :

Lista e provimeve të detyruara të Teorisë profesionale të integruar sipaskualifikimit profesional që maturantët dhe kandidatët kanë ndjekur në shkollat profesionale

