Pjesa e Parë
Joan Kontos, vajza e Harri Fullzit ka hedhur në një libër kujtimet e të atit nga koha kur shërbente në Shqipëri si drejtor i Shkollës Teknike të Tiranës. Përtej kapitujve me mbititullin “Epoka shqiptare e Harri Fullzit”, të cilën e përshkruan me detaje nga dëshmitarë të dorës së parë, ajo risjell nga një pozicion interesant dhe shumë aspekte të botës shqiptare, duke u ndalur gjatë në situatën e rëndë që përjetonte vendi në vitet 20-30 dhe traditat e spikatura të një kombi martir, sicc e quan Joan Kontos. I realizuar nën kujdesin e profesorit të njohur Nikolla Pano, botimi i vajzës së Harri Fullzit, hedh dritë në shumë ngjarje e histori pak të njohura që i përkasin periudhës pas shpalljes së pavarësisë dhe raporteve të Shqipërisë me fuqitë e mëdha dhe fqinjët. Kontos zbardh sakaq me saktësi kontributin e Kryqit të Kuq Amerikan qysh nga dita e parë e mbërritës në Shqipëri deri në fundin e viteve 30. Pamfleti boton për herë të parë kujtimet e saj, duke u ndalur në pjesët më të rëndësishme që kanë të bëjnë me përjetimet e Harri Fullzit nga koha kur shërbeu në Shqipëri…
E shkuara si prolog
Shqipëria, kur u shpall e pavarur në vitin 1912, ishte vendi më i pazhvilluar në Evropë. Gjendjen e vështirë e rënduan edhe më tej shkatërrimet dhe uria që solli Lufta e Parë Botërore. Trupat e fundit të huaja u larguan nga toka shqiptare vetëm më 1920. Kështu që, vetëm pas kësaj, popullit shqiptar dhe qeverisë së tij iu dha mundësia t’i përkushtoheshin detyrës për krijimin e një kombi–shtet.
Natyra e Shqipërisë e viteve 1920 i ngjante një përzierje të rrallë të fatalizmit tradicional islamik, përgjumjes si rrjedhojë e dobësisë dhe pezmit shekullor, konservatorizmit që buronte nga analfabetizmi e izolimi, por gjithashtu edhe nga tematika e pavarësisë politike e cila stimulonte ambicie dhe energji për një modernizim me nxitim.
Ndryshe nga koha e pasluftës së dytë botërore, në vitet 1920 nuk ekzistonin programe kombëtare ose ndërkombëtare të ndihmës, në mënyrë që t’i jepej Shqipërisë mbështetje ekonomike dhe teknike për t’u modernizuar e zhvilluar. Në të vërtetë, Lidhja e Kombeve hodhi poshtë një kërkesë për hua të Fan Nolit të vitit 1924. Vitin tjetër, Ahmet Zogu, i cili erdhi në krye të qeverisë pas Nolit, u shtrëngua t’i drejtohet Italisë për mbështetje ekonomike, mjaft e nevojshme si për të mbijetuar edhe për modernizim. Kështu që nga fillimet e viteve 1930 Shqipëria u shndërrua në një satelit të Italisë. Megjithëse një pjesë e konsiderueshme e ndihmës që mori Tirana nga Italia u shpërdorua nga keq menaxhimi dhe korrupsioni, përsëri i dha Shqipërisë bazën e sistemit rrugor të sotëm, portin e saj të parë modern, një numër ndërtesash publike, si dhe pak fabrika e ferma model.
E kaluara e pa dokumentuar
Shqiptarët ishin të fundit që shkëputën marrëdhëniet me Perandorinë Osmane në Ballkan (1912). Në përvojat e së shkuarës ata ishin të keq mësuar e të paaftë të vetëqeveriseshin ose të përballeshin me sfidën e modernizimit. Ajo që është më alarmante, dakordësia e hershme e Evropës për një shtet shqiptar, dukej me gjasë që të mos bëhej në Konferencën e Paqes së Parisit të pasluftës dhe vendi ishte copëtuar mes fqinjëve. E përfshirë brenda kufinjve të përcaktuar nga një Komision Ndërkombëtar në vitin 1913 – i konfirmuar në 1921 – Shqipëria malore në perëndim kufizohet ne Detin Adriatik dhe Jon. Nga veriu dhe lindja është e rrethuar nga Jugosllavia, ndërsa në jug shtrihet Greqia. Vetëm 60 milje detare, përmes ngushticës së Otrantos e ndajnë nga Italia. Kufijtë e 1913, gjithsesi, lanë jashtë po aq shqiptarë etnikë sa dhe ishin brenda tyre.
Origjina e kombit shqiptar fshihet pas një të kaluare të pa dokumentuar. Folklori tregon për prejardhjen e lashtë të shqiptarëve, që shtrihet deri tek fiset ilire, që kanë banuar në këto troje pesë shekuj para Krishtit, të cilët bashkekzistuan dhe, herë pas here, u ndeshën me bashkëkohësit grekë për Epirin, për shembull, një grindje që vazhdon edhe në shekullin e 20-të.
Sfidat e jashtme dhe natyra me terrene të vështirë malore izoluese, mbrojtëse dhe relativisht e lirë nga sëmundje epidemike asgjësuese, favorizuan mbijetesën e llojit të fiseve apo tribune militante që janë të njohur në vende të tjera malore si Skocia .Malësorët shqiptarë njohën pak sundues, po kanë patriarkët e tyre. Armiqësitë dhe aleancat mes tyre dhe me forcat e huaja, ndërronin shpesh.
Por, herë pas here, prijësit i dorëzoheshin bashkimeve (uniteteve) të dyshimta.
Shqiptarët nxorën dy figura legjendare gjatë shekulli të 15-të: Gjergj Kastriotin, ose Skënderbeun, luftëtar “ushtar i Krishtit”, si do ta cilësonte Papa i kohës, dhe Lek Dukagjinin, si ligjvënës.
Skënderbeu zgjodhi momentin, kur ushtria turke kishte pësuar disfatë në një beteje dhe dezertoi e ngriti flamurin e kryengritjes në kështjellën e Krujës. Lidhja e princërve shqiptarë që organizoi më 1444 tregoi qëndresë të vërtetë për pothuaj çerek shekulli dhe pati mbështetjen e Papatit, Venerikut dhe disa qyteteve-shtet italiane. Kjo bandë e vogël kryengritësish, duke shfrytëzuar mbrojtjen natyrore e komanduar me mjeshtëri, zmbrapsi me kurajë furinë e sulmeve turke të njëpasnjëshme. Skënderbeu u shndrua kështu në simbolin më të fuqishëm dhe të unitetit; një simbol i tillë që frymëzoi brezat..
Figura e dytë, Lek Dukagjini, një bashkëkohës i Skënderbeut, pasardhës i një fisi të fuqishëm verior, la trashëgim malësorëve refraktarë një kod legal që do të mbetej i shenjtë për ta.
Rregullat që formuloi vendosën standardet e drejtimit të cilat shërbyen për të frenuar ekseset brenda familjes, apo dhe konfliktet mes klaneve të ndryshme fisnore. Këto norma forcuan autoritetin patriarkal dhe dhanë mjetet për të zgjidhur ndershmërisht grindjet- nëpërmjet të cilave, përshembull, një gjakmarrje mund të shmangej ose mbyllej – megjithatë gjakmarrjet vazhduan të ekzistonin në jetën e malësorëve. . Gjatë periudhës otomane ligjet e pashkruara të Lekës bashkëjetuan me autoritetin turk, i cili rrallë ndërhynte.
Kur në tetorin e vitit 1912 shpërtheu lufta dhe sllavët e grekët u lëshuan të rrëmbenin mbetjet nga tokat e sundimit turk në Ballkan, shqiptarët u vetëmbrojtën duke shpallur pamvarësinë (28 nëntor 1912). Gjatë luftës pasuese për ndarjen e fitimit, fati i Shqipërsë tërhoqi Austrinë ( që kishte aneksuar Bosnjën edhe Hercegovinën më 1907) dhe Rusinë në kundërshtim: Rusia mbështeti zmadhimin e Serbisë; Austria kërkonte të ndalonte këtë aleancë pansllave të kapte brigjet e Adriatikut, një koncept i një zone tampon që mbështetej edhe nga Italia.
Shqipëria u bë çështje imediate e gjashtë fuqive të mëdha të Evropës. Konferenca e Ambasadorëve, mbledhur në dhjetor 1912, ra dakord që t’i jepej pavarësia dhe shkoi më tej në përcaktim e strukturës së tij. Ambasadorët bënë një projekt kushtetutë që e deklaronte Shqipërinë principatë të pavarur nën garancinë e fuqive të mëdha me një Komision Kontrolli me qëndrim në Shkodër që do të mbikqyrte administrimin dhe buxhetin e saj. Ato zgjodhën një princ gjerman, Vilhem Vidin, një kapiten në ushtri, si kreun e shtetit dhe autorizoi Komisionin ndërkombëtar të Kufirit të përcaktonte kufijtë e vendit.
Kufijtë që përcaktuan këto dy komisione për veriun dhe për jugun në vitin 1913, e la Shqipërinë një etnitet të vogël. Kështu, rajonet me predominim shqiptar të Kosovës dhe Metohisë i shkuan Serbisë, Çamëria, një pjesë e Epirit ju dha Greqisë, disa distrikte të vogëla tërësisht shqiptare i mori Mali i Zi.
Prici Ëilhem arriti në Durrës më 1914 për të nisur një mbretërim fatkeq 6-mujor. Gjatë verës, trashëgimtari i fronit të Austrisë, arkiduka Franc Ferdinanti dhe gruaja e tij u vranë në Sarajevë, një veprim që besohej se ishte organizuar nga serbët. Austria i shpalli luftë Serbisë dhe brenda disa ditës u përfshi e gjithë Europa.
Pas kësaj trupat greke përparuan të parët drejt qytetit të Korçës .Italia, deri në këtë kohë e papàrfshirë në luftë, për të parandaluar gjoja synimet edhe më të mëdha greke zbarkoi në Vlorë, veprim që u quajt kënaqësish “komision sanitar”, e sikundër u justifikua për të mbrojtur refugjatët. Prezenca detare dhe ushtarake atje i jepte Italisë një pikëmbështetje të dëshirueshme në Ballkan ne bregun Adriatik, prej nga Italia siguronte liri veprimi në det. Para përfundimit të vitit 1916, një kontingjent francez erdhi nga Sekaniku, përparoi për të kapur Korçën dhe rrethinat e saj për ta shpëtuar atë nga turbullirat.
Në veri, në verën e vitit 1915, serbët e malazezët zunë Shkodrën dhe marshuan drejt malësive qendrore: Ata u ndoqën dhe u zbuan nga ushtria austriake. Prej vjeshtës së vitit 1915 gjatë tërë luftës, forcat austriake siguruan 2/3 e zonave fshatare.
Prania e forcave kundërshtare në tokën shqiptare, pra italiane e franceze përballë austriakëve, ishte më shumë një operacion mbajtje territori se sa një front aktiv. Pushtimet në fakt i bënë mirë Shqiprisë, së pari se i mbrojtën ata nga orekset grabitqare të fqinjëve, por edhe nga pikëpamja materiale. U ndërtuan rrugë dhe ura, aftësia pritëse e porteve u përmirësua, ndonëse për qëllime ushtarake.
Austriakët ndërtuan një hekurudhë të ngushtë për transport mallrash mes Shkodrës, Tiranës dhe Durrësit, që u quajt dekovil. treguan kujdes për edukimin: financuan ndërtimin e shkollave të reja, futën një model austriak për edukimin në arsimin fillor, dërguan studentë shqiptarë në institucionet austriake për trajnim të mëtejshëm, nënshkruan botimin e tekste dhe materialeve të tjera në gjuhën shqipe. Në Korçë francezët lanë pas tyre trashëgiminë e një liceu francez.
Në përfundim të luftës austriakët u tërhoqën, trupat italiane i zëvendësuan në Shqipërinë Veriore dhe Qendrore. Francezët mbetën në Korçë dhe të dy palët prisnin vendimin e Konferencës së Paqes që mbahej në Paris në fillim të vitit 1919. Konferenca, megjithatë, dha mesazhe të këqia për periudhën e pasluftës për Shqipërinë, po qe se termat e marrëveshjes sekrete të “Traktatit të Londrës” do të zbatoheshin. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar më 1915 mes Italisë nga njëra anë, para se Italia të futej në luftë dhe Britanisë, Francës dhe Rusisë. Revolucionarët rusë mund ta hidhnin traktatin poshtë, që e bënë publik më 1917, por në konferencën e Paqes në Paris, Britania dhe Franca e ndjenë se duhet ta shihnin me kujdes këtë çështje.
Në fillimin e vitit 1919 Shqipëria ishte pothuaj në statusin e një vendi të harruar. Prezenca e huaj ushtarake, mbase për momentin dashamirë, ishte e pranishme. Autoritetet lokale funksiononin, por, që nga mbretërimi i shkurtër i Princ Vilhemit, vendi ishte pa një qeveri kombëtare funksionale. Refugjatët që i kishin shpëtuar grabitjeve të sllavëve dhe sulmeve greke, e mbingarkonin një ekonomi në kushte mbijetese e ndalur në nivel para urban e para makineri, ku shërbimet mjekësore dhe arsimore ishte në fillesat e saj.
Për shqiptarët po vinte një periudhë e re e paparashikuar, kështu që kush donte të ndërtonte të ardhmen duhet të ishte i vendosur. Kështu në momentet para vdekjes duhej vetëvendosje. Pikërisht në këtë moment u shfaq Kryqi i Kuq Amerikan. Në fillim amerikanët erdhën të ndihmonin për zbutjen e vuajtjeve bazike njerëzore, por po aq të ndërgjegjshëm edhe si përfaqësues të ndryshimeve të ardhshme. Shqipëria e dërrmuar dhe e varfër tej mase, priste pas këtyre sinjaleve një shpresë për tu ri ngritur. Dhe Amerika nuk do ti zhgënjente duke ofruar bujarisht ndihmat dhe asistencën e gjithanshëm për popullin e traumatizuar të Shqipërisë.
Kryqi i Kuq Amerikan, dallëndyshja e parë
Përfshirja e Shteteve të Bashkuara në luftën evropiane më 1917, solli në kontinent një numër amerikanësh që nuk ishte parë më parë. Veç atyre që erdhën në përbërje të Korpusit Ekspedicionar, shumë të tjerë shërbyen në organizata civile si Kryqi i Kuq.
Megjithëse ndjenja izolacioniste amerikane përsëri mbeti ndër ta, pjesëmarrja në luftë ndikoi tek shumë amerikanë për një ndërgjegjësim më të gjërë ndaj çështjeve ndërkombëtare se sa më parë dhe dha të paktën një shtysë pozitive në vende që shumë pak dinin më parë për to.
Shqipëria u përcaktua si një nga vendet ballkanike që do të priste një komision të Kryqit të Kuq. Shqiptarët e shquar dhe zyrtarët vendorë mirëpritën vizitën e parë të Kryqit të Kuq, ftuan prezencën e një komisioni dhe pas kësaj bashkëpunuan me shumë dëshirë për sa kishin mundësi. Në shkurt të vitit 1919 komisioni i Kryqit të Kuq amerikan hyri në Shqipëri, një vend ku aftësia për trajtimin e të sëmurëve apo të plagosurve ishte minimale. Shumë shqiptar jetonin në skamje dhe mes sëmundjeve. Për disa katastrofa ishte shndëruar deri në prag urie, sidomos për malësorët e zonës verilindore të Shkodrës, që ishin viktima të inkursioneve kufitare dhe që mund ta pësonin edhe me keq.
Kompletimi i Komisionit me personel duket se kishte arritur në rreth 60 vetë, shumica infermiere dhe një dorë mjekësh, kirurgësh, administratorësh dhe punonjësish të tjerë jomjekësorë. Ata u shpërndanë me grupe pune në gjashtë qytete: Shkodra ne veri, zona qëndrore me Tiranën, Elbasanin dhe Durrësin dhe Vlora e Korça në jug. Durrësi ishte porti ktyesor nga kalonte çdonjeri e ku shkarkoheshin të gjitha furnizimet. Autoritetet ushtarake italiane menaxhonin doganat, por Kryqi i Kuq anmerikan u lejua të importonte lirshëm, të sillte mjetet e veta të transportit, gjeneratorë të fuqisë së vogël për furnizim me energji elektrike, medikamente, ushqime dhe materiale të tjera. Në fakt, infermieret e Kryqit të Kuq ishin të lidhura ngushtë me sapunin, ajrin e freskët dhe me punën tejet të rëndë.
Në shkurtin e vitit 1919, mbërriti me një barkë të vogël në Durrës nga Italia, Carls A.Hollingshed (Charls A. Hollingshead), i cili pas kësaj do të kalonte 14 vjet të jetës së tij në Shqipëri. Ai mori një thirrje nga YMCA që kërkonte vullnetarë për në Shqipëri. Përshtypja për këtë vend si një vend i malaries dhe etheve të tjera, “klime të ndyrë” dhe primitiv, bënte që kësaj thirrje t’i përgjigjeshin pak vetë. Por z. Hollinghed pranoi të vinte si vullnetar. Për këtë vendim ai do t’i shkruante familjes “për deri sa erdha të shërbej, nuk mund të bëj ndryshe”. Fillimisht ai shkoi në Shkodër. Sa i përket punës së Kryqit të Kuq në Shkodër kishte një raport të gjërë e të detajuar të përgatitur nga kryeinfermierja Margaret Grej (Margaret Gray). Në këtë kohë Shkodra ishte qyteti kryesor i Shqiprisë normalisht me rreth 32.000 banorë të përhershëm, ku ishin dyndur një numër i pallogaritshëm refugjatësh, shtuar këtu dhe efektivat e Korpusit të 13-të italian i cili kishte ngritur barakat aty pranë, si dhe robërit austriakë të luftës.
Me marrjen e provincës së Kosovës nga Serbia, përfshi edhe qytetin tregëtar të Prizërenit, Shkodra kishte mbetur thuajse e vetmja qëndër urbane e rëndësishme në veri. Natyra e veprimtarive të Kryqit të Kuq të zhvilluara atje dhe kushtet me të cilat ndeshej personeli tij, ishin pothuajse të njëjta edhe me qytetet e tjera ku ky organizëm operonte. Ndër detyrat e para që u desh të kryenin ishte rehabilitimi i spitalit lokal. Përshkrimi i i gjallë i infermieres Grey jep një tablo të qartë të punës së bërë: Situata e spitalit të Shkodrës ishte nga më të tmerrshmet që më kishin zënë sytë deri në atë kohë. Malaria bënte kërdinë dhe nuk do ta harroj kurrë ndjenjën e pa shpresë që m’u krijua kur e vizitova për herë të parë. Në spital ishin rreth pesëdhjetë pacientë, midis tyre disa delirantë, të shtrirë në dysheme pasi kishin frikë mos binin nga shtretërit, ndërkohë që një pjesë, të ardhur para disa ditësh, nuk kishin pranuar të zhvisheshin. Dyshemeja ishte plotë baltë dhe bishta të hedhura cigaresh. Nga vështrimi që mund t’u hidhjeve mureve e kutoje menjëherë se pështymoret ishin dicka e panjohur.
Pacientet, shtretërit dhe mbulesat ishin të mbushura me parazitë. Këto kushte bëheshin edhe më të rënda po të shtoje këtu edhe pamundësinë e dizinfektimit, sterilizimit e pastrimit të teshave të pacientëve, që shiheshin të shpërndara ngado, përfshi edhe në kuzhinë. Infermierja Grej tregon se personeli i spitalit lokal përbëhej nga një mjek shqiptar, një farmacist dhe pesë ndihmës, të cilët, për arësye se ishin plotësisht analfabetë, nuk mbanin as një shënim apo kartela mjekësore, gjë që nuk e bënin as mjeku me farmacistin. Ilaçet u jepeshin pacientëve një herë në ditë nga vetë mjeku. Vërtet që vaktet shërbeheshin, por kjo bëhej vetëm një herë në ditë, kështu që pacientët i ruanin racionet ditor të bukës ndën jastëk. Në mungesë ujit dhe sistemit hidraulik, as që mund të behej fjalë për higjenë. Infermieret përveshën mëngët dhe ju vunë punës për largimin e të gjithë mbeturinave, pastruan dhe lyen mjedisin, prunë ujin e rrjedhshëm, kërkuan njërëz të arësimuar, të cilët mund të trajnoheshin për detyra infermierie si dhe organizuan kujesin për pacientin si masë përgatitore për pritjen mjekëve amerikanë, ndër të cilët edhe një kirurg. Para ardhjes së tij atje nuk ishte bërë asnjë kirurgji. Problemi më i vështirë me të cilin u ndeshën infermieret ishte gjetja e njerëzve të përshtatshëm për t’i trajnuar.
Pak familje shqiptare ishin të predispozuara për të lejuar vajzat të punonin në ente publike, por edhe më të pakta ishin ato të arsimuara. Megjithatë, pas disa muajsh kërkimi në këtë qytet pjesërisht i besimit katolik, u gjetën katër murgesha të cilat kishin një farë eksperience nga puna në spital me austriakët gjatë kohës së luftës. Motrat në fjalë shprehën gatishmëri e aftësi, gjë që rriti optimizmin për të ardhmen e spitalit. Nga tetori i vitit 1919, kur infermierja Grej mori në dorë spitalin deri në korrik të 1920, kishte ndryshuar gjithçka. Objektivi i Kryqit të Kuq synonte që punët e bëra me ndihmën e tij të vazhdonin edhe kur ky të largohej. Për ta liruar spitalin nga disa mbingarkesa të panevojshme, krahasuar edhe me mundësitë e tij të kufizuara, Kryqi i Kuq nisi ngritjen e qëndrave suplementare të kujdesit shëndetsor, siç ishte dispanceria dhe klinika të shëndetit të fëmijve.
Dispanceria e Shkodrës kryente rreth 130 vizita në ditë, duke trajtuar, mes sëmundjeve të tjera, edhe rastet më pak serioze malaries, tuberkulozit dhe parazitëve të brendshëm, të cilat ishin edhe më tipiket për zonën. Malaria prekte rreth 75% të refugjatëve që kishin zbritur nga malësia. Si në spital edhe në dispanceri bashkëpunimi me personelin vendas ishte normë: mjeku shqiptar përgjigjej vetëm nga ana mjekësore, ndërsa infermierja amerikane siguronte “menaxhimin e përgjithshëm” dhe mbështetjen. Injoranca për çështjet shëndetsore dhe niveli i ulët i jetesës i përziente problemet e programit që nisi Kryqi i Kuq. Edukimi dhe ndihmat përbënin po aq ngarkesë për infermieret, sa dhe shërbimi ndaj pacientit, për të cilin ishin trajnuar.
Mabel Stil (Mabel Steel), një tjetër infermiere nga San Françisko, bridhte në Tiranë me një karrocë të tërhequr me gomar, rrotat e të cilës kërcisnin me zhurmë rrugicave të pashtruara tërë ditën , duke shkuar diku për të ndërruar plagët, më tej për t’i bërë banjë ndonjë fëmije të sëmurë apo dhënë instruksione për pastërtinë, shpërndarë ilaçe, ushqime e tallona për kryeqytet i vendit. Me një popullsi prej 12.000 banorësh, sa një e treta e Shkodrës, sidoqoftë nuk dallohej shumë nga qytetet e tjera të kësaj natyre, por që kishte kullë të bukur veneciane me sahat. Cdo të hënë, infermierja Stil i bashkëngjitej njësisë mjekësore të lëvizshme të Kryqit të Kuq që bënte vizita nga një fshat në tjetrin në rrethinat e Tiranës. Në një nga këto të hëna ishte planifikuar vizitë në Krujë, ku heroi kombëtar Skënderbeu dikur ishte përballur me sukses ushtritë osmane.
Infermierja Stil shkruan: Nga Tirana udhëtuam për dy orë e gjysmë me një automjet për në Krujë, një fshat që gjendej lart në një mal. Ekipi ynë përbehej nga një mjek kirurg, përkthyesi, shoferi dhe unë. Me vete kishim marrë një ngarkesë me fasho, rroba veshje, instrumente mjekësore dhe ilaçe. Rruga ishte sa e rrezikshme aq dhe piktoreske. Ajo kalonte përgjatë humnerave marramendëse, me kthesa të shumta, ngjitej të përpjetave të thepisura, kridhej luginave të thella dhe sa më lart që ngjiteshim, shijonim një pamje e mahnitshme te fshatrave dhe dukej vija bregdetare e Adriatikut nga Shëngjini në Durrës. Tek baraka që e kishim sajuar si qendër shëndetësore (dispanceri) gjithmonë na priste një grumbull malësorësh të sëmurë, ku kishte burra, gra dhe fëmijë. Shpesh ndodhte që të ishin aq të shumtë dhe të paduruar për të marrë ndihmë mjekësore, sa që ishim të detyruar të kërkonim ndihmën e të vetmit polic që kishte zona, për të mbajtur rregullin. Së pari vizitoheshin të sëmurët më të rëndë. Pastaj vinin fëmijët e vegjël. Më tej vazhdohej me pastrimin dhe larjen e plagëve të kokës dhe me këshillimin e nënave. Pacientet që kërkonin ndërhyrje kirurgjikale i merrnim me vehte në Tiranë. Pas çështjeve parësore si ndihma shëndetësore në spital, dispanceri dhe vizitat për infermieret mbetej kohë për të ndërmarrë edhe seanca mësimdhënëse. Si veçori për punën e Kryqit të Kuq në Shqipëri e pa të nevojshme organizimin e mësimit të higjienës personale për fëmijët në shkolla. Në rastin e Shkodrës, një infermiere amerikane që mbërriti në këtë qytet në majin e 1920, programoi vizita javore në secilën nga 15 shkollat. Ndjekja e shkollës në Shqipëri në këtë kohë ishte një zgjedhje arbitrare e prindërve dhe mësuesve.
Kundër shkollimit nuk ishte vetëm mungesa e mjeteve por edhe vetë varfëria. Shumë punonjës të Kryqit të kuq kishin parë numrin e madh të fëmijëve që endeshin rrugëve të qyteteve gjatë gjithë ditës. Ata ndihmuan për ta kapërcyer këtë vështirësi. U gjetën mësues vendas për secilën nga shkollat dhe nxënësit e mbledhur nga rruga u lanë, çmorritën, veshën, u mjekuan ata që kishin nevojë, pranë dispanserive të Kryqit të Kuq. Për ditë e muaj me radhë punonjësit e Kryqit të Kuq u përballën me sfida të tilla në kushte teje të jashtëzakonshme./Pamfleti