Komunikimet në rrjetet sociale mes dy adoleshentëve shkaktuan masakrën në Klos me 3 të vrarë dhe 2 të plagosur mesditën e 12 Tetorit.
Vëllai i autorit të dyshuar Fiqiri Mjeshtri, Fatmir Mjeshtri, ka treguar për gazetarët se çfarë kishte ndodhur realisht mes mbesës së tij dhe 17-vjeçarit Kenado Shira, i cili u vra dje nga babai i vajzës.
Sipas Fatmir Mjeshtrit, mbesa e tij, gjithashtu 17-vjeçare, kishte komunikuar në Facebook me Kenado Shirën, ku i kishte shprehur pëlqimin djalit. Të dy kishin vazhduar bisedat, e pas disa ditësh, sipas Fatmir Mjeshtrit, 17-vjeçari Kenado i kishte kërkuar vajzës që t’i dërgonte foto nudo. Ai e shantazhonte në këtë formë pasi kishte arritur t’i merrte nën kontroll rrjetin social.
“Vajza më ka bërë një ftesë në Facebook dhe unë e kam pranuar. Pasi kemi qëndruar duke shkruar me njëri-tjetrin në Facebook, ajo më ka kërkuar diçka tjetër. Tha nuk mund të të shoh më si shok, por dua të të shoh ndryshe se je një djalë bukurosh. Shumë bukur i thashë nuk të paska ofenduar. Të ka lavdëruar dhe të ka pëlqyer si djalë. Çfarë përgjigje i ktheve Sarës ti? Tha, edhe unë kisha pëlqimet e mia për të. Po adresë i thashë si ia more? Tha, ma ka dhënë vetë. I kishte bllokuar adresën dhe i ka shkarkuar krejt fotot nga adresa dhe i ka thënë tani po nuk bëre ato që të them unë, dua të më çosh foto nudo, po nuk bëre ato që të them unë, do të të hap fotot në rrjetet sociale dhe ty si femër kam për të të shkatërruar jetën. Goca nga frika ia ka mbyllur telefonin. Edhe ka marrë motrën e madhe. I ka thënë, thuaji motrës që jam ai djali i Shirës. Po qe se ti nuk do veprosh ashtu siç të them unë, do të ta shkatërroj motrën, do ta çoj në një gjendje që unë kam për t’i prishur jetën fare asaj. Goca i ka thënë mos je duke bërë shumë gabime”, tregon Fatmir Mjeshtri.
Sipas këtij të fundit, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, vajza kishte humbur ndjenjat dhe ishte dërguar në spital.
“Ka marrë motra motrën në telefon dhe i ka thënë që çfarë ke bërë, kujt ia ke dhënë adresën. Goca, nga depresioni, ka ikur nga shkolla dhe ka ardhur në shtëpi. Në momentin që ka ardhur në shtëpi, goca ka rënë pa ndjenja nga trysnia që ka patur. E kemi marrë me urgjencë në Klos, e kemi mbajtur 1 orë e gjysmë, 2 orë në Klos, atëherë u përmend goca duke bërë serume e gjilpëra, nga kërcënimi që i kishte bërë ky djali”, shprehet Fatmir Mjeshtri.
Dje në mesditë palët kishin organizuar takim për t’u takuar dhe për të sqaruar këtë problem mes fëmijëve të tyre.
Kenado Shira kishte shkuar në takim së bashku me babain e tij Liri Shira, dhe me kushërinjtë e tyre Renato dhe Eglantin Hasula, at e bir.
Nga pala tjetër, në takim kishte shkuar vetë babai i vajzës, Fiqiri Mjeshtri me dy vëllezërit e tij Besnik dhe Fatmir Mjeshtri.
Por në diskutim e sipër, sikurse raportohet nga Klan News për dinamikën e krimit, ka qenë 17-vjeçari Kenado Shira i cili ka fyer vajzën, ndërsa autori Fiqiri Mjeshtri nxorri pistoletën duke e qëlluar Kenadon të parin, dhe më pas babain e tij Liri Shira e të tjerët. 17-vjeçari ka tentuar të largohet u qëllua sërish nga Mjeshtri duke humbur jetën në trotuar, ndërsa babai i tij ka humbur jetën duke u transportuar në spital.
Nga të shtënat u plagosën dhe dy të tjerët, Renato dhe Eglantin Hasula, at e bir. Ndërsa autori i ngjarjes, Fiqiri Mjeshtri, u largua për në banesë dhe vrau veten.
o.j/dita

Po shkonit me polici, këto janë gjëra te moshës që kalojnë, ata që ikën nuk kthehen me
Policia e sat´eme ! Ngjarja ka ndodhur ne Shqiperi, jo ne Suedi.
rjetet sociale po I marin ne qafe njerzit