Nga Migena Aleksi
Në kohët që po jetojmë, terreni i një beteje politike ka kohë që nuk matet më vetëm me metrat katrorë të një rruge apo bulevardi. Madje as me numrin e karrigeve në një sallë parlamenti. Është zhvendosur në një hapësirë ku pushteti nuk ka imunitet. Aty fjalët nuk mund të shpërndahen me gaz lotsjellës.
Në profilet zyrtare të kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale, mjafton një vështrim i shpejtë në çdo postim për të kuptuar sa i thellë është zemërimi dhe sa është përhapur ndjenja e revoltës, madje edhe e urejtjes.
Çdo postim i tij qoftë ky një inagurim i rremë, një vetëlëvdatë për turizmin apo një fasadë e zakonshme propagandistike mjafton për të kuptuar se çfarë zjen realisht në shpirtin e shumicës së qytetarëve. Aty ka një dallgë kolosale, një shpërthim organik zemërimi dhe revolte të pafundme, të shprehur në mijëra komente që vërshojnë nga çdo cep i vendit dhe diasporës.
Ky lumë pakënaqësie është termometri i vërtetë i temperaturës sociale. Jemi dëshmitarë të një referendumi të heshtur, por shurdhues, që zhvillohet çdo sekondë. Përballë këtij cunami kritikash, Rama shpesh ka zgjedhur armën e tij të preferuar: censurën e heshtur dhe fshirjen.
Profilet e kryeministrit ka ca kohë që shndërrohen në zona të pastruara artificialisht. Komentet kritike zhduken me fshesën dixhitale. Mbyllja e mundësisë për të komentuar është e shpeshtë.
Këtu qëndron edhe paradoksi më i madh. Në këto kohë çdo pushtet i korruptuar mund të mobilizojë struktura, mund të shtypë apo të minimizojë çdo protestë fizike në rrugë përmes policisë, gazit dhe presionit, por nuk mund të kontrollojë dot ndërgjegjen kolektive. E mbyll një koment, e bllokon një profil, por nuk ia mbyll dot gojën një populli që ndihet i grabitur dhe i shkelur me këpucë polici dhe gjithfarë rrugaçësh që janë angazhuar aty kundër rinisë.
Jetojmë një kohë në të cilën zemërimi masiv nuk ka më nevojë për “leje tubimi” për të dalë në shesh. Ai manifestohet kudo ku ka një ekran telefoni. Pavarësisht shfaqjeve të forcës në terren dhe iluzionit të kontrollit absolut, distanca mes pushtetit dhe qytetarëve është bërë një humnerë e pakapërcyeshme.
Vala e komenteve është aktakuzë e përditshme, një shkrim në mur që tregon se kupa është mbushur prej kohësh.
DITA
