Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar nga burgu i Durrësit në atë të Fierit. Deri më tani, nuk ka një arsye të bërë publike që të shpjegojë lëvizjen, por koha kur ndodh transferimi e bën atë të diskutueshëm.
Pak ditë më parë, Veliaj reagoi përmes një postimi për zhvillimet në Serbi, ku protestat studentore dhe më pas zgjedhjet e përgjithshme parlamentare rezultuan me rrëzimin e ish Presidentit Aleksandër Vuçiç.
Veliaj në reagimin e tij uroi studentët për fitoren dhe cilësoi Vuçiçin si një politikan makiavelist dhe populist. “Ra makiavelisti dhe populisti i Beogradit”- shkruajti ai. Postimi u lexua nga shumëkush si një thumb ndaj kryeministrit Rama duke pasur parasysh protestat e studentëve që kanë përfshirë prej më shumë se dy javësh vendin tonë.
Deri tani nuk është raportuar asnjë konflikt i Veliajt në burgun e Durrësit që të justifikonte transferimin. Po ashtu, nuk rezulton që ai të ketë kërkuar vetë të largohet nga ky institucion.
Përse u pa e nevojshme zhvendosja e tij, në mungesë të një konflikti të njohur apo të një kërkese nga vetë ai? – ngre pyetjen faqja Voxnews.
Distanca e burgut të Durrësit nga Tirana lehtësonte aksesin për njerëzit që kanë nevojë të takohen me kryebashkiakun, sidomos për punonjësit e Bashkisë së Tiranës. Kushtet e burgut të Durrësit gjithashtu konsiderohen më të mira në krahasim me ato të Fierit.
o.p. / dita
