Edhe për testet e sezonit të vjeshtës, maturantët e pakënaqur me notat e marra do të mund të kërkojnë rivlerësim të testit. Sipas afateve të përcaktuara, maturantët kanë vetëm një ditë afat për të bërë fillimisht aplikimin për marrjen e fotokopjes së testeve të korrigjuara dhe më pas paraqitjen e kërkesës për rishikim note.
Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka konfirmuar tashmë procedurën që do të duhet të ndjekin maturantët për marrjen e kopjes së testit, si dhe rivlerësimin e tij, të cilat do të zhvillohen përkatësisht në datat 7 dhe 8 shtator.
“Maturanti që kërkon kopjen e testit duhet të kryejë aplikimin online në portalin e-albania, duke përdorur shërbimin përkatës për të katër provimet në datën 7 shtator nga ora 08:00-16:00. Pas trajtimit të kërkesës nga autoritet përgjegjëse, QSHA do të nisë një kopje të testit për secilin maturant që e ka kërkuar atë po nëpërmjet portalit online”, konfirmon Qendra e Shërbimeve të Arsimit.
Ndërkohë që një ditë më pas, të gjithë të pakënaqurit me notat e marra do të mund të vijojnë me procedurat për rivlerësimin e testit.
“Çdo maturant apo kandidat pasi është pajisur me fotokopjen e testeve të maturës ka të drejtë që të paraqesë kërkesën për rivlerësim testi në Komisionin shkollor të maturës shtetërorë ku është regjistruar si maturant, në datën 8 shtator”, sqaron më tej Qendra e Shërbimeve të Arsimit rreth zhvillimit të këtij procesi.
Referuar kushteve të përcaktuara më herët në rregulloren e provimeve, përcaktohet se fotokopjet e testeve të paraqitura në këtë komision, do të shqyrtohen nga dy mësues lëndor të përcaktuar nga komisioni (nëse një shkollë nuk ka dy mësues të lëndës shqyrtimi do të bëhet vetëm nga një mësues i lëndës). Mësuesit e përcaktuar shqyrtojnë kërkesat e paraqitura nga maturantët/kandidatët vetëm për pyetjet e ankimuara dhe vendosin nëse këto teste do t’i kalojnë për rivlerësim QSHA, e cila kryen këtë proces, me të njëjtat rregulla e procedura si vlerësimi i testeve, duke i sekretuar me barkode testet që rivlerësohen. Pasi bën rivlerësimin Qendra e Shërbimeve të arsimit do të vendosë nëse nota e marrë nga maturanti do të jetë më e lartë, më e ulët, apo nuk do të ndryshojë.
Maturantët që kanë arritur të marrin nota kaluese në të gjithë provimet edhe përgjatë sezonit të vjeshtës dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar nga qeveria, do të mund të vijojnë me procedurat e konkurrimit për studimet e larta për kuotat e raundit të dytë, aplikime të cilat do të zhvillohen në pjesën e dytë të muajit shtator.
Procedura online për marrjen e kopjes së korrigjuar të testeve të Maturës së Vjeshtës
- Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania
- Zgjidhni shërbimin “Aplikim për kopje të testit të maturës/fletëpërgjigjes së maturës” dhe klikoni butonin “Përdor”
- Plotësoni të gjithë të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular (shkolla, DAR/ZA, provimin përkatës, adresa) dhe klikoni butonin “Dërgo”.
- QSHA-ja njoftohet në sistemin AMS për kërkesën e ardhur dhe verifikon të dhënat e dërguara nga aplikanti.
- Pas trajtimit të kërkesës, QSHA-ja nxjerr kopjet e provimit të maturës dhe materialin PDF të skanuar ia nis aplikantit te “Hapësira ime”, në seksionin “Dokumentet e mia”.
- Ju do të njoftoheni dhe me e-mail, në kohën që shërbimi ka përfunduar.
p.k\dita
