Nga Artan Duka
Botuar në DITA
Hetimi i abuzimit elitar është lajm për qytetarin, por krahas vlerësimit për politikanët që e dëshiruan dhe e nxitën zbatimin e ligjit me reformën në drejtësi, duhet të ketë edhe kosto, minimalisht politike për veprimet apo mosveprimet që nuk ndalën të keqen në kohë.
Qeverisjet e tranzicionit janë të gjitha në fokusin e drejtësisë, pavarësisht se diku u nis nga kreu e diku rrotull tij e nëse faktohet se shporta është plot me kokrra të krimbura, atëherë “uji lart qelibar por turbullohet poshtë” dhe argumenti i rastësisë nuk pinë më ujë!
Syleshët po marrin në qafë “perandorinë”!
Reforma në drejtësi nxorri në pah përmasa të frikshme të zullumit brënda sistemit të drejtësisë ndaj me gjasa edhe SPAK ka cekur vetëm majën e ajsbergut të abuzimit të politikës me pushtetin këto 30 vjet. Ai do të bëjë të tijën në ndjekjen e fillit të abuzimit por edhe pa pritur vendimet gjyqësore, dikush duhet të mbajë përgjegjësi që e keqja livadhisi kaq gjatë dhe ujkut iu varën mëlçitë në qafë duke dëmtuar interesat e qytetarit e shtetit shqiptar!
Asnjë karrierë apo fat politik nuk vlen sa fati i demokracisë e besimi qytetar tek ajo. Abuzimi politik nuk mund të katandiset në koka turku e kur flitet për përgjegjësi në qeverisje, minimalisht politike, fillohet nga kreu i saj. Koha do të tregojë nëse e keqja në qeverisje ishte rrjedhojë e mirëbesimit të verbër, heqjes nga hunda, tundimit apo shantazhit prej saj por në të gjitha rastet, interesat e shtetit e qytetarit preken po njëlloj.
Ai lart ka përgjegjësi për “pusetat” e llumit të abuzimit rrotull e poshtë tij dhe mirëbesimi, pazotësia apo padija në përzgjedhjen e kontrollin e ekipit nuk janë argumente për justifikim sepse vota e mirëbesimi qytetar nuk pret vetëm që sistemi të ndëshkojë abuzimin por dhe të mos e lejojë të ndodhë atë!
Më thuaj me kë rri…!
Pirgu i dosjeve në SPAK ngre hamëndje plot rreth përzgjedhjes së bashkëpunëtorëve në politikë e qeverisje. Gjatë “uno-kracisë” tradicionale në tranzicion, kryetari ka pasur gjithnjë dorë të lirë në përzgjedhjen e politikave e individëve rrotull tij, por bashkë me meritën vjen si pako edhe përgjegjësia, ndryshe e paskan hequr nga hunda për motivet e mbrapshta të tyre dhe kjo nuk e nderon!
Kryeministri ka bërë disa ekipe qeveritare deri më sot. I ka përzgjedhur apo ia kanë përzgjedhur, njëlloj merr meritat e mban përgjegjësi për punët e mira apo gjërat e mbrapshta që ndodhën gjatë “orës” së qeverisë. Dikur u nda për t’u bashkuar më pas (aleanca e etiketuar gjatë) me LSI duke u ndarë prapë sërish me të, angazhon teknokratë në qeverisje në shpërfillje të potencialit njerëzor brënda PS etj momente që dëshmojnë dorë të fortë e një pako ku janë bashkë merita e përgjegjësia.
Mëndja nuk lexohet por askush nuk vjen nga hiçi. Diku, dikur kanë lënë gjurmë për veten e punën e kur bëhet fjalë për pushtetin, asgjë nuk i lihet rastësisë. Dhe, aq sa përzgjedhja, po aq përgjegjësi lyp edhe kontrolli i punës së bashkëpunëtorëve rrotull tij. Karrigja e bota e interesave tundon vazhdimisht dhe kryeministri e ka detyrim ndaj qytetarit të vërë e mbajë rregull brënda oborrit të tij pa u mikluar nga mirëbesimi, deri fatal, kur ia mbrrin SPAK në derë!
Uno-kraci apo burrë shteti!
Dorëheqja ende mbetet tabu në politikë sepse para se të shihet si virtyt e dinjitet përcillet si dështim. Ka ndodhur por në rrethana ku nuk kishin më karta në dorë e nuk kishin më ç’të humbisnin përveçse të përjetonin pak bonus deliri e buje në largim.
Por dorëheqja si vendim sovran është tipar i burrave të shtetit, shprehje e përgjegjësisë dhe modestisë në politikë sepse askush nuk është i rënë nga qielli. Gabimi është njerëzor dhe qëllon që gabon kur jo vetë, por të tjerët rrotull gabojnë! Larja e duarve apo bërja e të paditurit e të shtangurit sa herë drejtësia heton abuzimin elitar, është më keq se “turpi” i dorëheqjes sepse kjo e fundit është virtyt e duhet merituar!
Kryeministri ka përgjegjësi, më së paku politike, për vartësit apo bashkëpunëtorët që sot kanë probleme me drejtësinë sepse aty mpleksen edhe përgjegjësia në përzgjedhjen e njerëzve ashtu dhe ajo e kontrollit e ndërhyrjes në kohë ndaj abuzimit me karrigen.
Për të është koha të dëshmojë se nuk është politikan dosido por i atillë që e meriton virtytin e dorëheqjes si ekskluzivitet i burrave të shtetit. Është momenti që vetë PS të dëshmojë se nuk është një tufë që vegjeton me uno-kracinë por një parti e madhe në numra dhe personalitete për të ofruar një kryeministër të ri.
Është koha që bashkë me dorëheqjen e kryeministrit, të hapet gara për drejtues të ri në parti e qeveri dhe pas reflektimit e sanksionimit me prioritet të ligjit të ri zgjedhor, të ftohet vëndi në zgjedhje të parakohshme.
Një dorëheqje e tillë nuk zbeh arritjet përkundrazi, do të ishte kapaku i duhur për “librin” e tij në politikë e qeverisje, një shëmbull për të tjerë dhe mbase një derë e hapur për në finalen për postin teatral të presidentit më pas.
Ndryshe nga dorëheqjet e mëparshme, ajo tani do të ishte unike sepse do të ndodhte në zenit politik! Atëherë kur ende je popullor e fitorja e rradhës nuk vihet në dyshim. Një dorëheqje në kësi rrethanash do të pasuronte e garantonte trashëgiminë politike të tij dhe përcillte mesazhin se në demokraci, ndryshe nga uno-kracia, ka rrotacion e shanse për të gjithë dhe merita e përgjegjësia janë “pako” bashkë.
Nuk ka rëndësi kush e pason si kryeministër i zgjedhur më pas, qoftë brënda PS (me shumë gjasa fituese edhe e zgjedhjeve të rradhës) apo dikujt në opozitë. Boll që gjithmonë ka garë e dikush ia del dhe vetë demokracia nuk mban frymën gjatë vetëm me një njeri.
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016