Wilhelm Reich është një figurë thuajse tërësisht e panjohur për publikun shqiptar, edhe pse njëri prej librave të tij, “Listen, Little Man” (1974) është përkthyer (shumë keq) në shqip disa vite më parë.
Për këtë arsye, në këtë numër të gazetës DITA zgjodhëm të botojmë nga dorëshkrimi i librit “Erosi dhe Demokracia”, pjesë nga kapitulli që Prof. Fatos Tarifa i ka kushtuar këtij gjeniu të psikanalizës, kryesisht pikëpamjeve të tij mbi seksualitetin dhe ndikimin që ka pasur ai në shkencën dhe në kulturën e kohës së vet.
Përveçse i ri për lexuesin, informacioni që përmban ky shkrim është edhe shokues.
Nga Fatos TARIFA
“Ëndrra e emancipimit erotik të njerëzimit është e lidhur me atë të emancipimit politik të tij”
Seksualiteti dhe, veçanërisht, dëshira për çlirimin e tij, u bënë pjesë e një lëvizjeje të rëndësishme sociale e politike—kryesisht në Europë—dhe shërbyen si baza ideologjike që përgatiti revolucionin seksual pas Luftës së Dytë Botërore. Periudhës mes dy luftrave botërore i përket edhe vepra e psikanalistit të shquar austriak Wilhelm Reich, Seksualiteti në luftën kulturore, botuar në gjermanisht më 1936 dhe në anglisht më 1971, me titullin Revolucioni seksual.
Seksualiteti, demokracia dhe fashizmi
Wilhelm Reich u përpoq ta përkufizonte konceptin e çlirimit seksual dhe atë të një sistemi barazie erotike mes burrit dhe gruas si një argument revolucionar, si dhe ta integronte atë në kontekstin e lëvizjeve revolucionare të kohës.
Në fakt, ai u bë një ndër figurat më të rëndësishme në historinë e kulturës pop të shekullit të 20-të dhe frymëzuesi kryesor i “revolucionit seksual” të viteve 1960. Për të, një revolucion i tillë nënkuptonte transformimin radikal të çdo sfere të jetës shoqërore—shëndetit, martesës, ekonomisë, moralit, mënyrës së qeverisjes, seksualitetit. Është seksi, argumentonte Reich, ai tek i cili ne zbulojmë dhe realizojmë veten tonë si një qënie e integruar, e çliruar nga kultura sunduese e shoqërisë dhe nga shteti autoritarist që na tjetërsojnë.
Reich mund të thuhet se ishte një farë “evangjelisti seksual” në një kohë represioni global ndaj seksualitetit dhe dominimi fashist në Europë. Ai besonte se “sistemi biologjik i racës njerëzore është rrënuar prej shekujsh” nga strukturat autoritariste të shoqërisë, jo vetëm në Azi dhe në vendet arabe, por edhe në Europë dhe në Amerikë.
Reich ishte i bindur se në protoplazmën e vet, struktura e karakterit njerëzor, e formuar nga institucionet autoritariste të shoqërisë, është e pamundur të ndryshojë. Për këtë arsye, ai besonte se ëndrra e emancipimit erotik të njerëzimit është e lidhur me atë të emancipimit politik të tij.
Në librin e tij Revolucioni seksual, Reich argumentonte se neurozat dhe “sjellja masive irracionale” ose “patologjike” burojnë nga i njëjti shkak: represioni seksual, të cilin, ashtu si Frojdi, ai e shpjegonte si një konflikt të pandërgjegjshëm mes energjisë erotike, nevojave të natyrshme, instinktive të individit dhe aftësisë të tij për kënaqësi seksuale, nga njëra anë, dhe “presionit moral që i mban nën kontroll energjitë e tij seksuale”, nga ana tjetër.
Reich besonte se, në kohën e tij, rreth 90 për qind e grave dhe rreth 70-80 për qind e burrave vuanin nga neuroza që shkaktoheshin nga një gjendje statike kronike e libidos, duke mos funksionuar në përputhje me ligjin natyror. Për ata që këtë fakt e justifikonin me idenë se “kjo është mënyra jonë e jetesës”, Reich kishte këtë përgjigje: “Çështja nuk është nëse ‘kjo është mënyra jonë e jetesës’, por nëse kjo [gjendje] mund të jetë ndryshe”.
Sipas tij, ajo çka rezulton nga konflikti mes energjisë seksuale të individit dhe presionit moral të shoqërisë për ta ndrydhur atë është se “aftësia e natyrshme për kënaqësi seksuale” pengohet, “shkatërrohet tërësisht”, ose zëvendësohet nga “koncepte sadiste për aktin seksual, nga fantazi përdhunimi etj”.
“Ju e dini se ç’ndodh kur dikush rri shumë gjatë pa bërë seks”, shkruante Reich. “Ai ndotet, pushtohet nga mendime të pista, bëhet pornografik, neurotik etj. Kushdo që jeton kundër natyrës veçse tkurret. Në një mënyrë ose në një tjetër, ai sëmuret. [Dhe] ai që bën një jetë të frustruar, ose një jetë patologjike, është ziliqar ndaj kujtdo që jeton ndryshe”.
Reich e mbështeti teorinë e tij revolucionare mbi seksualitetin në modelin “hidraulik” të çlirimit, duke theksuar se nxitjet erotike “natyrore, të shëndetshme dhe instinktive” të individit ndrydhen fizikisht nga ndërhyrja e autoriteteve të huaja, në formën e superegos, çka sjell pasoja patologjike tek ai. Si të vetmen mënyrë shpëtimi nga kjo gjendje ai sugjeronte përdorimin e teknikave psikoanalitike.
Reich erdhi në përfundimin se neurozat e individit, ashtu si dhe patologjitë masive, mund të kurohen vetëm duke eliminuar tabutë mbi seksualitetin, të cilat i imponohen individit qysh në moshën tre ose katër vjeç nga institucioni i familjes patriarkale, nga morali dhe rregulli puritan i virgjërisë paramartesore (që Aldous Huxley e konsideronte si “perversionin seksual më të panatyrshëm”), si dhe nga monogamia e përjetshme.
Duke u shprehur kundër monogamisë, Reich ishte për “marrëdhënie dashurore që zgjasin” (lasting love relationships), të cilat nuk rregullohen me ligj, por krijohen dhe ruhen përmes dashurisë. Me pak fjalë, pikëpamja e tij mund të përmblidhet në këtë mënyrë: “Një seksualitet i shëndetshëm çon në demokraci; një seksualitet pervers çon në fashizëm”.
Reich vs Freud
Edhe pse Reich mbeti i përkushtuar ndaj psikanalizës, ai i kundërshtoi shumë nga pikëpamjet e Frojdit, sidomos përpjekjen e këtij të fundit për ta minimizuar rolin e shoqërisë në lidhje me sjelljen njerëzore. Fakti që Reich, ashtu si Otto Gross para tij, e vuri theksin në rolin që luan shoqëria në jetën e individit, pra edhe në sjelljen seksuale të tij, duke e parë raportin mes shoqërisë dhe individit sociologjikisht, shkaktoi ndarjen mes tij dhe Frojdit, si dhe përjashtimin e tij nga Shoqata Ndërkombëtare e Psikanalizës.
Një ndër pikëpamjet e Frojdit, të cilën Reich e kundërshtoi me forcë, ishte ajo se zhvillimi i qytetërimit dhe arritjet kulturore të shoqërisë janë bërë të mundura në saje të “shtypjes së instikteve” dhe “sublimimit të energjisë seksuale”.
Reich e konsideronte “të pasaktë” këtë pikëpamje pasi, sipas tij, përvoja historike dëshmon se kanë ekzistuar dhe ende “vazhdojnë të ekzistojnë shoqëri shumë të kulturuara, të cilat nuk njohin asnjë represion seksual dhe kanë një jetë seksuale krejtësisht të lirë”. “Ajo që është e saktë në teorinë Frojdit”, vinte në dukje ai, “është vetëm pikëpamja se represioni seksual përbën bazën psikologjike-masive të kulturës autoritariste patriarkale, në të gjitha format e saj”.
Me idetë e tij radikale dhe avantguardiste se në shoqëritë kapitaliste perëndimore moralizmi seksual kishte pësuar fiasko, se normat morale të sjelljes seksuale ishin zëvendësuar nga një “moralitet seksual-ekonomik” (sex-economic morality), se institucioni i martesës së detyrueshme është “baza e kontradiktave në jetën seksuale” dhe se përmes martesës së detyrueshme, familjes, ideologjisë dhe “strukturave kolektive” shoqëria ushtron një “represion seksual” mbi anëtarët e saj, Reich inspiroi shumë mendimtarë dhe veprimtarë radikalë të “revolucionit seksual” në vitet 1960. Edhe pse ai që e përdori për herë të parë shprehjen “revolucion seksual” nuk ishte Wilhelm Reich, emri i tij është i lidhur në mënyrë të pandashme me atë revolucion.
Reich ishte një personalitet shumë kundërthënës, që edhe pati një fat shumë tragjik. Ai ishte një dishepull i Frojdit, i lidhur personalisht shumë ngushtë me të dhe, pa dyshim, më i shquari dhe më origjinali në gjeneratën e dytë të psikanalisëve frojdianë.
Por ai u nda nga Frojdi kryesisht për shkak të ideve të tij mbi rëndësinë e seksualitetit si dhe për shkak të insistimit të tij për të derivuar ide sociale e politike radikale nga psikanaliza. Siç dëshmonte vetë Reich, “Për shtatë vite me radhë unë besoja se po punoja në përputhje të plotë me shkollën frojdiane të mendimit. Askush nuk mund ta merrte me mend se kjo mënyrë argumentimi e imja do të çonte në një përplasje fatale”.
Në fakt, Reich i qëndroi më pranë teorisë së Frojdit sesa vetë ky i fundit, çka edhe u bë shkak për përplasjen mes tyre. Vetë Frojdi nuk arriti të jepte asnjë provë shkencore për teorinë e tij mbi libidon, edhe pse ai besonte—dhe parashikoi—se, herët ose vonë, kjo teori do të provohej e vëretë. Reich shkoi më tej se mentori i tij.
Në vitet e fundit të jetës së vet, Frojdi kapitulloi, duke mos e zhvilluar më tej konceptin e libidos, pra të energjisë seksuale, koncept i cili, në fakt, përbën aspektin qendror e më të rëndësishëm të psikanalizës frojdiste.
Nga ana e vet, Reich pretendonte se kishte provuar eksperimentalisht, në kushte laboratorike, ekzistencën e një energjie bioseksuale, pra të “libidos” in vitro, të cilën e quajti “energji jetësore”—life energy, ose living energy—dhe, më vonë “orgone energy”.
Reich insistonte se kishte zbuluar “ligjet e energjisë jetësore”, ose “ligjin funksional të jetës”. Kjo energji, sipas tij, është një energji biologjike, ose kozmike, që gjendet kudo në natyrë dhe vepron si një forcë vitale brenda organizmit të njeriut, duke u ndikuar nga stimuj të shumtë brenda dhe jashtë tij. “Aktiviteti biologjik në organizmin [e çdo individi] është pjesë e universit” dhe kjo energji është “esenca kozmike” te njeriut”.
Kjo pikëpamje dhe studimet e tij laboratorike shkaktuan mërinë e Frojdit dhe të pasuesve servilë të tij, të cilët e stigmatizuan dhe e luftuan Reich-in, derisa e përjashtuan atë nga Shoqata Ndërkombëtare e Psikanalizës.
Dikush mund të pyesë: Pse ndodhi kështu, përderisa, i përkushtuar tërësisht teorisë së Frojdit, si dhe i formuar në biologji, në shkencat natyrore dhe në filozofinë e natyrës, Reich nuk bëri gjë tjetër veçse u përpoq që t’i vinte një bazë natyrore shkencore teorisë frojdiane mbi libidon? Kjo mund të shpjegohet me faktin se, me autoritetin e tij të padiskutueshëm, Frojdi synoi që të krijonte një kuptim të tillë të psikanalizës, që të ishte përfundimtar. Kushdo që e kundërshtonte atë konsiderohej heretik dhe përjashtohej nga qarqet e psikanalistëve.
Reich u bë një persona non grata për biopsikologët, pasi i kushtonte rëndësi sociologjisë për të analizuar karakterin e njerëzve. Por ai u bë i padëshiruar edhe për psikologët socialë, pasi, në dallim prej tyre, Reich i kushtonte rëndësi edhe biologjisë.
Shumë vite më vonë, më 1952, kur jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara, Reich ka pohuar se “shumica e psikanalistëve kishin probleme gjenitale”; ata kishin qenë “pacientë me shqetësime seksuale” dhe kjo ishte “arsyeja pse ata e urrenin” konceptin e tij mbi energjinë jetësore. Reich shkruante: “Funksionimi gjenital te një person është një shprehje e energjisë së tij jetësore. Nëse ky funksionim është i çrregullt, si në rastin e psikanalistit mesatar, edhe vetë ai person nuk funksionon dhe s’mund ta pranojë bioenergjinë. Ai s’mund të mendojë në këtë mënyrë. Dhe ai urren”.
Divorci me psikanalizën
Reich e humbi shumë herët në karrierën e tij “çdo lloj interesi për lëvizjen e psikanalizës” dhe, qysh prej vitit 1930, punoi “tërësisht më vete”, për të zbuluar, përmes studimeve në një fushë të re kërkimesh, siç është orgonomia, të cilën ai e themeloi, atë çka psikanaliza nuk mund ta zbulonte dot.
Reich e ka shpjeguar në këtë mënyrë dallimin mes psikanalizës dhe qasjes së tij: “Psikanaliza operon me fjalë dhe me ide të pandërgjegjshme. Këto janë mjetet e saj. Sipas Frojdit, e pandërgjegjshmja mund të zbulohet deri te Wortvorstellungen [idetë e shprehura], kur formohen ‘imazhet e fjalëve’. Me fjalë të tjera, psikanaliza nuk mund të depërtojë nën ose përtej vitit të dytë ose të tretë të jetës. Psikanaliza është e lidhur ngushtë me metodën e saj dhe e kufizuar prej saj. Ajo duhet t’i qëndrojë asaj metode që merret me shpjegimin e asociimeve dhe të imazheve verbale. Nga ana tjetër, analiza e karakterit mundësoi të lexuarit e shprehjes emocionale. Ndërsa Frojdi zbuloi botën e mendjes, të mendimeve e të dëshirave të pandërgjegjshme, unë munda të lexoj shprehjet emocionale. Deri atëherë, ne nuk mund ta ‘lexonim mendjen’. Ne mundej vetëm të lidhnim asociacionet verbale. Frojdi arriti me shumë sukses të depërtojë deri në kufijtë ku zhvillohet gjuha, aty nga fillimi i vitit të tretë të jetës. Por mbeti atje. Analiza e karakterit ishte vazhdimi i këtij procesi. Unë shkova më tej, te shprehja trupore, që nuk ka fjalë. Studimet e mia vijuan në fushën e shprehjes emocionale bioenergjike. Por, nëse nuk do të kishte qenë Frojdi dhe ai s’do të kishte bërë atë që bëri, ne nuk do të kishim mundur të depërtonim përtej gjuhës së folur, përtej së pandërgjegjshmes, për të zbuluar formën bioenergjike të shprehjes së organizmit”.
Në veprën e tij Analiza e karakterit, botuar në vitin 1949, e cila konsiderohet edhe sot si një vepër fondamentale në terapinë psikanalitike, Reich argumentoi se indiferenca e Frojdit ndaj tërësisë së shprehjeve të pacientit, ndaj “shikimit të tij, mënyrës së të folurit, shprehjes së fytyrës, veshjes, përplasjes së duarve etj.”, priret që të eliminojë aspekte esenciale të eksperiencës së pacientit duke u mbështetur së tepërmi në komunikimet verbale.
Në dallim nga kjo, mendonte Reich, ndërhyrja ndaj ngurtësisë karakterologjike dhe muskulare shkakton një çlirim të bioenergjisë, që shprehet në lëvizje ritmike dhe në ndjesi trupore. Këto, sipas tij, mund të lexohen si një gjuhë objektivisht shprehëse, duke i bërë të panevojshme spekulimet verbale të psikanalistëve.
Reich shpjegonte se, “kur përmes analizës së karakterit bëhet e mundur që të lexojmë shprehjet emocionale, pacienti nuk ka pse flet”. “Ti më thua mua se cili je”, argumentonte Reich, “përmes shprehjes tënde. Frojdi më tha mua se cili ishte ai përmes shprehjes së fytyrës së tij…Ju lutem, shiheni këtë fotografi të Frojdit. Nuk e di nëse do të mund të shihni atë që duket në foto. Unë nuk e vura re kur e mora këtë foto prej tij në vitin 1925. Fytyra e tij ka një shprehje shumë të trishtuar, ajo shpreh një dëshpërim të vërtetë. Unë nisa ta vë re dëshprimin në fytyrën e Frojdit diku rreth vitit 1940. Edhe pse ai kishte vdekur në atë kohë, ai vazhdoi të kishte një ndikim të madh në drejtimin që morën kërkimet e mia në fushën e emocioneve njerëzore”.
“Çfarë e shkaktonte dëshpërimin e tij dhe pse unë nuk e kisha vënë re këtë dëshpërim në fytyrën e tij më parë, në vitin 1925, ose më 1930?”, pyeste Reich, për të na dhënë ai vetë këtë përgjigje:
“Kur u takova për herë të parë me Frojdin, në vitin 1919, ai ishte një person shumë i gjallë. Ai ishte plot shpresë. Fjalëshumë dhe tërë zell. Pastaj, më 1924, diçka ndodhi. Atë vit ai nuk mori pjesë në asnjë mbledhje dhe në asnjë kongres. Në atë kohë iu zhvillua kanceri në gojë. Nga studimet e mia rezulton se kanceri është një sëmundje që pason dorëheqjen emocionale—një tkurrje bioenergjike, një heqje dorë nga shpresa. Pse kanceri u zhvillua tek ai pikërisht në atë kohë? Sepse Frojdi filloi të hiqte dorë nga gjithçka dhe, çuditërisht, konflikti mes nesh filloi thuajse në të njëjtën kohë”.
Në vitet e fundit të jetës së tij, Reich pohonte se ajo që e shqetësonte më shumë Frojdin në marrëdhënie me të nuk ishte teknika e analizës së karakterit, por revolucioni seksual, një term ky që vetë Reich e përdori për herë të parë në vitet 1930.
Zhgënjimi që Reich pësoi nga marrëdhënia me mentorin e tij, edhe pse i justifikuar, nuk e shtyu asnjëherë atë që ta urrente, ose ta refuzonte Frojdin. Deri në fund të jetës së vet, Reich e vlerësoi Frojdin si askush tjetër ndër pasuesit e tij dhe asnjëherë nuk e mohoi borxhin intelektual që i detyrohej atij. “Unë mund të flas pa fund për të”, pohonte Reich në vitet e fundit të jetës së vet, “sepse i tillë është Frojdi për mua. Frojdi ishte si Kolombi, që zbarkoi në një breg dhe zbuloi një kontinent të tërë”.
Ishte pikërisht marrëdhënia e tij me Frojdin dhe me psikanalizën ajo që, siç shprehej vetë Reich, e ndihmoi atë që të hidhte hapin e parë të rëndësishëm për zbulimin më vonë prej tij të orgonit, si një “energji kozmike”. Pikëpamjet e Frojdit kanë qenë thelbësore edhe për sqarimin e shumë çështjeve klinike, me të cilat u mor Reich gjatë karrierës së vet. Në retrospektivë, Reich e vlerësonte konfliktin mes tij dhe Frojdit si një hallkë në procesin e zhvillimit shkencor dhe, si të tillë, të dëshirueshëm, madje, edhe të domosdoshëm.
Libido apo shoqëria?
Është me interes të vihet në dukje se, pikërisht koncepti që përbën thelbin e teorisë së Frojdit—libido—është kritikuar më shumë se çdo aspekt tjetër i kësaj teorie, madje edhe nga shumë prej atyre që vazhdojnë t’i përkasin shkollës frojdiste.
Disa autorë mendojnë se është krejt e panevojshme “të flasësh për një energji, ekzistenca e së cilës nuk mund të provohet kurrë si shkak i sjelljeve të njeriut, të cilat mund të kuptohen vetëm nëse shpjegohen me motivimin dhe mekanizma psikologjikë”. “Libido”, sipas tyre, “nuk i shton asgjë dijes sonë dhe, prandaj, ky koncept nuk duhet përdorur më tej”.
Në vend të këtij koncepti, për të përshkruar procesin jetësor të individit, këta autorë përdorin një frazeologji që s’ka ndonjë përmbajtje konkrete, si “impuls motivues”, ose “akt sjelljeje” dhe këtë e quajnë të mjaftueshme për qëllimet e tyre. Për ta, libido nuk është më shumë sesa një “metaforë”, një “tautologji”, ose thjesht një “shpikje e imagjinatës”. “Bllokoni këtë metaforë”, thotë njëri prej tyre, “dhe do të kuptoni se çfarë e motivon në të vërtetë sjelljen njerëzore”.
Krejt ndryshe nga shumica e pasuesve të Frojdit, Reich jo vetëm argumentoi rolin shumë të madh që luan shoqëria në sjelljen e individit, por insistoi në rëndësinë që ka koncepti frojdian i libidos, duke mbetur deri në fund i vendosur për ta mbrojtur atë. Në një intervistë të gjatë, dhënë në vitin 1952, në të cilën Reich shpjegon në mënyrë të hollësishme marrëdhënien e tij me Frojdin, ai pohonte:
“A e dini se cili e mbajti gjallë dhe në përdorim teorinë e libidos? Dhe kush e zhvilloi atë? Unë mendoj se jam i vetmi që e ka bërë këtë. Askush tjetër. Mua më duhej që të mbështetesha në teorinë e libidos, jo vetëm sepse ajo është e vërtetë, por edhe sepse kisha nevojë për të. Kisha nevojë për të si një mjet kërkimi. Ajo më çoi në fushën e fiziologjisë. Kjo do të thotë se, ajo çka Frojdi e quajti libido nuk është diçka kimike, por një funksion i vërtetë fiziologjik. Dhe nga e gjitha kjo erdhi zbulimi i energjisë orgon. Ajo, të cilën Frojdi e quante libido në organizmin e njeriut është, gjithashtu, edhe një realitet jashtë organizmit—energjia orgon. Kjo energji u zbulua duke u nisur nga ideja origjinale e Frojdit mbi libidon. Unë nuk u kapa pas teorisë së libidos për shkak të ndonjë ekspertize të veçantë që kam në çështje të seksit, në kuptimin e zakonshëm të fjalës, por për shkak se ajo është një parim shkencor natyror i sasisë së energjisë dhe i të funksionuarit objektivisht. Është ky parim i energjisë, për të cilin unë i jam borxhli Frojdit, dhe është po ky parim ai që më ndan mua nga psikanalistët. Psikanaliza është psikologjia e ideve, ndërsa orgonomia është një shkencë e energjisë fizike—e energjisë fizike brenda dhe jashtë organizmit tonë”.
Kritik si ndaj kundërshtarëve të tij psikanalistë, ashtu dhe ndaj atyre sociologëve që e mohonin tërësisht rolin e faktorit biologjik në sjelljen e individit, duke mbrojtur teorinë e Frojdit mbi libidon, pak vite para se të vdiste, Reich insistonte se:
“Frojdi kurrë nuk hoqi dorë nga teoria e tij mbi seksualitetin, nga teoria e libidos. Kurrë! Dhe të gjitha sulmet e mëvonshme ndaj tij nga sociologët, që nuk e pranojnë libidon, janë gjëpora! Çështja nuk shtrohet: ose libido, ose shoqëria. Libido është energjia që formohet nga shoqëria. Këtu nuk ka asnjë kontradiktë. Gjithnjë habitem kur dëgjoj, ose lexoj një gjë të tillë: ose libido, ose sociologjia! Kjo është vërtet absurde! Asnjë psikanalist serioz nuk e ka besuar dhe nuk e ka thënë ndonjëherë këtë. Fëmija sjell me vete një masë të caktuar energjie. Shoqëria e merr këtë energji dhe i jep asaj formë. Pra, ne kemi sociologjinë dhe biologjinë, të dyja në të njëjtin organizëm. I tërë orientimi sociologjik brenda psikanalizës, që e ka braktisur teorinë e libidos, teorinë mbi seksualitetin, duke thënë se ‘nuk ka seksualitet, ka vetëm shoqëri’, nuk është veçse një evazion, thjesht frikë për t’u marrë me atë gjendje të rëndë në të cilin ndodhet njerëzimi, me neorozat seksuale të njeriut. Unë besoj se Frojdi e dinte se pasuesit e tij e kishin tradhëtuar teorinë e tij mbi seksualitetin. Teoria e libidos ishte tradhëtuar; ajo nuk ekzistonte më. Dhe është krejt e qartë se sot, në lëvizjen e psikanalizës nuk ka më një teori të libidos”.
Edhe pse pikëpamjet e Reich-it mbi seksin e kishin zanafillën te psikanaliza, ato përbëjnë në të vërtetë një botëkuptim filozofik që synon të shpjegojë një prej enigmave më të mëdha të njerëzimit lidhur me raportin mes natyrores dhe shoqërores, biologjikes dhe sociales në jetën e individit e të shoqërisë. Ky problem është esencial edhe për sociologjinë.
Thelbin e këtij problemi vetë Reich e shprehte në këtë mënyrë: “Adoleshentët frustrohen. Në martesë ka shumë mjerim. Pse ndodh kështu? Ç’duhet bërë? Këtu kemi të bëjmë me probleme sociale—institucioni i martesës, legjislacioni, dogma katolike, kontrolli i lindjeve dhe çdo gjë që ka të bëjë me shoqërinë. Këto janë hapur çështje me të cilat merret sociologjia”.
Seksologjia dhe sociologjia. Ose, psikanaliza dhe marksizmi
Reich ishte një personalitet karizmatik dhe autoritativ, që jo vetëm e predikoi, por edhe praktikoi lirinë seksuale. Ai u akuzua si komunist nga kundërshtarët e tij për shkak të rëndësisë që i kushtonte ndikimit të faktorëve shoqërorë në sjelljen e individit, arsye kjo për të cilën ai e shihte teorinë marksiste si një shpresë për të përmirësuar kushtet e jetës njerëzore.
Edhe pse në vitet 1920 iu bashkua lëvizjes komuniste, qasja e tij ndaj seksualitetit ndryshonte shumë si nga ideologjizmi marksist, ashtu dhe nga anarkizmi. Madje, një ndër arsyet pse Reich u përjashtua nga organizata komuniste ku bënte pjesë ishte se ai futi seksologjinë në sociologji, ose në atë që quhet materializëm historik, duke e vënë theksin në implikimet që ka seksualiteti në strukturën dhe në marrëdhëniet shoqërore.
Ishte për këtë arsye që, mes viteve 1934 dhe 1937, të gjitha veprat e Reich-it u ndaluan në Bashkimin Sovjetik, pasi ato ishin djegur më parë nga nazistët në Gjermani. Vetë Reich pohonte:
“Unë nuk kam qenë kurrë një komunist në kuptimin që i jepet zakonisht kësaj fjale. Unë nuk kam qenë kurrë një komunist politik. Kurrë. Ah, po, unë mendoja se kapitalizmi është i keq, por sot nuk besoj se kjo gjendje e mjeruar vjen prej kapitalizmit. Mjerimi është më i vjetër sesa kapitalizmi. Unë u përpoqa shumë që t’i afroja psikologjinë, veçanërisht psikologjinë psikanalitike, me sociologjinë. Dhe ja arrita. Në Austri punova me komunistët. Në Gjermani, gjithashtu, punova me grupin komunist të atjeshëm për shkak të ligjeve të reja në Rusi—ligje që kishin të bënin me seksin. Frojdi, gjithashtu, ishte për këtë. Ishte një prirje për të bashkuar psikologjinë me Marksizmin, ose psikanalizën me Marksizmin”.
Në parathënien e botimit të tretë të librit të tij Psikologjia masive e fashizmit, botuar më 1933, atë vit kur Hitleri mori pushtetin në Gjermani, duke shpjeguar marrëdhëniet e tij me organizata të ndryshme marksiste në Austri dhe në Gjermani, Reich shkruante se:
“Mua nuk më vjen keq për vitet kur punoja si një mjek në organizatat marksiste. Unë ia dedikoj njohuritë e mia sociologjike jo librave, por kryesisht eksperiencës praktike të luftës së masave punonjëse për një ekzistencë më të denjë e më të lirë. Për mua, si mjek, individi punonjës, me shqetësimet e tij të përditshme, ishte shumë më pranë sesa mund të jetë ai për politikanët e një partie. Politikani partiak shihte tek [individi punonjës] vetëm ‘klasën punëtore’, të cilën do e ushqente me ‘ndërgjegjjen klasore’. Unë shihja tek ai qenien e gjallë, njeriun që jetonte në kushtet shoqërore më të këqia, kushte që i kishte krijuar ai vetë dhe që e kishin mbërthyer atë karakterologjikisht, kushte që ai i merrte me vete dhe prej të cilave përpiqej më kot të çlirohej. Hendeku mes konceptit ekonomistik dhe atij biosociologjik u bë i pakapërcyeshëm. Teoria e ‘individit klasor’ u zëvendësua nga njohuritë mbi natyrën irracionale të shoqërisë të formuar nga njeriu, si qenie natyrore. Materializmi dialektik, siç e kishte parashtruar atë Engelsi në veprën e tij Anti-Dyring, u zhvillua në një funksionalizëm biofizik. Ky zhvillim u bë i mundur me zbulimin e energjisë biologjike, orgonit (1936-38). Sociologjia dhe psikologjia u vunë mbi një bazë biologjike solide”.
Listen, Little Man!
Vini re se çfarë deklaronbte Reich në librin e tij Listen, Little Man!:
“Unë nuk jam as i bardhë, as i zi, as i kuq, as i verdhë. Unë nuk jam as i krishterë, as hebre, as muhamedan, as mormon. Unë nuk jam as një poligam, as homoseksual dhe as një anarkist…Unë nuk besoj se për të qenë fetar, në kuptimin më të mirë, autentik të fjalës, një njeri duhet të shkatërrojë jetën e vet dashurore dhe të balsamoset trup e shpirt. Ajo që ju e quani ‘Zot’ ekziston vërtet, por jo në atë formë që mendoni ju. Zoti është energjia e parë kozmike, dashuria në trupin tënd, integriteti tënd dhe perceptimi tënd për natyrën brenda dhe jashtë teje”.
Reich u ngrit vendosmërisht kundër hipokrizisë politike e fetare që sundonte në shoqërinë e kohës së tij, duke e stigmatizuar atë në personazhin e një “little man”, një njeriu të vogël, që “nuk do të dëgjojë të vërtetën për veten e vet”. Ai shkruante (dhe unë dëshiroj ta citoj gjatë) si më poshtë:
“Ti [o njeri i vogël], i lutesh Krishtit. Krishti fëmijë u lind nga një nënë që s’ishte e martuar. Ajo për çfarë i lutesh Krishtit, i gjori ti, njeri i vogël, që vuan martesën tënde, është dëshira që ti vetë ke për liri seksuale. Ti e ke ekzaltuar Krishtin fëmijë ‘ilegjitim’, e ke quajtur atë fëmijën e Zotit, të atij Zoti që nuk e sheh asnjë fëmijë si ilegjitim…Ti lëviz me makinë mbi ura të ndërtuara në bazë të llogaritjeve të Galileit të madh, por a e di ti, o njeri i vogël, se Galilei i madh kishte tre fëmijë jashtë martese? Ti nuk ua thua këtë të vërtetë fëmijëve të shkollës. Dhe a nuk ishte kjo një ndër arsyet pse Galilei u persekutua? Dhe a e di ti, o njeri i vogël, se kur erdhi në pushtet, Lenini i madh e anulloi martesën tënde të detyrueshme? A e di ti se vetë ai, Lenini, bashkëjetoi me një grua pa qenë i martuar me të? Dhe këtë ti e ke mbajtur të fshehtë, apo jo, o njeri i vogël. Ti je mendërisht i gjymtuar; ti ndihesh impotent, i tensionuar, i ngurtësuar, pa jetë, bosh. Ti nuk ke një femër, ose, edhe nëse ke, e do atë vetëm për seks, për të provuar se je burrë…Unë kurrë s’kam përqafuar një grua pa qenë i bindur se ajo më dëshironte mua dhe se unë gjithashtu e dëshiroja atë dhe kurrë nuk ia kam vjedhur dashurinë askujt, siç bën ti, o njeri i vogël…Unë e dua gruan time, ose atë me të cilën jetoj. Unë nuk jam si ti, që mendjen e ke të joshësh vajza të vogla pas shkurreve, ngaqë je i paaftë të duash gruan tënde, gruan tënde të mjerë, e cila merr më shumë kënaqësi nga shoferi tënd sesa nga ty, burri i saj”.
Reich vijon më tij: “Ti, o njeri i vogël, nuk di se ç’është dashuria. Unë dua të të ndihmoj. Dua të të bëj të aftë të kesh jetën tënde seksuale natën, në mënyrë që ditën të punosh, i çliruar nga mendimet për seksin. Unë dua që gruaja tënde të ndihet e lumtur në krahët e tu, jo e dëshpëruar. Dua që fëmijët e tu të jenë faqekuq, jo të zbehtë, të dashur e jo të ashpër. Lëri fëmijët e tu të rriten siç i ka bërë natyra (ose ‘Zoti’). Ti po i torturon për vdekje natyrën tënde, dashurinë në trupin e fëmijës tënd, ëndrrën e gruas tënde për dashuri, ëndrrën tënde për jetën kur ishe 16 vjeç. Hiq dorë nga iluzionet e tua për pak të vërtetë, njeri i vogël, mendimi tënd nuk sheh larg, nuk shkon më shumë sesa nga mëngjesi në drekë…Edhe një bretkosë që guak në kënetë është më e gjallë sesa ti. E vërteta ime është më e fortë sesa ti. Unë dua që t’i të heqësh dorë nga frika që ke prej vetes. Dua që të jetosh më i lumtur, më mirë; dua që të ndihesh një trup i gjallë dhe jo i ngurtë, t’i duash e jo t’i urresh fëmijët e tu, ta bësh gruan tënde të lumtur e jo të nënshtruar në agoninë matrimoniale. Lëri fëmijët e tu të rriten të lumtur, duaje gruan tënde netëve. Nëse vepron kështu, me vetdije dhe vendosmërisht, nuk do të ketë më luftra”.
Reich dhe përvoja sovjetike post-revolucionare
Në fillim të viteve 1920, Reich u ndikua së tepërmi nga përvoja liberale e Bashkimit Sovjetik në vitet e para të pushtetit bolshevik. Një figurë qendrore në periudhën fill pas revolucionit bolshevik në atë vend u bë Alexandra Kollontai, së cilës Lenini i besoi drejtimin e organizatës bolshevike të grave, të quajtur “Zhenotdel” dhe reformimin e legjislacionit për familjen. Kollontai besonte se e vetmja formë e moralshme martese duhej të ishte martesa me dashuri.
Në pamfletin e saj “Teza mbi moralin komunist në sferën e marrëdhënieve martesore”, botuar në vitin 1921, Kollontai argumentonte se seksualiteti duhej të çlirohej nga stigmatizimi shoqëror, pasi “akti seksual duhet parë jo si diçka e turpshme, apo si një mëkat, por si diçka po aq e natyrshme sa dhe nevojat e tjera të një organizmi të shëndetshëm, siç janë uria apo etja. Një gjë e tillë nuk mund të gjykohet si e moralshme ose e pamoralshme”.
Qysh në dhjetorin e vitit 1917, pra fill pas Revolucionit të Tetorit, Lenini kishte dekretuar dy ligje shumë të rëndësishëm, që kishin të bënin njëri me martesën civile, fëmijët dhe regjistrimin e martesës, dhe tjetri me zgjidhjen e martesës. Të dy këta ligje e zhvishnin burrin nga roli i tij dominues në familje, duke i dhënë gruas të drejta të plota për të vendosur për çështje ekonomike e seksuale që kanë të bëjnë me jetën dhe mirëqenien e saj.
Kollontai, nga ana e vet, së bashku me një grup kuadrosh bolshevikë, juristë radikalë, u përpoq që t’i sfidonte bazat tradicionale të matrimonisë duke i zëvendësuar martesat në kishë me ceremoni civile, duke liberalizuar ligjet për divorcin, duke legalizuar abortin, duke e dekriminalizuar homoseksualitetin, duke u njohur të drejta të barabarta fëmijëve të lindur nga martesa dhe atyre të lindur jashtë martese etj.
Edhe pse dëshirat dhe kërkesat e saj gjetën në atë kohë një përkrahje të gjerë në radhët e grave dhe të rinisë sovjetike, shumë prej tyre mbetën thjesht të tilla—dëshira dhe kërkesa. Sidoqoftë, në vitin 1920 Bashkimi Sovjetik u bë i pari vend në Europë, që me pëlqimin e gruas e legalizoi abortin në periudhën brenda 12 javëve të para të shtatzanisë.
Wilhelm Reich e përshkruante me këto fjalë frymën emancipuese të ligjeve të tilla në shoqërinë sovjetike të asaj kohe: “Divorci u bë shumë i lehtë. Një marrëdhënie seksuale që nuk konsiderohej ‘martesë’ mund të zgjidhej po aq lehtë sa edhe ishte krijuar. I vetmi kusht ishte pëlqimi reciprok mes partnerëve. Regjistrimi i një marrëdhënieje nuk ishte i detyrueshëm. Edhe nëse një marrëdhënie ishte e regjistruar, marrëdhëniet seksuale me të tjerë nuk dënoheshin. Sidoqoftë, nëse nuk e informoje partnerin tënd në lidhje me një marrëdhënie tjetër, kjo konsiderohej diçka e gabuar. Detyrimi për të paguar për fëmijët e lindur nga një marrëdhënie pas ndarjes shihej vetëm si një ‘masë tranzitore’. Ky detyrim zgjaste vetëm për gjashtë muaj pas ndarjes dhe vetëm në ato raste kur partneri përfitues ishte i papunë, ose nuk kishte mjete të tjera jetese”.
“Lëvizja për higjenë mendore” si sociologji e aplikuar
I frymëzuar nga përvoja sovjetike, në mesin e viteve 1920 Reich u bë një ndër pjesëtarët më aktivë të një fushate që u quajt “lëvizja për higjenë mendore”. Kjo lëvizje ofronte në parqet e Vienës seksione informative dhe edukative mbi seksin për femrat, meshkujt dhe fëmijët, si dhe kërkonte një reformë ligjore në fushën e familjes, kontraceptivë falas dhe të drejtën e abortit.
Më vonë, Reich do e përshkruante në këtë mënyrë përvojën e atyre viteve:
“Unë dola mes njerëzve. Nga viti 1927 deri aty nga shtatori i vitit 1930 punova me njerëzit dhe bëra punë sociologjike në bazën e shoqërisë. Fillova të merresha me sociologji, e cila, në atë kohë, ishte e ndikuar nga politika, ose identifikohej me të. Këtu gjeta një tjetër gjeni, Marksin. Në vitin 1927 fillova të interesohesha për idetë e Marksit dhe të Engelsit. Sigurisht që më duhej ta bëja këtë. Ata ishin njerëz shumë të mëdhenj dhe kishin të drejtë në ato që thonin. Prej tyre mësova një sociologji të mirë, të vërtetë”.
Kjo fushatë kulmoi me themelimin, në vitin 1931, po nga Reich, e një lëvizjeje politike radikale, e quajtur “Shoqata Gjermane për Politika Proletare mbi Seksin”, ose “Sex-Pol”, në të cilën u mobilizuan disa mijëra të rinj e të reja gjermane. Në atë kohë, Reich besonte se “një revolucion seksual ka filluar dhe nuk ka forcë në botë që ta ndalojë atë”.
Armik i psikanalistëve, i socialistëve, i komunistëve, i nazistëve, i liberalëve
Me ardhjen në fuqi të nazistëve, të cilët i dogjën librat e tij, ashtu si dhe librat e Frojdit dhe të shumë autorëve të tjerë të shquar, si Albert Einstein, H. G. Wells, Thomas Mann apo Marcel Proust, Reich u shpërngul në vendet skandinave. Por, edhe pse ai mbeti “i vetmi psikanalist që për viten me radhë e kritikoi publikisht dhe tërësisht regjimin nazist të Hitlerit”, për shkak të radikalizmit të tij Reich u përjashtua nga partia komuniste e Austrisë, si dhe nga Shoqata Ndërkombëtare e Psikanalizës dhe më vonë u dëbua si nga Danimarka, dhe nga Norvegjia.
Vite më vonë, Reich do ta konsideronte shndërrimin e lëvizjes për “higjenë mendore” në një lëvizje politike si një ndër gabimet e tij. Lëvizjet politike, sipas tij, lindin dhe zhvillohen për shkak të varfërisë dhe të nevojave ekonomike, ndërsa lëvizja që ai krijoi kishte për bazë nevojat seksuale të rinisë. Duke i dhënë lëvizjes së tij një karakter politik, Reich zgjoi frikë, xhelozi dhe armiqësi në radhët e psikanalistëve, si dhe të partive politike të kohës. Ai pohonte:
“Unë shkova shumë larg. Lëvizja zgjoi qysh në fillim shumë entuziazëm. Por ajo nuk u zhvillua gradualisht, siç do të ishte dashur. Kjo pikërisht e vrau atë. Dhe kuptohet, unë bëra armiq psikanalistët, socialistët, komunistët, nazistët, liberalët—të gjithë këta ishin kundër asaj lëvizjeje. Të gjithë politikanët, gjithashtu, ishin kundër saj. Unë nxora një mësim: Kurrë mos e bë politikisht atë që kërkon të arrish. Bëje në mënyrë fakultative. Hap klinika, ndihmoji adoleshentët të krijojnë jetën e tyre dashurore, ndrysho ligjet. Entuziazmi që zgjohet politikisht nuk të çon shumë larg. Të çon deri diku, por vetëm si një flakë që tërheq vëmendjen”.
Ndryshe si nga anarkistët, ashtu dhe nga komunistët, që u premtonin qytetarëve lumturi politikisht, “pa krijuar më parë kushtet e higjenës mendore që e bëjnë të mundur atë”, Reich e vuri theksin te rëndësia që ka shëndeti seksual për individin dhe për shoqërinë, për “lirinë seksuale” dhe për “lumturinë seksuale të rinisë”.
Reich dhe fati i tij tragjik në Amerikë
I zhgënjyer dhe i bindur se reformat liberale që do të çonin në një “revolucion seksual” në Bashkimin Sovjetik të viteve 1930, nën drejtimin e Stalinit, kishin dështuar, se komunizmi në atë vend ishte shndërruar në një monstër, që ai e cilësoi “fashizëm i kuq”, dhe se një revolucion seksual ishte bërë i pamundur në Europë, në vitin 1939, vetëm pak ditë para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Reich emigroi në Shtetet e Bashkuara. Ai besonte se pikëpamjet e tij do të gjenin një mjedis më mikpritës në atë vend dhe një publik më dashamirës se sa në Europën tashmë të pushtuar nga fashizmi.
Pavarësisht puritanizmit të saj, Amerika kishte filluar në atë kohë të preokupohej për seksin, siç dëshmonin studimet që kishin nisur Alfred Kinsey dhe bashkëpunëtorët e tij një vit më parë. Megjithatë, në atë kohë, shoqëria dhe politika amerikane ende nuk ishin gati për psikanalizën—e cila, në shtypin e kohës, konsideroj thuajse njëlloj si astrologjia—dhe, sidomos, nuk ishin gati për reformat radikale për të cilat fliste Wilhelm Reich.
Pas famës që kishte arritur në Vienë dhe në një pjesë të mirë të Europës si një psikanalist i talentuar dhe si një mendimtar i shquar dhe, më vonë, në Shtetet e Bashkuara, si një terapist dhe si zbuluesi i energjisë orgon, Reich filloi të shihej me dyshim nga një pjesë e qarqeve akademike të atij vendi, si një “skizofren” dhe si një njeri problematik, sidomos nga autoritetet zyrtare amerikane.
Në fakt, menjëherë pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara, Reich u vu nën survejimin e FBI-së. Për pikëpamjet e tij radikale e subversive (edhe pse ai ishte një anti-Hitlerian dhe anti-Stalinist i vendosur), sidomos për teorinë e tij mbi “orgonin”, si një formë e re energjie, ose si “energjia e jetës” (life energy), por veçanërisht për një aparat që ai e shpiku dhe e vuri në përdorim, i quajtur “akumulator i orgonit” (orgon accumulator), Reich u shpall nga autoritetet e FDA-së (Food and Drug Administration) si një “skizofren paranojak”, u burgos dhe vdiq në burg, në vitin 1957.
Psikologjia masive e fashizmit
Ishte vetëm pas Luftës së Dytë Botërore që ideja e çlirimit seksual u përhap dhe u bë sunduese në kulturën amerikane dhe kudo në Perëndim. Wilhelm Reich, më shumë se kushdo tjetër, ishte ai që “e shpiku revolucionin seksual”.
Në librin e tij Funksioni i orgazmës, botuar fillimisht në gjermanisht, në vitin 1942, dhe përkthyer e botuar në botën anglofone pas vdekjes së tij, Reich argumentoi se shprehja seksuale (kryesisht orgazma) është një gjendje e natyrshme, dhe se kontrolli shoqëror mbi energjitë seksuale të individit (përmes familjes, moralitetit të institucionalizuar seksual dhe shtetit) është shkatërrues. Ai shkruante:
“Moraliteti funksionon si një detyrim. Ai është i papajutueshëm me nevojën e natyrshme për të kënaqur instinktet. Vetërregullimi ndjek ligjet natyrore të kënaqësisë dhe jo vetëm është në përputhje me instinktet e natyrshme, por është, në fakt, edhe fuksionalisht i njëjtë me to. Duke alternuar rregullisht tensionin dhe relaksimin, ai është në përshtatje me të gjitha funksionet natyrore. Individi me një strukturë të shëndetshme, të vetërregulluar, nuk i përshtatet pjesës irracionale të botës; ai instiston në plotësimin e të drejtave të tij natyrore”.
Reich argumentoi se, përmes shtypjes së energjisë seksuale, që është burimi i çdo energjie, shoqëria përpiqet që t’i detyrojë individët t’u binden nevojave të saj dhe, për këtë, ajo përdor instrumente të tillë, si familja, morali etj. Por, vijon ai, ndrydhja dhe shtypja seksuale e shtrembërojnë zhvillimin psikologjik të individit dhe çojnë në sjellje autoritariste. Kjo narrativë u përdor nga Reich për të shpjeguar shkaqet e lindjes së nazizmit në Gjermani.
Ndërsa Carl Jung u përpoq t’i shpjegonte lindjen e nazizmit dhe shkaqet e Luftës së Dytë Botërore me “rolin e së pandërgjegjshmes” apo me “arketipin Wotan”, i kuptuar si një arketip psikologjik kolektiv i gjermanëve; Erich Fromm e kërkoi shpjegimin te dëshira për kontroll dhe te nekrofilizmi i Hitlerit; Elias Canetti e shpjegoi lindjen e nazizmit me inflacionin e viteve 1920 në Gjermani, ndërsa George Steiner i pa lindjen e nazizmit dhe holokaustin si një reagim ndaj monoteizmit të hebrenjve dhe mesianizmit marksist, Wilhelm Reich e vuri theksin te ndrydhja dhe shtypja e seksualitetit. Këtë pikëpamje Reich e zhvilloi gjerësisht në veprën e tij Psikologjia masive e fashizmit.
Vetë Reich pohonte më vonë se, pyetja që kërkonte përgjigje nga ana e sociologjisë—dhe të cilën ai e vetë e kishte shtruar qysh në vitin 1927—ishte se “si duhet shpjeguar që një Hitler i vetëm, ose një Dzhugashvil (Iosif Vissarionovich Dzhugashvil, emri i vërtetë i Stalinit) i vetëm, mund të kontrollojnë tetëqind milionë njerëz. Si është e mundur që tetëqind milionë njerëz të rritur, punëtorë, të mirë, t’i nënshtrohen një monstre të vetme”?
Duhet vënë në dukje se me këtë vepër, Reich iu largua psikologjisë individuale për t’i përqendruar interesat dhe vëmendjen e tij te psikologjia e masave, duke u bërë në këtë mënyrë një pionier i psikanalizës si një shkencë sociale para se në këtë fushë të aderonin disa prej personaliteteve më të shquar të Shkollës së Frankfurtit, si Herbert Marcuse, Erich Fromm, Theodor Adorno apo Max Horkheimer.
Reich dhe revolucioni seksual i viteve 1960
Bindja që kishte Reich se çlirimi seksual përbënte një faktor të rëndësishëm për t’i rezistuar fashizmit, që në vitet 1930 po përhapej kudo në Europë, bëri për vete një masë të madhe njerëzish edhe në Shtetet e Bashkuara. Më vonë, pikëpamja e tij se seksi i mirë është rruga drejt një shoqërie të mirë dhe se një seksualitet vibrant është një parakusht për një demokraci vibrante, fitoi momentum në atë vend.
Në një ese shumë të njohur, titulluar “Brezi i ri i humbur” (The New Lost Generation), shkrimtari i njohur amerikan, James Baldwin, i përshkruante vitet 1950 dhe 1960 në Amerikë si “një periudhë kur njerëzit iu larguan idesë se bota mund të bëhej më e mirë përmes politikës, dhe përqafuan idenë se bota do të fillonte të bëhej më e mirë nëse njerëzit do të kujdeseshin për shëndetin e tyre psiqik dhe seksual”.
Edhe pse sot nuk flitet shumë për këtë, në periudhën para dhe pas Luftës së Dytë Botërore Reich shkaktoi vërtet një tronditje sizmike në moralitetin dhe në politikën amerikane të kohës dhe reagime të ashpra në radhët qarqeve politike dhe atyre fetare. Dhe jo vetëm në Amerikë, por kudo në botën perëndimore.
Nëse marim parasysh frymën e asaj kohe, kur Frojdi dhe psikanaliza ishin bërë një “Kishë e re” për miliona njerëz në Shtetet e Bashkuara, pa asnjë ekzagjerim mund të thuhet se idetë e Reich-it kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në radhët e rinisë e të intelektualëve amerikanë në vitet 1950 dhe 1960, si edhe në kulturën amerikane të asaj periudhe.
Në fakt, “revolucioni seksual” në Shtetet e Bashkuara nisi nga njerëz që ndanin të njëjtin besim me Reich-in (edhe nëse nuk i kishin lexuar librat e tij) lidhur me ndikimin shkatërrues të represionit seksual. Sidoqoftë, Reich ishte ai që, ndoshta më shumë se çdo filozof tjetër i seksit, “i dha entusiazmit erotik të viteve 1960 një justifikim intelektual dhe hodhi bazat teorike të asaj epoke”.
Në mesin e viteve 1960, revista Time e cilësoi atë një “profet”. Jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Europën Perëndimore, Wilhelm Reich dhe pikëpamjet e tij u bënë një manifest i lëvizjeve studentore dhe i “revolucionit seksual” që po përhapej ngado. Në Berlin, studentët demonstrues në vitin 1968 i qëllonin policët me librin e Reich-it The Mass Psychology of Fascism; në Universitetin e Frankfurtit, po në atë kohë, studentët kishin këtë moto: “Lexo Reich-in dhe bëj siç thotë ai”; në Paris, studentët demonstrues shkruanin në muret e Universitetit të Sorbonës grafiti me thënie nga Reich.