Binak Ulaj
Para së të agonte, më 22 janar 1998 familja e mërndritur Jashari, ishte sulmuar për herë të dytë nga forcat kriminale serbe. Pasi ishin pritur ashtu siç pritën kafshërorët, ata ishin sprapsur keq. Në përballje lufte të paepur ishin plagosur vajzat e reja, Selvetje dhe Ilirjana. Pas pak ditësh, bashkë me disa anëtarë të KMDLNJ kishim vajtur për vizitë.
Thellësinë e kuptimin mbresëlënës do t’ i jap rrugëtimit tim të mëtejmë jetësor ajo vizitë, do ta kuptoj pas betejës së 5,6 e 7 marsit, e cila e ka lartësuar historinë tonë të luftës për mbrojtjen e Atdheut e, me këtë, edhe të dinjitetit tonë kombëtar. Edhe tani më bëhet se e shoh fytyrën e babëlokut Shaban, që çelej kur tregonte se si i ishte ndalur mitralozi për një çast dhe si ia kishte rregulluar nipi, Besimi, sa çel e mbyll sytë, dhe si mërrolej kur thoshte me pezëm: “S’kem ku shkojmë përtej vendit tonë dhe s’e kemi ndërmend t’ ua mësyjmë rrugëve me gra e me fëmijë. Jo! Jo! Kjo është shtëpia jonë…” Në mendje e zemër do të trokasin gjatë edhe fjalët porosi të Hamzës: “Ju, që jeni punëtorë të arsimit duhet të mendoni mirë për punën që bëni. Të rinjtë janë e sotmja dhe e ardhmja jonë…”
Të njëjtën ditë e kishim vizituar kryetarin e Degës së LDK-së në Skënderaj, Idriz Rrecaj. Pasi na tregoi se në atë gjendje ankthi e pasigurie, askush s’u binte mbrapa, na luti: “Porositini ata në Prishtinë, le të vijnë bile t’na shohin e mos të mendojë policia serbe se s’po na bie kush mbrapa. Këtu afër është posta e tyre dhe atje në kodër, fabrika e municionit, ku janë të vendosur policët e ardhur nga Serbia dhe ku ta di prej nga tjetër. Na kanë si në pëllëmbë të dorës. Vetëm le të vijnë. Tjetër gjë s’po kërkojmë prej tyre.”
S’ kishte faj. Drenica dukej si ishull i zbrazur. Njerëzit e shihnin se rrebeshi i luftës veç po u trokiste në derë, dhe s’kishte si të mos e shihnin, prandaj ishin mbyllur nëpër shtëpia dhe përgatiteshin me ç’të mundnin. Në Prishtinë, subjektet politike e partiake dhe qytetarët silleshin sikur Drenica të ishte një vend i huaj, diku në ndonjë skaj bote ku s’arrije dot. Sheshet, rrugët e kafenetë ishin plot e përplot. Propaganda që bëhej kundër UÇK-së, mjerisht edhe nga struktura të organizuara shqiptare, e kishin topitur rëndë frymën luftarake të masave të gjëra të popullsisë, por jo përgjithmonë. Krimet monstruoze serbe ndaj popullsisë civile në Likoshan e Qirez, më 26 mars dhe ato në Prekaz, më 5,6 e 7 mars do të trokasin në ndërgjegjen e popullit duke i treguar se ç’rrugë duhet ndjekur.
***
Në rrethana e krijuara, se çka duhej të bënte dhe si duhej të vepronte rinia dhe mësimdhënësit liridashës të një shkolle të mesme shqipe, veçmas ata të kryeqendrës së Kosovës, kur edhe e vërteta për luftën e UÇK-së përhapej me vështirësi, do ta dëshmojnë personeli arsimor dhe grupi i të rinjve të gjimnazit “Xhevdet Doda” të Prishtinës, Kryesia e Rinisë Shkollore, shumica maturantë të vitit shkollor 1998/1999, por edhe ndonjë nxënës i viteve të treta dhe redaksia e revistës “Gjimnazisti”, e përbërë nga Samire Ademi, Besfort Rrecaj, Arianit Bytyçi, Fiton Peja, Bujar Sadiku, Kreshnik Gashi, Vlora Çitaku, Albana Rexhepi, Valbone Ruka, Ermal Sadiku, dhe Kushtrim Berisha. Që në fillim të viti shkollor, në shtator 1998, do të ftohen njohës të rrethanave politike në një tryezë kushtuar luftës së UÇK-së, të titulluar “Kosova, lufta çlirimtare dhe mundësitë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, në të cilën do të marrin pjesë profesorët Blerim Reka, Behlul Beqaj, Arsim Bajrami, kryetari i Unionit të Pavarur të Studentëve të UP-së, Muhamet Mavraj, profesori Sahit Berisha e drejtori Binak Ulaj, si dhe Kryesia e Rinisë Shkollore, redaksia e revistës “Gjimnazisti” dhe një numër i nxënësve të tjerë. Pas diskutimeve, të gjithë ishin të një mendjeje se lufta e UÇK-së ishte zgjidhja e vetme e drejtë dhe, si e tillë, e domosdoshme dhe se duhej të përkrahej nga të gjithë.
Këta të rinj e të reja, të edukuar nga prindërit e tyre dhe në frymën liridashëse e qytetëruese të shkollës shqipe, të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën gjendej Kosova dhe të përgjegjshëm ndaj Atdheut, u organizuan si një trup i vetëm në përkrahje të luftës mbrojtëse çlirimtare të UÇK-së duke iu kundërvënë propagandës së ethshme që bëhej kundër saj. Në rend të parë, ata u vunë në mbrojtje të luftës me shkrimet e tyre, me të cilat dëshmohej jo vetëm përkushtimi dhe pjekuria e tyre, por edhe vizioni për rrugën e lirisë. Kështu, në “Gjimnazistin” e botuar në nëntor të vitit 1998, Arianit Bytyçi shkruante: “Kosova në momentin e tanishëm gjendet në një udhëkryq të madh. Derisa trimat e lirisë përballen me një ofensivë shkatërrimtare serbe, udhëheqësit politikë të Kosovës mbeten të përçarë… dalin me deklarata të papërgjegjshme para faktorit ndërkombëtar, duke mohuar rolin e UÇK-së në zgjidhjen e çështjes së Kosovës..” I kësaj fryme kritike është edhe shkrimi i Kushtrim Berishës, i botuar në muajin dhjetor 1998. “Përderisa bijtë dhe bijat e Kosovës po e sakrifikojnë jetën e tyre, këtu bëhet sikur jetojmë në një botë tjetër, në atë botë të ëndrrave, duke ndenjur nëpër kafene e duke hapur propagandë kundër UÇK-së…’’. Të gjitha shkrimet e nxënësve i përshkon ndjenja e optimizmit në fitoren e luftës. I tillë është artikulli i Bujar Sadikut, i titulluar “Nuk dorëzohen djemtë e Artakollit”. Botimi, në faqe të parë, i fotos së emblemës së UÇK-së edhe betimi i UÇK-së në brendi ishte një orientim për lexuesit. S’ do mend se botimi i artikujve me emra të vërtetë të autorëve dhe shpërndarja haptazi e një reviste shkollore me përmbajtje të tillë në vitin 1998 e fillim të viti1999, ishte akt guximi dhe gatishmërie për bartjen e pasojave nga këta nxënës që ishin ende në moshë fare të re. Ata ishin të vetëdijshëm se kërkesa për mos politizimin e shkollës me shkrime të tilla, do të thoshte politizim negativ i saj.
Përveç shpërndarjes te rinia shkollore e, në disa raste, edhe te ajo studentore, këta djem e vasha revistën “Gjimnazisti” e dërguan edhe në zonat e luftës për t’u treguar drejtpërsëdrejti çlirimtarëve se kishin përkrahjen e rinisë qytetase. Duke parë se Nuhi Bytyçi, gazetar i luftës, shkonte e vinte nga fushëbetejat, Arianiti, djali i tij maturant, do ta luste atë ta merrte me vete, gjë që paraqiste rrezik për të dy. Falë këmbënguljes së Arianitit, të dy së bashku do të marrin rrugë dhe do të arrijnë në Lladroc të Malishevës ku do të takohen me drejtuesit e luftës, ndër ta edhe me Fatmir Limën dhe Rexhep Selimin. Takimi dhe pritja e Vitit të Ri 1999 së bashku me ta ishte ngjarje jetësore, siç shprehet Arianiti dhe babai i tij, Nuhiu. Falënderimi dhe porosia e anëtarëve të Shtabit të UÇK-së, drejtuar anëtarëve të redaksisë “Gjimnazistit” do t’ua shtojë besimin në misionin që kishte marrë. “… Kërkoj nga ju që të mos bini në intrigat partiake , apo të disa pseudoprofesorëve … Dëgjoni vetëm zërin e atdheut, i cili sot thërret të jemi sa më të bashkuar deri në fitore…”- porositi komandanti, Fatmir Limaj. Në Malet e Berishës “Gjimnazistin” e dërgoi edhe profesori, Sahit Berisha, bashkë me djalin e tij, Kushtrimin, kurse në Artakoll, rrëzë maleve të Çyqavicës, e dërguan Bujar Sadiku e Albana Rexhepi. Duke menduar se nuk po bëjnë sa duhet, ndonjëri prej këtyre djemve ishin të vendosur t’u bashkoheshin luftëtarëve të lirisë. Nuk e harroj rastin kur nxënësi, Bujar Sadiku, kishte ardhur në shtëpinë time së bashku me profesorin Sahit Berisha, për t’ u përshëndetur dhe thënë se në vend të çantës me libra ai do të rrokte armët. Duke pasur parasysh porosinë e Përfaqësuesit Politik të UÇK-së, bacës Adem Demaçi dhe atë të komandantit, Shaban Shala, tani Hero i Kombit, me të cilët kam pasur nderin të njihem e bashkëpunoj në KMDLNJ gjatë viteve ‘90, se aktiviteti duhet përqendruar edhe në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, veçmas te të rinjtë, kisha arritur të bindem se lufta nuk dihet sa do të zgjas dhe se ai dhe shokët e tij duhej të jepnin kontributin e tyre në Prishtinë.
Shkuarja e tyre në zonat e luftës kishte rëndësi të veçantë edhe për atë se prej andej, këta djem e vajza, shkruanin për ngjarje konkrete lufte, ku kishin qenë edhe vetë, dhe sillnin fotografi, botimi i të cilave e bënte revistën e tyre tribunë publike të UÇK-së.
Në përmbajtjen ideore të “Gjimnastit” rol të pazëvendësueshëm patën sugjerimet e redaksisë së “Botës së re”, organ i Lidhjes së Studentëve të Pavarur të Universitetit të Prishtinës, ku përgatitej e shtypej “Gjimnazisti”, veçmas i kryeredaktorit të saj, Muhamet Mavraj. Falë përkrahjes që gëzonin nga redaksia e “Botës së re, xhevdetdodasit morën pjesë në të gjitha protestat e organizuara nga UPS, protesta këto të cilat i kishin paraprirë mbështetjes së luftës nga nxënësit e gjimnazit “Xhevdet Doda”. Pjesëmarrjen e tyre në protesta, por edhe të aktiviteteve tjera të rinisë shkollore, i përjetësoi me aparatin e tij fotografik, profesori Shyqëri Obërtinca.
Vlen të theksohet se në vitin shkollor 1998/1999 ky gjimnaz mirëpriti 193 nxënës nga Drenica, por edhe nga viset tjera të përfshira nga lufta.
Dihet se brezat identifikohen me ata që lënë gjurmë në rrjedhat historike të kohës. Në një periudhë të rëndë, por të ndritshme të luftës për liri, kur më së miri dëshmohej dinjiteti i individit, por edhe i kolektivit, gjurmë të tilla kanë lënë edhe djemtë e vashat xhevdetdodase, maturantë të vitit shkollor 1998/1999.