Merce Puige Ribot ishte një qytetare e zakonshme spanjolle, deri ditën që fitoi kurajën dhe u paraqit në stacionin më të afërt të policisë në Puigcerda, një komunë e vogël me vetëm 9 mijë banorë në provincën e Gironas, në Katalonia; aty ku denoncoi zhvatjen e një shume të madhe parash që i ishte bërë kohë pas kohe.
Emisioni “Në Shënjestër” ka sjellë sot rastin e saj, një grabitje që la të shokuar edhe vetë agjentët në rajonin e vogël policor, të cilët teksa dëgjonin rrëfimin e pazakontë të zonjës Ribot.
Ajo tregonte se si vjedhja nuk ishte kryer nga një bandë hajdutësh që sulmuan beftas një mbrëmje kasafortën e banesës së saj, por nga një organizatë e sofistikuar kriminale, e cila në vend të maskave dhe kaçavidave kishte përdorur mashtrimin telefonik dhe një palë kufje, për t’i marrë jo pak, por fillimisht 560 mijë euro.
Para të cilat ishin sipas saj shpenzimet e një jete të tërë; llogaria e së cilës ishte zeruar në pak vite, nga mashtrues të cilët ajo më pas zbuloi se fshiheshin pas platformave softëare që aktivitetin e tyre kriminal e zhvillonin në një vend të vogël, të Europës, shumë larg Spanjës së saj, deri në atë moment të panjohur për të, të quajtur Shqipëri.
Bëhej fjalë për platformat e njohura si Call Center, një punë gati e përgjithshme në Shqipëri, ku janë të punësuar mijëra të rinj të cilët pavarësisht se kanë përfunduar studimet në disiplina të ndryshme universitare, kanë zgjedhur të punojnë në këto platforma, të joshur edhe nga fitimi i kënaqshëm mbi rrogën mesatare të tregut në Shqipëri.
Megjithatë kjo platformë i ka shkatërruar jetën zonjës Ribot, referuar fjalëve të saj para hetuesve.
“Merce Puigot Ribot u paraqit fillimisht në stacionin e policisë në qytezën e Puigcerdas në rajonin e Katalonjës, në veri të Spanjës, për të kryer një denoncim ndaj një kompanie investimesh në bursë, pasi sipas saj kishte rënë pre e mashtrimit.
Ajo i tha hetuesve se një investim fillestar prej 250 eurosh nëpërmjet kompanisë ‘Universe Markets’ ishte fryrë në një humbje, që i kishte kushtuar më shumë se 560 mijë euro”, thuhen në dosjen hetimore të autoriteteve spanjolle.
Por ky nuk do të ishte mashtrimi i parë dhe i vetëm ku zonja Ribot do të binte. Pasi i zhvati qindra mijëra euro, kompania ‘Univers Market’ nuk do ta ndalte këtu grabitjen ndaj “viktimës së tyre të preferuar”.
Kjo kompani do ta përndiqte deri në fund zonjën Ribot, duke krijuar këtë herë një skemë tjetër peshkimi ku futej në lojë një studio ligjore, e cila merrte angazhimin se do t’i kthente paratë e humbura zonjës Ribot.
Studio ligjore, që në fakt pas saj nuk fshihej askush tjetër përveçse kompanisë ‘Univers Market’, e njëjta që i kishte grabitur 560 mijë euro, e bindi edhe njëherë zonjën Ribot, t’i jepte asistencë ligjore dhe i grabiti kësaj të fundit edhe 290 mijë euro të tjera nga llogaria.
Pra, në total brenda katër viteve, e njëjta shoqëri, i zhvati jo pak por 850 mijë euro shtetases spanjolle, derisa Merce Puigot Ribot (Merse Pig Ribot) u paraqit edhe njëherë në stacionin policor të Puigcerdas (Puhiserdas).
“Katër vite më vonë, më 22 prill 2022, Ribot u shfaq përsëri para hetuesve duke deklaruar se këtë herë kishte humbur edhe 291 mijë euro të tjera, pasi ishte kontaktuar nga një studio e pretenduar ligjore, e cila ishte në dijeni të mashtrimit të parë dhe kishte premtuar që t’i rikuperonte paratë”, thuhet në dosjen e autoriteteve spanjolle.
Në bazë të hetimeve të kryera nga prokuroria spanjolle, skema në të cilën zonja Ribot, kishte rënë pre e mashtrimit, ishte një karrem i zakonshëm të cilin e përdornin të tilla kompani, të dedikuara sipas tyre në tregun e bursave.
Skemë e cila fillonte me investimin e një shume modeste parash, në rastin e zonjës Ribot, prej vetëm 250 eurosh, madje duke i instaluar edhe një platformë, me qëllim që të shikojë ecurinë e përfitimit, që supozohej se do të merrte, kjo sa për të fituar besimin e klientëve.
Fitim që jo vetëm nuk erdhi kurrë, por në dëshpërimin për të rikuperuar paratë e humbura, viktimat investuan edhe para të tjera që kishin në llogarinë bankare, deri në momentin që prekën fundin.
m.b./dita
