Hetimet e ndjekura për zhdukjen e Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit në Sarandë, çuan në parandalimin e një ngjarje kriminale në Fier, për të cilën ishin përgatitur mbi 21 kilogramë lëndë plasëse e montuar për shpërthim në distancë.

Kjo sasi eksplozivi iu gjet shtetasit Albi Mëcini, me precedentë të mëparshëm kriminal, teksa po lëvizte në aksin rrugor Mbrostar-Fier.
Ato ishin të vendosura pranë makinës së tij, në dy çanta të montuara me celularë dhe nëpërmjet një mekanizmi shpërthimi do të bëhej i telekomanduar.
Pas arrestimit të tij, nga kontrolli në zonë, Policia gjeti edhe këtë makinë, brenda të cilës ishin 3 bidona me lëndë djegëse benzinë, e cila dyshohet se do të përdorej për largim nga vendi i ngjarjes dhe asgjësim të provave.
Për këtë ngjarje u shpallën në kërkim edhe Arafat Manërkolli, 27 vjeç dhe Ervis Cukali 25 vjeç, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me Albi Mëcinin, kishin siguruar kushtet për një vrasje në Fier. Për shënjestren e atentatit, policia u tregua e rezervuar në dhënien e detajeve.

Policia e Fierit dhe ajo e Vlorës ranë në gjurmët e planit për atentat teksa po e hetonin Albi Mëcinin si një prej pjesëmarrësve në rrëmbimin dhe zhdukjen e Leonard Theodhorit dhe Fatmir Sulovarit në qytetin e Sarandës në prill të këtij viti.
Në këtë krim ai dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasin Sebastjan Lataj, 25 vjeç. Për të dy, gjykata e Sarandës ka nxjerrë masa sigurie, për shtetasin për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.
Operacioni policor është në vijim dhe pritet që policia të japë detaje të tjera në lidhje me mënyrën se si u zhdukën dy personat në Sarandë dhe shkaqet e ngjarjes. Hetimet janë përqendruar edhe në gjetjen e trupave të dy të zhdukurve.
Albi Mecini, njeriu që konsiderohet si organizator dhe pjesëmarrës në rrëmbimin e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Krasniqit (Sulovarit) është një prej njerëzve të besuar të Admir Tafilit, ky i fundit i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.
Në 2013, Mecini ndihmoi Tafilin dhe miqtë e tij të arratiseshin nga burgu i sigurisë së Lartë në Drevonë.
Admir Tafili konsiderohet si kreu i grupit të vrasësve me pagesë.
Kush është Admir Tafili
Admir Tafilaj është dënuar për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-shefit të Krimeve, Prel Pjetrushi. Ai njihet edhe si kreu i grupit të ‘tritolit’ pasi teksa ndodhej në burg porositi vrasjen e Ibrahim Manit përmes Kristi Pinës, një bashkëpunëtor tashmë i drejtësisë. Admir Tafili dhe vëllai i tij Genci, ishin djemtë e peshkatarit Bahri Tafili. Në vitin 2000 policia e Shkodrës, nën drejtimin e drejtorit Arben Zylyftari shkoi në një operacion në lagjen Kiras për të arrestuar Bahri Tafilin që akuzohej për vrasjen e shtetasit Skënder Geci.
Në atë operacion u vranë si Bahri Tafili dhe po ashtu edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Komisar Arben Zylyftari, vrasje për të cilën u akuzuan gjithashtu të dy vëllezërit Tafili. Vetë familja Tafili disa herë ka akuzuar si autor të dy vrasjeve ish-shefin e krimeve të Shkodrës në atë kohë, Prel Pjetrushin. Kimete Tafili, bashkëshortja e Bahri Tafilit, është shprehur se i shoqi është vrarë nga Prelë Pjetrushi pasi u dorëzua i prangosur, dhe se autorët e vërtetë të vrasjes së Arben Zylyftarit janë të lirë.
Në vitin 2010, Admir Tafili, mori leje nga burgu i Shën Kollit për të parë të ëmën e sëmurë dhe në këtë rast arratiset. Në mars të vitit 2011, vrau në pritë dy vëllezërit e Prel Pjetrushit në fshatin Grudë të Shkodrës. Muaj më vonë, pas një operacioni të suksesshëm policie Tafili arrestohet në Tiranë.
Dy vite më pas, në vjeshtën e 2013-s, ndërsa ndodhej në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, Admir Tafili me Fran Marashin, Gëzim Gurin, Artur Goran, Gëzim Tomën, Reiz Haxhirajn dhe Eduard Lulan arratisen, por një ditë më vonë prangosen nga RENEA në Prrenjas. Tashmë ai ndodhet në burgun e Burrelit ku është ngritur në grevë bashkë me të dënuar të tjerë pasi kërkojnë takime me familjarët.








