Qindra arsimtarë do t’u drejtohen të shtunën qendrave të përcaktuara në kryeqytet për të zhvilluar provimin e kualifikimit. Ndryshe nga sa ka ndodhur vitet e shkuara, për 2023, testimin me shkrim do të hyjnë të gjithë mësuesit që konkurrojnë për të fituar shkallën e tretë të kualifikimit “Mësues i kualifikuar”, si dhe shkallën e dytë “Mësues specialist”. Ndërkohë që marrja e shkallës më të lartë të kualifikimit “Mësues mjeshtër” nuk do të zhvillohet më nëpërmjet testimit, por me modelin e orës mësimore të hapur që do të zhvillohet në çdo shkollë. Mësuesit që do të vlerësohen kalues në provim do të mund të sigurojnë edhe rritjen e pagës 5 ose 10 për qind, sipas shkallës në të cilën janë në kualifikim.
Përgatitja për provimin
Gjashtë janë fushat në të cilat do të ndalet testimi i njohurive të mësuesve që do të konkurrojnë për shkallën e dytë dhe të tretë të kualifikimit. Sipas autoriteteve të arsimit, fushat kryesore në të cilat do të testohen njohuritë dhe aftësitë e mësuesve të kategorisë së dytë dhe të kategorisë së tretë janë: njohja e dokumentacioni zyrtar shkollor, programin lëndor, aspekte të pedagogjisë, metodologjisë dhe përdorimit të TIK-ut në procesin e mësimdhënies në lëndën përkatëse, aspekte të etikës dhe të komunikimit, drejtshkrimin e gjuhës shqipe, si dhe njohuritë shkencore të lëndës që japin.
Referuar këtyre fushave, testi do të jetë i strukturuar në dy pjesë. Pjesa e parë që do të përmbajë pyetjet rreth njohjes së dokumenteve zyrtare, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit, si dhe aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ndërsa pjesa e dytë do të përfshijë pyetjet rreth përmbajtjes shkencore të lëndës që mësuesi zhvillon në shkollë me nxënësit e tij gjatë vitit mësimor.
Autoritetet e arsimit sqarojnë se një pjesë e konsiderueshme e pyetjeve të testit kanë të bëjnë me njohjen e urdhrave, udhëzimeve, ligjeve dhe dokumenteve të tjera ligjore në funksion të veprimtarisë mësimore. Në vijim të shkrimit gjeni edhe dokumentet përkatëse ligjore nga të cilat do të merren pyetjet që do të mbulojnë këtë fushë.
Sa i takon pyetjeve rreth etikës, mësuesi duhet të dijë si të përshkruajë parimet themelore mbi të cilat është hartuar Kodi i Etikës së Mësuesit, të dallojë sjelljet e mësuesit që burojnë nga parimet themelore, të hartojë vetë një kod të thjeshtë sjelljeje që bazohet në parimet dhe standardet e Kodit të Etikës, të përshkruajë sjelljet model që duhet ta karakterizojnë, në varësi të funksionit që ka në komunitetin e shkollës, si dhe të dijë të sillet në përputhje me rregullat e etikës dhe të sjelljes në marrëdhënie me drejtuesit, stafin pedagogjik, nxënësit, prindërit dhe komunitetin gjatë punës së tij brenda dhe jashtë institucionit arsimor.
“Provimi do të quhet i kryer me sukses nëse kandidati ka siguruar të paktën 40 për qind të pikëve për secilën pjesë të testit”, përcaktohet në udhëzimin e miratuar më herët nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për fitimin e shkallëve të kualifikimit për vitin 2023.
Vlerësimi i çdo mësuesi
Referuar skemës së përcaktuar në udhëzimin e posaçëm të MAS, vlerësimi përfundimtar i çdo kandidati që garon për shkallën e kualifikimit përgjatë këtij viti do të bëhet me sistemin e 100 pikëve, të cilat mblidhen nga portofoli i mësuesit (30 pikë), si dhe pikët e testit me shkrim (70 pikë).
Kandidati vlerësohet me 5 shkallë që janë: A-Shkëlqyeshëm, B-Shumë mirë, C-Mirë, D-Mjaftueshëm, si dhe E-Dobët.
Mësuesit që japin testin e kualifikimit por që janë të pakënaqur me rezultatin mund të aplikojnë sërish përgjatë viteve në vijim për të përmirësuar rezultatin. Në përfundim të këtij procesi kandidati merr edhe certifikatën përkatëse që konfirmon shkallën e kualifikimit të fituar. Kjo ndarje konfirmon edhe rritjen e pagës që mësuesi siguron në rastet kur vlerësohet pozitivisht në testin me shkrim që do të zhvillohet në muajin prill, ose zhvillimin e orës së hapur mësimore. Kështu, rritja e pagës vijon nga 5 për qind për shkallën e tretë “Mësues i kualifikuar”, në 10 për qind për shkallën e dytë “Mësues Specialist”, si dhe 20 për qind për shkallën më të lartë të kualifikimit që është “Mësues Mjeshtër”.
Mësuesit që nuk arrijnë të sigurojnë pikët kaluese përgjatë këtij viti, kanë të drejtë që të testohen sërish për të fituar shkallën përkatëse të kualifikimit përgjatë vitit të ardhshëm, çka do të thotë se rezultatet negative nuk penalizojnë mësuesin me humbje të vendit të punës.
Fushat ku do testohen njohuritë e mësuesve
- Dokumentet zyrtare të cilat kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësimdhënie-nxënies në shkollë. Këtu është fjala për të gjitha dokumentet ligjore, urdhëresat dhe udhëzimet e MAS që zbatohen në shkollë, duke u përqendruar veçanërisht në ato të viteve të fundit.
- Programet lëndore të secilës klasë.
- Aspekte të pedagogjisë dhe të metodologjisë në ciklin fillor, të detyruar dhe në gjimnaz.
- Aspekte të etikës dhe të komunikimit.
- Aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
- Përmbajtja shkencore e lëndës në të cilën mësuesi zhvillon procesin mësimor.
Dokumentacioni zyrtar shkollor që çdo mësues duhet të njohë:
- Ligji nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
- Rregullorja e funksionimit të institucioneve arsimore parauniversitare në Republikën e Shqipërisë, miratuar me urdhër nr.31, datë 28.01.2020.
- Udhëzimi nr.22 “Për fillimin e vitit shkollor 2022- 2023 në sistemin arsimor parauniversitar”, MAS, datë 27.07 2022.
- Udhëzimi nr. 30, datë 12.09.2018 “Për numrin e nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore në institucionet e arsimit parauniversitar” i ndryshuar me udhëzimin nr.14, datë 28.07.2021.
- Udhëzimi nr. 16, datë 28.07.2021 “Për funksionimin e sistemit të zhvillimit të vazhdueshëm profesional të punonjësve arsimorë”.
- Udhëzimi nr. 2, datë 08.02.2023. “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve”.
- Udhëzimi nr. 17, datë 05.07.2022 “Për vlerësimin e nxënësve në sistemin arsimor parauniversitar”.
- Urdhri nr. 46, datë 24.07.2020 “Për standardet profesionale të formimit të përgjithshëm dhe të formimit lëndor të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar”.
Marrja e shkallës kualifikimit “Mësues mjeshtër”
- Mësuesit me vjetërsi pune 20 vjeçare dhe më shumë, do të kualifikohen për kategorinë e parë, që është edhe më e larta “Mësues mjeshtër”.
- Ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, për 2023-shin, për herë të parë, kualifikimi për mësuesit e kategorisë më të lartë nuk do të bëhet më nëpërmjet provimit me shkrim sikundër ndodh me kategorinë e dytë dhe të tretë.
- Faza e dytë e konkurrimit për titullin “Mësues mjeshtër”, do të zhvillohet nëpërmjet orës mësimore të hapur, e cila do të organizohet në shkollën përkatëse, ku mësuesi jep mësim. Ndërkohë që do të jetë vetë ai që do të zgjedhë klasën, me të cilën do të kryejë këtë orë.
- Zyra vendore e arsimit në bashkëpunim me përfaqësuesit e rrjeteve profesionale, harton kalendarin e orëve mësimore të hapura dhe e miraton atë për të gjithë kandidatët, sipas periudhës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
- Ora mësimore e hapur për procesin e kualifikimit ndërtohet sipas planifikimit ditor, duke përfshirë risi metodologjike, për realizimin e rezultateve të të nxënit, si dhe risi në procesin e të nxënit. Këto orë do të jenë sipas profilit të lëndës ku mësuesi jep mësim.
- Drejtuesi i rrjetit profesional do të sigurojë pjesëmarrjen e anëtarëve të rrjetit profesional në orën mësimore të hapur të zhvilluar nga kandidati mësues për kategorinë e parë të kualifikimit. Pjesë e kësaj ore mësimore do të jetë edhe drejtuesi i shkollës, si dhe përfaqësuesit e këshillit të prindërve.
- Në përfundim, ora mësimore e hapur do të vlerësohet sipas niveleve të përcaktuara të vlerësimit.
p.k\dita
