Dr Dorian Koçi*
Botuar në DITA
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Turqisë ndajnë një miqësi të hershme dhe tradiconale. Pas fitimit të pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane më 28 nëntor 1912, shpërbërjes së Perandorisë Osmane, mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe zhvillimeve politike në të dy vendet u krijuan premisat për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe njohjen reciproke të dy vendeve në kuadër të rendit të ri botëror. Përpjekjet për ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike mes Turqisë dhe Shqipërisë filluan që në vitin 1920 . Për të parë ecurinë e tyre në këtë 100 vjetor të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë është e nevojshme që të bëjmë një vlerësim të zhvillimeve politike të brendshme në të dy vendet në vitet 1918-1923.
Kongresi i Lushnjës që u mblodh më 21 janar 1920, synoi rimëkëmbjen së Shtetit të pavarur shqiptar të krijuar më 28 nëntor 1912. Kongresi i Lushnjes arriti një bashkim politik i një aleance të të gjitha shtresave e grupimeve politike, e cila i dha shpejt frytet e saj si në politikën e brendshme po ashtu dhe në atë të jashtme. Me pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 9 nëntor 1921, Shqipëria u njoh si shtet sovran dhe ndërkombëtar. Ndërkohë pas zhvillimeve politike të brendshme në Turqi, në përfundimin e Luftës së Parë Botërore, pushtimin e Stambollit (1918) dhe Izmirit (1919) nga Aleatët u iniciua Lëvizja Kombëtare Turke. Nën udhëheqjen e Mustafa Qemalit, komandantit ushtarak të shquar gjatë Betejës së Galipolit, u zhvillua Lufta Turke e Pavarësisë (1919–1923) me qëllim të revokimit të kushteve të Traktatit të Sevres (1920). Në vitin 1922, ushtritë greke, armene dhe franceze u dëbuan nga Turqia, dhe qeveria e përkohshme në Ankara, e cila e kishte shpallur veten si qeveria legjitime e vendit më 23 prill 1920, filloi të zyrtarizonte kalimin ligjor nga ai osman, në sistemin e ri politik republikan. Më 1 nëntor 1922, Parlamenti turk në Ankara shfuqizoi zyrtarisht Sulltanatin, duke i dhënë fund kështu 623 viteve të sundimit monarkik osman. Traktati i Lozanës i 24 korrikut 1923, i cili zëvendësoi Traktatin e Sevres, çoi në njohjen ndërkombëtare të sovranitetit të “Republikës së Turqisë” të sapoformuar si shtet pasardhës i Perandorisë Osmane, dhe Republika u shpall zyrtarisht më 29 tetor 1923 në Ankara, kryeqyteti i ri i vendit. Dy muaj më vonë, midis Republikës së Turqisë dhe Shqipërisë, në 15 dhjetor 1923 u vendosën marrëdhëniet diplomatike ku u nënshkrua Traktati i miqësisë së përjetshme midis dy vendeve. Ky Traktat përbëhet nga Traktati për Ndërtimin e Marrëdhënieve Diplomatike, Traktati për Çështjet Konsullore dhe Marrëveshjet e Shtetësisë dhe është nga traktatet e para ndërkombëtarë të nënshkruar nga qeveria shqiptare pas rimëkëbjes së pavarësisë së shtetit shqiptar. Marrëdhëniet e reja diplomatike themeluan një bashkëpunim afatgjatë të bazuar në miqësinë e ndërsjelltë, besim dhe solidaritet në të gjitha fushat. Republika e Turqisë që në krye të herës e konsideroi Shqipërinë si një vend me rëndësi strategjike për krijimin e qëndrueshëm të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe mbështeti konsilidimin dhe forcimin e shtetit shqiptar.
Midis 1925 dhe 1928 Turqia dhe Shqipëria ranë dakord dhe nënshkruan një Marrëveshje Tregtare, një Traktat Ekstradimi dhe një Konventë Konsullore. Çështje të tjera përfshinin disa përpjekje të pasuksesshme të Shqipërisë për të marrë të dhënat e kadastrës osmane nga Turqia për të përditësuar informacionin e pronës dhe pamundësinë e përpjekjeve turke, për të detyruar Shqipërinë që të marrë një pjesë të Borxhit financiar osman. Në vitin 1925 u hap një konsullatë turke në Vlorë, në Shqipërinë e Jugut dhe në vitin 1926 u hap një ambasadë turke në Tiranë, dhe një ambasador shqiptar u dërgua në Ankara. Në vitin 1928, Presidenti Ahmet Zogu u shpall mbret i tërë shqiptarëve. Me këtë veprim ai e konsolidoi më tej pushtetin e tij, për shkak të shqetësimeve se qeveritë republikane ishin të paqëndrueshme për të kundërshtuar kërcënimet e mundshme gjeopolitike të fqinjëve më të mëdhenj ndaj sovranitetit shqiptar. Regjimi i ri u njoh nga shumica e vendeve, ndërsa udhëheqësi republikan i Turqisë Ataturku, e refuzoi njohjen për shkak të fitores së vështirë të republikanizmin turk dhe duke parë me sy jo të mirë lëvizjen e Ahmet Zogut për t’u bërë mbret. Sipas Ataturkut, kjo lëvizje shkelte parimet republikane dhe shkonte kundër interesave të popullit shqiptar.
Mosëmarrëveshjet midis Tiranës dhe Ankarasë, vijuan edhe me disa lëvizje të stafit diplomatik nga konsullatat, respektivisht në Turqi dhe në Shqipëri. Italia e Benito Musolinit, e cila në atë kohë mbante marrëdhënie të ngushta diplomatike me Ahmet, Zogun, duke pasur gjithnjë e më tepër ndikim në çështjet shqiptare, bëri përpjekjet e saj që Turqia të njihte regjimin e ri monarkik të Shqipërisë.
Në këtë kohë, nga pala shqiptare u bënë përpjekje për të forcuar bashkëpunimin diplomatik me Republikën e Turqisë.Në takime të ndryshme rajonale dhe të tjera të këtij lloji, u këmbyen letra kredenciale, duke e vënë theksin, në miqësinë dhe interesat e përbashkëta të të dy vendeve. Gjithashtu, u bënë përpjekje nga Shqipëria për të rivendosur marrëdhëniet ndërshtetërore me Turqinë, në rangun e personelit të lartë diplomatik. Marrëveshjet e lidhura më parë u rivendosën sërish dhe në vitin 1933, në parlamentet e të dy vendeve u ratifikuan marrëveshje të tjera. Tashmë në vitin1933, marrëdhëniet shtetërore ishin rivendosur dhe deri në nivel ambasadori. Në vitin 1936 një motër e Ahmet Zogut u martua me djalin e ish-sulltanit osman Abdul Hamid II, duke sjellë një ftohje të lehtë të marrëdhënieve midis dypalëve. Kjo gjë ndodhi pasi Turqia shprehu pakënaqësinë e saj për këtë ngjarje.
Gjatë viteve 1950, zyrtarët shqiptarë që përfaqësonin regjimin komunist shprehën dëshirën për të forcuar më tej lidhjet dypalëshe me Turqinë. Ambasada turke në Shqipëri u rihap në vitin 1958 por marrëdhëniet shtetërore midis dy vendeve ishin të kufizuara për shkak të rrjedhojave politike dhe ekonomike pas grushtit të shtetit të vitit 1960 në Turqi. Pas shkëputjeve të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë komuniste dhe Bashkimit Sovjetik në viti 1961, pala turke u interesua për çështjen shqiptare, duke shprehur mbështetjen për integritetin territorial të Shqipërisë. Madje, Turqia loboi te disa nga aleatët e saj perëndimorë, në veçanti SHBA-ja, me qëllim që dhe kjo e fundit të lobonte në interes të Shqipërisë. Qeveria komuniste shqiptare distancoi marrëdhëniet e saj me Ankaranë pasi nuk kishte besim te Turqia si vend anëtar i NATO-s dhe aleate e vëndeve perëndimore. Shqipëria e viteve të komunizmit, druhej se mos Turqia mund të përmbyste regjimin në Shqipëri ose ta minonte atë duke përhapur ndikime ekonomike dhe kulturore perëndimore. Shqipëria ndihej e kërcënuar nga fqinjët e saj më të mëdhenj si Jugosllavia dhe Greqia dhe për këtë arsye politika e jashtme shqiptare hodhi sytë nga Ankaraja, duke e parë Turqinë si një partner më të besueshëm. Në vitin 1966 u bënë vizita të nivelit të lartë dhe marrëdhëniet dypalëshe u afruan dhe më tej. Në fushën e ekonomisë, marrëdhëniet shqiptaro-turke u zhvilluan sidomos gjatë viteve 70’. Krahas bisedimeve dypalëshe për çëshjte të ndryshme, u mor vendimi për krijimin e shërbimeve të trafikut ajror midis dy vendeve. Në vitin 1988 kontaktet e nivelit të lartë rifilluan nëpërmjet një vizite të ministrit të jashtëm turk në Shqipëri.
Në vitet 90-të, të dyja vendet hynë në një proces të konsolidimit të marrëdhënieve të ndërsjellta. Republika e Turqisë ishte veçanërisht vepruese dhe kontribuese gjatë viteve të tranzicionit në Shqipëri dhe luftës në Kosovë në 1999. Mbështetja e Republikës së Turqisë nuk ishte vetëm logjistike por ajo mori pjesë dhe në aksionin humanitar dhe shumë të rëndësishëm të strehimit të refugjatëve të luftës në vendet e Evropës. Karakteristikë e përgjithshme e marrëdhënieve dypalëshe midis Turqisë dhe Shqipërisë është miqësia e ndërsjelltë, besimi dhe solidariteti. Në sytë e shqiptarëve janë të freskëta kontributi dhe ndihma e Republikës së Turqisë në tërmetin e datës 26 nëntor 2019 që goditi qarkun e Durrësit dhe Tiranës si dhe ndihmën humanitare me vaksina gjatë kohës së pandemisë. Turqia e konsideron Shqipërinë si një vend me rëndësi strategjike për krijimin e qëndrueshëm të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe mbështet integrimin e saj me institucionet Evropiane dhe Euroatlantike. Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, përbën një dimension të fortë të marrëdhënieve dypalëshe turko-shqiptare.
Magisturum of Arts në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomaci